ENIS VELIU:UZURPIMI I SHTETIT NGA ‘BOSAT’ E PUSHTETIT!

Prishtinë, 13. 04. 2015 – Agjencia Kundër Korrupsionit, që drejtohet nga Hasan Preteni, ka konfirmuar se edhe 10 zyrtarë tjerë të lartë në vend mbajnë nga 5 funksione të larta publike, 31 të tjerë njëkohësisht mbajnë 31 pozita të larta publike, 312 të tjerë mbajnë nga tre funksione publike e 1155 të tjerë mbajnë nga dy funksione publike… Qeveria e Kosovës pa fije problemi menjëherë mund të hapë së paku 2000 vende të reja të punës, vetëm duke ua pamundësuar zyrtarëve të lartë të shtetit që të mbajnë më shumë se nga një funksion publik…Mirëpo, nga të dhënat e prezantuara së fundmi nga Hasan Preteni po shihet shumë qartë se administrata e shtetit është kapur nga një grup i vogël njerëzish, të cilët kontrollojnë gjithçka për interesa të “bosëve” të tyre.
***
Uzurpimi i pozitave të larta të shtetit nga militantë të partive politike po trash kuletat e një grupi të vogël njerëzish, por në anën tjetër po dëmton edhe më shumë qytetarët e diplomuar, e të cilët prej vitesh janë duke pritur një vend pune në ndonjërin nga institucionet publike në vend.
Shumëkujt mund të mos i besohet, edhe pse është e vërtetë. Një zyrtar i lartë në institucionet e Kosovës është verifikuar se mban gjashtë vende pune dhe merr gjashtë paga njëkohësisht e derisa në anën tjetër thuajse gjysma e popullatës në Kosovë konsiderohet e varfër, e rreth 15 për qind e tyre jeton në varfëri me më pak se 1 dollar në ditë.

/Ilustrimin e përgatiti editori i pashtriku.org, sh.b/

Të dhënat e fundit, të publikuara nga Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) për numrin e vendeve të punës së zyrtarëve të lartë të shtetit, duhet të shërbejnë si alarm për Qeverinë e kryeministrit, Isa Mustafa.
Agjencia Kundër Korrupsionit, që drejtohet nga Hasan Preteni, ka konfirmuar se edhe 10 zyrtarë tjerë të lartë në vend mbajnë nga 5 funksione të larta publike, 31 të tjerë njëkohësisht mbajnë 31 pozita të larta publike, 312 të tjerë mbajnë nga tre funksione publike e 1155 të tjerë mbajnë nga dy funksione publike.
Mirëpo, një numër i madh i këtyre njëkohësisht kanë edhe biznese të tyre private në emër të tyre apo edhe të familjarëve të tyre e të cilët sërish përfitojnë edhe mjete tjera direkt nga buxheti i Kosovës përmes tenderëve publikë.
Qeveria e Kosovës pa fije problemi menjëherë mund të hapë së paku 2000 vende të reja të punës, vetëm duke ua pamundësuar zyrtarëve të lartë të shtetit që të mbajnë më shumë se nga një funksion publik.
Një veprim i tillë së paku moralisht do të ishte arsyetuar para qindra mijëra kosovarëve që me vite po presin konkurset për hapjen e një vendi të ri të punës.
Mirëpo, nga të dhënat e prezantuara së fundmi nga Hasan Preteni po shihet shumë qartë se administrata e shtetit është kapur nga një grup i vogël njerëzish, të cilët kontrollojnë gjithçka për interesa të “bosëve” të tyre.
Këta janë të paprekshëm, madje-madje edhe para organeve të drejtësisë, edhe pse gjatë rrugës ata buxhetit të shtetit i shkaktojnë dëme marramendëse.
Edhe më tutje, një grup i vogël i njerëzve de fakto kanë “uzurpuar” këto pozita. Bazuar në të dhënat zyrtare, ata në disa raste marrin paga më të vogla se 1000 euro në muaj.
Mirëpo, pasuria e tyre e krijuar viteve të fundit është më e madhe së një milion euro. Në shumë raste e kalon edhe këtë shumë.
Agjencia Kundër Korrupsionit, së paku deri më tash, po bën vetëm publikimin e të dhënave të tyre në uebsajtin e Agjencisë. Mirëpo, asnjëherë nuk bën krahasimin nga viti në vit e ku jo rrallëherë dallimi nga viti në vit është shumë i madh dhe i pajustifikueshëm.
Agjencia, që drejton Preteni, në kushte normale nuk është dashur ta luajë vetëm editimin e formularëve ne uebsajtin e Agjencisë, por ishte dashur që në hollësi ta hulumtojë dhe analizojë mënyrën e krijimit të pasurisë të secilit zyrtarë të lartë publikë.
E derisa nuk ndodh një gjë e tillë, numri i personave që rrisin pasurinë dhe “trashin” kuletat do të mbetet i njëjtë, e numri i atyre që kërkojnë një vend pune për të siguruar ekzistencën do të rritet nga dita në ditë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura