Prishtinë, 15. 11. 2014 – (A nuk jeni në Kuvend a?) – Ky ngërçi politik u bë gërdi politike që i ka lodhur të gjithë dhe më nuk po u bënë fare përshtypje qytetarëve të cilët me neveri po e përcjellin këtë luftë të paskrupullt për pushtet. Përveç atyre që kanë pushtet apo që duan të mbështjellen me pushtet dhe llaskucëve të të gjitha ngjyrave dhe profesioneve të cilët si shpurë përcjellëse shkojnë në bisht të injorantëve politikë! Duke ndërruar qëndrimet dhe pozicionet në përputhje me rritjen apo uljen e kuotave të bastoreve politike, herë në favor të njërit e herë në favor të tjetrit kandidat. Dje lobonin për Ramushin si të vetmin kandidat për kryeministër ndërsa sot, me ndryshimin e konfiguracionit politik dhe uljen e kuotave të ndikuar kryesisht nga ndërkombëtarët e përjashtojnë çdo mundësi që ai të bëhet kryeministër. Mos u befasoni nëse këta horra nesër do të kërkojnë edhe burgosjen e Ramushit! Kështu është te ne! Pastaj, dje e akuzonin Isa Mustafën se ka qenë argat i Rrahman Morinës, komunist i përbetuar që ka punuar në dëm të shqiptarëve dhe i cili po e rrezikon LDK-në duke humbur tri palë zgjedhje prandaj edhe nuk ka kërkuar postin e kryeministrit duke e përkrahur Ramushin e AAK-së, ndërsa sot, pas ndryshimeve të klimës politike dhe ndërhyrjes së ndërkombëtarëve, Isaja dhe partia që e kryeson kërkon postin e kryeministrit sikur që ne jetojmë në Zulustan dhe kemi harruar çka është folur dje dhe çfarë marrëveshje është arritur midis tyre. Në këtë kontekst edhe Isa po sillet si kryeministër i ardhshëm duke dëshmuar se në politikë nuk ka dashuri, nuk ka besë, nuk ka sinqeritet as standarde morale por vetëm interes të lakuriquar. LDK dhe Isa deri më tani e kanë luajtur lojën mirë sepse janë “shkërdhyer“ me të gjithë dhe po dalin të virgjër! Së paku deri tash! Albini i VV ka shumë dëshirë të bëhet kryeministër por e ka një mangësi sepse koha dhe proceset janë kundër kësaj dëshire të zjarrtë që e ka! Nisma për Kosovën nuk ka kandidat për kryeministër prandaj po kënaqet me ato pak kocka që do të mbesin në Sofrën e Madhe pas ngrënies së mishit të dhjamosur (ndarjes së posteve kryesore). Hashim Thaçi, për postin e kryeministrit e ka përkrahjen e PDK-së përjashtuar disa raste brenda vet partisë që me dëshirë do ta zhvendosnin nga ky post për t’u bërë vend prapanicave të tyre fisnike! Mos të flasim për partitë e koalicionit paszgjedhor VLAN të cilat tërë potencialin e tyre politik, intelektual, profesional, kombëtar, multietnik, konspirativ etj., e kanë vënë në shërbim të dëbimit nga pozita dhe pamundësimit e rikonfirmimit për postin e kryeministrit edhe për një mandat të Hashim Thaçit. Në vend të ofrimit të një programi më të mirë qeverisës që do të përshpejtonte zhvillimin, hapje të vendeve të punës që do ta zbuste papunësinë dhe varfërinë, VLAN po e valëvit flamurin me porosinë se nuk do të ketë Thaçi 3! Ky është flamuri i fitores së tyre! Mosdurimi dhe urrejtja ndaj Thaçit shkonë deri në atë masë sa, më parë do ta pranonin për kryeministër të Kosovës Vojisllav Sheshelin me kancer në prapanicë se Hashim Thaçin që po pëlcet nga shëndeti! Sidomos këta të V-LAN-it! Prandaj nuk është e rastit që shqiptarët janë vonuar 2000 vite në shtetndërtim dhe kombformim! Nëse u besojmë parashikimeve të analizuara shkencërisht, e nuk kemi pse mos t’u besojmë, të analistit të përmasave dhe reputacionit planetar, Nexhmedin Spahiu, Isa Mustafa me t’u bërë kryeministër do të arrestohet. Duket se ky edhe ka qenë shkaku kryesor që Isa Mustafa ka këmbëngulur të bëhet kryetar i Kuvendit dhe jo kryeministër! Pse kjo kthesë aq e madhe e Isës dhe si e mbyti Isa frikën nga arrestimi? Mbase, me të mësuar, dëgjuar dhe parë se si po e lufton EULESH-i korrupcionin dhe si po e “forcon“ sundimin e ligjit, parashikimet e Nexhit po bëhen lojë fëmijësh! Pse Hashim Thaçi u bë si Don Kishoti, i urryer dhe i padëshiruar nga partitë shqiptare, në një shkrim të radhës. Mirëpo, përkundër njëqindmijë të metave që mund t’i ketë dhe gabimeve që i ka bërë, Hashim Thaçi është më i kompletuar dhe më i tjerrur si politikanë se këta që duan ta zënë postin e tij. Me përjashtim të një kandidati që seriozisht mund ta sfidojë Hashim Thaçin për postin e kryeministrit e ai është ambasadori në ikje i Mbretërisë së Bashkuar, Ian Cliff.
“Hashim Thaçin për postin e kryeministrit mund ta sfidojë – ambasadori në ikje i Mbretërisë së Bashkuar, Ian Cliff”!!!
Pse pikërisht ky kandidat
Në analizën time jam nisur nga parimi se kur dy veta përlahen, i treti fiton. Ramushi dhe Isa kanë filluar të përlahen për postin e kryeministrit. I treti nuk po del të jetë Hashim Thaçi sepse nuk po e duan këta të V-LAN-it! Dhe këtë hapësirë për mrekulli e ka shfrytëzuar ambasadori në ikje i Mbretërisë së Bashkuar, Ian Cliff. Ai i plotëson të gjitha kushtet. Është në përfundim të mandatit si ambasador dhe në bazë të përvojave të mëhershme shumica e ndërkombëtarëve në Kosovë, për shkak të dashurisë së madhe që e kanë për Kosovën dhe lidhjeve që i kanë krijuar, pas përfundimit të mandatit janë angazhuar në institucionet e Kosovës. Pikërisht aty ku Kosova ka nevojë të madhe për ta si në procesin e privatizimit, bisedimeve me Serbinë, lobimin për njohje të pavarësisë së Kosovës, dhënia e tenderëve për ndërtimin e rrugëve të Kombit dhe proceseve të tjera që aq shumë i kanë ndihmuar Kosovës në afirmimin e saj në planin ndërkombëtar. Kujtojini Raportin e Progresit dhe Transparency International. Jemi në majat e këtyre vlerësimeve. Pastaj, ambasadori në ikje mund të llogaritet mbase edhe si ndrikull i V- LAN-it sepse i pari ua ka prerë kërthizën pasi lindi me një lindje të parakohshme me 10 qershor 2014. Është krejtësisht normale që ndrikullia parasheh edhe detyrime dhe nuk përfundon me çastin e prerjes së kërthizës! Nga ndrikulla ambasadori në ikje, Ian Cliff u bë lojtar aktiv dhe lobues i koalicionit V-LAN. Përveç përkrahjes antologjike nga pozita e një diplomati ndërkombëtarë “i cili në asnjë mënyrë nuk dëshiron të ndërhyjë në punët e brendshme të Kosovës e sidomos në formimin e institucioneve sepse Kosova është shtet i pavarur dhe sovran“ ambasadori në ikje Ian Cliff tërë kohën deklaronte se shumica parlamentare ka të drejtë ta zgjedhë kryetarin e Kuvendit, kryeministrin si dhe kabinetin qeveritar. Këtë e thoshte madje edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që shprehimisht e njohte të drejtën vetëm PDK-së për kryetar të Kuvendit. Në këtë mënyrë ushqehej shpresa për V-LAN-in që Isa Mustafa mund të zgjidhet kryetar i Kuvendit sepse, siç thonin: “e kemi përkrahjen ndërkombëtare“. Prandaj edhe u krijua ky ngërç politik. Kontribues për këtë ishte edhe z. Cliff, ambasador në ikje! Po të ishte i qartë në prononcimet e tij z. Cliff, e sidomos pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ne nuk do të kishim fare ngërç politik sepse PDK do ta kishte kryeatrin e Kuvendit ndërsa V-LAN do ta kishte kryeministrin dhe do ta udhëhiqte qeverinë! Për më tepër se pesë muaj sa zgjati ngërçi politik e që po zgjatë ende, me fajin e koalicionit V-LAN, ambasadori në ikje Ian Cliff nuk e adresoi përgjegjësinë në drejtim të adresës që mbante përgjegjësi konkrete, koalicioni V-LAN e tash, vetëm një javë pasi ky koalicion hoqi dorë nga diçka që nuk i takonte, nga posti i kryetarit të Kuvendit, në një tryezë që mbase e ka financuar edhe ai sikur edhe në disa të tjera ku është lobuar që Isa Mustafa ka të drejtë të zgjidhet kryetar i Kuvendit, u habit me faktin pse deputatët e Kuvendit nuk janë në Kuvend të Kosovës pasi tash V-LAN qenka pajtuar ta votojë kandidatin e propozuar nga PDK për kryetar të Kuvendit! Këtë pyetje nuk e shtronte më parë! Është e vërtetë se PDK tash po e bllokon procesin por kjo bllokadë është njëjavëshe ndërkaq që V-LAN e ka bllokuar më shumë se pesë muaj! Pastaj, Ian Cliff ka përparësi përballë Hashim Thaçit sepse është i pranueshëm nga ndërkombëtarët e që nuk mund të thuhet edhe për Hashim Thaçin i cili mund ta ketë një përkrahje shumë më të vogël! Gjithashtu, që është vendimtare, ambasadori në ikje ka përkrahjen e 95% të medieve dhe shoqërisë civile për postin e kryeministrit dhe kjo përqindje është fuqishëm kundër Hashim Thaçit. Natyrisht, sipas traditës kjo përqindje mund dhe sigurisht lëvizë në favor të Hashim Thaçit nëse ky forcohet politiksht duke i ngatërruar këmbët apo duke e ndarë shtratin (qeverinë) me Isa Mustafën , Ramushin apo të tjerët. Në Kosovë nuk është legalizuar prostitucioni seksual por është legal prostitucioni politik! Personalisht nuk pajtohem që Ian Cliff të bëhet kryeministër i Kosovës por në një demokraci parlamentare vendos vota dhe vendosin numrat. Në një anë Avniu, Ardiani, Burimi, Donika, Hakiu, Bajrami, Fisniku, Dreni, Dritoni, Ismeti, Bardhyli, Muharremi, Gjyljeta, Halili dhe të tjerët përballë Behxhetit, Blerimit, Albinotit dhe Artanit gjithssesi do të dalin fitues sepse i kanë numrat në favor të V-LAN-it dhe kandidatit të tyre për kryeministër të Kosovës, zotit Ian Cliff, ambasadorit në ikje të Mbretërisë së Bashkuar! Dhe përfundimisht, ne jemi mësuar madje nuk mund ta paramendojmë që mos të na qeverisin (shalojnë) të huajt që nga Princ Vidi, Josip Broz Tito, Bernard Kushner dhe aventurierët e tjerë që kanë ladruar në Kosovë dhe që na kanë shaluar femrat dhe mashkujt, pa asnjë dallim! Nuk na kanë diskriminuar në këtë drejtim. Madje, krahasuar me këta që i përmenda më lartë, ambasadori në ikje Ian Cliff duket si nj jë engjull i vërtetë!
Peshki i artë dhe ngërçi politik
Ngërçi politik për dikend do të prodhojë situata qesharake sepse të tillë do të dalin kur të përmbyllet procesi ndërsa për dikend do të jetë një tragjedi politike dhe personale. Kështu e ka jeta! Një mik imi i mirë që kryesisht merret me situata hipotetike më pyeti se cilën nga tri dëshirat do ta zgjidhje nëse do e peshkoja peshkun e artë:
1. të bëhem kryetar i Kuvendit si Isa Mustafa,
2. të bëhem kryeministër si Ramushi apo Hashimi, dhe
3. ta marrë postin e presidentit pas presidentes aktuale, znj.Atifete Jahjaga
Përgjigja ime ishte shumë e shpejtë . Do ta kisha vetëm një dëshirë e cila nuk është e përfshirë në tablon që e propozoi miku im hipotetik. Cila pra, ishte pyetja? Do të doja ta kisha fatin ta kem vetëm 10%’in e inteligjencës dhe mençurisë që e ka Zafir Berisha!
Titulli që më la të pa fjalë : Në një medium të shkruar lexova një titull që thjesht më la pa fjalë: ”U arrestua sepse e kidnapoi ish’ bashkëshorten“! Vërtet jemi popull dhe rast sui generis! A mund ta paramendoni një situatë të tillë në një vend dhe te një popull me një demokraci të përparuar por edhe në një vend apo ten jë popull që nuk dinë fare se çka është demokracia! Të paparë jemi!
…………………………………………..
NJË POROSI NGA JAMES RUBIN!
Pjesë nga intervista me ish diplomatin amerikan, James Rubin: “Unë shpresoj që njerëzit të cilët kanë qenë aq të rëndësishëm për revolucionin tuaj, për lirinë tuaj e kanë mençurinë të largohen (nga pushteti) sa janë në majë të suksesit të tyre e jo kur bëhet shume vone”!!!
………………………………………………..
(Ilustrimet i përgatiti editori i pashtriku.org, sh.b)