Viti, 16. 03. 2015 – Në shkurt të vitit 1989, pasi do të arrestohesha dhe burgosesha për herë të dytë, u detyrova të largohesha nga Kosova (si shumë shokë). Pas shumë peripecish gjatë rrugëtimit, në shtator të atij viti mbrrina në Lion të Francës. Meqë, isha i organizuar në LPRK, shokët e kësaj organizate në Zvicër më propozuan të shkoja në Suedi për të ndihmuar organizimin dhe shtrirjen e organizatës atje… Mirëpo, mua m’u duk se po të shkoja në Suedi nuk do të mund të kthehesha më në Kosovë-Shqipëri … Aq larg më dukej Suedia. Kërkova që të kaloja në Francë me qenë se edhe aty nuk kishim ndonjë organizim të mirëfilltë të LPRK-së (më vonë LPK-së)… Pasi u vendosa në Lion të Francës nisa të njihesha me ata pak shqiptarë që ishin aty aso kohe (më vonë erdhën shumë shqiptarë edhe në Francë…). Gati pa përjashtim ishin punëtorë që kishin shkuar në Lion e në Francë me marrëveshjet që kishte bërë Jugoserbia e Titorankoviçit me Francën. Refugjatët politikë në atë kohë numroheshin në gishta. Mora vesh se ishin dy refugjatë politik në Lion: Adem Zenelaj nga Shqiponja e Gjakovës dhe Fatmir Idrizi nga komuna e Burimit (më duket nga fshati Kerninë). Pasi u njohëm nisëm të takoheshim shpesh e më shpesh dhe të bisedonim për mënyrën më të mirë të organizimit të mërgatës në Lion e në Francë.
Për këtë qëllim morëm kontakt edhe me veprimtarin e vjetër në Paris, Ibush Bytyqin, i cili erdhi në Lion për t’u njohur dhe për t’i bashkërenduar veprimet tona… Baca Ibush më njoftoi edhe me gjendjen e mërgatës në Paris e rrethinë… Fillimisht, Ademit e Fatmirit, u propozova që të krijonim Këshillin Popullor të LPRK-së në Lion, si bërthamë politike të përpjekjeve tona për organizimin e mërgatës. Anëtarë të këtij Këshilli u bëmë: unë, Ademi, Fatmiri dhe Ramize Bislimi. Më vonë ky këshill u zgjerua edhe me Ferat Bislimin, Abaz Pllanën, Fadil Ndrecajn (Avni Maxhupi) (ky erdhi nga Parisi)…
Vështirësit për organizimin e mërgatës në Francë ishin të mëdha dhe nga më të ndryshmet… Në këtë vend pothuaj se nuk kishte asnjë shqiptar që kishte qenë i burgosur politik dhe me përvojë në organizime dhe veprimtari atdhetare-ilegale… Pastaj, edhe hapësira e madhe gjeografike e Francës dhe numri i vogël i mërgimtarëve shqiptarë… Shokët e LPK-së, të burgosurit dhe veprimtarët e ilegalës ishin vendosur kryesisht në Zvicër dhe në Gjermani, aty ku trajtoheshin më mirë dhe kishin kushte dhe rrethana më të mira për veprimtarinë kombëtare…Pas krijimit të këtij Këshilli mora kontakt me disa shokë në Paris, Provancë e qytete tjera ku kishte anëtarë dhe këshilla të LPK-së. Pas disa takimesh i bëmë përgatitjet dhe mbajtëm mbledhjen themeluese të Nëndegës së LPRK-së për Francë… Mirëpo, për përfshirjen e mërgatës shqiptare, e cila përbëhej aso kohe kryesisht nga punëtorët, duheshin edhe forma tjera të organizimit…
Në fillim të vitit 1990 ishte bërë edhe organizimi i LDK-së në Francë dhe kjo na e vështirësonte punën për bashkimin e mërgimtarëve rreth një programi kombëtar-çlirimtar. Mendova se zgjidhja më e mirë për tejkalimin e dallimeve politike-partiake ishte krijimi i shoqërive kulturore shqiptare, të cilat do t’i bashkonin më lehtë mërgimtarët tanë. Për këtë qëllim, pasi e kishim biseduar edhe në Këshillin e LPK-së dhe në Nëndegën e saj, morëm nismën për krijimin e një shoqërie shqiptare në Lion. Inicuam dhe mbajtëm disa takime me ata që hiqeshin si përfaqësuesë të LDK-së. Në parim pajtoheshin të gjithë… Më shumë rezistonte dhe kundërshtonte me marifet e me shumë hile, Sh. Sh,, që ishte bërë kryetar i LDK-së në Lion. Megjithatë, u morëm vesh për një shoqëri kulturore shqiptare për gjithë shqiptarët në Lion… Por, të nesërmen apo pas dy-tri ditësh ky kryetari i LDK-së (Sh.Sh.) tha se nuk mund të bashkohej në një shoqëri të përbashkët kulturore shqiptare… Të gjithë, thoshte ai, duhet të bashkohemi në LDK…!! Ai, nuk la gurë pa luajtur për t’i përçarë punëtorët, të cilët edhe frikësoheshin nga ne, sepse ishin punëtorë që ktheheshin për pushime në Kosovë dhe mund të rrezikoheshin…Megjithatë, ne nuk hoqëm dorë nga themelimi i shoqërisë… Pas disa takimesh u pajtuam që ta themelonim shoqërinë kulturore shqiptare. Mbrëmjen e 9 marsit u mblodhëm në banesën e Fatmir Idrizit. Aty përfundimisht u pajtuam që Shoqëria që po themelonim të quhej Shoqëria Kulturore Shqiptare “Fan Noli”. Propozimin e emrit e bëri Fatmiri dhe unë e pëlqeva dhe e mbështeta… Atë natë u morëm vesh që themelimi i Shoqërisë sonë të shpallej zyrtarisht (të zyrtarizohej) në dhjetë vjetorin e demonstratave të vitit 1981, më 11 Mars… Kështu edhe u bë. Shkrova një njoftim-lajm për gazetën Zëri i Popullit, e cila edhe e pati botuar. Shqiptari, intelektuali dhe politikani i mirë, Namik Dokle (aso kohe më duket që ishte Kryeredaktor…) na dërgoi një letër me të cilën na përgëzonte dhe na uronte mbarësi… Pastaj, hartova statutin e Shoqërisë dhe dokumentet e nevojshme (konform ligjit) për ta regjistruar në organet kompetente franceze… Edhe të gjitha thirrjet, kumtesat, reagimet dhe shkresat tjera të kësaj Shoqërie janë shkruar nga unë…
Fillimisht ishim 13 anëtarë (nëse nuk kam harruar)… Nisëm të kërkonim edhe lokale për Shoqërinë tonë, të cilat i gjetëm shpejt dhe, pasi i renovuam, u vendosëm aty… Qeraja për xhepin tonë ishte mjaft e lartë, por e përballuam, duke kursyer dhe duke u privuar nga shumë nevoja elementare të familjeve tona. Mësimin e fëmijëve shqiptarë në gjuhën shqipe e kisha filluar në banesën time me fëmijët e Ruzhdi Sllamnikut… Pasi krijuam Shoqërinë dhe gjetëm lokalet, mësimi i fëmijëve u organizua dhe vazhdoi për vite në mjediset e kësaj Shoqërie. Mësimi mbahej me përpjekje dhe angazhim të madh të shtunën dhe të dielën (pas disa vitesh vetëm të shtunën). Mësuesja e parë dhe për shumë vite, u bë Ramize Bislimi, e cila ishte edhe njëra nga themelueset e Shoqërisë. Më vonë u bë mësuese edhe Dhurata Dalipi, pastaj Fehmi Plakiçi, Ali …, Violeta Kaceli (mësuese e muzikës), Ragip Gegaj… Ishte shumë e rëndësishme që në këtë Shoqëri ishin përfshirë anëtarë nga të gjitha trojet shqiptare, nga e gjithë Shqipëria…
Shoqëria “Fan Noli” dhe banesa ime ishin bërë streha dhe vatra e ngrohtë për qindra shqiptarë që iknin nga Kosova dhe nga mbarë Shqipëria e vinin në Lion të Francës… Këta shqiptarë ndihmoheshin (asistoheshin) tërësisht falas nga Shoqëria dhe nga drejtuesit e saj edhe për kërkesat e tyre për strehim në Francë dhe në të gjitha procedurat administrative e ligjore për azil… “Fan Noli” ishte nga shoqëritë e rralla në Evropë që ishte e karakterit qind për qind joprofitabile… Unë, meqë isha edhe Kryetar i Nëndegës së LPRK-së dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të saj (më vonë LPK-së) nuk pranova asnjëherë të bëhem kryetar i Shoqërisë… Isha anëtar i Pleqësisë së Shoqërisë dhe më duket një mandatë sekretar i saj… Nuk doja, këtë e kishim edhe qëndrim të Këshillit dhe të Nëndegës së LPK-së, që t’u jepja shkas kundërshtarëve tanë që ta shfrytëzonin për fushatë kundër Shoqërisë… Kryetar i parë u zgjodhë Fatmir Idrizaj. Pastaj, pas largimit të tij nga Lioni, kryetar i kësaj Shoqërie (kush më gjatë e kush më shkurt) ishin Kemalj Demiri, Shaip Hoxha, Zef… Nazmi Halimi, Magbule Bislimi, Abaz Pllana… Ardhja e Abaz Pllanës në Lion i dha krah Shoqërisë dhe veprimtarive tjera në Lion e në Francë… Ai m’u bë krah dhe bashkëpunëtor i pandashëm gjatë atyre viteve…
Për një kohë në këtë Shoqëri organizuam edhe kurse historie, pastaj të gjuhës frenge (i mbante një franceze…). Një pjesë të lokaleve e bëmë bibliotekë, të cilën e pasuruam me librat që mblidhnim andej e këndej, por pjesën më të madhe i kisha sjellur nga Tirana. Fondi i Bibliotekës kishte arritur në rreth 2 000 libra, kryesisht në gjuhën shqipe… Besoj që ishte biblioteka më e madhe shqiptare në mërgim (sidomos në Evropë). “Ambiciet», detyrimet dhe angazhimet tona nuk ndaleshin këtu… Në shkurt të vitit 1994 (nëse jam i sakt), pas përgatitjeve të kujdesshme, nxorëm edhe numrin e parë të të përkohshmes «Rruga Jonë», që dilte një herë në muaj dhe dy-tre numrat e fundit dolën një herë në dy muaj… U botuan gjithsejt 30 numra. Një ndihmesë të madhe për përgatitjen dhe nxjerrjen e saj kishte dhënë edhe atdhetari dhe shqiptari i dalluar, Dr Refik Kucaj, i cili ndihmoi shumë edhe në përgatitjet që po bëheshin për masivizimin e Luftës së armatosur çlirimtare… Xha Refiku ishte edhe ushtarak i dalluar. Në atë kohë isha anëtar i redaksisë në organin e LPK-së, «Zëri i Kosovës», dhe, meqë merresha me shkrime, më propozuan për kryeredaktor…
Ligji kërkonte deklarimin e një drejtori të gazetës. Këtë e mori përsipër Adem Zenelaj dhe më vonë Baca Ibush (Ibush Bytyqi, që jetonte dhe punonte në Paris). “Rruga Jonë” shpërndahej edhe në Kosovë, duke i falënderuar kryesisht atdhetarit të shquar, Xhavit Hoxhës, Safete Hadërgjonajt, etj. Ajo shpërndahej edhe në Republikën e Shqipërisë, në vendet tjera evropiane, në Amerikë dhe në Australi. Ndërkohë, me përpjekjet e Bacës Haki (Haki Sella), Qamil Kermenit, Fejzë Berishës, Haki Tahirit, Neset Abdiut, Rrahim Graiçevci me vëllezër, Martini me vëllezër (Vushtërri), Ylli Sellës, e të shume shokëve si këta, të cilët ishin edhe anëtarë aktivë të LPK-së dhe të Fondit “Vendlindja Thërret”, u themelua edhe në Provencë, Shoqëria Shqiptare “Arbëria”…
Në Lion dhe në qytete të ndryshme të Francës anëtarë të shoqërive tona, të LPK-së apo të Fondit “Vendlindja Thërret” ishin edhe Afet Elezi me vëllezër, Mustafë Alimusaj, Enver e Hanife Ademi, Ragip Graboci, Nikollë Kaceli, Halim Bislimi me vëllezër, Avni Bislimi me vëllezër, Adnan Basha, Sejdulla Syla, Sinan Xhema, Ruzhdi Zeneli, Sherif Basha e shumë të tjerë, që në një shkrim si ky nuk mund të përmenden të gjithë, por në një botim-monografi sigurisht që nuk do të harrohet asnjë emër dhe mbiemër që ka qenë anëtarë, përkrahs dhe dashamirë i LPK-së, i shoqërive tona, i Fondit dhe i cështjes kombëtare… Në fund të vitit 1993 (3 dhjetor), me propozim të të madhit, Jashar Salihu, (pasi LPK-ja kishte marrë vendimin historik për luftë të armatosur…), Këshilli i Përgjithshëm i LPK-së, krijoi edhe Fondin “Vendlindja Thërret” për financimin e Luftës Antipushtuese Ҫlirimtare të UҪK-së dhe të kombit shqiptar… Kjo nxirrte detyra dhe angazhim të ri për anëtarët e LPK-së dhe të shoqërive tona… Në Francë u themelua dhe u regjistrua edhe zyrtarisht Fondi «Vendlindja Thërret» dhe këshillat e tij kudo ku kishte shqiptarë në atë vend. U bënë shumë takime dhe tubime për mobilizimin e mërgimtarëve dhe bashkimin e tyre me luftën e UҪK-së dhe të mbarë kombit për çlirimin e Kosovës dhe të viseve të saj nga robëria shekullore… Edhe në këtë fushë (front) kundërshtimet dhe propaganda e aktivistëve të LDK-së dhe të ndonjë «argati» të pushtuesve ishin të ashpra jo vetëm në Lion, por edhe në Paris dhe qytete tjera… Mirëpo, përpjekjet dhe angazhimi për një çështje aq madhore, të drejtë dhe detyruese për çdo shqiptar i motivonte dhe i bënte të pathyeshëm anëtarët dhe simpatizantët tanë, të cilët nuk u lodhën kurrë duke biseduar dhe duke i sqaruar mërgimtarët tanë, që dikush përpiqej t’i manipulonte në emër të Rugovës, Bukoshit, Qeverisë, LDK-së…
Me Shpalljen e UҪK-së (dalja e saj publike…) angazhimi dhe propaganda e atyre që na kërkonin emrin e komandantit dhe të drejtuesve të UҪK-së nëpër tubime publike, u zbeh shumë… Lufta, qëndresa dhe heroizmi i pashembulltë i Komandantit Legjendar, Adem Jashari, i familjes së Tij dhe i atyre që qëndruan, luftuan dhe ranë me Komandantin Legjendar, ua çori maskën atyre që propagandonin herë hapur, herë nën rrogozë se, UҪK-ja ishte mashë dhe pjellë e shërbimeve sekrete të Serbisë… Në këtë kohë, siç thoshte një gazetë franceze, Shoqëria Shqiptare « Fan Noli », ishte shndërruar në një zjarr luftë për lirinë e Kosovës… Përveç, grumbullimit të fondeve, Shoqëria « Fan Noli » u bë edhe vatër e mobilizimit, pritjes dhe përcjelljes së vullnetarëve që shkonin t’i bashkoheshin UҪK-së në Kosovë… “Mysafirë” të shpesht të kësaj Shoqërie ishin edhe drejtuesit kryesorë të LPK-së-UҪK-së dhe të Fondit “Vendlindja Thërret”: Fazli Veliu, Jashar Salihu, Emrush Xhemajli, Xhavit Haliti, Ali Ahmeti, Beqir dhe Nazife Beqa, Bedri Islami, Agush Buja, Bardhyl Mahmuti, Ramadan Avdiu, Ibrahim Kelmendi, Sadik Halitjaha, Faik Raci, Basri Misini (të cilin e kishim bërë pjesë të pandashme të veprimtarive tona, ndërsa banesën e tij në Gjenevë, strehë dhe vendtakimi të përhershëm…, etj.. Mysafirë të kësaj Shoqërie kanë qenë edhe Dritëro Agolli, Rexhep Qosja, Fatos Arapi dhe Xhevahir Spahiu, Koço Danaj, Sokol E. Hoxha, Agron Pollovina, Fehmi Kelmendi…Nëndega e LPK-së në Francë, Shoqëria «Fan Noli» dhe Shoqëria «Arbëria» ishin edhe organizatore të të gjitha protestave dhe manifestimeve që mbaheshin në Lion, Paris, Strasburg, Belfort e qytete tjera… Anëtarët tanë ishin kudo edhe në protestat që mbaheshin në vende tjera të Evropës…
Shoqëria «Fan Noli» dhe Nëndega e LPK-së kishin organizuar edhe protestën e parë shqiptare në Lion, e cila u përkrah edhe nga shqiptarët që jetonin në qytete tjera të Francës… Po në Lion u protestua edhe për viktimat e Otrantos (anija e mbytur me shqiptarë nga italianët…) dhe protesta tjera para konzullatës Jugoserbe dhe konzullatave tjera në Lion… Drejtuesit dhe anëtarët e LPK-së dhe të shoqërive tona shqiptare në Lion e Provancë mbajtën barrën kryesore edhe të demonstratave, protestave dhe veprimtarive tjera në Paris… Ata ishin organizatorët dhe përgjegjësit kryesor edhe për organizimin e protestave në Rambuje, të cilat ishin më të mëdhat të organizuara ndonjëherë në Francë… Nëndega e LPK-së dhe shoqëritë tona dhanë një ndihmesë të jashtëzakonshme edhe për sensibilizimin dhe njohjen e çështjes së pazgjidhur shqiptare nga ana e Francës, e institucioneve dhe e popullit të saj…
Shoqëria shqiptare «Fan Noli», me propozimin tim, mbylli kapitullin e saj të vyeshëm dhe atdhetar me mbarimin e luftës së UҪK-së në Maqedoninë shqiptare, pas dhjetë vite jetë… E bëra këtë propozim, të cilin e miratuan shokët dhe bashkëveprimtarët tanë në Francë, sepse mendoja dhe besoja që Shoqëria «Fan Noli» duhet të kujtohet gjithmonë si një Shoqëri e përpjekjeve, e angazhimit dhe e veprimit në kohë të vështira dhe të rënda për Kosovën dhe viset e saj shqiptare të pushtuara nga Jugoserbia… Për të patur një adresë për mërgimtarët tanë në Lion dhe një adresë për francezët që interesohen për shqiptarët hodha idenë që të bëhej-krijohej një Shoqëri e pas luftës… U pajtuam që kjo Shoqëri të quhej «Iliria», e cila është edhe sot dhe vepron me një pjesë të mërgimtarëve tanë në Lion… Nga disa të tjerë (kryesisht rini) u krijua edhe Shoqëria “Bashkimi Shqiptar” që vepron edhe ajo në Lion…
Të shkruash për Shoqërinë «Fan Noli», për ata njerëz që mbajtën barrën e themelimit, të drejtimit dhe të veprimtarisë së saj dhe për anëtarët e saj të përkushtuar duhet një libër (monografi) më vete vetëm për Shoqërinë “Fan Noli” dhe vitet e saj… Kështu edhe e kisha menduar dhe një ditë do të realizohet… Sot hodha në letër, më shumë në formë kujtimesh dhe sa për ta shënuar përvjetorin e 24 të kësaj Shoqërie me emër dhe me veprimtari të dalluar në mërgim… Janë gjithë ato dokumenta, shkresa, fotografi e shkrime që duhet mbledhur e sistemuar… Janë gjithë ata anëtarë e drejtuesë që duhet kontaktuar dhe marrë kujtimet e tyre për ato vite
Këto ditë, pash një botim të një libri me kujtime, ku një pjesë e madhe i kushtohej Shoqërisë “Fan Noli”… Autor i saj ishte shoku im, Abaz Pllana… Libri i tij, edhe me titullin që i kishte vënë (20 vite në mergim-Francë, a diçka e tillë..), ishte kufizuar shumë (personalizuar) dhe nuk i shkonte Shoqërisë “Fan Noli”… Pastaj, autori kishte përfshirë në atë libër edhe Shoqërinë e pas luftës, “Iliria” dhe emra që nuk kishin asnjë lidhje me veprimtaritë tona… !! Megjithatë, është një përpjekje dhe një kontribut që duhet vlerësuar… Shoqëria «Fan Noli» është përtej secilit prej emrave tanë të përvetshëm dhe e tillë do të mbetet… Prandaj, shpresoj, që një ditë do ta kemi një monografi-libër të posaçëm dhe të përgatitur gjithanshëm për Shoqërinë Shqiptare «Fan Noli» nga një këshill botues me njerëz që e themeluan dhe e drejtuan atë, një libër për Shoqërinë që kishte bërë emër jo vetëm në Francë, por në gjithë Evropën, në Amerikë, Australi dhe, në Tiranë e në gjithë Shqipërinë, po se po…
Kërkoj nga shokët, nga anëtarët, drejtuesit dhe nga të gjithë ata që kishin në një mënyrë a në një tjetër lidhje me këtë Shoqëri (prandaj edhe e bëra këtë shkrim të shkurtër) ose që kanë materiale, foto, incizime… t’i dorëzojnë që të na ndihmojnë për përgatitjen e librit… Pastaj janë gjithë ato shkresa që ia kemi dërguar Qeverisë franceze dhe qeverive e qendrave tjera në botë… Në këtë shkrim të shkurtër sigurisht që kam harruar dhe nuk kam mundur të përmend ndonjë ngjarje dhe shumë anëtarë e veprimtarë… Prandaj, ju lutem bëni komentet tuaja për plotsimin dhe saktësimin e të dhënave… Kanë kaluar 20-25 vite. Nuk janë edhe pak… Tashmë janë bërë vite që nuk kam shkelur në Francë, por, edhe sot që po shkruaj, i kujtoj me dashuri dhe nderim (edhe ata që nuk i kam përmendur me emër…) të gjithë ata anëtarë, veprimtarë e drejtuesë të veprimtarisë atdhetare e kulturore në Francë e më gjerë… Mirënjohje, nderim dhe falënderim për vitet më të mira të veprimtarisë sonë!