ISA MULAJ: KUSH DI DIҪKA PËR KISHAT – SI QUHET KY ARTEFAKT?

Prishtinë, 24. 08. 2014: Është zbuluar në qershor 2014, 500 metra në juglindje të Illyricum Sacrumit. Tanimë e dini vendin e saktë të lokalitetit arkeologjik të Illyricum Sacrumit, dhe sa për rikujtim, koordinatat e tij mund t’i gjeni në këtë punim të shkurt: Illyricum Sacrumit
https://www.academia.edu/7494648/Why_archeological_tourism_does_not_work_Evidence_from_two_discoveries_in_Kosovo
Ky që e shihni në fotografinë e mëposhtme, është guri i formuar nga ujërat termale të cilat kanë gërryer gurët tjerë dhe pjesët tjera të tokës. Është guri relativisht i butë që mund të gdhendet edhe me sëpatë ose sqepar. Për ta identifikuar më lehtë, shumë kush e quan “asi guri me bira; veç n’Ilinxhe kas qasi”, ndërsa unë dhe disa të tjerë e quajmë “gurdjathi i Zvicrës.” Është i gjatësisë rreth 70 centimetra, me një bisht të zgjatur si tas i madh, dhe e kam në posedim personal. Ka qenë i vendosur si guri i thjeshtë në murin 80 centimetra të gjerë të xhamisë, e cila është ndërtuar në vitin 1861 dhe ishte djegur nga serbët më 04 prill 1999. Kur e pashë këtë të ketë dalë nga muri i xhamisë, e pyeta: kryepunëtorin e firmës që bënte rindërtimin e xhamisë:

– A e marr këtë guri se më duhet diçka?
– Pikërisht këtë lloj guri nuk bënë ta marrësh sepse është i lehtë për t’u gdhendur. Është më i mirë për ne si muratorë ta përdorim se sa këta gurët gëleqeror, granit dhe të mermerit që janë shumë më të fortë.
– Është gur kishe, i kaurrëve! Kjo që po rindërtohet është muze xhamije. Nuk bënë ta ngatërrojmë xhaminë me gjëra të kaurrëve! Unë ua solla këtë epigrafin e xhamisë dhe e pastrova me acid klorhidrik. Çka është e xhamisë, e ruaj për xhami. Çka është për kishë, do ta ruaj për kishë. Çka nuk i përket asnjërës, më perket mua!
– E po, merre atëherë. Paska me përbërje të tillë mjaft të tjerë.

Xhamia tani është duke u rindërtuar. Sipas traditës gojore, xhamia kishte filluar të ndërtohet në vitin 1855 me gurët e tri kishave. Thonë se kanë qenë kisha katolike, dhe vendet e sakta të tyre ishin, sot ku gjenden: i) në trollin e Mulajve ku edhe sot quhet “bashqja te kisha” ose “qaty ku i mjellke Dauti kept”; ii) kisha n’oborr t’Hajzer Osmanit; dhe iii) kisha në Kërrsh të Vogël. Këto vende ndodhen në veri të xhamisë me këto largësi nga xhamia: e para, 500 metra, e dyta 250 metra, dhe e treta ose në Kërrsh të Vogël mbi 700 metra. Për të dytën që ishte më së afërmi ku ndodhet xhamia, nuk ka asnjë gjurmë sepse janë ndërtuar shtëpi banimi. “Bashqja te kisha” deri vonë ka pasur një sasi gurësh që lë përshtypjen se ka pasur objekt, dhe një bunar (pus) skaj objektit i cili sot është i mbyllur por meqenëse ka qenë i murosur me gurë, sasia e madhe e gurëve të tij gjenden nën sipërfaqen e cekët të tokës që mund të shkoj deri në disa metra thellë. Kërrshi i Vogël, 400 metra në verilindje nga lokaliteti arkeologjik i Illyricum Sacrumit, është lokalitet arkeologjik i periudhës së bronzit (3600 – 1200 Para Epokës së Re). Në fund të tij qëndron një pllakatë si shenjë e komunikacionit me mbishkrimin “Shushicë: Kërshi i Vogël, Lokalitet arkeologjik i bronzit.” Është vendosur ky njoftim para dy viteve pasi shumë gjësende që i kishin gjetur arkeologët si mbetje të punës njerëzore, kur janë testuar kanë dalur të Epokës së Bronzit. I të njëjtës periudhë është edhe Illyricum Sacrum (Ylli i “Davidit”, Luljeta, Pema e Jetës, dhe “Syri i Masonëve”). Pyetja kritike për këtë “gurdjathin e Zvicrës” që është marrë si guri i kishës dhe ka “fjetur” prej vitit 1855 në murin e xhamisë, është: cilës periudhë i takon, nga ka ardhur, kush ka mundur ta punoj, i cilës kulturë është, e shumë pytje tjera?
Për shkak se është ripërdorur në rindërtim, pra nga kisha në murin e xhamisë ku është lidhur me gurë tjerë me mallter, teknika për analizën e vjetërsisë së tij është gati e pamundur sepse janë dëmtuar materiet e tij në sipëfaqe. Mirëpo, për këtë mos u brengosni fare. Caktimi i saktë ose i përafërt i vjetërsisë së një artefakti nuk ka aq rëndësi nëse nuk jemi në gjendje ta dijmë se cila kulturë dhe popull e ka prodhuar. Ja një shembull se si mund të mashtroheni dhe mbeteni konfuz (të ngatërruar) nga këto testime të artefakteve. Në lokalitetin e Illyricum Sacrumit pas luftës më 1999, shumica e mbeturinave të shtëpive të djegura aty afër, janë hedhur aty. Sot, mbi ato mbeturina ka mbirë bari dhe kanë filluar të rriten edhe drunjët. Me një gërmim sipërfaqësor menjëherë i hasni copat dhe mbetjet e bllokave të kuq me vrima të cilët ishin pjesë e shtëpisë së djegur nja 100 metra më lartë. Çfarë testi vejtërsie do t’i bëni këtij materiali, dhe çfarë historie do të vërtetoni në bazë të tij? Ja vjetërsia e saktë e atij materiali pa ia bërë asnjë test – është i fundit të viteve 1980-ta, i prodhuar në Serbi, i eksportuar në Kosovë, i përdorur për murosje të shtëpisë së banimit. Ka pasur kësi blloka të kuq të pjekur nga dheu me vrima para 100 viteve? Ose, pas 200 viteve mund të gjejmë mbetjet arkeologjike të një veture Golf 2. I cilës periudhë do të mendoni se është, dhe vepër e kujt? Shumë e thjeshtë, a po jo? Prandaj, teknikat e matjes së vjetërsisë duhet të shoqërohen me kujdes të madh në sqarimin e rrethanave dhe epokave historike. Po që se gërmoni te Illyricum Sacrumi dhe gjëni copa të bllokave të kuq, do të thoni: e çka dreqi po t’duhet testi i radiokarbonit për këtë material bre? Por, nëse gërmon dy metra më thellë, në po të njëjtin vend, të dalin gurët e gdhendur të cilëve kur ua bënë testin të dalin mbi 4 000 vite të vjetër. Për materialin e mbetur të bllokave të kuq e kuptuam; janë prodhim serb, të përdorur nga shqiptarët, dhe të hedhur si mbeturina nga shqiptarët. Këtë e dijmë dhe topi nuk e luan. Po ata gurët nën tokë para 4 000 viteve, mos i paskan punuar serbët apo shqiptarët? Asnjëri prej tyre. Kjo metodë e kërkimit është shumë më e dobishme se sa fiksimi që e parapëlqejnë shumë shqiptarë vetëm tek vjetërsia pa menduar tek rëndësia e kuptimit që na ndihmon ta rishkruajmë historinë.
Rendësia historike e “Gurit të Pagëzimit” – me nxjerr “vjam prej pleshti”, apo rishkrim i historisë?
“Guri i Pagëzimit” nuk është emërtim të cilin unë e kam ditur. Është huazim nga një mik i imi të cilin e kam pyetur se si quhet “njëfar fontane brenda në kishë, e ndërtuar me gurë (sot edhe me material tjetër si beton, plastikë, keramikë, etj.) që e ka njëfar pjese të ngritur si kupë ku derdhet pak uji, e ku prifti e shtin dorën, e lagë, dhe me dorë të lagët i pagëzon njerëzit?” Këtë pyetje ia bëja shumëkujt dhe u kërkoja t’i pyesnin priftërinjët, dhe të ma tregojnë emërtimin. Të gjithë, ende pa e përfunduar mirë pyetjen, ndërhynin me përgjigje: “Aaa, po more! E kam pa 100 herë priftin aty t’u e lagë dorën në një far kupe me do uji. Pe di fort mirë për çka e ki fjalën.” Por emrin nuk ia dinin. Edhe një oficeri slloven të KFOR-it kur ia tregoja, ndërhynte pa e përfunduar mirë sqarimin “yes, yes, yes”, por kur e pysja si quhet në sllovenisht, anglisht, gjermanisht, apo çfarëdo gjuhe, nuk më tregonte. Gjetja e emërtimit të duhur dhe të saktë, ka rëndësi të jashtëzakonshme. Për shembull, për Illyricum Sacrum, më ka ardhur kjo vërejtje në anglisht: “brutally provocativ (provokim brutal) sepse nuk është as Yll, as David, as Magen David, as Izrael, është Sakrum dhe vepër e Ilirëve.” Për më tepër, Ministria e Punëve të Jashtme të Izraelit, institucioni më kompetent për t’i treguar botës për identiten, kulturën dhe historinë e hebrenjve dhe Izraelit, në faqen e saj zyrtare njofton se Ylli i “Davidit” nuk ka qenë kurrë simbol i hebrenjve por vetëm ëashtë marrë ashtu si ka ekzistuar si simbol për identifikim të pjesërishëm para 100 viteve, e si simbol zyrtar vetëm prej formimit të shtetit Izraelit më 1948. Pra, merruni vesh me çifutët rreth të vërtetës për Yllin e “Davidit.” Kur ata nuk e pranojnë se është i Davidit, që d.m.th. e pranojnë të vertetën, juve që mendoni se është i “Davidit”, nuk kam çka u bëjë. “Shumë bukur! I paska nxanë çifutët duke na vjedhur dhe gënjyer! Ja u paske çjerrë maskën me fakte”, do të thoshin shumica e shqiptarëve, ose atyre që e lexojnë këtë artikull, por na trego diçka më shumë për “Gurin e Pagëzimit”, çka po bënë aq zhurmë për të; a po don me nxerrë vjam prej pleshti pej një guri me na a shkru krejt historinë, a?
Rëndësia e “Gurit të Pagëzimit” si guri, është si e gurit të zakonshëm siç e kanë cilësuar shqiptarët për dekada gurin e Illyricum Sacrumit në të cilin, me nder me thanë, kanë urinuar në të dhe afër tij e kryenin nevojën. Vetëm kur kanë marrë vesh nga informimi im, pra nga njohuria për të, të njëjtit që e kanë pshurrur ishin në gjendje ta puthnin dhe lëpinin. Nuk e them kot unë se njeriu i kohës së sotme është produkt i informatave dhe njohurive. Çka u duhet “Guri i Pagëzimit” të cilin unë jam i gatshëm t’ua jap në dispozicion kujtdo që ma kërkon? A u duhet për ta pshurrur apo për ta lëpirë? Ju do të thonit: “Jo, jo! Për ta dërguar në muze.” Edhe aty mund t’i shërbejë të njëjtin qëllim, sepse artefakti si objekt fizik nuk ka kurrfarë rëndësie po që se nuk e ke njohurinë për të dhe nuk ia di rëndësinë. Njohuria për të është ajo që vlen, e jo disponimi fizik i tij. Çfarë njohurish kam unë për të? Këtë nuk mund t’ua tregoj aq në hollësi, sepse kam përvojë të hidhur nga mediat dhe institucionet e shqiptarëve të cilat komplet informatat dhe zbulimet e mia ua shpërndajnë si autorësi të tjerëve. Ky është krim të cilin duhet ndëshkuar, dhe ndoshta për këtë duhet fajësuar edhe popullsinë e cila me injorancën, oportunizmin dhe frikën e vet, nuk lejon të ketë sundim të ligjit dhe drejtësisë.
Ja disa të dhëna sipërfaqësore se si duke “nxjerrë vjam prej pleshti” nga “Guri i Pagëzimit” mund të rrotullohet shumëçka për historinë e atij rajoni ku është gjetur.
1. Xhamia e fshatit filloj të ndërtohet me gurët e tri kishave të konfirmuara në vitin 1855. Ndërtimi i xhamisë përfundoj më 1278 të kalendarit Hixhrij ose më 1861. Një pjesë e saj u ndërtua më 1908-1910.
2. Dokumentet osmane me të dhëna të hollësishme të shekullit XV për të njëjtin fshat nuk përmendin ndonjë kishë, gjersa për lokalitetet në rrethinat e Pejës identifikojnë plot kisha me emër të saktë, vendin e saktë, statusin (gjendjen) e saktë të tyre (për shembull, filan manastiri me emër të saktë të kalloxherit, popit, manastiri tjetër i braktisur, tjetri me radhë i braktisur dhe rrënuar, e kështu me radhë). Atëherë, kur qenkan ndërtuar ato tri kisha, të kujt ishin, dhe a ka ardhur “Guri i Pagëzimit” nga ndonjëra prej këtyre tri kishave?
3. Banorët e atij fshati sot janë qind për qind muslimanë. Që të gjithë janë të ardhur si muslimanë që nga vitet 1750-ta e këndej. A ishin kishat katolike, ortodokse, sllave, apo shqiptare? Identiteti i shqiptarëve të sotëm katolikë në Kosovë është produkt i sundimit osman. Katolikët erdhën në Kosovë në shpinë të shqiptarëve muslimanë që sundonin Ballkanin, sepse mirreshin vesh ndërmjet vete me gjuhën e përbashkët. Identiteti katolik shqiptar në Kosovë u krijua në Shqipëri gjatë sundimit të Venedikut, dhe pas çlirimit osman dhe shqiptarë të Shqipërisë nga Venediku, shqiptarët e konvertuar në katolikë erdhën në Kosovën e çliruar/pushtuar nga shqiptarët muslimanë.
4. 250 metra larg nga vendi në Kërrsh të Vogël (ku ka qenë kisha) drejt veriut, gjendet Kroni i Popit. Kush do, i vizitojmë të dyja.
5. Toponimet më të njohura nga Kërrshi i Vogël deri në bjeshkë: Kroni i Palit, Prrocka e Palit, Roga e Palit, Kërrshi i Palit, Podi i Palit. Pali nga të vjetrit njihet më shumë si Pavli.
6. Për nga mbetjet dhe gjetjet arkeologjike, fshati dominohet nga Epoka e Bronzit. A është “Guri i Pagëzimit” i kësaj epoke, apo i shekullit XVI-XVII? Nëse i Epokës së Bronzit, bie poshtë ekskluziviteti i “Guri të Pagëzimit” si produkt i kishës, dhe na del i adaptuar nga paganizmi, njësoj sikur Ylli i “Davidit” gjithandej kishave, xhamijave, dhe sinagogave nëpër botë. Nëse është i shekullit XVI-XVII, unë e di se i cilit sekt religjioz dhe popull është, por tani nuk po u jepi më shumë hollësi.
Të gjitha pyetjet, ofertat për bashkëpunim, kërkesat për marrje të artefaktit, e shumë tjera, mund t’i drejtoni në redaksinë e këtij portali. Kur unë po e shënoj shpesh herë nëpër shkrime “ndalohet ribotimi dhe shpërndarja pa lejen e Autorit dhe Botuesit”, po i dëgjoj disa cinikë duke u shprehur: “Heee, babo-babooo! Çfarë shkencëtari Isa! Po tutet mos po ia vjedh mendtë kush; thu ti qe krejt bota osht budallë e paska mbet veç n’men t’tina!” Megjithatë, unë e kam vetëm një porosi të sinqertë, jo për këta injorantë brutal, por hajna të poshtër (“institucione dhe ekspertë”) që i marrin hulumtimet nga ky portal, e dalin në TV duke i thënë të njëjtat gjëra si zbulime të ekspertizës së tyre:
Do të vie së shpejti dita kur të jepni llogari për shkeljen e të drejtës së Autorit. Nuk ka qare pa ardh, sado që juve u është krijuar thellësisht ajo bindje se kështu do të vazhdoj deri në pakufi, se të gjithë po vjedhin – vjedh edhe ti [d.m.th. unë] – e mos u bon e mira e hallkut dhe e zeza e vetes, se kot e ki kshtu me atë idealizmin e drejtësisë dhe sulmet kundër së keqes.
Vijon me zbulimin e radhës: “Mbrotja e Epokës së Bronzit me Epokën e Hekurit.” A e keni idenë se për çka e kam fjalën? Jam i sigurtë se jo. Bëhet fjalë për zbulimin “arkeologjik” të arsenalit të armëve të zjarrit, ose arsenalit të Paja Patakut. Për dallim nga bombat e mëhershme të cilat i lajmëroja në polici dhe FSK, armët e zjarrit që janë funksionale, do t’i mbaj për veti. Kështu që, mos boni fort hajgare, se….. iu korri!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura