Viti, 09. 04. 2015 – (Në Ditën Ndërkombëtare të romëve) – Kush janë romët? – Për romët ka shumë emërtime në vende dhe gjuhë të ndryshme: ciganë, evgjitë, gabelë, manushë (në gjuhën rome do të thotë njeri…), etj. Është e vështirë të shkruhet dhe të flitet me saktësi për romët dhe historinë e tyre komplekse dhe kryesisht të pashkruar. Thuhet se romët për herë të parë janë shfaqur në Iran në shekullin XIII, ndërsa në Evropë gjatë në shekullin XIV. Ka të tjerë që thonë se romët përmenden për herë të parë në Iran në fund të shekullit X. Historianë tjerë mendojnë se ata vinin nga Egjipti dhe besojnë se ata ishin ndërtuesit e piramidave të famshme, kurse disa tjerë besojnë se ata vinin nga Etiopia. Teza më e përhapur dhe më e pranuar është se prejardhja e romëve është nga India, ndërsa gjuha e tyre i përket familjes indoevropiane dhe është e afërt me gjuhën hindustane në Indi. Besohet që romët nga Irani kanë ardhur në Rumani përmes Kaukazit, pastaj një pjesë e tyre janë vendosur në Hungari, Bullgari dhe vende tjera të Evropës Lindore. Nevoja për punë dhe për një jetë më të mirë i ka detyruar shumë romë të emigrojnë edhe në Evropën Perëndimore. Meqë, romët që shkuan në Francë ishin kryesisht nga Rumania, Hungaria e Bullgaria, ata u quajtën nga francezët “romë”. Ndërsa emërtimi “ciganë” shpjegohet me gjuhën greke që do të thotë “njeri që nuk e jep dorën” ose përshëndetet me duart kryq, të lidhura. Përqëndrimi më i madh i romëve është në Rumani, ku jetojnë 3 000 000 romë. Ata, më vonë, kanë shkuar edhe në Spanjë, Rusi, Angli, Portugali dhe vendet skandinave. Numri i tyre i përgjithshëm është rreth 8 000 000. Deri në vitin 1850 shumë romë në Rumani dhe në Serbi ishin skllevër. Gjermania hitleriane kishte vrarë e zhdukur 800 000 romë. Në vitin 1933 është mbajtur Kongresi i parë Ndërkombëtar i romëve në Bukuresht të Rumanisë. Një pjesë e këtyre njerëzve bëjnë jetë nomade, nuk kanë banim të përhershëm. Pas hyrjes së Rumanisë, Hungarisë dhe Bullgarisë në Bashkimin Evropian edhe romët e këtyre vendeve kanë fituar të drejtën e lëvizjes së lirë në tokën e BE-së. Romët kanë marrë zakonisht besimin ose fenë e vendit ku janë vendosur. Ka katolikë, ortodoksë, myslimanë, etj. Është interesant se romët, meqë nuk kanë një shtet të tyre që do t’u dilte zot, në çdo vend të botës ku jetojnë janë të diskriminuar dhe poshtëruar deri në shkallë përbuzjeje!
Romët në dy shtetet e Shqipërisë
Shqiptarët historikisht janë të njohur dhe të nderuar si popull që njeh, kupton dhe respekton etnitë, pakicat kombëtare, fetare dhe gjuhët e kulturat e tyre. Mirëpo, kur është fjala për etninë rome më duhet të them se dy shtetet e Shqipërisë (Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës) nuk po bëjnë atë që duhet për të zbatuar dhe jetësuar të drejtat e romëve që ua njohin kushtetutat dhe ligjet e këtyre dy shteteve të Shqipërisë. Mendoj që institucionet e dy vendeve tona (sidomos qeveritë) duhet të marrin masa të ngutshme për të përmirësuar pozitën e kësaj etnie. Kjo sidomos në Republikën e Shqipërisë ku edhe jetojnë më shumë romë. Detyrë e ngutshme është regjistrimi qytetarëve të kësaj bashkësie, pastaj garantimi i një strehe modeste për çdo familje dhe për çdo njeri të kësaj etnie. Ndihma sociale në para për një jetë modeste dhe për plotësimin e nevojave themelore për çdo familje dhe për çdo person që nuk është në punë dhe që është pa të ardhura. E drejta, kushtet dhe detyrimi për t’u shkolluar për të gjithë qytetarët e kësaj etnie. E drejta dhe garantimi i shërbimeve komunale: ujë, drita, kanalizim për ujëra të zeza dhe shërbime tjera. Shërbimet shëndetësore dhe masat për mbrojtjen e shëndetit të këtyre njerëzve. Fushatë dhe masa ligjore (penalizime) kundër diskriminimit, përbuzjes dhe sjelljeve “raciste” ndaj kësaj etnie dhe qytetarëve të saj. Nuk po flas për pjesën e shqiptarëve që edhe ata vetë vuajnë padrejtësit e pushtuesve serbë, grekë, malazezë e sllavomaqedonë, por dy shtetet tona dhe institucionet e tyre kanë detyrim moral, njerëzor, kushtetues e ligjor që t’i trajtojnë këta njerëz dhe këtë bashkësi rome, s’po them si pakicën serbe në R. e Kosovë dhe atë greke në R. e Shqipërisë, sepse ata kanë të (super)drejta edhe më shumë se vet shqiptarët, por të paktën si pakicat tjera në këto dy shtete të Shqipërisë. Trajtimi i mirë, i njerëzishëm dhe me dinjitet i kësaj etnie, solidarizimi i kombit tonë me këtë etni të shtypur, të përndjekur e të përbuzur kudo në botë do t’i shtonte vlerat qytetëruese të kombit tonë në Evropë dhe në botë…
– Kontakti me autorin: [email protected]