DR.ESILDA LUKU: PASQYRIMI I LUFTËS SË UÇK’së NGA SHTYPI PERIODIK SHQIPTAR

Durrës, 14. 03. 2015 – Shtypi periodik shqiptar, në mënyrë të veçantë gazetat e përditshme të pavarura “Shekulli” dhe “Koha Jonë”, kanë pasqyruar me përpikëri dhe konsekuencë veprimtarinë liridashëse të UÇK-së, qysh nga dalja publike e kësaj organizate deri në çlirimin e Kosovës prej okupatorit serb. Arsyeja kryesore për marrjen në shqyrtim të këtyre dy gazetave, sipas hulumtimeve tona, është tirazhi i lartë i shitjes gjatë periudhës që trajtojmë. Në kushtet e intensifikimit të dhunës dhe shtypjes së policisë serbe ndaj civilëve të pafajshëm, politikës së brendshme pacifiste dhe indiferencës së faktorit ndërkombëtar, në Kosovë i erdhi fundi durimit dhe statuskuosë. Grupimi ilegal i rezistencës, UÇK-ja, në vitin 1997, shpeshtoi dhe kordinoi aksionet e ndërmarra kundër stacioneve dhe patrullave të policisë serbe në qytete të ndryshme të Kosovës. Përpos atentateve të vazhdueshme të kësaj organizate për t’u këputur prej zinxhirëve të robërisë dhe për t’i shpëtuar kolonializmit serb, më 28 nëntor 1997, në fshatin Llaushë të Drenicës, gjatë ceremonisë së varrimit të mësuesit Halit Geci të vrarë nga forcat serbe, në prani të 20 000 pjesëmarrësve u shfaqën për herë të parë në publik tre nga luftëtarët e UÇK-së: Mujë Krasniqi, i njohur me nofkën e luftës si komandant “Kapuqi”, Daut Haradinaj, komandant “Davidi” dhe Rexhep Selimi, komandant “Dhjetëshi”. Dy të parët ishin pa maska, ndërsa Rexhep Selimi, me maskë në kokë, mbajti një fjalim, ku përcolli mesazhin mobilizues të çlirimit prej pushtuesit serb, i cili u mirëprit me duartrokitje dhe ovacione “UÇK”, “UÇK”. Këto ngjarje me rëndësi historike diktuan vlerësimin e 1997 si “viti i UÇK-së”.

Fillimisht qëndresa e armatosur e kësaj organizate u prit me skepticizëm në gjirin e opinionit publik dhe në disa qarqet të politikës kombëtare e ndërkombëtare. Ajo u vlerësua si krijesë serbe:
1. për shkak të ekzekutimit të disa shqiptarëve etnikë të etiketuar “tradhëtarë të atdheut”, që dyshoheshin për bashkëpunim me policinë serbe.
2. Dalja në skenë e UÇK-së i shërbeu qarqeve serbe si preteks para kancelarive perëndimore për mbajtjen e Kosovës nën një observacion policor.

Kreu i Beogradit, Sllobodan Millosheviç, mbante një qëndrim të palëkundur, duke përsëritur se “Kosova është çështje e brendshme e Serbisë dhe se do të shkatërrojë vatrat e terrorizmit në këtë krahinë”.
Ndërkohë shumica e qarqeve shqiptare në Kosovë fajësuan si shkaktar, për masakrën e kryer nga policia serbe ndaj familjes Jashari në Drenicë, të dërguarin special të presidentit Klinton në ish-Jugosllavi, Robert Gelbard, i cili në takimin me Millosheviçin e kishte cilësuar UÇK-në “një organizatë terroriste”. Ky qëndrim, i analizuar fillimisht si një mbështetje e kasapit të Ballkanit për të qëruar hesapet me shqiptarët, rezultoi të ishte një politikë strategjike e amerikanëve, një kurth për liderin serb, që pas operacionit ndëshkimor në Drenicë, SHBA të orkestronte fushatën e bashkësisë ndërkombëtare mbi Beogradin. Në vizitën në Tiranë, më 19 mars 1998, ambasadori R.S. Gelbard deklaroi se: “Presidenti Milosheviç ka bërë një punë jashtëzakonisht cilësore, duke u bërë aleati më i mirë i UÇK-së. Ai mori një grup njerëzish që deri para pak kohe ishin të panjohur dhe i bëri të jenë nga termët më të lakuar dhe më të përdorur në shtypin botëror. SHBA kanë pasur dijeni të plotë për veprimet e tyre, për aq sa kanë qenë, por shumica dërrmuese e akteve terroriste bile edhe atyre që sot quhen terrorizëm shtetëror janë kryer në mënyrë të qartë nga qeveria e Beogradit”.
Intensifikimi dhe acarimi i konflikteve në Kosovë ringjalli ndjenjat nacionaliste në mbarë popullin shqiptar, pasi “kombet janë si individi, që gjymtyrët mund t’ia presësh, por shpirtin nuk mund t’ia u ndash”. Në shenjë solidariteti me vëllezërit kosovarë, shqiptarët në Shqipëri dhe në Maqedoni organizuan demonstrata kundër represionit serb, me parullat:
– “Ndal vrasjeve barbare”,
– “Kosovë gjaku im t’u bëftë dritë”,
– “Poshtë Sllobodani”,
– “Drenica zemra e Shqipërisë”,
– “Jetën e japim, Kosovën s’e japim”, me thirrjet
– “Duam armë, duam armë”, “UÇK, UÇK” dhe me moton
– “Një komb, një qëndrim”.

Krahas mbështetjes shpirtërore për popullin e Kosovës në mitingjet masive, ku anatemohej barbaria e makinës serbe, një e përditshme e pavarur në Shqipëri publikoi faktin e ekzistencës së një formacioni paraushtarak të ngjashëm me UÇK-në, në territorin shqiptar, i quajtur “Shqiponja e Zezë”, i cili kishte si qëllim kryesor kryerjen e akteve terroriste në Kosovë. Kjo skuadër, e krijuar në Evropë para dy vjetësh nga emigrantët kosovarë, qysh prej marsit 1998 vepronte në Kukës, ku krerët e saj lëviznin dhe bënin inspektimin e kufirit në mënyrë të fshehtë. Këtë informacion e përgënjeshtroi Gjeneral Brigade, Kudusi Lama, i cili deklaroi: “Nuk ka asnjë organizëm që stërvitet jashtë hallkave të strukturës së divizionit të Kukësit, madje në këtë territor nuk ka as forca të ushtrisë shqiptare”. Por autoritet qeveritare shqiptare nuk mohuan faktin se, pas largimit me dhunë nga vatrat e tyre, në veri të Shqipërisë ishin strehuar shqiptarë të Kosovës.
Politikës serbe të spastrimit etnik iu kundërpërgjigj rezistenca e armatosur e UÇK-së, e cila fitoi simpatinë dhe mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar. Ky i fundit kërkonte bashkërendimin e qëndrimeve politike dhe ushtarake në Kosovë në mbrojtje të kauzës së përbashkët. Në favor të shkrirjes së dy strukturave komplementare të njëra-tjetrës në një të vetme “amerikanët janë të detyruar ta zyrtarizojnë UÇK-në dhe ta afrojnë atë me Rugovën, jo vetëm për faktin se UÇK-ja është një realitet që tashmë nuk mund të mohohet, por kjo është e vetmja mënyrë që mund të bëjë të efektshme bisedimet shqiptaro-serbe të iniciuara dhe të zhvilluara po nën hijen amerikane dhe në të njëjtën kohë, dhe mënyra më e mirë që amerikanët nëpërmjet liderit politik, “djalit” të tyre të përkëdhelur, të kenë qoftë edhe një kontroll të zbehtë mbi njësitet e UÇK-së”. Në konferencën për shtyp me përfaqësuesit më të lartë të politikës shqiptare, më 2 korrik 1998, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Havier Solana deklaroi: “Ne duam që Komuniteti i Kosovës të flasë me të njëjtën gjuhë për të dhënë një mesazh të qartë e konstruktiv për zgjidhjen e problemit”.
Këtë frymë negocimi përcolli në mënyrë eksplicite edhe politika e Tiranës zyrtare, sipas së cilës: “UÇK-ja përfaqëson një faktor që ndihmon në krijimin dhe zhvillimin e një ekuilibri të domosdoshëm të mjeteve dhe rezultateve politike, institucionale, brenda Kosovës dhe jashtë saj në Ballkan. …“UÇK, LDK, LPK, LKCK janë faktorë të ndryshëm politik që shprehin aspiratat pluraliste të një populli të qytetëruar. Pra nuk shoh (F. Nano) në qëndrimin e tyre divergjenca apo sterilitet polemikash për mbrojtjen e interesave kombëtare të orientuara nga përkatësia e tyre për integrimin në Evropë. …Këta janë partnerë që të gjithë së bashku mund të përfaqësojnë denjësisht çështjen shqiptare të Kosovës”.
Për më tepër, diplomacia ndërkombëtare pohoi unanimisht shndërrimin e UÇK-së në kryefaktorin ushtarak dhe politik të realitetit kosovar dhe peshën e tij në bisedimet për zgjidhjen paqësore të çështjes së Kosovës në kështjellën e Rambujesë. Përballë nacionalizmit të verbër pansllavist, bota e civilizuar zgjodhi, pas dilemave të stërzgjatura, argumentin e forcës, sepse kishte marrë fund forca e argumentave për një paqe në Kosovë “made in Rambuje”. “Bingo” e shqiptarëve të Kosovës me nënshkrimin e marrëveshjes historike diktoi fillimin e bombardimeve të NATO-s mbi objektivat e makinës vrastare serbe, më 24 mars 1999. Sulmeve ajrore të Aleancës së Atlantikut të Veriut, iu bashkangjitën aktivitetet luftarake tokësore, gjithnjë e më dominuese të forcave të UÇK-së, të cilat falë rezistencës së organizuar kontribuan në realizimin e goditjeve të suksesshme kundër terrorit militar shtetëror serb.
Arritjet ishin rezultat: së pari, i përgatitjes ushtarake, edhe pse në kushte të vështira të luftëtarëve të UÇK-së, të cilët shfrytëzuan “vakumin e sigurisë” për të shndërruar në baza stërvitore territoret veriore të Shqipërisë, kryesisht rrethin e Tropojës dhe Malësinë e Hasit. Fillimisht “luftëtarët shqiptarë etnikë në Kosovë nuk përfaqësonin një ushtri efektive, prandaj atyre u nevojitej kohë dhe stërvitje, për t’ua bërë jetën të vështirë forcave të sigurimit serb”. Në këto kushte një nga ushtarakët më të njohur të Shqipërisë, Gjeneral Brigade Muharrem Kuçana apeloi pranë shtetit shqiptar dhe strukturave të UÇK-së që mes tyre të institucionalizohej menjëherë bashkëpunimi ushtarak. “Civilët duhet të stërviten nga ushtria shqiptare, në kazermat dhe nga oficerët e saj. Atyre u duhet mësuar se si bëhet minimi dhe çminimi, veprimet mbrojtëse nga sulmet e artilerisë dhe të aviacionit, veprimet komando etj. Përgatitja e tyre duhet të jetë e gjithanshme, në të njëjtin nivel me ato të forcave speciale shqiptare. Vetëm në këtë mënyrë ne do të shmangim çuarjen e djemve tanë në “thertoren” e Milosheviçit, do të kursejmë gjakun tonë dhe do të arrijmë fitoren mbi makinën barbare serbe. Për të realizuar këtë, në Ministrinë shqiptare të Mbrojtjes duhet të krijohet një drejtori e bashkëpunimit ushtarak me UÇK-në, në nivel zëvendësministri, që të merret vetëm me furnizimin dhe stërvitjen e luftëtarëve”. Gradualisht UÇK-ja konsolidoi strukturën e saj komanduese dhe përsosi sistemin e komunikimit me mjete të sofistikuara, që siguronin ndërlidhjen mes njësive të specializuara në të gjithë territorin e Kosovës. Shefi i ndërlidhjes, Gani Krasniqi pohoi domosdoshmërinë e rritjes së efektshmërisë së bashkëpunimit mes forcave ajrore të NATO-s dhe veprimeve tokësore të UÇK-së. Sipas tij, komunikimi modern e i përqendruar kushtëzon operacionet e suksesshme dhe fitoren mbi armikun.
Së dyti, furnizimi me pajimet e nevojshme luftarake të “fenikësve të lirisë”, të financuara nga komuniteti i emigrantëve kosovarë në Evropën Perëndimore. Luftëtarët e UÇK-së u pajisën me armë e municione kryesisht nëpërmjet trafikut të paligjshëm të armatimeve nga Shqipëria në drejtim të Kosovës. Këtë fakt e pohojnë civilë, por edhe ushtarakë që kanë inspektuar kufirin, të cilët tregojnë me detaje mënyrën e organizimit të këtij trafiku: “Në Cahan, fshat pranë kufirit të Qafës së Prushit, dikur ka qenë një repart artilerie, më pas i vjedhur nga banorët e zonës. Tani atje nuk ka më repart, as ushtarë, por armët nuk mungojnë në shtëpitë e fshatarëve, të cilët për natë ngarkojnë mushkat, regjistrojnë emrin te “magazinieri”, kalojnë kufirin dhe vetëm kur kthehen, marrin 7 mijë lekë të reja për çdo ngarkesë. …Në Krumë, policët roje të postoblloqeve tregonin se IFAT me përforcime për Divizionin e Kukësit, shkonin në kufi. Ngarkesat që kontrollonin ishin armatime dhe dokumentat mbanin firmën e Ministrisë së Brendshme. Sipas tyre, këto IFA shkarkoheshin në Cahan. …Megjithëse mbeten në kuadrin e hipotezave të pavërtetuara, justifikimi për trafikun e armëve ishte: “Në mos na pasuroftë shitja e armëve, të paktën çdo kosovar do të ketë një mjet për t’u mbrojtur e për të luftuar. Mjaft janë keqtrajtuar dhe vrarë nga serbët. Kosova të jetë e kosovarëve”.
Së treti, disiplina e rreptë, morali i lartë, devotshmëria dhe sakrifica deri në vetëflijim për lirinë e munguar. Me devizën “Fëmijët rriten duke ëndërruar, por një popull që fle vdes”, UÇK-ja u shndërrua në vatrën rreth së cilës u grumbullua gjithë entuziazmi patriotik dhe etja e një populli martir për liri. Në gjirin e saj u bashkuan a. ish-oficerë të ushtrisë jugosllave, të cilët disa syresh shërbyen në luftërat për pavarësi të Bosnjes dhe Kroacisë. Ndër ta përmendim gjeneralin Agim Çeku, i cili kreu dy vite të akademisë ushtarake në Beograd dhe dy të tjera në Zarë të Kroacisë, ku iu bashkangjit Armatës Popullore të Jugosllavisë. Në mesin e viteve ’90, Çeku vendosi kontakte me UÇK-në, ndërsa gjatë muajve të fundit të luftës u dallua për kontribut të vyer në detyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Në intervistën e dhënë për gazetën “Shekulli”, ai veçoi disa nga operacionet e suksesshme të UÇK-së, si “përballimi i sulmit të egër me armatime e teknikë të sofistikuar në Junik e Kosharë; qëndresa heroike ndaj goditjeve të përgjithshme në Drenicë e Dukagjin; evitimi i manovrave të okupatorit në Shalë, në Podujevë etj. Gati në të gjithë territorin e Kosovës, strukturat e UÇK-së kanë përballuar me dinjitet sulmet barbare të reparteve ushtarake dhe paraushtarake serbe. …Besnikëria e luftëtarëve të lirisë ndaj betimit ushtarak përpara flamurit kombëtar ka gjeneruar qëndrueshmëri, shpirt të lartë ushtarak, guxim dhe sakrificë deri në kufijtë e vetëflijimit”. b. shumica dërrmuese e anëtarëve të UÇK-së ishin civilë, të cilët pasi strehuan të moshuarit, gratë e fëmijët në Shqipëri e Maqedoni iu rikthyen frontit të luftës në Kosovë. “Hysamedini nga Prizreni: Familjet do t’i lëmë këtu të grumbulluara dhe të gjithë do të largohemi për në luftë. Më shumë se ne askush nuk duhet të mendojë për Kosovën, e cila po digjet nga serbët. Dëbimi me dhunë nga shtëpitë bëri që mundësia jonë për të qëndruar të mos ekzistonte, madje as kthimi pas nuk ishte i mundur. Serbët ishin të gjithë të armatosur, ndërsa ne kishim përballë vetëm grykën e automatikut të tyre. Këtu kemi ardhur vetëm për të strehuar familjen. …Bekimi nga Prizreni: Sapo të na krijohet mundësia, do të nisemi menjëherë drejt kufirit të organizuar në grupe të mëdha. Shpresa e vetme e Kosovës është që ne të flijohemi për lirinë e saj. Serbët na kanë marrë gjënë më të shtrenjtë lirinë, na kanë djegur shtëpitë, na kanë përdhunuar gratë dhe vajzat e i kanë vrarë para syve tanë. Pasi arritëm të nxjerrim familjet nga rreziku që na kanosej, tashmë me të marrë sinjalin e parë për luftë, unë do nisem pa humbur kohë”. Thirrjes për mobilizim të përgjithshëm, pa dallim feje, krahine apo ideologjia, iu përgjigjën edhe emigrantë kosovarë, që braktisën jetën e rehatshme në vendet e Europës Perëndimore për të përmbushur detyrën ndaj atdheut. “Nga brigjet e përtej Mesdheut zbarkojnë në portet e Shqipërisë me dhjetëra nga ata që pse jo, mund t’i shtynin ditët fare mirë në metropolet e lakmuara të Evropës, në një oaz ku nuk i kërcënonte as lufta dhe as uria. Por e kanë vendosur. Si në këngët e tyre të vjetra, ku burri ngrihet nga varri për të plotësuar amanetin e dhënë gruas, apo vëllai motrës e kështu me radhë, ata po kthehen pas 5 a ndoshta 10 vjetësh për të përmbushur besën ndaj atdheut, besë që “s’e kalb as toka”. Djem shtatlartë, hipur në makina të shtrenjta, kthehen gjithsesi jo për t’i dhënë kuptim jetës, po për ta kthyer ndoshta jetën aty ku e morën. …Kosova e lirë për ta nuk i përket një ëndrre që lind prej nostalgjive të zakonshme të mërgimtarëve, por një realitet për të cilin dhanë jetën stërgjyshërit, gjyshërit dhe etërit e tyre. Prandaj ata zbresin në Durrës, për t’u nisur më pas drejt kufirit, me synimin e vetëm: kapërcimin në zonën e luftës, ku liria ka filluar të flasë shqip”. Në radhët e UÇK-së u përfshinë edhe vajza të guximshme e trime, ndër të cilat Lumnie Gashi, që vetëm fati dhe rastësia e shpëtuan nga vdekja e sigurt. Vajza 25-vjeçare e sapomartuar i kaloi tri ditët e para mes kufomave të bashkëshortit dhe të kunatit, të ekzekutuar nga policia serbe. Ajo rrëfen historinë e dhimbshme të jetës së saj: “Ishte ora 13.00, qershor i vitit 1998, kur hymë në qytetin e Suharekës. Isha martuar vetëm pak orë më parë në mëngjes, me një dasmë që u mbyll shpejt, për shkak se rreth e rrotull vazhdimisht dëgjoheshin krisma armësh. …Pasdite hipëm në makinë për të shkuar në fshatin Nëpërbisht, rreth 10 km larg nga Suhareka, ku po zhvilloheshin luftime midis forcave serbe dhe atyre të UÇK-së. Porsa mbërritëm te “Dardhat e Ramës”, disa breshëri armësh ranë mbi makinë. Një plumb kapi shoferin në kokë dhe e vrau menjëherë. Në atë moment unë u shtriva përtokë për t’u mbrojtur. Im shoq ishte goditur për vdekje qysh në breshëritë e para. Një nga plumbat goditi makinën në rrotën e parë majtas dhe, pasi eci 500-600 m i pakontrolluar, automjeti u përmbys. …Breshëritë e armëve që vinin nga pozicionet serbe mbi makinën nuk rreshtën për minuta të tëra, por vajza qëndroi e fshehur mes kufomave derisa u gjet nga ushtarët e UÇK-së”. Kësaj të fundit iu bashkuan edhe shqiptarë të Shqipërisë, si Indrit Cara, i riu nga Kavaja që kishte lënë punën dhe të ardhmen e siguruar në Londër, ku kishte tërhequr dhe familjen, për t’iu bashkuar vëllezërve kosovarë në frontin e luftës. Ai figuron në listën e dëshmorëve, rënë më 11 prill 1999. Në luftën e UÇK-së morën pjesë gjithashtu personalitete të artit, muzikës e sportit, si futbollisti i talentuar Bajram Aliu (i vrarë në Drenicë), artisti Basri Lushtaku, por edhe rapsodi popullor Feriz Krasniqi, prej Malisheve, “bilbili i këngës”, i lauruar me çmimin e parë në Festivalin Folklorik Ndërkombëtar në Turqi, me “Moj Kosovë, lulja e djalit”, që do të “nderohej” në fushëbetejë me çmimin e madh të “Heroit të lirisë”.

Luftëtarët e UÇK-së, “tribunë të lirisë”, duke vepruar me moton “Kosovës i kemi borxh gjakun”, u dalluan për heroizëm të lartë deri në vetëflijim për t’u çliruar nga vargonjtë e robërisë serbe. “Në trekëndëshin e luftimeve Prizren-Suharekë-Ferizaj, tre ushtarë të UÇK-së, pasi kanë lidhur kallëpet e dinamitit në trup, janë hedhur sipër tankeve serbe, për të ndaluar futjen në thellësi të pozicioneve të tyre”. Me bëmat e UÇK-së krenohet mbarë populli shqiptar, i cili kujton me respekt dhe nderim dhe heronjtë e saj, si Femi e Xheva Lladrovci, Abedin Rexha, Bedri Shala, Agim Bajrami, Skënder Çeku, Ismet Jashari, Abeja e dhjetra e dhjetra të tjerë që ranë në ballë të betejave në emër të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”.
Viktimave të luftës nga radhët e UÇK-së iu shtuan edhe vuajtjet e civilëve të pafajshëm, të cilët, të dëbuar me forcë nga banesat e tyre, u detyruan të kërkojnë strehim në vendin mëmë. Kalvarin e gjatë të vështirësive e përshkruan vëllai i madh i një familjeje nga fshati Planej i komunës së Prizrenit. “Ishte ora 6.00 e mëngjesit e datës 15 prill ku rreth 50 forca speciale të policisë serbe, të armatosur dhe të maskuar, të udhëhequr nga një polic me uniformë dhe pa maska na rrethoi shtëpinë. Një grup policësh shpërthyen dyert dhe na nxorën të gjithëve në oborr. Ne katër vëllezërve na lidhën në pranga dhe na ulën në gjunjë e vazhduan të na rrahin me shkopinj gome dhe shkelma përreth 15 minuta, ndërkohë gratë dhe fëmijët që ulërinin i mblodhën në një dhomë të vogël. Lokja (nëna e babait) 80-vjeçare duke parë tmerrin dhe torturat kishte dhënë shpirt me fëmijët në krah. Më pas filloi kontrolli i shtëpisë, ku gjatë tij nuk u gjet asnjë armë. Pak më vonë na hypën në autoblinda dhe na çuan në Supin(ndërtesa e Ministrisë së Punëve të Bredshme) e Prizrenit. Gjatë gjithë rrugës na kanë rrahur duke na goditur me trupin e granatave e duke na i futur ato në gojë. …Ata dyshonin tek ne se ishim bazë e UÇK-së dhe merreshim me trafik armësh. …Atëherë torturat vazhdonin më tepër duke na thënë se ju keni dhënë besën e shqiptarit prandaj mohoni çdo gjë. …Nuk na mbeti gjë tjetër veçse të ikim për në Shqipëri, ku u vendosëm në ish-Hotelin e Tregtisë në Pazarin e Vjetër të qytetit të Krumës”.
Krahas shpërnguljeve masive në Shqipëri e Maqedoni, shumica e shqiptarëve të Kosovës, për të shpëtuar nga vrasësit serbë, u strehuan nëpër male e pyje. Pleq, gra e fëmijë u gjendën pa bukë e pa ushqimet më të nevojshme, pa rroba e mbulesa, të ekspozuar para vuajtjeve e vdekjes nga të ftohtit. Situata u rëndua me rritjen e numrit të të prekurve nga sëmundje infektive, si lebroza, skabia, dizanteria, bronkopneumoni etj., të cilat nuk mund të kuroheshin në kushtet e mungesës së medikamenteve dhe infrastrukturës së përshtatshme spitalore. Në këto rrethana Kosova kishte marrë pamjen e një holokausti të madh, pasi i gjithë potenciali i Serbisë ishte vënë në funksion të politikës së “tokës së djegur”.
Përpos fushatave të spastrimit etnik me terror, forcat ushtarake dhe policore serbe zbatuan metoda hitleriane për shfarrosjen masive të shqiptarëve. “Pasi zinin peng pa dallim burra, gra e fëmijë dhe u merrnin gjak, në gjendje gjysëm të vdekur i digjnin në furrtoret shkrirëse të metaleve të Stan-Tërgut, Trepçës, Gllogovcit (sot Drenas E.L) etj. Gjakun e shqiptarëve e përdornin për të riaftësuar ushtarët serbë të plagosur në luftime. Në këtë mënyrë ata fshihnin gjurmët dhe minimizonin artificialisht vrasjet e kryera me paramendim, me qëllimin e vetëm zhdukjen e shqiptarëve”.
Mirëpo autoritetet policore dhe ushtarake serbe dështuan në përpjekjet për të asgjësuar dëshmitë e akteve mizore të ndërmarra. “Zëdhënësi lokal i luftëtarëve çlirimtarë bëri të ditur se një kapiteni serb, të vrarë në luftimet e zhvilluara në Dukagjin, i ishte gjetur plani i zhvendosjes dhe i zhdukjes së varrit masiv të ndodhur në Jabllanicë. …Pas sulmeve të ashpra të pozicioneve të UÇK-së, serbët e vrarë “kanë tradhtuar” eprorët e tyre, duke i lënë dokumentat dhe planet e shfarosjes së shqiptarëve peng në duart e luftëtarëve shqiptarë të rezistencës. …Duke parandjerë fundin e afërt të luftës, ushtria dhe policia serbe janë hedhur në ofensivë për zhdukjen e gjurmëve të krimeve, që i kanë bërë me urdhër të kolonelëve dhe eprorëve të Beogradit në Kosovë. … Të njëjtin fat si dokumentet e kapitenit të vrarë, ka pësuar edhe ditari i një koloneli rus, si dhe letrat dërguar nënave të tyre nga ushtarë kriminelë të droguar, ku u mburreshin familjeve se sa koka fëmijësh kishin prerë”.
Këtyre masakrave çnjerëzore të orkestruara nga Millosheviçi iu bashkangjit edhe veprimtaria e përgjakshme e “Frenkit”, një trupe paramilitare me rreth 2000 serbë. Ata e morën emrin nga bosi i tyre Franko Simakoviç, i kërkuar si kriminel lufte. Frenkit ishin kryesisht vullnetare, ndërsa disa prej tyre mercenarë, që paguheshin rreth 550$ në ditë për krimet e kryera. “Spastrimi etnik do të vazhdojë deri sa çdo njeri në Kosovë të ketë një mbiemër serb. Kjo luftë nuk ka mbaruar ende. Millosheviçi është një frikacak. …Neve na pëlqen të vrasim me qetësi. Bëjmë lutjen dhe afrohemi. Punojmë me thika dhe na pëlqen të shohim të bardhën e syve kur vrasim. …Frenkit punojnë në njësi të vogla deri në 12 vetë, duke lëvizur nga fshati në fshat, duke u vënë zjarrin shtëpive, duke ndarë burrat nga gratë e fëmijët e pastaj bëjmë vrasjet. Një frenki pohon: “Ne vrasim për dashurinë e tokës sonë. Kosova i takon Serbisë dhe ne nuk do të rreshtim derisa ajo të bëhet jona përsëri. Ajo që po bëjmë këtu është spastrimi i saj etnikisht – asgjë më shumë. …Frenkit, së bashku me Tigrat e bosit të luftës etj. janë ndër grupet e brigadave paramilitare përgjegjëse për pjesën më të madhe të vrasjeve në masë”.
Por, gjenocidit serb iu kundërpërgjigj qëndresa heroike, në emër të lirisë, e luftëtarëve të guximshëm e trima të UÇK-së, të cilët ngritën emrin e mirë të saj në kuadrin e një precedenti historik, duke shkruar “me gjakun e tyre” faqet më të ndritura të historisë së Kosovës e të krejt kombit shqiptar.
– Autorja është Pedagoge në Departamentin e Shkencave Politike, Fakulteti i Shkencave Politike-Juridike, në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës.

……………………………………………………….

MARSHI I UҪK’së – KËNDON ARIF VLADI.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura