BEHXHET SHALA – BAJGORA: SERBËT E VULINIT DHE KOSOVARËT E NASTRADINIT!

Prishtinë, 19. 12. 2014 – (Lista e Serbisë dhe autonomia e Kosova dhe Metohisë) – Kosova është një vend jashtëzakonisht interesant dhe i veçantë. Shqiptarët e quajnë Dardani , serbët e Vulinit por edhe disa të Thaçit e quajnë Kosova dhe Metohi, miqtë dhe ata miq në thonjëza e quajnë Kosovo ndërsa kosovarët me prejardhje shqiptare si dhe politikanët e konvertuar në kriminelë humanitarë dhe kriminelët të veshur me fuqi politike e quajnë Kosovë. Ndërkombëtarët , që na i njohin edhe zorrët në barkë ( nuk duhet ndonjë inteligjencë e veçantë të na njohin ) , duke ditur se vuajmë nga kompleksi i të qenit intelektualë në përputhje me standardet ndërkombëtare, e kanë lancuar një shprehje mashtruese e ajo është se Kosova është rast sui generis. Këtë e kemi pranuar si vlerë pa e ditur fare kuptimin e kësaj shprehje e cila prodhon pasoja të dëmshme afatgjate sikur që kemi pranuar faktin se më tepër se 500 vjet dëgjojmë predikime fetare dhe i lutemi Zotit në një gjuhë që fare nuk e kuptojmë! Pra, Kosova është vend jashtë standardeve normale të përcaktuara për vendet normale ku zbatohen standarde të dyfishta , të trefishta dhe të shumëfishta! Në këtë kontekst, para zgjedhjeve të fundit në Kosovë u themelua një subjekt politik i quajtur Lista Srbska e cila fitoi 90 % të votave të serbëve të Kosovës, të serbëve të Serbisë që votuan në Kosovë , të serbëve të Libofshës së Shqipërisë , të atyre të Ukrainës, Bellorusisë, Libisë, Sirisë dhe Rusisë! Pa pasur nevojë fare për fushatë ata dominuan mbi serbët përkatësisht liderët e serbëve të Kosovës të cilët, që nga fillimi u angazhuan për Kosovën duke njohur dhe duke kontribuar për autoritetet dhe institucionet e saj. Si më të spikatur ishin Sllobodan Petroviqi dhe Nenad Rashiq të cilët u damkosën nga ekstremistët e Beogradit dhe të Mitrovicës . Në kohë të vështira morën përgjegjësi duke u përballur me rreziqe.

– Aleksandar Jablanović dhe isa Mustafa –

Këta ishin kundër barrikadave fizike që në fakt për qëllim kishin betonimin e barrikadave etnike dhe politike sipas projektuesve ekstremistë . Lista Srbska ishte projekt politik dhe strategjik i Beogradit dhe Brukselit i cili i është imponuar Prishtinës pa të drejtë ndërhyrjeje edhe në planin teknik e lëre më përmbajtësor! Ata që e kundërshtuan këtë projekt ç’integrues u margjinalizuan politikisht dhe u demonizuan mediatikisht! U shpallën armiq të “ miqve” që nënkupton diferencimin e lehtë sikur në kohën e kriminelit Josip Broz Titos dhe apostujve të tjerë të krimit jugosllavë dhe serbë që filluan me Rankoviqin , vazhduan me Sllobodan Millosheviqin dhe duket se nuk do të përfundojnë me Tomisllav Nikoliqin! Këtyre apostujve të krimit u ndihmuan edhe baballarët dhe majkat e atyre që sot janë sistemuar në të gjitha nivelet institucionale në Kosovë , mediave elktronike dhe të shkruara , shoqërisë civile dhe shërbimeve jashtëzakonisht të ndjeshme për sigurinë e qytatrëve të Kosovës. Këta sot llogariten si patriotë dhe ndërtues të paqes përkundër “kriminelëve“ , katundarëve të UÇK-së, gjeneralëve të pashkolluar të luftës së fundit, ish të burgosurve politikë shqiptarë që nga viti 1945 e deri më sot , dhunuesve që e prishën miqësinë e përjetshme , komoditetin kumbarinë me Jugosllavinë dhe Serbinë etj.,. Nuk ka vend në botë ku janë sulmuar dhe sulmohen aq shumë ata që sakrifikuan ate që patën mundësi për lirinë e Kosovës. Fajin për këtë e kanë gjithssesi edhe një pjesë e kriminalizuar e çlirimtarëve pa kontributin e të cilëve nuk do të kishte sulme frontale dhe të paskrupullta. Në këto kushte nuk ka qenë vështirë të formohet dhe të fitojë hapësirë veprimi formacioni parapolitik dhe paramilitar i Vulinit në Kosovë me emërtimin Lista Srbska. Kjo listë nuk është aspak e interesuar të angazhohet për përmirësimin e kushteve ekonomike, sociale, kulturore dhe të tjera për qytetarët serbë të Kosovës por për zbatimin e agjendave ekskluzivisht politike të Beogradit duke mirëmbajtur gjendjen e tensionuar dhe duke ofruar radikalizmin përjashtues në vend të integrimit të serbëve që është edhe kusht i domosdoshëm për mbijetesën e tyre. Kështu siç janë duke vepruar po dëmtojnë strategjikisht intereset e serbëve dhe po nxisin një refuzim të shumicës absolute në Kosovë pa përkrahjen e të cilëve nuk mund të ketë integrim të serbëve, të shumicës shqiptare. Agresiviteti që në raste të caktuara mund të konsiderohet si arrogancë dhe shantazhim i kësaj liste shihet në kërkesat e parashtruara si kusht për t’u bërë pjesë e kabinetit qeveritar. Pastaj, Lista Srbska me liderin e saj i cili asgjë deri sot nuk ka bërë për qytetarët serbë të Kosovës, ka përjashtuar nga të gjitha postet pikërisht ata serbë që kanë pasur qasje integruese dhe kanë qenë konstruktiv siç janë Sllobodan Petroviq dhe Nenad Rashiq . Kjo tregon qartë se çfarë qëllime ka kjo listë. Lista Srbska ka kërkuar dy ministry, ate për kthim dhe komunitete si ate të pushtetit lokal. Ministria për Komunitete dhe Kthim ka qenë eldorado për të gjithë ministrant sepse kanë pasur mundësi të shpërdorojnë mjete të shumta të ndara për kthimin e personave të zhvendosur ( në radhë të parë të atyre serbë ) dhe të kenë imunitet të plotë nga përgjegjësia penale. Në një mënyrë janë trajtuar si staf ndërkombëtar shkaku se kanë qenë të paisur me imunitet . A do të përsëritet kjo dukuri edhe nën “ ministrin “ Jabllanoviq , mbetet të shihet. Do të dëshiroja të gaboj në vlerësimin tim.
Kushtëzimi në vend të bashkëpunimit
Ka qenë krejtësisht jonormale të pranohen kushtëzimet që i janë bërë Kosovës dhe që po i bëhen edhe sot , dje nga strukturat paralele ndërsa sot nga Lista Srbska për proceset e shtetndërtimit dhe fuqizimit të shtetit i cili ende është duke shkuar zhagas. Kushtëzimi për FAK-un, procesin e privatizimit , Republika Srbska në Kosovë është i papranueshëm për një vend normal. Qëllimi i këtij kushtëzimi është që të fuqizohet entiteti politik dhe etnik serb në Kosovë para arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare për paqe midis Kosovës dhe Serbisë dhe ta fitojë një legjitimitet ndërkombëtar pas së cilave do të krijohej një situatë e përafërt me ate në Federatën Boshnjake! Duket se të gjitha rrugët po çojnç drejt , jo Romës por këtij entiteti politik dhe etnik . Këtu pastaj përfundon misioni i “ ministrit “ Jabllanoviq dhe shigjetarëve të tij . Po, të presim edhe pak se proceset do të zhvillohen shpejt. Koalicioni aktual qeverisës ka për të kryer detyra , jo për shtëpinë por për komshinë!
Marrja në thua … e presidentes
Presidentja e Republikës së Kosovës znj. Atifete Jahjaga e mbajti fjalimin vjetor drejtuar qytetarëve të Kosovës para përfaqësuesve të tyre e ata ishin deputet e Kuvendit të Kosovës. Fjalimi ishte shumë objektiv dhe i strukturuar mirë! Nuk e kam të qartë pse opozita e lëshoi sallën e Kuvendit të Kosovës dhe deshi të arrinte me këtë largim në stilin e Sali Berishës ?! Po të ishin këta në pushtet sigurisht se nuk do ta lëshonin sallën e Kuvendit dhe krejt fjalë të tjera do të flisnin për presidenten . të kundërta me këto që i folën tani që nënkupton se opozita është hatruar shumë pse nuk u bë positë! Përkthyer në gjuhën shqipe kjo do të thotë se synimi i opozitës por edhe i pozitës nuk ishte shteti por pushteti!  Para se ta mbante fjalimin presidentja Jahjaga vetëm sa nuk u rrëzua. Jo nga Hashim Thaçi që pretendon ta zë karrikën e saj por mori në thua kur u përshëndet me ministrin Lutfi Zharku . Vetëm nuk e kam të qartë se a është kjo vërejtje për presidenten Jahjaga apo për ministrin Zharku?!
E pati PDK
Përshkak të dallimeve konceptuale, programore dhe zhvillimore PDK-në më parë e lëshuan Gëzim Kelmendi dhe Margarita Kadriu. Arsyetimi i tyre ishte se janë shkelur parimet dhe këta deputetë që njihen për integritet të lartë moral nuk kanë pasur mundësit jetër veç largimit. Këtyre deputetëve nuk u bëjnë fare përshtypje as postet ministrore apo poste të tjera se parimet i kanë të palëkundura . me 100 mijë vështirësi PDK e përballoi këtë tragjedi politike dhe vetëm sa nisi ta marrë veten u përballë me një situatë të ngjashme por duket të papërballueshme . Për shkaqe të njëjta me të parët , në mbrojtje të parimeve pra , dorëheqje të parevokushme nga të gjitha pozitat në PDK ( ka pasur pozita të larta !!!) dhe nga grupi parlamentar u largua Shaip Muja , ariu i moçëm i PDK-së duke e sjellë këtë parti në situatë jashtëzakonisht të rëndë. Komenti im është ; Zoti i ndihmoftë PDK-së e më shumë Shaip Mujës !

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura