DR.JAKUP KRASNIQI: KOSOVA PAS LUFTËS SË DYTË BOTËRORE

Ky punim është shkruar e botuar edhe si pjesë e një libri për një çështje tjetër, në fund të vitit 2005. Janë disa shkrime që u botuan këtyre ditëve në mediet tona të shkruara e elektronike, që me shtyn t’ju përkujtoj për diçka që si duket e kanë harruar, pasi ne shqiptarët harrojmë shpejt. E kanë harruar historinë e Kosovës të pas Luftës së Dytë Botërore. Sigurisht që nuk jam pajtuar me kualifikimin e deputetit Nait Hasani, por nuk pajtohem as me këndvështrimet e disave që mbshtesin një politikë që në thelb ishte antishqiptare dhe anti njerezore. Nuk e kam mbështetur deputetin Hasani, pasi detyrë e obligim i yni parësor është përfaqësimi i gjithë qytetarëve të Kosovës, na duhet krijimi i vizionit për të ardhmen, na duhet vizioni për shtetin e pavarur e sovran të Republikës së Kosovës, se mjaft në të kalurën na kanë diferencuar të tjerët, vendit dhe popullit tonë i duhen pajtimi dhe zhvillimi. Sigurisht, që të gjithë ata që pësuan nga ai regjim pushtues, kanë nevoj për një sfatisfaksion moral ashtu si dikush ka përgjegjësi të madhe morale për veprat e dëmshme që i ka kryer në dëm të popullit e të vendit të vet. Ne na duhet zhvillimi dhe shikimi në të tashmen dhe në të ardhmen, përçka na duhet angazhimi dhe kontributi i secilit qytetarë, por nuk duhet edhe ta harrojmë të kalurën që ka qenë për shumë kënd tepër e dhimbshme. Historinë e Kosovës, pas Luftës së Dytë Botërore deri në qershorin e vitit 1999 mund ta ndajmë në katër faza që secila i ka karakteristikat e saja.

FAZA E PARË: 1945 – 1966
Në fazën e parë përfshihen vitet 1945-1966 që ndryshe quhet “përiudha e A.Rankoviqit”. Gjatë këtyre viteve, shqiptarët janë trajtuar mbi bazën e elaboratit të V. Qubrilloviqit në vitet 1937 të ripërtërirë në vitet 1944. Mos respektimi i vullnetit të popullit për vetëvendosje, provokoi Luftën e Gjilanit e të Drenicës (1944- 45), gjatë së cilës u shkatërruan e u rrënuan fshatra të tëra shqiptare. Masakrat do të vazhdojnë në të gjitha anët ku ndodheshin shqiptarët (Prizren, Gjilan, Tetovë, Shkup, Kumanovë, Preshevë etj.). Madje edhe ndaj atyre që ishin për të dhënë kontributin e tyre për çlirimin e pjesëve tjera të Jugosllavisë nga okupatorët: Masakra e Tivarit (1945) ku u ekzekutuan mbi 3500 shqiptarë dhe mijëra të tjerë në Vojvodinë që dëshmojnë për vazhdimin e politikës së vjetër shoviniste serbe ndaj shqiptarëve. Edhe në konfliktin ideologjik në mes të Jugosllavisë dhe BRSS, në kohën e Informbyrosë (1949 – 50) shqiptarët do të jenë objekt i sulmeve të pamëshirshme me qëllim të dëbimit përfundimtar të tyre nga këto hapësira. Për këtë qëllim, në vitin 1953 Qeveria Jugosllave nënshkruan Marrëveshjen e re për shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi. Që të krijohet një klimë e përgjithshme paniku dhe tensioni ushtria dhe policia jugosllave ndërmarrin aksione të përmasave të mëdha. Nën pretekstin e kërkimit të armëve, 1100 shqiptarë janë vrarë apo kanë vdekur nga pasojat e torturave, ndërsa mbi 100.000 të tjerë janë torturuar (shih fejto-nin:”Delegacioni kosovar të Tito”, Politika, 12, 13, 14 majit 1967, Beograd). Kjo klimë e përgjithshme terrori ndikoi që marrëveshja e dytë jugosllave – turke për shpërnguljen e shqiptarëve të këtë më shumë sukses. Gjatë periudhës 1953 – 1960 u shpërngulën 283.000 shqiptarë për në Turqi. Sa i përket angazhimit në planin e jashtëm, Jugosllavinë e kësaj periudhe e karakterizonte aktivitetit në Lëvizjen e Painkuadrimit. Trum-betimi propagandistik i respektimit të të drejtave të popujve në planin ndërkombëtar binte ndesh me politikën ndaj shqiptarëve në planin e brendshëm. Në këtë kontekst duhet të shihet edhe Plenumi i IV i Komitetit Qendror të LKJ-së, që u mbajt në Brione (qytezë në Kroaci) në qershor të vitit 1966. Në konkluzionin e kësaj mbledhjeje dënohet politika e Serbisë ndaj shqiptarëve dhe faji i lihet vetëm policisë politike të Aleksandër Rankoviqit. Më 13 qershor 1966 shkarkohet nga funksioni A. Rankoviqi, shef i “policisë politike” dhe “rehabilitohet” pjesa tjetër e qeveritarëve që ishin në politikë në atë periudhë. Përkundër përpjekjeve që për këtë periudhë të dhunës të “shfajësohej” Tito dhe garnitura përreth tij, vlen të mos harrohet fakti se ai ka qenë megjithatë personi numër një i politikës jugosllave. Gjithashtu vlen të mos lihet në heshtje fakti se përpos dënimit verbal të politikës që u ndoq ndaj shqiptarëve në Jugosllavinë Socialiste, asnjëherë nuk u bë apel që të kthehen të shpërngulurit shqiptarë. Përkundrazi, ky fakt i politikës ndaj shqiptarëve lehej në heshtje dhe në disa periudha u planifikua vazhdimi i kolonizimit nën pretekstin e kthimit të serbëve të shpërngulur. Vitet e sundimit të A. Rankoviqit, janë vitet e ndjekjeve, burgosjeve dhe të vrasjeve të intelektualëve shqiptarë në burgje (rastet Shaban Shala e Fazli Grejçefci), në kufirin me Shqipërinë dhe dënimi me burgim të rëndë i Adem Demaçit dhe i bashkëpunëtorëve të tij. Politika serbe dhe jugosllave e pas Luftës së Dytë Botërore udhëhiqej sipas projekteve të V. Qubrilloviqit. Kësaj politike i pengonin të gjitha grupet e mëdha etnik joserbe, siç ishin: gjermanët, italianët, hungarezet dhe shqiptarët, prandaj këta duhej të dëboheshin nga Jugosllavia, përkatësisht Serbia. V. Qubrilloviqi u thoshte drejtuesve të rinj komunist “që të kolonizoheshin tokat e pakicave…se nëse nuk zgjidhet tani ky problem, nuk do të zgjidhet kurrë”. Drejtuesit serbë, ndonëse bëheshin se nuk ia vunë veshin këshillës së V. Qubrilloviqit, ata nuk e harruan dhe në vazhdimësi janë udhëhequr nga mësimet e tija fashiste. Veprimet nëpër kohë të ndryshme e kanë verifikuar sa e sa herë deri më sot këtë politikë të dehumanizuar, më së miri e tregojnë vitet e freskëta të dëbimeve e të shfarosjeve të shqiptarëve 1990 – 1999, për të cilat do të flasim më poshtë. Pse shqiptarët e sotëm, kalemgjinjët e ri e jo të burgosurië politik, mos ta hulumtojnë peshën e përgjegjësisë së udhëheqësve shqiptar të atyre viteve. Nëse është që tu thurim himne dhe dithirambe lavdi,atyre që ishin në shërbim të një pushtuesi të “mirë” le të bëhet edhe ajo pse jo. Por, nëse e bëjmë këtë në shqiptarët e Kosovës, siç e bënë disa analistë në mediet tona, çka duhet të bëjnë për udhëheqësit e vetë qytetarët e Shqipërisë, të Serbisë, të Kroacisë, të Sllovenisë, të Maqedonisë, të Bullgarisë, të Rumanisë e kështu me radhë, pasi në të gjitha këto vende ka pasur më shumë zhvillim e më pak dhunë e krime klasore. Të gjithë qytetarët e atryre vendeve, sipas një logjike që po shkruhet këtyre dite, duhet ta rikthejnë atë sistëm që tani më është dënuar nga të gjitha vendet e popujt që kapërcyen atë Golgotë, është dënuar nga e gjithë politika e vendeve demokratike në Evropë e në Botë. Si behet që ajo politik, ideologji e sistem, kudo të ketë qenë i keq, vetëm në Kosovën e pushtuar na paska qene “ilimuniste”?! Sigurisht nëse krahasimin e bëjmë me hiqin, atëherë vërehet ndryshimi apo “iluminizmi”?!
FAZA E DYTË: 1967 – 1980
Fazën e dytë përfshin periudhën nga rënia e Aleksander Rankoviqit deri të miratimi i kushtetutës së vitit 1974 dhe divergjencat që shfaqen pas zgjidhjes gjysmake të statusit politik të Kosovës e karakterizon lufta politike që do të përgatis konfliktin në formë të re. Më në fund, kërkesave të popullit shqiptar nuk mund t’u iknin autoritetet qendrore të Jugosllavisë. Në vend të respektimit të plotë të të drejtave, qeveritarët jugosllav tentonin të ”kënaqnin” shqiptarët me zgjedhje të pjesshme të problemeve. Kështu në këto vite në Kosovë fillon të respektohet e drejta për shkollim dhe për punësim në administratë dhe në Ndërmarrje Publike e Shoqërore. Me gjithë këto ndryshime, diskriminimi i shqiptarëve ka vazhduar, veçse në forma dhe metoda më të kamufluara. Si rezultat i pakënaqësive të mëdha shpërthejnë demonstratat e vitit 1968, ku shqiptarët kërkuan që Kosova të shpallej Republikë në kuadër të RFSJ. Demonstrata u shtyp me polici, ushtri e tanke dhe këtë kërkesë të ligjshme të shqiptarëve qeveritarët u munduan ta ngulfatin përmes burgosjeve, maltre-timeve dhe vrasjeve. Megjithatë, si rezultat i rezistencës, në vitin 1974, statusi politik i Kosovës do të ngritet në nivel të një Autonomie më të madhe. Kështu Kosova u njoh si pjesë konstituive e Federatës Jugosllave dhe u bë me Kushtetutë të veten. Ky avancim gjysmak i statusit politik do të lë shumë probleme. Të gjithë ata që rezistonin në Kosovë dhe kërkonin të drejta të plota u përndoqën si më parë. Në vitin 1975, në Kosovë kemi burgosjen e dy grupeve të mëdha. Dënimet ndaj të burgosurve do të jenë drakonike. Ndaj të burgosurve gjatë procesit të hetuesisë do të ushtrohej dhunë e madhe nga hetuesit e UDB-ës Sipas Amnesty International midis viteve 1971-1991 të burgosurit politik shqiptarë përbënin numrin më të ma të tyre. Me këto ndryshime, edhe pse gjysmake, nacionalizmi serb nuk do të pajtohej. Ata do të hartojnë të ashtuquajturin Libri i Kaltër, në të cilin qartësohet vizioni serb rreth Kosovës. Si nacionalist i tërbuar në këtë “Libër” do të dallohet Dobrica Qosiqi, shkrimtar dhe akademik serb, i cili në skenë do të rishfaqet pas viteve 1980. Ndoshta ndryshimi më përmbajtësor në Kosovë, në atë kohë, ka qenë Universiteti i Prishtinës, statusi i Autonomisë dhe Kushtetuta e 74. Por edhe gjatë kësaj kohe për shqiptarët e Kosovës, burgosja dhe dënimet me nenet e famshme të Kodit Penal, 133 e 136 e 114 mbeten “privilegji” më i mirë për ta në FJ. Të burgosurit shqiptarë shpërndaheshin e gjendeshin në të gjitha burgjet e Republikave të FJ. Shqiptarët veç burgjeve, kishin mundësinë të ishin edhe punëtorë krahu në të gjitha Republikat Jugosllave. Gjatë kësaj kohe Serbia dhe FJ ka bërë shfrytëzimin e dyfishtë të shqiptarëve dhe të Kosovës, në një anë është shfrytëzuar pasuria tokësore e nëntokësore e Kosovës e në anën tjetër është shfrytëzuar edhe fuqia fizike e punëtorëve nga Kosova, që kryesisht ishin shqiptarët
FAZA E TRETË: 1981 – 1989
Këtë fazë e karakterizon lufta rreth statusit politik të Kosovës në kuadër të Jugosllavisë. Nga njëra anë, shqiptarët përmes demonstratave të vitit 1981 kërkonin të drejtën për të jetuar të barabartë me të tjerëtN NË ana tjetër, qeveritarët serbë që filluan politikën e dhunës dhe cungimit të të drejtave të shqiptarëve. Kjo luftë do të ngjallë një luftë dinamike, specifike në gjithë hapësirën jugosllave dhe do të krijojë një klimë të favorshme për daljen në skenë të plotë të politikës hegjemoniste serbe. Përmes Memorandumit të ASHAS dhe ndryshimeve në kreun partiak (ardhja e S. Millosheviqit në krye të partisë në Serbi), u krijuan kushte për një ofensivë të paparë kundër tërë hapësirës së ish-Jugosllavisë në përgjithësi, e të shqiptarëve në veçanti. Duke shpresuar se Serbia do të kënaqet vetëm me shtypjen e shqiptarëve dhe cungimin e të drejtave të tyre, Republikat tjera të federatës jugosllave hezituan që të konfrontohen me tendencat hegjemoniste serbe. Nëse i bëhet një rezyme e shkurtër kësaj periudhe mund të thuhet se janë vite që problemin e pazgjidhur të shqiptarëve e nxjerrin në rend të ditës dhe e shtruan për zgjidhje, si në rrafshin brenda FJ ashtu edhe në atë ndërkombëtar në përmasa meritore. Për popullin shqiptar e sidomos për rininë e shkollave dhe intelektualët dolën sfida të mëdha, sfida që kërkuan: guxim, vendosmëri dhe sakrifica të mëdha. Sfida me të cilat do të për-ballohen të gjithë qytetarët e Kosovës, të fshatit e të qytetit, të gjitha shtresat e kategoritë e shoqërisë: punëtorët, fshatarët, administrata publike – arsimore e shëndetësore, intelektualë e shkencëtarë, të vjetër e të rinj, fëmijë e gra. U përballën me mungesë edukimi e arsimi, pune e shërimi, mungesë sigurie e buke në sofër, mungesë dije e informimi, zhvillimi e përparimi të mbetur vetëm me shpresën për një të ardhme më të mirë. Gjatë këtyre viteve, fillimisht u bënë përpjekje të mëdha për të bërë diferenca brenda llojit dhe u bënë diferencime, por jo në përmasat që dëshironin zotërinjtë në Beograd të cilët do t’i diferencojnë të gjithë shqiptarët nga të tjerët, duke arritur, sidomos sukses në instrumen – talizimin e serbëve të Kosovës. Kjo formë e diferencimit të të gjithë shqiptarëve u arrit në fund të viteve të ’80-ta. Ishin vite të një shtetrrethimi të plotë. FJ në Kosovë kishte mbi 60.000 forca policore e ushtarake. Janë vite që Beogradi kishte sinkronizuar të gjithë makinerinë politike, duke filluar nga LKJ-në, LKS-në KKK-në, gjithë aparatet represive dhe institucionet shtetërore si: policinë e ushtrinë, Shërbimin sekret serb, (civil e ushtarak), Sistemin e Drejtësisë, institucionet shkencore, Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Serbisë, Shoqatën e Shkrimtarëve serbë, mjetet e informimit publik, (të shkruara dhe elektronike), e veçanërisht publicistikën për të sulmuar gjithçka shqiptare, për të vajtuar e mitizuar çdo gjë serbe, duke kthyer në hero kombëtar serb rastin e famshëm të shishes së Gjorgje Matinoviqit. Serbet po e aktronin viktimizimin. Të gjitha segmentet shtetërore të autonomisë së Kosovës ishin shndërruar në filiale të politikës serbe të Beogradit. Sidomos të instrume-ntalizuar nga Beogradi ishin: policia, hetuesia, prokuroria dhe gjyqësia. Gjatë viteve 1981-1990, nëpër duart të policisë kaluan mbi 584.373 shqiptarë, sipas të dhënave tona ishin mbi 700.000, mijëra të tjerë u dënuan me shumë vjet burg, po të ktheheshin në shekuj do të bënin mbi 250 shekuj. Kërkesat e drejta e paqësore të shqiptarëve u shfrytëzuan për sulm të përgjithshëm në çdo gjë shqiptare, sulmi do të përqëndrohej në nënën shqiptare, duke e quajtur edhe makinë larëse. Sulmi ishte i drejtuar në substancën shqiptare – në plleshmërinë e nënës. E gjithë kjo politikë, burimin e kishte te politika serbe e Elaborateve të V. Qubrilloviqit dhe te Memorandumi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë si dhe Programet Jugosllave për Kosovën që miratoheshin edhe në institucionet e KASK. Vitet e 80-ta po përfundonin me diferencimin e gjithë shqiptarëve edhe të atyre që deri vonë i kishin berë argatë në realizimin e planeve shoviniste serbe, do të helmohen mbi 7000 nxënës e studentë shqiptarë, ndodhin grevat e minatorëve në zgafellë, më 23 mars 1989 bëhen ndryshimet Kushtetuese në Kushtetutën e Kosovës, ku de fakto Kosova humb autonominë. Shqiptarët nxirren nga puna në të gjitha segmentet e jetës shoqërore, politike e publike (mbi 120.000 punëtorë largohen nga puna), universiteti e shkollat po bëheshin mollë e ndaluar për shqiptarët. Në nëntor të vitit 1988, para më shumë se 350.000 protestuesve, në mënyrën më të hapet, përgatit yryshnikët serbë drejt Kosovës. Në atë fjalim, Millosheviqi në mes të tjerash tha: “Çdo popull e ka një dashuri që ia ngroh përjetësisht zemrën. Për Serbinë kjo është Kosova”. Këtë frymë, politike dhe filozofike, të thirrjes për luftë e gjëje në të gjithë segmentet e jetës, politike, publike, shoqërore e informative. Kjo frymë e ky helm nuk do të çrrënjoset nga kokat që e ushqyen, u udhëhoqën dhe u rritën me të. Në vitin tjetër qeveritarët e Beogradit do të organizojnë manifestimin e 600 vjetorit të Betejës së Kosovës. Më 28 qershor 1989, në Gazimestan, S. Millosheviqi do t’u shpallë luftë të gjithë atyre që guxojnë ta kundërshtojnë atë dhe politikën e tij shoviniste. Ai tregoi haptas se: “…Heroizmi i Kosovës nuk na lejon të harrojmë se dikur ne ishim trima dhe të nderuar dhe nga të paktit që kanë shkuar nëpër beteja të pamposhtur…Gjashtë shekuj më vonë, ne jemi përsëri në beteja dhe grindje. Këto nuk janë beteja të armatosura, megjithëse një gjë e tillë nuk duhet përjashtuar ende”. Ai ishte paralajmërim i hapët për luftërat që pasuan në hapësirat e ish FJ. Tani për të gjithë ishte e qartë, politika e Memorandumit të ASHAS, po bëhej politikë udhëheqëse e politikës zyrtare në Beograd. Vozhda i saj ishte kryekrimineli S. Millosheviq. Politika e Millosheviqit nuk ishte e fshehtë, ajo përcillej nga një armatë e tërë informative, të vendit dhe ndër-kombëtare. Në Kosovë u organizuan protesta popullore, të gjitha u shuan me gjak. Shqiptarëve po u mbetej: të nënshtroheshin, të merrnin rrugën e migracionit ose të përgatiteshin për forma të tjera të rezistencës aktive. Në mars të vitit 1989 në Kosovë u vendos pushteti ushtarak. Ndodhën arrestime masive. Në mesin e të arrestuarve gjendeshin edhe udhëheqës të deri djeshëm. Më 23 mars Kuvendi i Kosovës, miratoi amendamentet të cilat Krahinës ia hoqën autonominë. Sipas Amnesty Internacional, në protestat dhe demonstratat që u mbajtën kudo në Kosovë, rreth 140 persona gjetën vdekjen. Në Kosovë filloi epoka e gjenocidit serb sipas projekteve të fshehta të shtetit serb. Dihet se baza e gjithë kësaj politike kriminele, terroriste e fashiste dhe e asaj që do të pason edhe gjatë dekadës së fundit të shëkullit XX, duhet kërkuar të vlerësimi që iu bë Demonstratave të vitit 1981 si kundërrevolucion. Dhe vetë vlerësimi kunderrevolucion kishte bazë ideologjike.
FAZA E KATËRT: 1990 – 1997
Janë vite të rezistencës aktive e pasive (jo të dhunshme). Kjo fazë i ka dy karakteristika të theksuar e dalluese: a) nxjerrja e shqiptarëve, në shumicë jashtë institucioneve e punës dhe b) nis pluralizmi politik, tek ne i njohur edhe si alternativë demokratike – pacifiste. Pluralizmi për shqiptarët ishte një karrem i rrezikshëm. Shqiptarët kishin nevojë për një bashkim të fuqishëm. Pluralizmi po fillonte në Kosovë, në kushte shumë të vështira, shu-mica e shqiptarëve ishin të papunë, brenda pak vitesh 90% e shqiptarëve ishin të papunë, u mungonin mjetet financiare për jetë, burim kryesor për mbijetesë ishin të ardhurat nga migracioni. Ikja nga Kosova ishte shpresa e vetme për shumë të rinj. Mbi 400.000 shqiptarë ia kishin mësuer vendeve të demokracisë perëndimore. Alternativa demokratike përveç që ishte e pa busullë, ajo nuk ishte e gatshme të ndërmerrte asnjë veprim të guximshëm e serioz në të mirë të vendit. Ajo gandizmin apo pacifizmin nuk e kishte zgjedh si vlerë a bindje, por nga mosbesimi në kryengritjen e armatosur. Kosova ishte në shtetrrethim. Përveç njësive policore dhe ushtarake në Kosovë ushtronin aktivitet të dhunshëm e plaçkitës njësitë paraushtarake të “Arkanit” e të V. Sheshelit, të cilët fillimisht grabitnin të holla dhe sende me vlerë në dyqane e familje shqiptare. Në vitet 90-91 do të lirohen shumica e të burgosurve të Pranverës Shqiptare, homogjenizimi i shqiptarëve kishte arritur një nivel të lak-mueshëm, por alternativa demokratike jo vetëm që nuk arriti ta ruajë, por e zvetnoi deri në nënshtrim të plotë karshi regjimit të S. Millosheviqit. Ndodhi lëvizja masive për faljen e gjaqeve, pajtimi kombëtar, u kuptu si një përgatitje për luftë çlirimtare. Gabimi krucial i Lëvizjes Politike Shqiptare u bë, kur në krye të rezistencës nuk u vendosë Simboli i rezistencës kombëtare. U bënë përpjekje për krijimin e një jete institucionale të pavarur, por ajo vetëm pjesërisht do të funksionojë. Gjatë kësaj kohe kemi Deklaratën Kushtetuese për Pavarësi të 2 korrikut 1990, Referendumin gjithëpopullor të shtatorit 1991, me këto akte Kosova u shpall e pavarur nga Serbia, por jo nga Jugosllavia. Në shtator 1990 u shpall Kushtetuta e Kaçanikut dhe në vitin tjetër zgjedhjet e lira të 24 majit 1992. Krerët e rezistencës pasive u treguan të pavendosur për krijimin dhe forcimin e jetës institucionale. Në migracion u vendos qeveria e Kosovës e cila u vendos në Bon. Nga viti 1993, nga Fondi i 3% do të financohen mbi 20.000 arsimtarë, mësues e profesorë Universiteti që edukonin mbi 320.000 nxënës, e mbi 12.000 studentë. Edhepse Administrata e dhunshme serbe i vilte të gjitha taksat nga qytetarët e bizneset kosovare. Një pavarësi, por në kushte tepër të renda ishte arritur në sferën e arsimit, të financimit e të shëndetësisë dhe të drejtave të njeriut, veç të ashtuquajturave parti politike shqiptare. Por ndaj të gjithë këtyre segmenteve të jetës, pushteti i Beogradit vazhdonte dhunë sistematike. Jeta e padurueshme ishte bërë sidomos për rekrutët shqiptarë në Armatën Jugosllave. Ishte bërë praktikë e dhimbshme, kthimi i ushtarëve shqiptarë në arkivole, kinse që ata po bëkan vetëvrasje. Kështu filloj ikja e shqiptarëve nga ushtria. Regjimi i Beogradit nuk do të shqetësohej nga ky fenomen, përkundrazi, ai do ta stimulojë duke vazhduar me shpërndarjet fletëthirrje për të rinjtë shqiptarë të cilët duke i ikur shkuarjes në ushtrinë Jugosllave po largoheshin nga Kosovë, ky edhe ishte qëllimi i politikës së Beogradit, që sa më shumë shqiptarë të shpërnguleshin nga Kosova. “Sa ma shumë shqiptarë, thoshte princ Millani, të shpërngulni nga trojet e tyre, aq më të mëdha janë meritat tuja para atdheut”. Me gjithë monitorimin e fuqishëm të komunitetit ndërkombëtar, politika serbe e Beogradit, po e vazhdonte politikën e saj të programuar ekspansioniste ndaj popullit shqiptar të Kosovës. Gjatë kësaj periudhe, për shqiptarët e Kosovën të “gjitha rrugët” të shpinin në botën perëndimore. Më e mira e kësaj kohe është së një pjesë e Lëvizjes Politike Klandestine nuk lejoi të bëhet pjesë e lojës “demokratike”, ajo vazhdoi aktivitetin atdhetar fshehurazi. Perëndimi po bëhej magje dhe poligon i liridashësve të Kosovës. Nga ky organizim legal në vendet e demokracisë perëndimore e i fshehtë në Kosovë, do të krijohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës e cila del nga gjiri i Lëvizjes Popullore të Kosovës. Rol të pazëvendësueshëm në këtë krijim të ri politik dhe ushtarak, ka Adem Jashari dhe Formacioni i tij i armatosur. Ky Formacion, përveç që do të ndërmerr aksionet e para mbi forcat policore armike, bëhet edhe vendstrehim për çdo veprimtarë politik që ndiqej nga forcat pushtuese. Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ishte formacion i armatosur për të sulmuar vende a popuj të tjerë, ishte formacion i armatosur i lirisë, i nderit e dinjitetit kombëtar, njerëzor e familjar. Këtë formacion e karakterizonte ndjenja e lartë e sakrificës dhe e vetëflijimit. Këto vite ishin vite të një ngecjeje të madhe ekonomike, vite të një dhune të vazhdueshme mbi popullin shqiptar, vite të një nëpërkëmbjeje të vazhdueshme, vitet e një psikoze pasigurie e pa perspektive, vite të plaçkitjeve të vazhdueshme nga administrata e policia serbe, vitet e padinjitetshme të njeriut, sidomos të shqiptarëve për jetë. Pasiguria ishte kudo, në shtëpi, në rrugë, në autobus, në treg e kudo ku ishte nevoja të ishe në vendin tënd. Nuk kishte siguri për jetë, për familje as për pasuri e katandi. Shqiptarëve po ju mbeteshin vetëm dy rrugë: asimilimi e ikja ose lufta e armatosur. Ushtria Çlirimtare e Kosovës me Komandant Adem Jashariun zgjodhi Luftën Çlirimtare. Luftën për liri, paqe e dinjitet njerëzor.
Nuk thuhet kot: “Liria i ka rrënjët në gjak!”
Për vitet e luftës nuk dua ta ngarkoj lexuesin e nderuar, pasi konsideroj se të pakt janë ata shqiptar që edhe sot nuk i kanë të fresketa ato vite të vështira. Unë nuk dua të jap asnjë kualifikim për politikën e udhëheqësve shqiptar që ishin në shërbim të armikut shekullor, nëse për ketë nuk flasin dëshmit e shkurtra që afrova në ketë punim timin, i cili në një formë më të zgjeruar gjendet në librin tim, Kosova në kontekst historik të botuar në fund të vitit 2005, i cili në formë më të zgjeruar se shpejti do të ribotohet. Le të shërbej ky shkrim për rifreskim të kujtesës për ata që i kanë harruar vitet e pushtimit serbo-komunist. Më posht po japim një pjesë jo të plotë të dëmeve të shumta që ka shkaktuar politika e neosocializmit serb në Kosovë gjatë viteve 1998/99. Edhe pasojat e kësaj lufte duhet kërkuar të vlerësimi që iu bë kërkeses së popullit shqiptar për Republikë si kërkrsë kunderrevolucionare në fillim të vitit 1981.
Lufta solli vrasjen e mbi 13.000 civilëve, djegien e rreth 1000 vendbanimeve, shkatërrimi i tërësishëm i mbi 104.000 shtëpive dhe i mbi 214.000 të tjerave të shkatërruara e të plaçkitura, mbi 2000 dëshmorë të UÇK-së, që gjaku i tyre na u bëftë ditë me dritë dhe humbje të tjera të ekonomive familjare e kombëtare si dhe dëbimin e rreth një 1.000.000 qytetarëve nga shtëpia e tyre dhe marrja e dokumentacionit identifikues. Sfatiksacion i të gjitha këtyre humbjeve njerëzore e materiale, Çlirimi i Kosovës nga Ushtria Çlirimtare e Ko-sovës me ndihmën e NATO-s. Ky është çmimi i lirisë! Gjashtë vitet e pas luftës çlirimtare, për popullin shqiptar, për shumicën e qytetarëve të Kosovës, kanë qenë e janë, gjashtë vite të një shprese të madhe, gjashtë vite të ndryshimeve të mëdha, gjashtë vite të një politike ndryshe, gjashtë vite të një ndihme substanciale të komunitetit ndërkombëtar. Këto vite të një pritjeje të madhe nuk guxojnë të kthehen në vite të një zhgënjimi të madh. Zhgënjimi nuk është zgjidhje, ai përmbys gjithë investimin e vendorëve për liri, pavarësi e demokraci, përmbys gjithë investimet e ndërkombëtarëve për paqe, liri e shtet ligjor. Kosovës i duhet vazhdimi i shpresës së madhe dhe finalizimi i saj.
* * *
Kështu shkruaja para gjashtë vjete, tani jemi në vitin e tretë pas pavarësisë, për Kosovën dhe qytetarët e saj janë hapur perspektiva të reja, të pa para në historinë e saj shumëshekullore.
( Prishtinë, 24. 05. 2010 )

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura