Prizren, 13. 06. 2012 – Shoqëria jonë është e mbushur me paradokse në rrafshin shtetëror-kombëtar, por më të theksuarat dhe që po ndikojnë në këtë rrafsh janë individualizmi dhe bajraktarizmi. Për këto fenomene debatohet shpesh në medie e raste të tjera. Nëse mendojmë thellë për dukuritë siç janë individualizmi dhe bajraktarizmi, do të shohim se në historinë tonë të vlerave dhe veprimeve ato e kanë mbrojtur në të kaluarën qenien e identitetit tonë shqiptar, pra, ishin sjellje veprime paradoksale që e kishin të vërtetën brenda përndryshe, do të ishim asimiluar, sepse këtë e kërkonin pushtuesit e shqiptarëve.
Siç dihet, gjatë historisë shqiptarët kanë qenë të pushtuar. Profesori i nderuar, tani i ndjerë, Gani Bobi, do të thoshte se shqiptarët kultivonin këto vlera me qëllim që të ruajnë identitetin e tyre kombëtar. Ata vuajtën dhe sakrifikuan shumë, por arritën të krijojnë shtetin e tyre para njëqind vjetësh dhe para katër vjetësh edhe shtetin e dytë që ishin edhe ideale të tyre. Nëse e vështrojmë historinë e vlerave shqiptare, do të shohim se me mendimet e profesorit të nderuar, Gani Bobi, pajtohen shumë bashkëmendimtarë. Ai thoshte në ligjëratat e tij dhe shkruante në veprat e veta se zgjedhja e vlerave dominonte ndër ne shqiptarët, kanë qenë ato vlera që e orientonin popullin në drejtim të kundërt me pushtuesit e tyre. Vlerat dominonte të zgjedhura në shoqërinë tonë, burrëri, trimëri, nder dhe besë, ishin “mos me lanë tjetrin me të poshtnue”, “me dalë në kushtrim në çdo rast”, “me mbet në luftë kundër armikut”, “mos me iu frikue rrezikut”, e vlera të tjera. Lehtë konstatohet, që këto vlera mundësuan dhe kultivuan “përgjithmonë” individualizmin dhe bajraktarllëkun, të cilat janë evidente edhe sot pas 100 viteve të krijimit të shtetit të parë shqiptar. Këto vlera natyrisht nuk i kërkonin pushtuesit e shqiptarëve dhe ato i vlerësonin si paradokse.
________________________
Pushtuesit e arsyetonin terrorin dhe shtypjen në emër të humanizmit, duke u arsyetuar me qëllimin kinse po kryenin një punë, po e kulturonin këtë popull e në fakt pushtuesit dëshironin të legjitimonin terrorin dhe shtypjen, duke dëshiruar asgjësimin në emër të humanizmit të shprehur e tjera. Këto vlera gjithmonë një pjesë e intelektualeve komshi i quajti antivlera, e në të vërtetë ato ishin paradokse që kishin të vërtetën brenda për ruajtën e identitetin shqiptar, qoftë në rrafshin popullor qoftë në rrafshin kombëtar shtetëror. Pushtuesit e dinin shumë mirë që veprimet dhe sjelljet e tyre të cilësuara nga ata si paradoks kishin të bënin me ngritjen e shqiptarëve në të gjitha rrafshet, sidomos në rrafshin kombëtar-shtetëror. Sot, edhe pse kanë kaluar 100 vjet nga themelimi i shtetit shqiptar dhe 4 vjet nga themelimi i shtetit të Kosovës, prapë ne po udhëhiqemi me vlerat e tejkaluara të individualizmit dhe bajraktarizmit, që kanë mbrojtur identitetin tonë shqiptar dhe që kanë mundësuar mbijetesën tonë.
Sot, kur mediton për problemin e individualizmit dhe bajraktarizmit, të vijnë në mendje mendimet e Niçes për rivlerësimin e të gjitha vlerave. Mendimi i Fridrih Niçes ishte se ai ishte i pakënaqur me vlerat ekzistuese dhe për këtë arsye kërkonte “rivlerësimin e të gjitha vlerave”. Sipas Fridrih Niçe, shumë tregues, siç janë dobësimi i jetës shpirtërore, pesimizmi, dekadenca, vlerat e rrejshme e tjera, na bëjnë me dije se “tërë kultura evropiane po shkon drejt një katastrofe”. Në vend të vlerave të rrejshme, të cilat duhet rivlerësuar dhe përmbysur, është e domosdoshme të afirmohen vlerat e reja. Këto mendime të Fridrih Niçes për rivlerësimin e të gjitha vlerave të shtyn të parashtrosh vetes pyetjen: A duhet ne shqiptarët të bëjmë rivlerësimin e të gjitha vlerave të deritashme që shiheshin si paradoks, por që ishin vlera që ruajtën dhe bënë ngritjen shqiptare si në rrafshin popullor, ashtu edhe në rrafshin shtetëror- kombëtar e tjera. Nuk duhet që të kesh shumë mend që të shohësh se ende ne udhëhiqemi me këto vlera paradokse, të cilat tashti nuk e kanë pronë të vërtetën, por ato po e dobësojnë jetën tonë shoqërore dhe shpirtërore me një pesimizëm të theksuar dhe me një dekadencë të çuditshme dhe të pa pritur nga vetë shqiptarët.
Shoqëria jonë është e mbushur me paradokse, jemi shndërruar në shoqëri të paradokseve, ato i shohim kudo në jetën tonë shoqërore i shohim në politikë, ekonomi, në histori, në religjion, në arsim e kudo tjetër. Këto paradokse janë mbjell nga vlerat e deritashme që e kanë kultivuar individualizmin dhe bajraktarizmin, të cilat sot po ja zënë frymën vetë shqiptarëve dhe po stopojnë sot zhvillimin tonë në rrafshin shtetëror-kombëtar. Duhet të kërkojmë rivlerësimin e të gjitha vlerave do të thoshte Fridrh Niçe për ne dhe të përqafojmë vlerat që i kanë shoqëritë e konsoliduara evropiane. Në mënyrë të heshtur shqiptarët krijuan vlerat burrëri, trimëri nder, besë e tjera që kultivuan më pastaj individualizmin dhe bajraktarllëkun dhe mbrojtën identitetin shqiptar. Tashti duhet të bëjmë një marrëveshje që ta formojmë një organ të përbashkët (shtetin, të cilin e kemi arritur) dhe mbi të t’i bartim të drejtat tona, që ta heqim qafe individualizmin dhe bajraktarllëkun, të cilat po ia nxënë frymën shtetit, të cilin e arritëm me shumë mund dhe sakrifica do të thoshte Zhan Zhak Ruso. Duhet të largojmë verbërinë vlerësore çoftë si individ çoftë si grup shoqëror për të kuptuar dhe njohur vlerat për kohën të cilën po e jetojmë, përndryshe do të udhëhiqemi nga antivlerat, siç janë gënjeshtra, krimi, hajnia, intriga e tjera, të cilat po lëshojnë shtat ndër ne. – Autori është profesor i filozofisë në Gjimnazin-2 “Remzi Adema”j në Prizren.