FETNETE RAMOSAJ: NË 16 VJETORIN E VRASJES SË PESËFISHTË TE URA E RAKOVINËS (24 JANAR 1999)

Deçan, 27. 01. 2015 – Kujtdo që i bie të marrë rrugën Gjakovë-Klinë, sapo të afrohet te Ura e Rakovinës, në anën e majtë të rrugës, mund të shohë një pllakë të thjeshtë përkujtimore, në shenjë përkujtimi të krimit të tmerrshëm që e kryen forcat pushtuese serbe 16 vjet më parë, kur mbetën të vrarë dy fëmijët Haxhi e Besim Kelmendi së bashku me babanë e tyre Shabanin dhe Hysen Kurti bashkë me gruan e tij Sanije Kurtin. Ky krim makabër, i kryer nga forcat serbe vetëm nëntë ditë pas masakrës së Reçakut, e kishte tronditur mbarë opinionin shqiptar e ndërkombëtar.
Shaban (Tafë) Kelmendi (1953), nga Rakovina, me fëmijët Besimin (12 vjeç) e Haxhiun (11 vjeç) dhe Hysen Kurti (1959), nga Cermjani me gruan e tij, Sanije Kurtin (1964), u ekzekutuan nga policia serbe e postbllokut policor të Kramovikut më 24 janar 1999, rreth orës 19, afër Urës së Rakovinës, përderisa ishin duke udhëtuar me traktor (me rimorkio të mbushur me tallë) prej Kramovikut për në Cermjan tek familja e Hysenit, në përpjekje mbinjerëzore për të mbijetuar luftën. Mbi 200 plumba të kalibrave të rëndë 12.7 mm dhe 7.62 mm, ishin zbrazur mbi trupat e tyre por me këtë nuk ishin mjaftuar xhelatët serbë. Përveç kësaj, trupat e të vrarëve ishin goditur edhe me mjete të mprehta nga afërsia.

Vëllezërit Besim (12) e Haxhi (11) Kelmendi

Të nesërmen, më 25 janar, në vendin e krimit kishin dalë edhe vëzhguesit e OSBE-së, ndërsa forcat serbe të njëjtën ditë ishin tërhequr nga vendi i krimit. Ky ekzekutim i pesëfishtë ndodhi në një kohë kur nuk kishte luftime, kur viktimat nuk sulmuan askënd, nuk ishin të armatosur, por që iu nënshtruan vdekjes mizore për fajin e vetëm – pse ishin shqiptarë.
Këtë vrasje të pesëfishtë, Misioni Verifikues i OSBE-së, atëherë e cilësoi si “një akt kriminal dhe mizor që nuk mund të tolerohet”. “Verifikuesit e KVM-së që shkuan në vendin ku ndodhi ky incident i tmerrshëm u tronditën nga mizoria e pakuptimtë që është shfaqur aty. Duket se mbi viktimat është shtënë me më shumë se 200 fishekë”. Ky ishte një akt i qëllimshëm për të frikësuar njerëzit dhe për të minuar përpjekjet e atyre “që po mundohen të arrijnë një zgjidhje të qëndrueshme politike të konfliktit” në Kosovë, thuhej, ndër të tjera, në kumtesën për shtyp të Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë.
Ndonëse e vërteta për ekzekutimin klasik të këtyre pesë shqiptarëve mori botën, megjithatë Qeveria e Serbisë (në nivel ministrash), vrasjen e pesëfishtë në Rakovinë përpiqej ta mbulonte me një gënjeshtër të pakripë se ishte fjala për një “aksident trafiku”! Por jo vetëm kaq, më vonë Serbia shkoi edhe më larg. Ndonëse i ekzekutoi vet, emrat e Shaban Kelmendit, të të bijve Besimit e Haxhiut dhe të Hysen Kurtit e Sanije Kurtit, krahas shumë shqiptarëve të tjerë, i vuri në regjistrat zyrtarë të MUP-it serb, duke i cilësuar si viktima të “terroristëve shqiptarë”, edhe pse e vërteta e këtij rasti, sikurse edhe e shumë të tjerave dihet botërisht.

AP: Pamje nga vendi i krimit (Rakovinë, 25 janar 1999)

Sot gjashtëmbëdhjetë vjet më pas, asnjë nga kriminelët serbë nuk ka dalë para drejtësisë për ekzekutimin e pesëfishtë te Ura e Rakovinës. Askush nuk ka dalë para drejtësisë për dy fëmijët Besim e Haxhi Kelmendi të vrarë në këtë rast, sikurse që nuk është përgjigjur askush për vrasjen e gjenocidin e kryer mbi 1369 fëmijë nën moshën 15-vjeçare, të vrarë nga forcat pushtuese serbe gjatë luftës në Kosovës (1998-1999).
Sidoqoftë maksima serbe të cilën e artikuloi aq qartë akademiku Dobrica Qosiq: “Gënjeshtra është formë e patriotizmit tonë dhe dëshmi e inteligjencës sonë natyrore. Ne gënjejmë në mënyrë krijuese, fantastike, inventive”, po vazhdon të jep rezultate. Serbia u amnistua për krimet e gjenocidin që e kreu në Kosovë dhe në vendet tjera të ish-Jugosllavisë, ndërkaq shqiptarëve, që morën guximin t’i kundërvihen shfarosjes e gjenocidit serb, veç tjerash, sikur në asnjë rast tjetër, po ua bëjnë peshqesh edhe një të ashtuquajtur “Gjykatë Speciale”, me karakter njëetnik, thjeshtë një gjykatë me tendencë raciste kundër shqiptarëve!

Reuters: Rakovinë – Viktimat e masakrës më të re (25 janar 1999)

Pllaka përkujtimore në nderim të të rënëve: Shaban Kelmendi, Besim Kelmendi, Haxhi Kelmendi, Hysen Kurti e Sanije Kurti.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura