ILJASA SALIHU: DASHNIMI, KY BURRË QË DITI TË DËSHMOJË

Kumanovë, (Llojan), 10. 01. 2015 – ( Ai vdiq, po ashtu edhe shkaku i asaj vdekjeje vdiq, por jo edhe shkaktari). – Vendkalimi Llojan – Miratoc që është bërë vendtrishtim dhe vendndalim, ende vijon t’i lemeritë banorët e fshatit Llojan dhe ato të fshatit Miratoc. Mbase ky vendtrishtim ka hijëzuar me turp tërë shqiptarët. Paturpësisht ndau familjarët. Padrejtësisht vijon të qëndrojë si një gjak i ngjizur në arteriet tona. Pafundësisht sjellë pasoja. Përfundimisht shkakton ngecje dhe humbje ekonomike dhe financiare. Përkundër këtyre argumenteve të cilat janë shumë më shumë se sa dikush mund t’i radhisë, sërish funksionarët e lartë që janë në politikën shqiptare të dy anëve të kufirit, dikur gënjenin se do ta rihapnin këtë rrugë, kurse tani për dallim prej asaj kohe, duket se e kanë kuptuar se populli e ka kuptuar se ata haptas po gënjejnë, në vend të kësaj ata zgjodhën heshtjen dhe mosveprimin. Ata madje harruan se pikërisht para 10 vjetësh një djalë i ri u vra po në këtë zonë, po si rrjedhojë e kësaj mbylljeje pa asnjë arsye, të cilën të rrezikshme e bën ata që realisht ishin dhe janë rrezik të këtij vendi dhe jo shqiptarët. Nuk mund të jenë rrezik shqiptarët, ata të cilët këtë arterie e kishin përdorur për lëvizje të lirë. Fatkeqësisht, kjo liri popullatës shqiptare iu ndalu pa asnjëfarë arsye dhe ata që nuk u pajtuan me këtë privim të dhembshëm, sakaq përpos lirisë për të lëvizur iu privua edhe liria e jetës.


– Dashnim Hajrullahu – 

Dëshmori i kësaj padrejtësie ishte Dashnim Hajrullahu që është nga fshati Rahovicë i Komunës së Preshevës. Dashnimi sot mund t’i kishte 26 vjet, mirëpo ai sot mbushë 10 vjetorin e vdekjes. Ai në lule të rinisë, saktësisht në moshën 16 vjeçare u bë kurban i një padrejtësie, të cilën e heshtën dhe me kalimin e kohës e harruan pikërisht ata që këtë argument nuk duhej ta harronin kurrë. Mbase jo vetëm padrejtësinë, por edhe Dashnimin, sepse Dashnimi është dëshmi e gjallë e kësaj padrejtësie. Sa herë kur të kujtohet Dashnimi, të kujtohet me rrëqethje edhe tmerri që jemi duke e përjetuar çdo ditë, edhe pse “skllevërit e lumtur” duket se janë përshtatur me këtë të keqe, ashtu siç ju përshtatën shumë të këqijave tjera. Nuk është tragjedia në vdekjen e tij, sepse askush nuk mund t’i ikë vdekjes, por tragjedia është se këtë e vranë forcat e rendit dhe të sigurisë, pikërisht ata që në thelb duhet të krijojnë rend në vend të çrregullimit dhe siguri në vend të pasigurisë. Ai nuk kishte mundësi t’i udhëtojë 45 kilometra, duke qenë se shtëpinë e të afërmeve e shihte me sy. Ai nuk njohu kufi, sepse kufi nuk kishte. Si çdo i ri që ka dëshirë të zjarrtë të shkojë te halla, tezja a po të daja, po ashtu edhe ai e kishte një dëshirë të tillë, por nuk e kishte menduar se atë ditë do të trajtohej si një kriminel i cili do të qëllohej me plumb. Ai në moshën 16 vjeçare u qëllua për vdekje, pikërisht prej forcave të rendit dhe të sigurisë. Të paktën ta kishin kapur këtë “kriminel” të vogël i cili atë ditë kishte menduar t’i gëzojë të afërmit, edhe pse nuk e kishte menduar se do t’i pikëllojë ata dhe për vite të tëra do ta turpërojë gjithë elitën politike shqiptare, pse jo edhe atë shoqërore.
Kësisoj, ai u vra, kurse vrasësi askund nuk u pa. Ai vdiq, po ashtu edhe shkaku i asaj vdekjeje vdiq, por jo edhe shkaktari. Ai u vra, por sërish elita jonë nuk u mbushë me mend. Ai u vra, por të gjallët ende paraqiten si të hutuar rreth arsyes për të cilën ra. Zoti e pastë mëshiruar këtë djalosh, i cili nuk e njohu një padrejtësi të shkaktuar prej të moshuarve!

==================================

Dashnim Hajrullahu – Dëshmori i një padrejtësie shekullore!

……………………………………………………………..

(Ilustrimet i përgatiti editori i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura