BESNIK KRYEZIU: FEHMI LLADROVCI – KUSHTRIMI I UҪK’së PËR LIRINË E KOSOVËS!

Pashtriku.org, 21. 09. 2012 – (Në 17 vjetorin e rënies së Fehmi e Xhevë Lladrovcit) – “A jeni i gatshëm me vdekur për Kosovën? – Po, gjithsesi, dhe me dëshirën më të madhe”! Kjo ishte përgjigjja e Fehmi Lladrovcit, në një intervistë dhënë BBC-së. Për kohën dhe rrethanat që u bë pyetja dhe u dha përgjigjja ishte më shumë se sa pyetje-përgjigje, tejkalonte heshtjen dhe bënte thirrje për rilindje kombëtare.
Buzëqeshja më e bukur që i buronte Fehmiut nga thellësia e shpirtit, po i thoshte vdekjes shekullore: dil, e mos u fsheh më, se kam me të puth mu në lule të ballit e s´kam me ta pas kurrë frikën! Me këtë, ai do t’i tregojë opinionit botëror se populli shqiptar ishte i vendosur në rrugën e lirisë dhe pavarësisë dhe në rrugën e mundimshme për të mposhtur pushtuesin.
Mesazhet e Fehmiut u bënë frymëzim udhërrëfimi për luftëtarët e lirisë, të cilët do t’i shtojnë radhët e UÇK-së.

Verë, 1998: Fehmi Lladrovci në mesin e bashkëluftëtarëve dhe gazetarëve të BBC’së.

***
Ky burrë që ishte mësuar të qëndrojë vertikalisht edhe atëherë kur të tjerët ishin rrëzuar për toke e ishin bërë gazi i botës, edhe atëherë kur vdekja i rrinte mbi krye, edhe atëherë kur të tjerët ligështoheshin e kishin humbur çdo shpresë në fitore, edhe atëherë kur bota demokratike po bënte sehir dhe hezitonte për ta ndalur kryekriminelin dhe makinerinë e tij vrastare. Ky burrë po i qëndronte me dinjitet dhe besnikëri thënies drenicase se: “më mirë të vdesësh në këmbë se sa të jetosh në gjunjë”.
Vendosmëria e Fehmiut për të luftuar dëshmohet që në ditët e para të ardhjes së tij dhe i tillë do të mbetet deri në momentin e rënies, duke marrë pjesë në të gjitha betejat çlirimtare.
Buzëqeshja e Fehmiut po i thoshte botës se ata mund të bënin sehir, mund të bënin edhe padrejtësi, siç kanë bërë edhe në të kaluarën historike, mund të bënin plane për ndonjë autonomi kulturore, por se kësaj here do t’ju dal huq, sepse shqiptarët më shumë se sa kurrë në të kaluarën e tyre historike e politike janë të vendosur për ta vra vdekjen shekullore, për tu çliruar dhe jetuar me dinjitet, të barabartë me popujt e tjerë.

==============================
– BBC: “A jeni i gatshëm me vdekur për Kosovën?
– Fehmi Lladrovci: Po, gjithsesi, dhe me dëshirën më të madhe”!

Buzëqeshja e Fehmiut ishte arma më e fortë që kishte e lavdishmja UÇK përballë makinerisë dhe ushtrisë serbe. Me këtë buzëqeshe që po i thoshte botës se ne po rilindim e assesi nuk po shuhemi siç po mendonin disa.
Fehmiu e bëri historinë, e cila, për nga rrethanat dhe raportet politike që kishin shqiptarët në atë kohë, ishte e paparë dhe krijoi standarde të reja në luftën e popujve për liri dhe pavarësi.
Për të gjithë ne që patëm fatin e madh ta njihnim, ta kishim pranë Fehmiun në veprimtarinë tonë atdhetare të përbashkët, e dimë se ai fatin e tij jetësor e politik e kishte lidhur me fatin e atdheut dhe lirinë e popullit shqiptar, dhe për këtë ai nuk bënte asnjë kompromis as me miqtë e as me armiqtë, as me hir e as me pahir!
Ai me një rast thotë: “Edhe më i merituari i ka borxh atdheut – Kosovës, më shumë sesa atdheu atij”. Ai s´kishte fjalë që ia merrte era, kishte fjalë me rrënjë e me porosi epokale.
Pa Fehmi Lladrovcin lufta e jonë për liri nuk do të ishte e përmasave që u bë. Ai përgatiti sa e sa djem e vajza, të rinj e të reja në Kurbet për ta mbytur frikën që ishte rrënjosur thellë në vetëdijen tonë kolektive se, Serbia është superfuqi dhe ne s´kemi çka i bëjmë!
Fehmi Lladrovci ishte gatuar bashkë me dhembjen e popullit të tij, dhe s´kishte se si të ndodhte ndryshe, edhe buzëqeshja e tij në malet e atdheut, duke thënë se dëshira më e madhe e tij jetësore është vdekja për Kosovë. Këto nuk ishin vetëm fjalë sa për ti thënë, por ishin shumë më shumë se sa fjalë, ishin kushtrim për liri. Fehmiu për një jetë të tërë kishte jetuar, punuar dhe vepruar për këtë ditë, dhe ja që atdheu ia dha privilegjin dhe fatin birit të tij më besnik për ta bërë publike Projektin ushtarako-politikë të UÇK-së para botës. Kjo nuk ishte rastësi. Besoj se pajtohen me mua të gjithë ata që e kanë njohur Fehmiun se, ai ishte hero për së gjalli, se ai ishte lindur për këtë ditë të bekuar shqiptare.
Figura e ndritshme Fehmi Lladrovcit është shumë komplekse dhe shumë dimensionale. Janë bërë disa hapa të mirë për ta ndriçuar figurën e tij, por mbetemi ende shumë larg për t’i dalë hakut Fehmiut për atë që ai ka bërë për atdheun dhe për ne që po e jetojmë dhe për brezat që do të na pasojnë neve.
Jam shumë i bindur se Fehmiu nuk ka aspak nevojë për lavdin tonë, por jam shumë i bindur se ne si shoqëri dhe popull kemi shumë nevojë për lavdin e tij, e sidomos sot në rrugën e shtet-ndërtimit dhe zhvillimit tonë.
Fehmi Lladrovci ju dashtë atdheut në luftën për liri, dhe ai tha ja ku jam, por atdheu sa shumë ka nevojë për të edhe sot në paqe e liri. Ai po të ishte gjallë, nuk do të pajtohej kurrë me gjysma e copëza, nuk do të pajtohej kurrë me këtë katandisje që ia kanë bë Kosovës ata që pas betejave thanë se e kishin bashkëluftëtar dhe i thurnin lavdi.
Imagjinoni sikur të ringjallej Fehmiu dhe ta shihte flamurin e Ahtisarit, ta dëgjonte himnin e Kosovës, t’i shihte se sa të pasur janë bërë një pjesë e atyre që i kishte shokë në veprimtari, t’i shihte ata që së bashku u betuan për bashkimin e tokave shqiptare se si u kënaqën me disa pëllëmbë toke vetëm e vetëm për të qenë vetë sundimtarë e bajraktarë. Jam i sigurt se të gjithë këta nuk do t’i zinte bira e miut, do të bëheshin të padukshëm, do t’i mbulonte turpi.
Fehmiu së bashku me bashkëluftëtaren dhe bashkëshorten e tij Xhevën ranë heroikisht në altarin e lirisë më 22 shtator 1998 për të mos vdekur kurrë.
Komandantët Fehmi dhe Xhevë Lladrovci luftuan për liri si të gjithë dëshmorët, por nuk arritën ta shijojnë lirinë. Ata na e lanë neve amanet që ta duam atdheun, ta mbrojmë pa kursyer asgjë nga vetja jonë, as edhe jetën.

LAVDIA U TAKON ATYRE PËR JETË E MOT!

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura