REXHEP QOSJA: DROJA E POLITIKANËVE PREJ LAVDISË SË ADEM DEMAҪIT!

Prishtinë, 26. 09. 2015: Kam kënaqësi që me rastin e këtij nderimi që po i bëhet sot Adem Demaçit të them disa fjalë për jetën dhe për veprën e tij. Kam folur e kam shkruar për të edhe disa herë të tjera kur s’ishte ende në moshën në të cilën është sot. Por, tetëdhjetë vjet tashmë të kaluara dhe nderimi që po i bëhet më nxisin të them edhe diçka që nuk e kisha thënë atyre herëve.
Brezi im ka pasur fat të jashtëzakonshëm që prej natyrës të jetë i dhuruar me një vetje siç është Adem Demaçi. E thashë brezi im e do të duhej të thosha se Kosova, në të vërtetë populli shqiptar në përgjithësi, ka pasur fat të madh që ka rritur një personalitet siç është Adem Demaçi.
Pse mund të thuhet kështu?
Mund të thuhet kështu sepse Adem Demaçi është autoritet i madh, i pakrahasuar me asnjë tjetër në Kosovë para tij dhe të kohës së tij: autoritet politik, kulturor e moral.
Dhe, ky autoritet me kohë është bërë autoritet gjithëkombëtar dhe është bërë autoritet i tillë sepse është ndërtuar mbi përkushtimet e tij jo ndaj një, por ndaj disa veprimtarive kombëtare: ndaj krijimtarisë letrare, ndaj publicistikës, ndaj veprimtarisë politike.
Në të gjitha këto veprimtari ai do të merret me çështje thelbësore nga e shkuara, nga e përtashmja dhe nga e ardhmja e popullit shqiptar.

Adem Demaçi – nderi i Kombit.

Shikimet e tij dhe shpjegimet e tij për fatin historik, politik, shoqëror, kombëtar të Kosovës dhe të të gjithë shqiptarëve kurrë dhe kurrkund s’do të shprehen me mënjanësi mendore e ndjenjore, por me mospajtim të theksuar me gjendjen e përtashme dhe me padrejtësitë historike që u janë bërë atyre, me mospajtim me pasojat që populli shqiptar ka përjetuar për shkak të atyre padrejtësive të kryehershme, me mospajtim që do të frymëzojë vetëdijen e re të rinisë sonë.
Janë këto shikime dhe shpjegime që shprehen me gjuhë letrare artistike në prozën e tij: në romanet dhe në tregimet e tij.
Janë këto shikime dhe shpjegime që shprehen me gjuhë intelektuale në shkrimet e tij publicistike.
Janë këto shikime dhe shpjegime që shprehen edhe me programe kombëtare në veprimtarinë e tij të pandalshme politike.
Me këto shikime dhe shpjegime Adem Demaçi do të bëhet herët shqiptues i madh, më i madhi, në historinë shqiptare të Kosovës, i mendimit të guximshëm, të drejtë, të ndershëm, të pakompromis, i mendimit çlirimtar shqiptar.
Me këto shikime dhe shpjegime ai do të bëhet shqiptuesi i madh i lirisë së Kosovës dhe projektuesi i parë i pavarësisë së saj: i Kosovës shtet i lirë dhe më vete.
E gjithë kjo veprimtari e gjithanshme artistike, shoqërore dhe politike, që ishte plotësisht mospajtuese me politikën zyrtare kosovare, serbe e jugosllave, dëshmon qartë se Adem Demaçi ia kishte dhuruar jetën Kosovës, se ia kishte dhuruar jetën lirisë dhe pavarësisë së saj, se ishte i gatshëm të flijohej për të. Njëzet e tetë vjet burgje janë dëshmia më e shumëkuptimshme e këtij flijimi madhështor atdhetar.
Por, si do t’i përgjigjet Kosova kësaj gatishmërie flijuese të Adem Demaçit? Të shprehem më saktësisht: si do t’i përgjigjen të gjitha udhëheqjet politike shqiptare të Kosovës kësaj gatishmërie flijuese të Adem Demaçit?
Përgjigjja është dëshpëruese.
Në kohën e ish Jugosllavisë komuniste këto udhëheqje do t’i përgjigjen duke iu bashkuar, dua të besoj më shumë detyrueshëm se vullnetshëm, udhëheqjeve serbe dhe jugosllave në burgosjet e gjykimet e tij tri herë për veprimtari armiqësore, që do t’ia shqiptojnë rreth njëzet e tetë vjet burgje?
Më vonë, në kohën e veprimtarisë së një vargu partish shqiptare në Kosovë prej fillimit të vitit 1990 e deri në vitin e çlirimit të Kosovës prej pushtimit të Serbisë, udhëheqjet partiake të këtyre partive, që po bënin të ashtuquajturën politikë paqësore, do t’i përgjigjen me drojë të madhe prej autoritetit të Adem Demaçit, me shkrime në gazetat e kontrolluara prej tyre dhe me propagandë gojore të palejueshme kundër tij – me çka synohej zhvlerësimi i autoritetit dhe pengimi i ngritjes së tij politike! Po të lexohen sot gjithë ata artikuj të turpshëm, që në gazeta janë botuar kundër tij, do të mund të bindemi se sa e paskrupuj ishte droja prej mundësisë që Adem Demaçi të ngrihej në rolin që në sytë e popullit në të vërtetë ishte: në rolin e prijësit të Lëvizjes për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës!
E sot, pas luftës çlirimtare, pas sendërtimit të idealit të lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës, për të cilin ai kishte bërë larg më shumë jo vetëm se grupe vetjesh, por edhe se disa parti bashkë që e vallëzonin vallen e paqes nën pushtim, si do ta trajtojnë Adem Demaçin të gjitha udhëheqjet politike të shtetit të Kosovës për 16 vjet me radhë.
Kryetari i lavdishëm amerikan, Xhon Kenedi, ka thënë: “Mos pyet çka ka bërë atdheu yt për ty, por pyet çka ke bërë ti për atdheun”. Ky mendim aq shumë i cituar prej politikanëve e intelektualëve të ndryshëm në botë në të vërtetë është një ndryshim i kuptimit të mendimit të njohur të poetit të madh italian, Dante Aligieri, i cili mbas syrgjynosjes prej vendit të vet – prej Firencës kishte thënë: “Nuk kam vetëm unë obligime ndaj atdheut, por edhe atdheu ka obligime ndaj meje”.
Është thënë se Adem Demaçi, si askush tjetër në historinë shqiptare, i ka kryer obligimet atdhetare ndaj Kosovës, por ende s’është thënë si i ka kryer deri sot obligimet e saj ndaj tij Kosova shtet?
Do të përgjigjemi ndershëm e drejt në këtë pyetje në qoftë se fatin e Adem Demaçit pas lirimit prej burgjeve e krahasojmë me fatin e Nelson Mendelës pas lirimit të tij prej burgjeve të Republikës së Afrikës Jugore.
Mbas lirimit prej burgut, jo vetëm bashkëmendimtarët, por edhe kundërshtarët politikë do ta shpërblejnë Nelson Mendelën me nderime, të pamatshme: do t’i caktojnë këshilltarë, do t’i caktojnë shpura, do t’i caktojnë privilegje të ndryshme politike, shoqërore, kulturore, do ta bëjnë protagonist në shumë institucione shoqërore, kulturore, shkencore. Dhe, në fund, do ta bëjnë kryetar shumëvjeçar të Republikës Jugafrikane. Me ato nderime, të shumta e të ndryshme, jugoafrikanët i bënë 27 vjetët burgje përmbajtje të jashtëzakonshme politike për ngritjen e Nelson Mendelës në autoritet jo vetëm shtetëror, por edhe botëror politik, shoqëror e moral.
E ne, çka bëmë ne si shtet për 28 vjet burgje të Adem Demaçit?
Asnjë prej këtyre nderimeve politikisht larghedhëse që iu bënë Mendelës jugoafrikan, nuk iu bënë Mendelës kosovar-Adem Demaçit.
As gjashtëmbëdhjetë vjet pas çlirimit, çmimi shtetëror i Kosovës për krijimtari mendore, që i është dhënë shumë kujt, kujt e meriton dhe kujt s’e meriton, nuk iu dha Adem Demaçit! Dhe për të qenë çudia më e madhe s’u gjet medie dhe s’u gjet institucion shtetëror për t’i thënë Ministrisë së Kulturës, kësaj filiale njëpartiake, që e jep këtë çmim: mos shpërfytyro artet dhe historinë e Kosovës duke i dhënë çmime kujtdo e duke mos i dhënë kujt duhet!
Çmimi i tillë s’tregon gjë për një të shpërblyer të mundshëm si Adem Demaçi, por tregon shumë për shpërblyesin – Ministrinë në fjalë.
As gjashtëmbëdhjetë vjet pas çlirimit të Kosovës, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, anëtarë të së cilës janë bërë edhe njerëz pa rëndësi as politike, as shkencore, as artistike për Kosovën, nuk e nderoi veten e saj duke e pranuar Adem Demaçin! Dhe, s’u gjet institucion shteteror, dhe s’u gjet medie t’i thotë udhëheqjes së saj grupore njëzet e sa vjeçare: mjaft! E keni bërë ASHAK-un shtëpi private njëpartiake dhe keni cenuar, rëndë, interesat shkencore, letrare, artistike, kulturore, kombëtare të Kosovës duke e mbushur atë Akademi me mediokër partiakë që as mëhalla e vet s’i njeh sigurt.
As gjatë gjashtëmbëdhjetë vjetëve të Kosovës së çliruar, Adem Demaçin nuk e bënë as deputet të përhershëm siç i bëjnë disa shtete me përvoja politike disa autoritete të mëdha kombëtare, nuk e bënë as deputet katërvjeçar, as kryetar të Kuvendit të Kosovës, as kryeministër e as kryetar të Kosovës! U bënë deputetë, kryetarë të Kuvendit, kryeministra, kryetarë të Kosovës edhe njerëz, që s’i kanë dhuruar asnjë pikë djersë lirisë së Kosovës, që s’i kanë kushtuar asnjë orë e asnjë fjali pavarësisë së Kosovës, por s’u bë Adem Demaçi! U bënë kryetarë të Kosovës persona që me asgjë, me asnjë meritë jetëshkrimore, vlerë e virtyt politik s’mund ta përfaqësonë Kosovën e s’u bë Adem Demaçi!
Pse në Kosovë, për hir të nderimit të saj në botë, nuk u bë institucion shtetëror lavdia politike, morale, çlirimtare e 28 vjetëve burgje të Adem Demaçit? Pse s’e shquam legjitimitetin dhe etikën e Kosovës shtet edhe me një jetëshkrim shumë domethënës: edhe me 28 vjet burgje të Adem Demaçit?
Nuk ka dyshim se sjelljen e këtillë ndaj Adem Demaçit, që në thelb dëmtoi Kosovën,e bënë arrivistët e pushtetshëm – ata që Adem Demaçin e xhelozuan dhe e xhelozuan për shkak të të gjitha atyre meritave historike, që ka ai për Kosovën dhe për popullin shqiptar në përgjithësi, për shkak të autoritetit madhor me të cilin ai në pozitë të lartë shtetërore, do t’i bënte gati të padukshëm gjithë të tjerët në pozita shtetërore, domethënë, për shkak se ashtu do t’i frikësonte madhështia e tij.
Por, jo vetëm kaq. Sjelljet e këtilla përjashtuese ndaj Adem Demaçit, ta themi, kryetar i Kosovës, i nxiti shumë edhe droja prej etikës së tij politike me të cilën ai do të bëhej pegnesë për privilegjet, korrupsionin, zhvatjet, grabitjet, pasurimin e lehtë, të shpejtë, të kundërligjshëm; i nxiti, pra, droja prej etikës së tij politike me të cilën ai do të bëhej pengesë, që institucionet shtetërore të Kosovës, që administrata e Kosovës, që diplomacia e Kosovës, që demokracia e Kosovës të bëhen institucione, administratë, diplomaci, demokraci, përbërjen e të cilave e përcaktojnë nepotizmi, miqësitë, kumbaritë, pasuritë, pazaret, që meritat dhe sakrificat për pavarësinë e Kosovës, në njërën anë, kurse aftësitë për zhvillimin e saj të përgjithshëm dhe përfaqësimin e dinjitetshëm në botë, në anën tjetër, po i bëjnë krejt të nënçmuara apo, madje, pengesa politike për shumë kënd.
Sjelljet e këtilla, politikisht dhe moralisht të papranueshme ndaj Adem Demaçit dhe të dëmshme ndaj Kosovës, i bënë ata që me asgjë nuk i mbërrijnë atij as deri te gjunjët.
Lejohem të them se emrat e tyre do të harrohen ditën kur do të mbesin pa karriget për të cilat bënë dhe po bëjnë edhe krejt çka s’bëhet, kurse emri i Adem Demaçit, jetëshkrimi i tij, vepra jetësore dhe mendore e tij, do të jetë e përjetshme dhe përjetshëm do ta lëvizë dhe do ta ndriçojë historinë e popullit shqiptar.
Dhe, kjo jetë e tij dhe kjo vepër e tij do ta kryejnë gjithmonshëm atë mision historik ndriçues dhe frymëzues në jetën tonë kombëtare sepse në të ai përmblodhi parathënshëm mençurinë shekullore, që ishte mençuri së cilës i detyrohet krijimi i shteteve evropiane dhe të cilën shumë ndikueshëm e shprehu njëri nga prijësit e mëdhenj të rilindjes italiane, Gjyzepe Macini, kur në fjalimin e drejtuar rinisë italiane, përpos të tjerash, tha:
“Besimi pa veprim është mashtrim i Zotit dhe i njerëzve e veprimi është mësimi më i mirë që mund t’i jepet një populli”.

(Fjalë e mbajtur në Simpoziumin ndërkombëtar “Adem Demaçi mes luftës dhe paqes”

– Prishtinë, më 23.9.2015)

===========================================

POLITIKANËT QË E ELIMINUAN POLITIKISHT ADEM DEMAҪIN!

Hashim Thaçi, Ibrahim Rugova, Xhavit Haliti, Jakup Krasniqi, Fatmir Limaj, Azem Syla…., këta janë disa nga politikanët e padinjitetshëm, që e eliminuan politikisht Adem Demaçin, para luftës, e veçanërisht gjatë luftës – në një mbledhje të Drejtorisë Politike dhe Shtabit të Përgjithshëm të UҪK’së – të mbajtur në Drenicë, më 1 mars 1999 (në kohën kur u mbajt Konferenca e Rambujesë dhe po përgatitet raundi i dytë për nënshkrimin e marrëveshjes së Rambujesë në Paris, më 18 mars 1999). Sa për rikujtesë, më 13 Gusht 1998, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, përmes komunikatës nr.7, e shpall publikisht Adem Demaçin Përfaqësues të Përgjithshëm Politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Prishtinë, i cili kishte marrë përsipër krijimin e një Asambleje Kombëtare, me qëllim të unifikimit të gjithë spektrit politik e ushtarak, kundër forcave pushtuese serbe!

(Editori i pashtriku.org, Sh.Berisha)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura