LLAZAR VERO: ‘IKU DJALI, QË NA BËRI DRITË…’

Filadelfia-SHBA, 03. 11. 2015: (Mbrëmje përkujtimore, në nderim të Aristidh Kolës) – Para pak ditëve, në sallën e veprimtarive të Shoqatës Atdhetare-Kulturore Shqiptare-Amerikane “Bijtë e Shqipes”, bashkatdhetarët e Filadelfias përkujtuan me nderim arvanitasin e shquar, juristin, gazetarin, studiuesin dhe veprimtarin e palodhur të historisë, kulturës, gjuhës shqipe të arvanitasve dhe ndihmesës së tyre në jetën dhe historinë e Greqisë, të madhin Aristidh Kola (8 qershor-1944-13 tetor 2000), ish-kryetar i Shoqatës Arvanitase, “Marko Boçari”.
Sekretari i Shoqatës, Vlashi Fili i njohu pjesëmarrësit me programin e mbrëmjes e ia dha fjalën kryetarit të Shoqatës, Tajar Domi. Pasi falënderoi pjesëmarrësit, në pak radhë, ai theksoi rëndësinë e figurës së Aristidh Kolës, jo vetëm për arvanitasit e Greqisë, po për të gjithë shqiptarët dhe sidomos për emigrantët shqiptarë.
Për t’u njohur më gjërë me punën e tij shumëplanëshe në kulturën shqiptare dhe për zgjimin e bashkimin e arvanitasve, foli Dritan Matrakut, zëvendëskryetar i dytë i Shoqatës sonë. Ai e lexoi temën, “Arvanitasi i madh, Aristidh Kola”. Ndërmjet të tjerave, theksoi: “Aristidh Kola ishte një veprimtar i palodhur i të vërtetës për historinë, kulturën dhe formimin e Shtetit Helen, një intelektual i plotësuar, një luftëtar trim dhe me zemër të madhe, besnik i rrënjëve të të parëve të tij, një gazetar dhe studiues me kërkesa të larta, për të thënë kurdoherë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, në shërbim të drejtësisë dhe mirëkuptimit ndërmjet popujve të Ballkanit dhe sidomos ndërmjet popullit grek dhe atij shqiptar, që jeta i kish lidhur me mijëra fije, gjatë gjithë shekujve, por politika dhe feja i kishin futur në errësirën e mashtrimit dhe labirinthet e mërisë dhe grindjeve”.

Në vazhdim, folësi u ndal rreth jetës dhe veprës së Aristidh Kolës. Ndërmjet të tjerave, tha: “Në kërkimet dhe studimet e tij, ai eci në gjurmën e rilindasve tanë, të albanologëve të shquar shqiptarë e të huaj, por duke çarë me guxim në shtigje të reja. Për këtë flasin me dhjetëra libra dhe qindra artikuj, që ai shkroi gjatë gjithë jetës së tij, ku spikatën kultura e gjerë dhe puna e madhe e njeriut me ideale të larta ndaj shkencës dhe të vërtëtës në të. Për këtë fakt, flasin dhe vetë titujt e librave të botuar, rreth këtyre problemeve, si: “Gjuha e perëndive”(1989), “Arvanitasit dhe prejardhja e helenëve”(1983), libër i cili është botuar 10 herë; “Zeusi pellazgjik dhe lajthitja indoeuropiane”, “Varrimi i tretë i Marko Boçarit”, “Fjalori krahasues i gjuhës shqipe” etj. Gjithçka që shkroi Aristidh Kola në këto treva të vështira studimesh dhe zbulimesh, kishin brenda jo vetëm punën sakrifikuese të studiuesit të vërtetë, por edhe dashurinë, bindjen dhe një lloj ndjenje të brendshme shpirtërore, të genit të tij arvanitas. Është pikërisht kjo, që e bëri atë të pohonte: “Kombi pellazg, i barabartë me zotin, që mbiu mbi malet pyjedëndur ose mbi tokën e zezë, për të qenë lindësi i gjithë sojit njerëzor”.
Në vazhdim të kësaj veprimtarie e morën fjalën anëtarët e Shoqatës, ish-emigrantë në Greqi dhe tani me banim në Filadelfia, Petrit Disha dhe Sotir Goxhaj. Me kujtimet dhe mbresat e tyre, nga takimet ose jehona e figurës së madhe të Aristidh Kolës, jo vetëm për arvanitasit, por edhe për shqiptarët emigrantë të viteve ’90-të të shekullit të kaluar, ndërmjet të cilëve ai kish shumë miq dhe shokë, e bën më interesante dhe emocionuese këtë bisedë. Zoti I pari, solli para pjesëmarrësve në këtë takim mbresat nga takimet me Aristidh Kolën, foli për thjeshtësinë dhe kulturën e gjerë të tij, për luftën dhe përpjekjet e tij në mbrojtje të së vërtetës së arvanitasve dhe të shqiptarëve të Kosovës, në vitet e genocidit serb, mbi ta. Pastaj ai tregoi për librat, që i kishte dhuruar atij, njëri prej të cilëve kishte edhe autografin e tij në gjuhën shqipe. Gjithashtu, u ndal në projektin e tij që të sponsorizoj përkthimi dhe botimi, në anglisht, i librit mjaft me vlera nga Aristidh Kola, “Arvanitasit”.
Ndërsa S.Goxhaj, veprimtar i palodhur i Bashkësisë Shqiptare në Greqi për shumë vite, foli për peshën dhe respektin, që kishin emigrantët shqiptarë ndaj A. Kolës. Ai ishte i afërt me të gjithë, njohur e panjohur nga afër, për çfarë kishte bërë e bënte për kulturën arvanitase dhe sidomos për mbrojtjen e hapur, të guximshme në të gjitha mediat greke, në gazeta, radio dhe kanale televizive, të popullit shqiptar në Kosovë, ndaj genocidit serb. Po kështu, ndërmjet të tjerash, ai solli para pjesëmarrësve në këtë takim, emocionet nga përcjellja për në banesën e fundit të kësaj figure të shquar të arvanitasve në Greqi, ku morën pjesë shumë emigrantë shqiptarë, bile ata përbenin shumicën. Ndërsa tregoi se vetë ky vetë, në ato çaste, ia kushtoi një elegji, këtij biri të madh të arvanitasve.
Në mbyllje të kësaj veprimtarie përkjtimore dhe mbresëëlënëse, për të gjithë pjesëëmaarrësit, folën Ll. Vero dhe Eqerem Murataj, që shprehën mendime rreth intelektualit shumëplanësh Aristidh Kola, por edhe për një vlerësim e kujdes më të madh ndaj figurave të shquara shqiptare, jo vetëm pas vdekjes, por edhe kur ata janë gjallë.

Filadelfia, 24 Tetor 2015

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura