PASHTRIKU: PRESIDENTI I SHQIPËRISË BAMIR TOPI DEKORON PERSONALITETE TË SHQUARA NGA KOSOVA

Tiranë, 11 qershor 2012 – Në një ceremoni solemne të zhvilluar sot në mjediset e Institucionit të Presidentit, Kreu i Shtetit shqiptar, Prof. Dr. Bamir Topi dekoroi në kuadër të 134 vjetorit të Lidhjes historike shqiptare të Prizrenit, të 13 vjetorit të çlirimit të Kosovës si dhe të 100 vjetorit të Pavarësisë, disa personalitete të shquara nga Kosova.

…………………..

_______________________________

Në fjalën e tij përshëndetëse me këtë rast , Presidenti Topi u shpreh:
“I nderuari zoti Ambasador,
Të nderuar miq,
Të nderuar familjarë të heronjve të Kosovës,
Motra e vëllezër!
Gjatë viteve të mia në funksionin e nderuar të Kryetarit të Shtetit shqiptar kam pasur fatin dhe rastin të nderoj shumë personalitete të shquara shqiptare për kontributet e tyre jetësore, aktet e kurajës së jashtëzakonshme dhe veprat e mëdha që kanë bërë për vendin. Çdo ceremoni mbetet e veçantë, sepse çdo individ i nderuar ka pasur dhe ka madhështinë e jetës së vet apo profesionit të tij, të cilat e dallojnë dhe e bëjnë simbol e shembull frymëzimi për të tjerët, por më lejoni të them me plot bindje dhe sinqeritet se dita e sotme është nga më të veçantat e pesë viteve të mia si Kryetar i Shtetit shqiptar, një rast që më bën krenar dhe më lejon të përulem me respektin më të thellë përpara një plejade të jashtëzakonshme historike dhe atdhetare, të papërsëritshme në madhështinë dhe sakrificat e saj!
Kur përpara dy muajsh prita në takim dhe mora propozimin e Shoqatës së Burgosurve Politikë në Kosovë për të nderuar disa prej emrave më përfaqësues të saj, nuk pata asnjë dilemë se po bënim një gjë të mirë, po u kthenim familjeve tuaja dhe të mbarë Kosovës diçka simbolike nga nderimi ynë shtetëror për veprat e tyre të mëdha, për borxhin e madh moral e kombëtar që u kemi, për detyrimin tonë si shtet amë për të dëshmuar përulje e respekt për të gjithë ata burra e gra, të cilët në emër të flamurit, lirisë, Kosovës së pavarur dhe shqiptarizmit sakrifikuan gjithçka kishin pa kursyer as jetën e tyre.
Unë sot ndihem krenar që në emër të Shtetit shqiptar nderoj me dekoratën më të lartë Adem Jasharin, heroin legjendar të luftës për çlirimin e Kosovës, prijësin fjalëpakë dhe simbolin frymëzues për miliona të rinj shqiptarë, njeriun që tashmë e nderon përjetë çdo familje, çdo qytet e çdo komunitet shqiptar në botë.
Unë gjithashtu ndihem krenar që kam rastin të nderoj heronjtë e tjerë të Kosovës së re: Fehmi Lladrovcin dhe bashkëshorten e tij Xhevën; Ukshin Hotin dhe Afrim Zhitinë, si dhe emra të tjerë të shquar deri tek mjeshtrit e pavdekshëm të fjalës dhe zërit, Sulejman Krasniqi dhe Dervish Shaqa, por më lejoni të veçoj në nderimin e sotëm një emër simbol qëndrese dhe disidence, një intelektual atdhetar dhe qytetar, shkrimtarin dhe veprimtarin e të drejtave të njeriut, “Mandelën e Lirisë” dhe heroin e gjallë të Kosovës, Adem Demaçin. Miku im Adem, jemi me fat që ju kemi sot midis nesh. Ju keni qenë dhe jeni nderi i kombit shqiptar, por nga sot edhe zyrtarisht e meritoni këtë titull të lartë nderimi.
Të dashur miq!
Nderimi i sotëm nuk është i rastësishëm. Ai bëhet në përvjetorin e Lidhjes historike të Prizrenit, në përvjetorin e 13-të të çlirimit të Kosovës, dhe në 100 -vjetorin e Shtetit shqiptar. Nderimi do të vazhdojë në ditët e ardhshme edhe me figura të tjera përfaqësuese të Kosovës dhe të mbarë botës shqiptare, sepse të gjithë, pavarësisht kufijve dhe fateve historike, kanë luftuar e punuar për flamurin, emrin, dinjitetin dhe të drejtat e kombit shqiptar. Ngjarje të tilla janë momente solemne nderimi, por edhe reflektimi, për t’u dëshmuar brezave më të rinj se çdo sakrificë për vendin nderohet dhe kurrë nuk harrohet, për t’u thënë atyre se midis nesh ka patur e ka simbole e modele frymëzimi, që na bëjnë në çdo kohë të ndihemi krenarë që jemi shqiptarë.
Duke nderuar sot personalitete të tilla të shquara shteti shqiptar nderon plejada të tëra shqiptarësh që luftuan për atdhe e flamur, që vuajtën ndarjen dhe terrorin pushtues, që sakrifikuan jetët e tyre dhe familjet, që nuk bënë kurrë kompromis me të keqen dhe me kurajë, trimëri e mençuri ndërtuan dita ditës atë që ne kemi sot, një Shqipëri demokratike anëtare në familjen e madhe atlantike, një Kosovë demokratike, shtet i pavarur dhe evropian.
Kjo trashëgimi meriton të njihet dhe të çmohet nga shoqëritë tona dhe shtetet shqiptare, nga politikanët, shoqëria dhe të gjithë ata që na përfaqësojnë, – si një apel për më shumë maturi e sjellje qytetare, për më shumë respekt dhe demokraci funksionale, për më shumë vepra të mira, përkushtim dhe përulje ndaj besimit të qytetarëve, për ta jetuar komoditetin e kohës së sotme jo si dhuratë apo privilegj, por si burim shprese e frymëzimi për ditë akoma më të mira për të gjithë shqiptarët kudo që ata ndodhen. Edhe njëherë nderim për ju, nderim për martirët e Kosovës, nderim për çdo shqiptar që jetoi, punoi e sakrifikoi për flamurin dhe shqiptarizmin! Urimet më të mira!”

___________________________

* * *
Pas ekzekutimit të himnit kombëtar të Republikës së Shqipërisë dhe leximit të dekreteve përkatëse, Presidenti Topi dekoroi: Adem Jasharin (Pas vdekjes) me Urdhrin e Flamurit Kombëtar me motivacionin: “Simbolit të luftës së pashuar për liri dhe të drejta kombëtare, heroit që jetën dhe gjithçka pati ia kushtoi kauzës për liri, dëshmorit që për Kosovën çoi në martirizim gjithë familjen Jashari, duke shkruar kështu një nga faqet më të ndritura të historisë së kombit”.
Presidenti i Republikës i akordoi zotit Adem Demaçi Urdhrin “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Personalitetit të shquar të rezistencës dhe luftës së pareshtur të popullit shqiptar të Kosovës për të drejta kombëtare dhe njerëzore, intelektualit të angazhuar e militant që u bë simbol i qëndresës për liri dhe pavarësi, ndaj represionit të egër antishqiptar të shtetit shovinist”.
Presidenti i Republikës i akordoi Medaljen e Artë të Shqiponjës Ramiz Cernicës (Pas vdekjes) me motivacionin: “Për atdhetarizmin e treguar në qëndresën dhe papajtueshmërinë me politikat shoviniste antishqiptare duke përballuar me guxim represionin dhe persekutimin e egër të shtetit serbomadh në ish-Jugosllavi”;
Omer Çerkezit (Pas vdekjes) me motivacionin: “Luftëtarit të Luftës Antifashiste, veprimtarit trim dhe të palëkundur për të drejtat kombëtare dhe njerëzore të popullit shqiptar të Kosovës, i cili u përball deri në vdekje me represionin e egër dhe torturat çnjerëzore të shtetit shovinist në ish Jugosllavi”;
Gjon Serreçit (Pas vdekjes) me motivacionin: “Luftëtarit antifashist, veprimtarit trim dhe kurajoz për të drejtat kombëtare dhe njerëzore të popullit shqiptar të Kosovës, i cili u përball deri sa dha jetën me represionin e egër dhe torturat çnjerëzore të shtetit shovinist në ish Jugosllavi”;
Kadri Halimit (Pas vdekjes) me motivacionin: “Për trimërinë, guximin në qëndresën dhe rezistencën ndaj politikave antishqiptare të shtetit në ish-Jugosllavi, për veprimtarinë atdhetare në mbrojtje të të drejtave të popullsisë shqiptare të Kosovës për vetvendosje dhe pavarësi”;

_____________________________

Ali Aliut (Pas vdekjes) me motivacionin: “Për veprimtari të pareshtur atdhetare, në mbrojtje të të drejtave kombëtare dhe njerëzore të popullit shqiptar të Kosovës, nën represionin e egër shtetëror shovinist, duke u bërë shëmbull frymëzimi për brezat e rinj të Kosovës.”;
Sami Pejës (Pas vdekjes) me motivacionin: “Për veprimtari të pareshtur atdhetare për çështjen kombëtare të fitores së pavarësisë së Kosovës, duke u përballur me represionin e egër të shtetit shovinist e që mbeti deri në vdekje shembull i patriotit të papërkulur.”;
Metush Krasniqit (Pas vdekjes) me motivacionin: “Për qëndresë të papajtueshme me politikën shoviniste antishqiptare, për veprimtari të pareshtur atdhetare për zgjidhjen e çështjes kombëtare të popullsisë shqiptare të Kosovës duke u përballur me represionin e egër dhe torturat çnjerëzore të shtetit shovinist.”;
Hyrije Hanës (Pas vdekjes) me motivacionin: “Veprimtares atdhetare që ia kushtoi jetën e saj luftës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe çështjes së të drejtave kombëtare të popullsisë shqiptare.”;
Fazli Greiçevcit (Pas vdekjes) me motivacionin: “Intelektualit të angazhuar që gjithë jetën ia kushtoi çështjes së të drejtave kombëtare dhe njerëzore të popullit shqiptar të Kosovës duke u përballur deri në vdekje me represionin e egër dhe torturat çnjerëzore të shtetit shovinist në ish-Jugosllavi.”;
Fehmi Lladrovcit (Pas vdekjes) me motivacionin: “Për qëndresën e papajtueshme me politikën antishqiptare të shtetit shovinist, për heroizmin dhe dashurinë për atdheun duke bërë kauzë luftën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, për të cilën dha edhe jetën.”;
Zija Shemsiut (Pas vdekjes) me motivacionin: “Një nga organizatorët heroik të rezistencës së studentëve dhe të gjithë popullit shqiptar të Kosovës ndaj shtypjes së të drejtave kombëtare e njerëzore nga shteti shovinist në ish-Jugosllavi, i cili u përball me represionin e egër dhe çnjerëzor të diktaturës komuniste, deri sa dha jetën për kauzën e tij atdhetare.”;
Rexhep Malës (Pas vdekjes) me motivacionin: “Për rezistencën e pandërprerë dhe heroike ndaj shtypjes së të drejtave kombëtare e njerëzore të shqiptarëve të Kosovës nga shteti shovinist në ish-Jugosllavi duke dhënë jetën e tij të re në fushën e betejës.”;
Xhevë Krasniq-Lladrovcit (Pas vdekjes) me motivacionin: “Për qëndresën e papajtueshme me politikën antishqiptare të shtetit shovinist, për heroizmin dhe dashurinë për atdheun duke bërë kauzë luftën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, për të cilën dha edhe jetën.”;

________________________________

zotit Xhavit Haziri me motivacionin: “Për pjesëmarrje aktive dhe të pandërprerë në rezistencën kundër shtetit shovinist, në luftë për çështjen e të drejtave kombëtare dhe njerëzore të popullsisë shqiptare të Kosovës, që u bë kauza e jetës së tij.”;
Afrim Zhitisë (Pas vdekjes) me motivacionin: “Për pjesëmarrje aktive në rezistencën kundër shtypjes së të drejtave kombëtare dhe njerëzore nga shteti shovnist serbomadh duke bërë kauzë të jetës çështjen e çlirimit të Kosovës dhe shpalljen e pavarësisë, për të cilën dha jetën duke luftuar.”;
zotit Ukshin Hoti me motivacionin: “Intelektualit të angazhuar atdhetar, luftëtarit dhe organizatorit të rezistencës për të drejtat kombëtare dhe njerëzore të popullit shqiptar të Kosovës, i cili ia kushtoi gjithçka, kauzës së jetës së tij, luftës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.”.
Ndërsa me Urdhrin “Mjeshtër i Madh” Presidenti Topi dekoroi Dervish Shaqën (Pas vdekjes) me motivacionin: “Rapsodit të shquar që këndoi me mjeshtëri dhe atdhedashuri gjithë jetën këngët tradicionale kosovare duke dhënë kontribut të çmuar në pasurimin e arkivit të Radio Tiranës dhe në njohjen e brezave të rinj me këtë pasuri të madhe të kombit.” kurse Urdhri “Naim Frashëri” i Artë iu akordua Sulejman Krasniqit (Pas vdekjes) me motivacionin: “Për kontribut të çmuar si shkrimtar që lëvroi në veprat e tij temën atdhetare, veçanërisht për ndriçimin e figurave të shquara të historisë kombëtare të popullit shqiptar.”
* * *

_______________________________

Në emër të të dekoruarve përshëndeti zoti Adem Demaçi, i cili, pasi shprehu mirënjohjen për vlerësimet e bëra nga Kreu i Shtetit shqiptar, mes të tjerash theksoi: “Kam një nder të madh, por edhe një nder shumë të vështirë që të flas e t’ju kënaq të gjithë juve. Më duhet të flas për të gjitha ata, të cilët, tërë jetën e tyre, siç i pamë këtu, ata më të spikaturit për këtë vit e për këtë shekull, por besoj se do të mbetet vend edhe për ata të tjerët që s’kemi patur mundësi kësaj radhe t’i përfshijmë në këtë solemnitet kaq të bukur. Kam në zemrën time plagë të shumta për të gjithë ata, të cilët ishin më të mirë se ne. Ne na deshi fati. Ne që kemi merita më të vogla, më të pakta që nuk na deshi vdekja që ne tani të flasim e të gëzojmë ato çfarë ata me gjakun e tyre mbollën, me shpirtin e tyre bënë Shqipërinë tonë, Atdheun tonë, gjithë hapësirën shqiptare të pavdekshme dhe na hapën rrugën që të mund të zëmë vendin tonë atje ku na pret bota sa shekuj. E paguam me çmimin më të lartë, më shumë se të gjithë popujt e tjerë të Evropës lirinë tonë, por jemi popull që ndihmuam për lirinë e shumë popujve të tjerë burrërisht e fisnikërisht. Jemi popull, i cili fal më shumë, por nuk duhet të jemi një popull që harron.”

___________________________

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura