HYDAJET HYSENI: PRANVERA ’81, MIDIS RETROSPEKTIVËS DHE PROSPEKTIVËS

Prishtinë, 18. 03. 2015 – (Në përvjetorin e 34-t të Lëvizjes së Vitit ’81) – “E kaluara nuk përsërit vetveten, por e rimon” / Mark Tuen/ – Historia është mësuese e jetës, “magistrae vitae”. Është konsumuar shumë, por pak, fare pak është përvetësuar kjo urti e latinëve të vjetër. Mësuesja mund të jetë e mirë dhe do të duhej të ishte e mirë, por jo gjithmonë është e tillë. Mësuese e mirë e jetës mund të jetë vetëm historia e vërtetë, historia e shkruar drejt.
Thonë historinë e shkruajnë fitimtarët, por e shkruajnë edhe ata të tjerët, jofitimtarët që e ëndërrojnë vetë.
Fitimtarët zakonisht e fryjnë dhe e glorifikojnë të kaluarën dhe duke e fryrë dhe glorifikuar e dëmtojnë jo vetëm tablonë e së kaluarës, por edhe pamjen e së sotmes dhe vizionin e së ardhmes.
Humbësit, nga ana e tyre, me qasje të kundërt, e shtrembërojnë dhe e nxijnë qëllimisht të vërtetën, por duke e shtrembëruar qëllimisht të vërtetën, padashur pasqyrojnë anën tjetër të medaljes së tyre dhe në këtë mënyrë lehtësojnë kompletimin dhe saktësimin e së vërtetës kontradiktore. E dëmtojnë edhe më shumë të vërtetën historike historianët e oborrit dhe ustallarët e porositur të ingjinieringut historik ose, siç do t’i quante i urti: “profetët e kthyer së prapthi”. E dëmtojnë sidomos duke e përshtatur projeksioneve të tyre subjektive apo të politikave ditore e gjysmake të mecenëve të tyre.
Idoloatria false dhe kalkulative si dhe idolakrasia brutale, si derivate të ingjinieringut të instrumentalizuar politikohistorik dhe fenomene të pashmangshme të qasjeve të njëanshme, sido që të motivohen e sido që të arsyetohen, në të vërtetë, më shumë se perceptimin dhe pasqyrimin e saktë të së kaluarës historike dëmtojnë vetë proceset vijuese dhe perspektivën e tyre historike.
Njëanshmëri në qasje ndaj të së kaluarës ndodhin edhe gjetiu, por konteksti ynë “sui generis”, nxjerr natyrshëm në skenë edhe një qasje mbase unike e “sui generis”. Zgjidhjet gjysmake krijojnë terren të përshtatshëm për gjysmakët dhe mendjet gjysmake me qasjet e tyre kalkulativisht gjysmake dhe përplot gjysmë të vërteta për t’ia përshtatur edhe interpretimin e së kaluarës disenjimeve të tyre gjysmake e miope për një të ardhme gjysmake e uloke…

Prishtinë, 1 prill 1981: Hydajet Hyseni duke folur para demonstruesve.

Në një vend me gjysmëfitore, historike gjithsesi por, po ashtu, gjithsesi gjysmake, mendjet gjysmake, duke qenë pengje e “skllevër të kënaqur” të së shkuarës, duke qenë sërish skllevër të kënaqur të së sotmes gjysmake dhe nën kompleksin e rolit të tyre të palavdishëm, në pamundësi qoftë për të zënë hapin me proceset dhe qoftë për t’ i ndalur ato, janë të prirë që të barrikadohen në pozicione historike gjysmake, të cilat edhe mund të duken dhe madje edhe të prezantohen dhe të shiten si pozicione kompromise, fleksibile, kooperative, moderne dhe të moderuara. Në këtë synim, ata jo rrallë, jo rastësisht dhe jo për herë të parë gjejnë edhe mentorë, ndihmëtarë dorëlëshuar dhe referenca me “relevancë” impresive edhe ndërkombëtare…
Jo rastësisht, edhe në 33 vjetorin e saj, Lëvizja e vitit ’81, e pagëzuar spontanisht dhe në mënyrë kuptimplote: “Pranvera 81”, vjen e mbështjellë me një tis mjegullnaje ende të pa zhdaravitur, si recidiv i furtunës së ethshme të propagandës së pandërprerë dhe luftës së egër e të sofistikuar speciale antishqiptare.
Akti 81 i dramës shumëkatëshe shqiptare, mund të shihet e të vlerësohet drejt e objektivisht, vetëm duke e vendosur ne kontekstin kohor dhe historik, në vazhdimësinë e Lëvizjes Çlirimtare Shqiptare, në korelacion të drejtë me fazat paraprijëse dhe me ato pasuese, duke parë shkaqet e vërteta, gjendjen e përgjithshme politike, ekonomike, shoqërore e shpirtërore, kundërtitë e kohës dhe forcat lëvizëse, tendencat historike dhe drejtimin e përgjithshëm të zhvillimit, aspiratat dhe synimet e vërteta të Lëvizjes, të shprehura në platformën politike, në programin, në kërkesat dhe sloganet e saj, duke vlerësuar drejtë efektet imediate dhe afatgjate të kësaj lëvizjeje, duke nxjerre me kujdes përfundimet dhe mësimet e duhura në funksion të përballjes me sfidat aktuale dhe perspektive të Lëvizjes së vijueshme kombëtare shqiptare.
E parë në këtë mënyrë, 11 marsi 1981 dhe gjithë Pranvera ’81, shënojnë një kthesë padyshim të rëndësishme historike. Një lëvizje që lëvizi Kosovën dhe gjithë kombin. Një lëvizje që lëvizi proceset në Kosovë dhe më gjerësisht, në viset e robëruara shqiptare. “Viti 1981, shkruante Veprimtari vizionar Ukshin Hoti, është nyja, zbërthimi i së cilës e mundëson lëvizjen e drejtë të gjërave dhe të proceseve.
***
Në përvojën tonë historia është shfaqur pikërisht ashtu siç e ka definuar i urti, si një dramë e përjetshme të cilën e luajnë përherë aktorë të rinj.
Gufimi pranveror i Lëvizjes ’81 mund të shpjegohet dhe të kuptohet vetëm tok me nëntorin pranveror të vitit ’68 dhe dhjetëvjeçarët e frymëzimit të mëparshëm që i paraprinë Pranverës Shqiptare ’81.
Pranvera ’81 ishte shprehje shpërthyese e pakënaqësisë rinore dhe gjithëpopullore me gjendjen e përgjithshme të rëndë, të pabarabartë dhe në aspekte të caktuara edhe në keqësim të mëtejshëm të rinisë dhe shqiptarëve si tërësi, në Kosovë dhe në viset e tjera të robëruara shqiptare në ish-Jugosllavi, ishte vazhdimësi e përpjekjeve të mëparshme çlirimtare kombëtare e demokratike, njëkohësisht pararendëse e epopeve të ardhshme që kulmuan me ushtritë tona çlirimtare dhe luftën fitimtare që, pos të tjerash, ia siguroi Kosovës edhe mbështetjen e fuqishme të botës demokratike, liridashëse e paqedashëse dhe Aleancës Veriatlantike si dhe fitoren e historike.
Fundi i viteve gjashtëdhjetë dhe fillimi i viteve shtatëdhjetë sollën një kthesë të rëndësishme dhe të shumëpritur. Rënia e Rankoviqit, amendamentet kushtetuese, universiteti, flamuri kombëtar… etj. përjetoheshin si fillim i lirisë, madje diku-diku edhe si liria vetë.
Ngazëllimi euforik: “e fituam!”, dëgjohej madje edhe midis atdhetarëve të dëshmuar, por të hutuar, të dehur e të ngazëllyer së tepërmi nga ato pak të arritura e ndryshime pozitive dhe, po ashtu, të lodhur nga tagri i lartë i angazhimit sfilitës disident e liberator.
Të tjerët, zakonisht brezat rinorë që po gufonin, mendonin ndryshe: “Po, është një ndryshim, një e arritur, por nuk e kemi fituar ende, do kohë, punë e përpjekje të reja liria e vërtetë”. Shovinizmi dhe shërbëtorët e tij nuk jepeshin lehtë. Ndërronin petkun, diskursin, ngjyrat, por jo edhe qëllimin.
Ndërkaq Adem Demaçi, Mehmet Gega, me atdhetarë të shumtë nga të gjitha viset, ata që i kishin shtruar e kishin luftuar për këto të drejta e liri, vazhdonin ta vuanin burgun shovinist…
Shpërtheu natyrshëm nëntori pranveror i gjashtëdhjetetetës: Në rrugë e sheshe me demonstratë, por edhe nëpër auditorë, media e debate intelektuale e akademike, kërkohej liri e barazi. Barazia atëherë e kishte emrin Vetëvendosje, Republikë, Kushtetutë…
Kërkesës për lirimin e atdhetarëve të burgosur iu dha përgjigjja me burgosje e dënime të reja. Pasoi edhe ndonjë ndryshim pozitiv, por edhe shumë premtime boshe e demagogji amortizuese. Doli edhe një farë propozimi me gjysmëzëri për Republikë. Aty-këtu edhe ndonjë porosi nga lart: “Kërkoni Republikë! Priten ndryshime kushtetuese…”.
U desh të pritej gjashtë vjet derisa u miratua Kushtetuta e Re e RSFJ-së. Kosova lëvizi pak. Njëfarë autonomie, Kushtetutë… Të drejta të reja…. Por, jo republikë, jo barazi. Po, njëfarë elementi konstituiv i Federatës, por sërish në përbërje të Serbisë… Nga lart tani vinin porosi: “Mirë është. Harrojeni republikën. Harrojini të tjerat…. Është autonomia. Është substanca. Janë kompetencat… Faktikisht jemi Republikë. Shpejt do të jemi edhe formalisht… Vetëm ta kultivojmë dhe forcojmë vëllazërim-bashkimin, patriotizmin socialist jugosllav…”.
Atdhetaria shqiptare përballë “patriotizmit socialist jugosllav”
Nga goja e udhëheqësve të atëhershëm politikë, kosovarë, bashkë me demagogjinë zu të shitej me bollëk edhe eufori boshe kuazitriumfaliste e veshur me petk të patriotizmit jugosllav dhe të filotitizmiit antishqiptar. Kishte edhe angazhim institucionalist në funksion të konsolidimit dhe avancimit të përgjithshëm shoqëror e kombëtar konstruktiv, që meriton vlerësim e respekt, por kishte edhe skllevër të tillë të kënaqur që filojugosllavizmin e tyre të përbetuar dhe të përjetshëm, “edhe pas Titos – Tito, Jugosllavia – Jugosllavia nga Trigllavi në Vardar”, e manifestonin edhe duke pagëzuar fëmijët e tyre me emra sllavë e jugosllavë dhe jo vetëm kaq, por si jugosllavë mëtonin ta kryqëzonin edhe gjithë popullin e Kosovës, madje nëpërmjet Kosovës së instrumentalizuar autonome jugosllave ta jugosllavizonin edhe Shqipërinë dhe gjithë hapësirën shqiptare.
Në një anë, sërish entuziazëm e eufori me demagogji e naivitet bashkë; në anën tjetër, sërish kryesisht midis të rinjve zhgënjim e zemërim i ri… Kurse Adem Demaçi me dhjetëra shokë, ende pa u liruar mirë, burgoset e dënohet përsëri pa asnjë fakt, në një nga proceset e shumta të kurdisura politike. Vite më vonë dënohen të tjerët për të njëjtat vepra, por proceset dhe dënimet e mëparshme nuk rishikohen…
Po shtresohej një oligarki e re, e instrumentalizuar politike, e dehur nga postet, favoret e privilegjet. Një kastë politike, burokratike e pseudointelektuale që po bëhej copë për karrierë e lojalitet ndaj sundimtarëve, për pasuri e luks, në kohën kur kriza ngufatëse ekonomike, politike e sociale mbi Kosovën dhe popullin e saj, po rëndonte shumëfish.
Varfëria shtohej. Kishte një fare zhvillimi, por me shume se zhvillim ishte eksploatim i pamëshirshëm e i tipit kolonialist të pasurive të shumta të Kosovës dhe fuqisë së saj të lirë punëtore. Pabarazia me të tjerët jo vetëm që nuk zvogëlohej, siç qe premtuar, por sa vinte e rritej e thellohej edhe më shumë, që potencohej kohë pas kohe nga mediet e Tiranës dhe ato botërore, dhe madje herë-herë edhe nga zyrtare paravajtës të Kosovës.
Në vend se të zhvillohej 52% me shpejt, siç qe premtuar Kosova po ngecte po në atë shkallë. Mesatarja e zhvillimit dhe e së ardhmes kombëtare të Kosovës ishte nën 1/4 e mesatares jugosllave dhe rreth 1/8 e asaj sllovene. Në raport me mesatares jugosllave, për frymë Bruto Prodhimi Shoqëror Kosovës (SPP) ka rënë nga 43 për qind në vitin 1953, në 32 për qind në vitin 1971, dhe 27 për qind në vitin 1988, ndërsa shifrat korresponduese për Slloveni (republika më i pasur i Jugosllavisë) u rrit nga 175 për qind në vitin 1953, ne 203 për qind në vitin 1988. “Niveli i jetës së popullatës i mbetur shumë i ulet qysh në vitet 60, dhe ishte ngritur gjate viteve 70, dukej i dënuar për t’u ulur ose për të stagnuar”, shkruan Robert Shvarc.
Ndërkaq, në qendrat strategjike serbomëdha, në faqet e të ashtuquajturit Libër i Kaltër, po përvijohej strategjia e zezë antishqiptare e rrëmbimit edhe të asaj gjysmë autonomie që i ishte njohur Kosovës dhe riinkarnimit te strategjive të Rankoviqit, Çubriloviqit e Garshaninit. Fjala e fundit e Titos, para ushtarakëve të Jugoslllavisë në Karagjorgjevë, që është cilësuar si testament i tij, në thelbin e saj, në shënjestër kishte shqiptarët, Shqipërinë dhe siç thoshte ai përkrahjen e tyre nga qarqet perëndimore. Fjala e Titos, ishte platforma e përtërirë e strategjisë revanshiste antishqiptare të Beogradit shovinist. Këtë nuk e shihnin vetëm ata që i mbyllnin sytë me qëllim. Dukej qarte: në periudhën postitoiste që po pritej, zgjidhja gjysmake, as-as, nuk mund të mbahej. Kush nuk vete para, vete pas thotë, fjala.
Zëri i ngrohtë i Shqipërisë Nënë
Shqipëria nuk përzihej në punët e brendshme të të tjerëve, por bënte punën e saj… Dhe e bënte mirë. Mbështetje e pakursyer dhe e gjithanshme përpjekjeve avancuese institucionale të Kosovës autonomiste pa hequr dore nga synimi për zgjidhje të drejtë, të plotë e të qëndrueshme të çështjes së pazgjidhur shqiptare. …”Sado që të bëjmë për Kosovën, pak është… ndihma që i japim Kosovës nuk është diçka e rastit, por një vijë politike me rëndësi të madhe kombëtare…”. deklarohej nga niveli më i lartë politik i Tiranes zyrtare.
“Çështja nacionale nuk zgjidhjet me slogane si ai vëllazërim-bashkim. E vërteta për çështjen nacionale në Jugosllavi, do ta tmerrojë Titon, në varr, pas vdekjes”.
Në qoftë se vendoset hegjemonia serbomadhe, pavarësisht nga kamuflazhet demagogjike, Jugosllavia do të kthehet më keq se ç’është sot, në një vend me diktaturë të hapët fashiste e cila do t’i shtypë egërsisht popujt e ndryshëm që e përbëjnë, do t’i zhdukë edhe format më të zbehta aktuale të “demokracisë” e të vetëvendosjes dhe do të vendoset terrori i zi… klani serbomadh do të luftojë për ta ruajtur formën federative për t’i mbajtur nën zgjedhë popujt e tjerë…”.
“Ç’do të ngjasë pas Titos? Çdo gjë do të shkatërrohet se e shkatërruar ishte. Çdo gjë do të falimentojë se e falimentuar ishte. Çdo gjë do të demaskohet se blof ishte, kala e ndërtuar mbi rërë ishte…
“Ç’do të bëhet Kosova? Tendenca dhe lufta e klanit serb është dhe do të jetë ta gllabërojë në Serbi. Ta skllavërojë. Varet shumë çdo të bëjnë kosovarët. Do të luftojnë… apo do ta shpallin Republikën e pavarur të Kosovës…? Pra, populli i Kosovës vendos dhe reziston deri në fund…”.
“Udhëheqësit shqiptarë të Kosovës, duhet ta kuptojnë mirë një gjë, që forcën e kanë në popull dhe jo në famën personale… të jenë të kujdesshëm dhe të mos bien në provokacionet e serbëve, por t’i mbrojnë të drejtat a tyre dhe t’i mbrojnë tok me masat, të mos lejojnë armiqtë t’i akuzojnë masat për shovinizëm dhe këta vetë të mos hiqen si prudentë dhe të zgjuar, kur tërhiqen nga frika dhe lënë popullin në baltë… “. “Shqiptarët e Kosovës po luftojnë dhe duhet të luftojnë të bashkuar dhe në unitet, ndryshe i merr lumi… Ku është bashkimi është shpëtimi”…, deklarohej dhe porositej nga niveli më i lartë i Shqipërisë shtetërore.
Derisa Beogradi po përgatiste revanin e tij revanshist drejt Kosovës autonome, kurse kreu politik i Kosovës vazhdonte gjumin dimëror i dehur nga rakia e vetëkënaqësia, nga privilegjet, favoret, luksi, pasuria përrallore dhe dëliri i përjetësisë së “parajsës” së tyre jugotitiste, sërish ishte rinia, ishte vegjëlia dhe punetoria ajo që lëvizi dhe e lëvizi Kosovën.
Lëvizja Çlirimtare e Kosovës, edhe përkundër goditjeve të rënda e të njëpasnjëshme, edhe pavarësisht rënieve të njëpasnjëshme, po ringjallej dhe po gufonte sërish. Grupe e organizata të ndryshme, të organizuara, gjysmë të organizuara ose edhe spontane e të vetorganizuara, me emra të ndryshëm e me forma të ndryshme organizimi, por me synim kryesisht të njëjtë e të përafërt, po e ngrinin përsëri flamurin e luftës për liri e barazi. Lëvizja kishte hyrë në fazën e bashkimit dhe pagëzimi më i mirë i këtij bashkimi ishte ne barrikada…
Mërgata shqiptare po çlirohej nga klubet jugosllave dhe po bëhej transmision i rëndësishëm dhe shumëdimensional me botën perëndimore. Klubet e mërgimtarëve, të modeluara si klube jugosllave, po pavarësoheshin dhe po ktheheshin në klube atdhetare, të stilit të klubeve e kolonive të Rilindjes Kombëtare. Mërgata shqiptare u kthye ne inkubator te Lëvizjes çlirimtare dhe faktor të rëndësishëm të mbijetesës së popullit të saj të rrezikuar, evropianizimit të mënyrës së tij të jetës dhe ndërkombëtarizimit të kauzës së tij.
Si rezultat, po shfaqeshin, aty këtu, në mediet botërore, shkrime e analiza për çështjen e pazgjidhur shqiptare. Kosova madje, përmendej si njëri nga detonatorët e mundshëm të luftës së ardhshme të madhe, mbase edhe botërore… Insistohej paradoksalisht në ruajtjen e kreaturës artificiale të Versajës dhe integritetit te saj të imponuar territorial, por theksoheshin si perspektive edhe vlerat evropiane e civilizuese si liria, demokracia, barazia… Liridashësit shqiptare injoronin të paren dhe përvetësonin këto të tjerat. Dhe koha u dha të drejtë.
***
Opinioni demokratik, liridashës e paqedashës në Evropë e gjithandej nëpër botë, mbase për herë të parë zu të reagojë dhe të mbajë qëndrim të drejtë ndaj çështjes së pazgjidhur shqiptare, reagim të cilin diplomacia aktive dhe mediet e fuqishme të Shqipërisë nënë, si dhe shtypi ilegal i Lëvizjes Atdhetare në Kosovë, në viset e tjera të robëruara si dhe në mërgatë, i grumbullonin, i përkthenin dhe ia ofronin opinionit tonë të etur dhe opinionit të keqinformuar botëror. Mërgata shqiptare u shndërrua jo vetëm në rezervuar të pashtershëm të përpjekjeve çlirimtare, por edhe në katalizator bashkimi veprues si dhe në urë bashkëpunimi me botën demokratike, liridashëse e paqedashëse.
Po përvijohej kështu baza e rreshtimit të ri historik të një aleance të pashpallur të popullit të robëruar shqiptar dhe Lëvizjes së tij çlirimtare me Shqipërinë Nënë dhe me botën demokratike, liridashëse e paqedashëse, posaçërisht me botën euroatlantike, përballë shovinizmit serbomadh, aleatëve të tij neopansllavistë dhe shërbëtorëve të tyre gjithnjë e më të pakët shqipfolës.
Pranvera ‘81 jo vetëm që e afirmoi dhe e ndërkombëtarizoi çështjen e pazgjidhur të Kosovës, por edhe e shkundi, e pajtoi, e bashkoi, e përgatiti dhe e kaliti shpirtërisht dhe politikisht Kosovën për sfidat e ardhshme që po vinin… Abdullah Tahiri, një nga nismëtarët e revoltës studentore të 11 marsit, ishte nga të parët që nisi edhe pushkën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Janë me qindra e me mijëra luftëtarët dhe drejtuesit e UÇK-së, që pagëzimin e parë luftarak atdhetarë e kishin në flakën e pranverës ‘81.
Përvjetori i 34-t i pranverës do të thotë ndryshe 34 vjet mbajtje e ruajtje me mund e gjak e sakrifica të shumta të flakës së pashuar të lirisë. 34 vjet frymëzim, por edhe fryte e të arritura të dukshme e të prekshme që gëzojmë sot gjithandej. 34 vjet reflektim për rrugën e kaluar dhe shtigjet e së ardhmes së gjakuar dhe çuditërisht 34 vjet përballje me një luftë të egër speciale për të shtrembëruar e deformuar të vërtetën e mirënjohur historike për këtë faqe të lavdishme të së kaluarës sonë.
34 vjet më vonë, falë sakrificave dhe privacioneve të shumta e të dhembshme dhe falë mbështetjes së botës liridashëse, paqedashëse dhe demokracidashëse, Kosova dhe kauza e saj është 34 shkallë më lartë dhe po aq më afër cakut të synuar.. . Ka tashmë shtatë përvjetorë me radhë që Kosova i pret si Republikë, në pjesën e saj dërrmuese e lirë, e pavarur, sovrane, në rrugë të zgjerimit dhe kompletimit të njohjes ndërkombëtare, në rrugë të krijimit të parakushteve për një integrim edhe më të shpejtë të Kosovës në familjen euroatlantike. Aktualisht zgjidhja për Kosovën e ka emrin shtet i pavarur dhe sovran, si të tjerët përreth. Dhe sërish është zgjidhje kompromisi. Dhe sërish me sfida serioze… Dihet cila do të ishte zgjidhja më e mirë për një popull të ndarë e të copëtuar pa asnjë të drejtë.
Lëvizja e vitit 1981 ishte e përbashkët siç ishte i përbashkët edhe programi i saj. Ka lëvizur përpara, por jo sa e si duhet edhe Shkupi, Tetova, Struga e Kumanova, ka lëvizur edhe çështja e shqiptarëve në Mal të Zi, ka lëvizur diç edhe çështja e Preshevës, Bujanocit e Medvegjes, por mbetet ende plagë e hapur që do shërim. Gjithandej gjakim për liri e barazi…Zgjidhjet gjysmake nuk janë zgjidhje maksimaliste, por kompromis i dhembshëm.
Gjakimi për integrim ndërshqiptar dhe për integrim euroatlantik, janë aspirata të natyrshme dhe të pashmangshme. Integrimi i vërtetë evropian nuk mund të përjashtojë dhe as zëvendësojë nevojën e integrimit tjetër të natyrshëm dhe të pashmangshëm kombëtar. Përkundrazi.
Në kontekstin e globalizimit dhe proceseve integruese në Evropë, barazia mund të marrë edhe emra tjerë më globalë, më avancuese dhe më integrues. Si të tjerët përreth. Si Evropa moderne.
34 pranvera më vonë, arritjet janë të mëdha dhe janë evidente. Por të mëdha dhe evidente janë edhe problemet dhe sfidat.
Sërish, nënçmim i kundërshtarit, rreziqeve e sfidave dhe njëkohësisht ekzagjerim i ndryshimeve evidente, por të pamjaftueshme pozitive, sërish, në një anë dehje, eufori e vetëkënaqësi, përzier me prirjen e babëzitur për të zhvatur, grabitur e kollofitur ende në embrion shtetësinë e brishtë të Kosovës së re, në anën tjetër sërish zhgënjim, mllef e zemërim të njerëzve që kanë sakrifikuar e humbur shumë, që kanë pritur shumë më shumë edhe për Kosovën dhe çështjen e saj, por edhe për vetë dhe familjet e tyre. Parulla “Kosova – Republikë!”, në kuptimin e statusit politik, tani, në Kosovë, tingëllon e vjetruar dhe e tejkaluar, por jo gjithkund edhe perceptohet kështu. Shfaqen, madje edhe shenja paralajmëruese të ringjalljes së nostalgjisë për kreaturat e dështuara historike me Yu- zona e Yu- zezona. Të tjerët i nënçmojnë këto shenja edhe përkundër stërmbushjes së tregut Kosovar me mall e kapital nga fqinji verior që përditë përsërit deklaratat se nuk e njeh dhe nuk do ta njohë kurrë as realitetin e ri gjysmak të krijuar në Kosovën e pretenduar.
Për më tepër kërkesa për Republikë, kishte brenda saj edhe aspiratën për funksionim demokratik, republikan, që nënkupton edhe qeverisjen e mirë e demokratike.
Sloganet: ”Kushte për punëtorët”, ”Kushte për studentët!”, ”Çmimeve stop!”, ”Trepça është e jona!”, ”Kosova është e jona!”, “Kosova shqiptarëve!”, “Liri për Preshevën!”, ” Jemi shqiptarë dhe jo jugosllavë!”, “Jetën e japim, flamurin jo!” etj. etj, tingëllojnë aktuale, madje gjithnjë e më aktuale, edhe sot, jo vetëm në viset tjera, por edhe në vetë Kosovën e pavarur. . .
Republika e Kosovës është i vetmi shtet në Evropë e më gjerë pa ushtri dhe nën trysni që të bëhet i vetmi me gjykatë speciale për akuza të sajuara nga qendra të luftës speciale kundër realitetit të ri të krijuar dhe luftës së saj çlirimtare e shpëtimtare, në bashkëpunim me aleancën verioatlantike dhe me botën demokratike, liridashëse e paqedashëse. “Evropianët e rinj”, siç e quan veten rinia e Kosovës, janë të vetmit pa liberalizim vizash, pa mundësi shfrytëzimi të përkujdesjes për të drejtat e njeriut nga Gjykata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, në mekanizma e instanca të tjera evropiane, pa të drejtë pjesëmarrje në gara sportive, kulturore e artistike.. . Kosova që vazhdon të jetë peng i fatit të pazbardhur të mijëra bijve e bijave të zënë rob dhe të degdisur pa gjurme, 15 vjet më vonë ka aktualisht, dhjeta mija bij e bija të shkapërderdhur, rrugëve të Kurbetit, anekënd Evropës, rrugëve të kurbetit dhe qindra mija të tjerë, të zhgënjyer e të hutuar që nuk e dinë çfarë do të jetë e ardhmja e tyre e paqarte dhe e pasigurt…
Gjithnjë e më shpesh shtrohen pyetje të mbushura me mllef e shqetësim:” Ku jemi dhe nga po shkojmë? Ç’po ndodh me identitetin tonë shqiptar, me moralin, traditën, me gjuhën, kulturën, njësinë shpirtërore dhe shenjat tona të shenjta? Kujt i duhet dhe kush e ujit dhe e nanurit farën e keqe të ingjinieringut shkërmoqës etnik e kombëtar të ideuar nga Cvijiçi, Grashanini, Mugosha, Rankoviçi dhe pulenët e tyre shqipfolës? Kujt i duhet deshqiptarizimi i shqiptarëve, dezintegrimi dhe dekompozimi i tyre mbi të gjitha bazat e mundshme dhe në të njëjtën kohë çimentimi i statuoskuosë së imponuar me zgjidhje gjysmake e më pak se gjysmake si pozicion i ri dhe stacion i përjetshëm i skllevërve të dikurshëm të kënaqur dhe adepteve të strategjive të dështuara historike dhe nostalgjikëve të kreaturave antihistorike të së kaluarës me prirje prapakthyese; Ç’po ndodh me në dhe me kauzën kombëtare? Kujt i duhet bosnizimi i Kosovës? Ç’po ndodh me pjesën veriore të Kosovës? Ç’po ndodh me Medvegjën, Luginën e Preshevës dhe me viset tjera të copëzuara shqiptare dhe pse trajtohen ndryshe nga komunat në veri të Kosovës? Ç’po ndodh me pasuritë e Kosovës dhe me kauzën e minatorëve dhe punëtorisë sonë heroike? Ç’po ndodh me djersën e tyre? Ç’po ndodh me idealet dhe moralin që e ka karakterizuar popullin tonë dhe veçanërisht Lëvizjen e tij çlirimtare. Ç’po ndodh me imazhin dhe kapitalin e pallogaritshëm politik e atdhetar të Ushtrisë së Lavdishme Çlirimtare dhe rrjedhimisht ç’po ndodh me imazhin e Kosovës dhe kombit shqiptar në përgjithësi? Ç’po ndodh me brezat e rinj dhe sa e si po punohet për perspektivën e tyre?…
Ka edhe sa e sa pyetje hipotetike që brenda tyre kanë edhe lutjen klithmë të Ukshin Hotit: “O mos e ndotni botën e ëndrrave të vitit 1981 me dallaveret e kohës!”
Janë të shumta pyetjet që koha i shtron si emergjente. Nga përgjigja e tyre e drejtë, e pjekur dhe e guximshme varet në mase të madhe edhe perspektiva e ardhshme. Varet, madje edhe bilanci i pranverës ‘81 dhe i gjithë lëvizjes sonë çlirimtare.
Pranvera e vitit ‘81, ashtu si edhe epopetë çlirimtare para e pas saj kishin edhe një slogan: “Bashkim! bashkim! Kush s’bashkohet është tradhtar”… Edhe sot, si 34 vjet më parë, Kosovës dhe çështjes shqiptare gjithandej i duhet sërish mbi të gjitha e para së gjithash bashkimi shpirtëror e veprues i energjive dhe përpjekjeve, qofshin ato edhe të ndryshme sa i përket artikulimit, rrugëve ose mjeteve të realizimit. Vetëm në këtë mënyrë mund të qëndrojmë ballëhapur para dëshmorëve të atdheut. Vetëm në këtë mënyrë mund të bëjmë që përvjetorët e ardhshëm të Pranverës ‘81 të mos na gjejnë me zgjidhje gjysmake, me zhgënjime politike e me sfilitje sociale.
Historia u përsëritet atyre që nuk mësojnë nga ajo dhe i ndëshkon rëndë sidomos ata që nuk arrijnë të shkunden e të këndellen madje as pas përsëritjes së dhimbshme të historisë.

………………………………………………………

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura