Pashtriku.org, 11. 05. 2015 – (Demonstratat studentore) – Pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1979, Ukshin Hoti vendoset në Prishtinë dhe bëhet profesor në Universitet, në fakultetin e Drejtësisë dhe të Filozofisë, ku ligjëron Sociologjinë Politike dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare. Ai, gjithashtu ligjëron në shkollën politike« Eduard Kardel », në Prishtinë. Fillimi i viteve të 80-ta është një pikë kthese për Kosovën gjithashtu edhe për Ukshin Hotin, i cili do të hyjë në një rrugë pa kthim. Në fakt, me datën 4 maj 1980, vdes Tito. Ky i fundit, në mënyrë që t’i qetësojë tensionet ndëretnike në rajon, ia kishte dhënë Kosovës në vitin 1974, statusin e krahinës autonome (por, përsëri nën autoritetet serbe). Megjithatë, kjo nuk mjaftonte për popullin shqiptar, i cili aspironte për më shumë të drejta dhe liri brenda Jugosllavisë. Këta të fundit, asokohe kërkonin haptas një Republikë të Kosovës me të drejta të barabarta me Republikat tjera të Jugosllavisë(1). Shqiptarët e Kosovës fillojnë të organizohen, në veçanti studentët. Me 11 mars 1981 fillojnë demonstratat studentore, duke grumbulluar mijëra studentë nëpër rrugë, lëvizja zmadhohej gradualisht gjatë javëve. Po ashtu, klasa punëtore protestonte, duke brohoritur parullën: “Kosova Republikë”. Grevat dhe protestat shpërthyen kudo në Kosovë, ndërkohë që lëvizjet për pavarësi nisen të formohen në çdo vend. Autoritetet serbe kryejnë arrestime masive dhe organizojnë një mbledhje në Universitetin e Prishtinës me qëllim që ta diskreditojnë revoltën, duke e shtyrë nomenklaturën e Kosovës dhe mësimdhënësit shqiptarë që t’i mbështesnin politikat e tyre.
– Ukshin Hoti –
Në këtë mbledhje Ukshin Hoti, më 19 nëntor 1981, ndryshon kahun e kësaj të fundit duke dëshmuar shkencërisht funksionalizimin dhe të mirat që do të sillte një republikë e Kosovës në Jugosllavi, duke thënë se do ta përforconte stabilitetin e kësaj të fundit. Nomenklatura shqiptare e Kosovës e personifikuar ndër të tjera me Fadil Hoxhën, Azem Vllasin si dhe me një numër intelektualësh nga shoqata e shkrimtarëve të Kosovës nuk e mbështesnin këtë revoltë, duke u bërë thirrje studentëve që ta qetësojnë situatën. Disa shqiptarë e shihnin këtë thirrje si një frikë e hershme e hakmarrjes serbe, ndërsa ithtarët do të flasin për një strategji afatgjatë. Populli shqiptar i Kosovës ende nuk ishte i gatshëm për të marrë rreziqe të tilla në një Jugosllavi, në të cilën filluan të vëreheshin ndjeshmëritë e rënies ekonomike dhe një nacionalizëm serb në rritje. Ukshin Hoti nuk ishte i këtij mendimi, ai e merr përsipër sfidën për të treguar në mënyrë të qartë qëllimet dhe qëndrimet e tija rreth bashkimit të shqiptarëve, që sipas tij, kishin arritur pjekurinë për vetëqeverisje dhe që demokracia e shqiptarëve të Kosovës kishte lindur vetëvetiu, pa ndikime të jashtme. Kjo është ajo që më vonë, Ukshin Hoti do ta përshkruante si “Demokracia Autentike”.
Protestat studentore do të shkaktojnë shumë trazira në Jugosllavi: 1298 studentë u arrestuan dhe 1019 prej tyre u dënuan(2), ndër ta edhe vëllai i vogël i Ukshin Hotit, Afrim Hoti, kur ai ishte vetëm 17 vjeç(3). Një pjesë e atyre që arritën të shpëtonin u detyruan të largoheshin në mërgim, kryesisht në Zvicër dhe në Gjermani. Gjithmonë të kërkuar nga autoritetet serbe, këta studentë të përjetshëm duhej të prisnin deri në fund të luftës së vitit 1999, që të mund të ktheheshin në tokën e tyre. Pas revoltës, pushteti serb lëshon një proces për të prishur rinin shqiptare nga nacionalizmi, që sipas Beogradit ishte manipuluar dhe indoktrinuar nga lëvizjet marksiste-Leniniste të Shqipërisë. Sipas shifrave zyrtare, ndërmjet viteve 1981 dhe 1988, 584’373 shqiptarë do të vendosen në paraburgim dhe merren në pyetje(4), pra një e treta e popullsisë shqiptare të Kosovës. Për Ukshin Hotin, ishte e pamundur që një numër aq i madh qytetarësh të jetë i indoktrinuar. Sipas tij, pretendimet e shqiptarëve ishin legjitime, duke e pasur parasysh gjendjen e tyre ekonomike dhe që këto arrestime ishin thjeshtë një hakmarrje prej aparatit shtetëror serb lidhur me ata që i konsideronte si qytetarë të saj. Sa i përket Ukshin Hotit ai do të arrestohet 2 ditë pas mbledhjes dhe zemërimi jugosllav i bie në të me datën 21 maj te vitit 1982 : ai do të dënohet me 9 vite burgim për mbështetjen e revoltës. Këtu paraqitet një fragment i aktakuzës së dhënë nga gjyqtari Metush Sadiku nga Gjykata e Qarkut të Prishtinës :
«Vepra penale të drejtuar në rrëzimin e pushtetit të klasës punëtore dhe të punonjësve, thyerjen e “vëllazërim – bashkimit”, prishjen e barazisë së kombeve e të kombësive dhe ndryshimin antikushtetues të rregullimit federativ të RSFJ’së ».
Nga e majta në të djathtë: Mentor Kaçi ( montazh), Ukshin Hoti, Ekrem Kryeziu (Regjisor) dhe Halil Alidema (historian) me 21 maj 1982.
Gruaja e Ukshin Hotit, Edi Shukriu do të ndërmarrë hapa të ndryshëm për t’i bërë apel vendimit të gjykatës së Prishtinës. Ajo më në fund do t’ia arrijë qëllimit pas dërgimit të një letre të datës 5 prill 1983, drejtuar gjykatës së Beogradit. Atëherë dënimi do të zvogëlohet në 3 vite e gjysëm burg duke u vënë në dukje se akti i gjykimit të tij nuk kishte ndonjë bazë ligjore. Pas arrestimit të vitit 1981, Ukshin Hoti vuajti dënimin fillimisht në burgun e Prishtinës, më pas në burgun e Zagrebit dhe në fund në burgun e Lubjanës. Pastaj do të transferohet në burgun e Gjilanit. Në këtë të fundit, librat dhe stilolapsat janë të ndaluara, atëherë Ukshin Hoti, sipas Ismail Begollit një shok burgu, do të futet në një grevë urie 12 ditore për t’u transferuar përsëri në burgun slloven ku kishte qasje në lexim dhe shkrim dhe në kushte më të mira pune, por fatkeqësisht pa ja arritur qëllimin. Familja e tij paguan një çmim të rëndë për shkak të dënimit të tij; në fakt, motra e tij arsimtare, Myrvetja, në Krushë të Madhe shkarkohet nga puna. Ndërsa, motra tjetër Resmija, që sapo kishte përfunduar studimet nuk do të mundë ta ushtrojë profesionin e saj si arsimtare.
Ja një fragment ku Ukshin Hoti flet për rininë dhe revoltën studentore :
“Në vitin 1981 i kisha parë shokët e tyre në aksion. Kisha qenë në afërsi të tyre, e ndonjëherë edhe midis tyre dhe milicisë. I kisha soditur fytyrat e tyre «të nxira» nga «betejat», të egërsuara, të zbehura nga lodhja apo të skuqura; sytë e tyre të përlotur nga gasi, por edhe nga dhembja; gjymtyrët të dërrmuara nga vrapi ose nga përleshjet me të rinjtë tjerë të veshur me uniforma. Nuk kisha mundur t’i mendoja si armiq, si të indoktrinuar, e as si kontrarevolucionarë. E kisha fituar përshtypjen e një mllefi të përgjithshëm, të shkaktuar jo vetëm nga momenti aktual, por edhe nga e tërë historia. Për këtë shkak, kur politika me arrogancë kishte kërkuar prej meje që të ndikoja në ndërprerjen e tyre, kisha kuptuar se ajo kishte dështuar. Nuk provova t’i ndërprisja, por as nuk dëshiroja të vriteshin mes vete. Për këtë shkak, në bisedën e heshtur me heshtjen « më të madhe se nemitja», kisha vendosur të mbetesha pranë tyre. Dhe, mbeta pranë tyre, edhe atëherë kur u vetëlind Kosova, por edhe atëherë kur u vranë dhe kur u inaugurua demokracia. I vështroja nëpër burgje; i vështroja edhe ata që i mbanin uniformat. Të dy palët më dukeshin të burgosur. Shpirtërisht, – veniteshin ata që i mbanin automatikët dhe uniformat; fizikisht, – rrënoheshin këta që ishin brenda grilave. Për këtë shkak, në bisedën e heshtur me heshtjen «më të heshtur se nemitja», befas kisha pyetur: në emër të cilës politikë dhe të çfarë principeve politika i kishte quajtur të parët kontrarevolucionarë, ndërsa të dytët i kishte armatosur për t’i ndjekur të parët? Përse kishte heshtur Evropa? Këta të rinj, të etur për dije, të lënduar nga heshtja, të rënë në kundërshtim me moshën, por të vendosur që me çdo kusht ta krijonin botën e tyre, kishin qenë bartësit e ngjarjeve të vitit 1981. Kishin qenë gati fëmijë. Bile, nuk kishin qenë të vetëdijshëm as për peshën e veprave «të inkriminuara», e as për peshën e ngjarjeve që i kishin inicuar. Në bisedën e heshtur me veten e kishin ndërtuar botën e ëndrrave të tyre. U ishte dukur se e kishin pasur për detyrë t’i kontribuonin krijimit të botës së ëndrrave të tyre dhe nuk i kishin menduar rrjedhimet eventuale as për veten, as për familjen, as për rrethin. Në fillim nuk i kishin kuptuar as vlerësimet politike për atë që kishin bërë. Pastaj ishin habitur me ato që i dëgjonin për veten dhe më në fund, të rezignuar, i kishin besuar vetëm vetes dhe qëllimit të tyre.[…] Bota që e gjakonin ishte e përmbushur me shpirtin e tyre të pastër, me ëndrrat e tyre të bukura, me idealet e tyre të mëdha. Ishte ajo një botë e barazisë së përgjithshme dhe të plotë, e zhveshur nga ligësitë e llojeve të ndryshme. E dëshironin një botë me raporte të çiltra e humane, me konkurrencë të lirë të mendimit dhe të ideve, me kritere të njejta të zgjedhjes së më të mirit, pa përbuzje, një botë ku do të shpërthenin vlerat e tyre të njëmendëta individuale dhe gjeniu i tyre kolektiv krijues.“
Izolimi
Në prill të vitit 1985, Ukshin Hoti lirohet, por gradualisht detyrohet të izolohet në fshat. Jeton në kushte të izolimit ekstrem dhe nuk ka të drejtë të merret me çfarë do aktiviteti politik dhe pedagogjik. I merret pasaporta dhe ruhet nga policia serbe dhe shërbimet sekrete. Për banorët e fshatit ai bëhet i pafrekuentushëm. Në fakt, represionet ndaj shqiptarëve rriten që prej revoltave studentore dhe këta të fundit duan t’ju shmangen telasheve. Ky ishte edhe njëri prej qëllimeve të izolimit të tij: ta ndajnë nga populli, ta shkatërrojnë moralisht si dhe t’i asgjësojnë synimet e tij për Kosovën. Në këtë kohë ai nuk kishte asgjë tjetër veç se të merret me bujqësi dhe sipas motrës së tij Myrvetes, t’ju përkushtohet studimeve të tij shkencore dhe punimit të tij të doktoraturës. Këtë të fundit e ka filluar në vitin 1980 dhe ka pasur për temë: «E drejta e vetëvendosjes së popullit shqiptar krahas faktorit ndërkombëtar». Por, pas burgosjes, banesa e tij është kontrolluar disa herë me qëllim gjetjen e punimeve të tija. Punimi tij i doktoraturës është fshehur në vende të ndryshme nga familja e tij. Vëllai i tij Ragipi, do ta marrë përgjegjësinë për të groposur punimin në fshatin e tij të lindjes, por si përfundim ajo do të digjet në shtëpinë e prindërve të tij gjatë luftës. Sipas djalit të Ukshin Hotit, Andinit një tjetër punim i doktoraturës ka qenë i filluar nga babai i tij dhe kishte për temë: «Kosova, si një faktor i stabilitetit politik». Ajo duhej të mbrohej në Gjermani, por burgosja e tij në vitin 1994 nuk ia mundësoi këtë gjë.
Demokracia Autentike – DeA (gazetë e grupit të intelektualëve të pavarur shqiptarë në Lubjanë) Nr.6, viti II, maj 1991.
Në vitin 1989, Millosheviçi zgjidhet kryetar i Republikës së Serbisë dhe që në fillim e heq autonominë e Kosovës, duke ngritur kështu shumë pakënaqësi dhe protesta. Në kohën kur bie muri i Berlinit me 9 nëntor 1989, për shqiptarët nuk është më në pyetje Republika e Kosovës, por bëhet fjalë për të luftuar për ta mbrojtur autonominë. Në vitin 1990, Ukshin Hoti do të largohet për në Lubjanë, atje ku shtypi nuk ishte ende i censuruar. Filloi të shkruante për dy gazeta shqiptare: «Alternativa» dhe «Republika». Më pas, “të orientojmë politikisht opinionin Kosovar drejt qëllimeve tona për pavarësi”, thotë Bislim Elshani, Ukshin Hoti me këtë të fundit dhe me Rexhep Hotin themeloi revistën “Demokracia Autentike – DeA” ku punoi si redaktor i saj.
Këto gazeta do të mbyllen në vitin 1991. Sipas Bislim Elshanit, ishin autoritetet serbe që do t’i shtyjnë këto gazeta drejt mbylljes, me pretendimin se shitjet janë në rënie ku përkundrazi ato ishin në rritje. Ukshin Hoti detyrohet të kthehet në Krushë të Madhe, ku vazhdon studimet e tija shkencore dhe merr përsipër angazhimin e flaktë për vetëdijesimin kombëtarë në zonat rurale. Përderisa, institucionet e fakulteteve të ndryshme të Universitetit të Prishtinës shkojnë drejt mbylljes prej vitit 1990, Rektorati dhe mësimdhënësit do të organizohen për t‘ju mundësuar studentëve, vazhdimin e studimeve. Atëherë mësimet do të ligjërohen nëpër shtëpi private, xhamia, garazhe dhe lokale të ndryshme. Ishte viti 1992, kur një grup studentësh sipas Bajram Hotit, bën kërkesën pranë Fakultetit të Filozofisë që t’i mundësohet Ukshin Hotit, kthimin për të ligjëruar në këtë fakultet, gjë që do ta bëjë deri në vitin 1993.(5)
Në vitin 1992, në fshatin Brestovc, Ukshin Hoti organizon një homazh për viktimat e vrara nga policia serbe dy vjet më parë në një demonstratë për Republikën e Kosovës. Ai dënohet për këtë në vitin 1993 me 55 ditë burgim.
Ukshin Hoti gjatë nderimit të të rënëve në demonstratat për Republikën e Kosovës, 1992.
Në vitin 1992, në rrethana të panjohura ai largohet nga LDK-ja, në të cilën ishte anëtarësuar më 1991. Në të njëjtin vit, ai shkon në Tetovë në një tubim kombëtar të organizuar nga shqiptarët. Ai mban një fjalim, ku përkrahë haptas bashkimin kombëtar brenda një shteti Shqiptar. Në maj të vitit 1993, me shokun e tij Agron Limanin, ai shkon në pallatin e shtypit të gazetës“Rilindja”, që kërcënohej me mbyllje, ku Adem Demaçi dhe aktivistë të tjerë bëjnë grevë urie për të përkrahur lirinë e medieve. Gjatë rrugës së kthimit, ata ndalohen në një post bllok policor në Komoranë. Pasi kontrollit së identitetit të tyre, ata merren dhe dërgohen në stacionin e policisë në Gllogovc. Aty Ukshin Hoti merret në pyetje dhe Agron Limani rrihet nga policia. Pas lirimit të tyre, në dalje të qytetit, ata përsëri ndalen dhe rrihen nga 14 policë serb. Policia i qëllon me shqelma dhe me kondakët e pushkëve, duke i shkaktuar kështu Ukshin Hotit plagë të rënda trupore: fytyra e tij ishte e ënjtur dhe i kishin thyer dy brinjë. Në shënjestër të autoriteteve serbe, ky paralajmërim është shenjë e qartë që ai duhej të tërhiqet nga çdo tentativë për Kosovën. Megjithatë bindjet dhe veprimtaria e Ukshin Hotit janë të patunduara. Ai haptazi ekspozon synimet e tija të reja dhe vazhdon thirrjet ndaj shqiptarëve nëpërmjet konferencave të ndryshme për të mbështetur bashkimin kombëtar.
Ukshin Hoti – Maj 1993 gjatë vizites që i bëri Adem Demaçit dhe grevistëve
Përgjakja e Ukshin Hotit, maj 1993!
Mund të habitemi me ndryshimin e mendimit politik të Ukshin Hotit: Në fillim ai përkrahte një Republikë të Kosovës brenda Jugosllavisë, tani punon me qëllimin që të shoh një Shqipëri të bashkuar. Sipas Bislim Elshanit, ideja për një Shqipëri të bashkuar ka qenë gjithmonë e pranishme tek Ukshin Hoti. Republika e Kosovës në kuadër të Jugosllavisë ishte pjesë e procesit normal me mundësi për të arritur këtë qëllim me gjithë legjitimitet. Këtu paraqitet një fragment në lidhje me Republikën e Kosovës në librin e tij “Filozofia politike e çështjes shqiptare”:
“Republika e Kosovës, si do që të duket, mund të konsiderohet zgjidhje e pjesëshme, paliative(6) e çështjes shqiptare. Mirëpo zgjidhjet paliative të çështjeve të mëdha mund të konsiderohen dhe janë cilësi e luftës politike dhe produkt i mençurisë së faktorit politik shqiptar në vlerësimin e tërësishëm të rrethanave, rrugës së zhvillimit të proceseve dhe synimeve përfundimtare të tyre.”
Para vitit 1990, bashkimi me Shqipërinë do të thoshte luftë me Serbinë. I vetëdijshëm për forcat ushtarake në të gjitha anët nuk mund ta rrezikonte edhe integritetin territorial të Shqipërisë.
Pastaj, lind pyetja se pse pikërisht pas vitit 1990 ai kërkonte një Shqipëri të bashkuar?
Arsyeja është se ngjarjet e përshpejtuara, përkatësisht për heqjen e autonomisë në vitin 1989, e kanë përshpejtuar edhe idenë e tij për bashkim. Përveç kësaj, shpërbërja e Jugosllavisë ishte e pashmangshme. Në fakt Serbia, i shpallë luftë Sllovenisë dhe Kroacisë në vitin 1991. Në dhjetor të vitit 1990, dridhjet e rrëzimit të murit të Berlinit ndjehen po ashtu edhe në Shqipëri, atje revolta studentore i jep fund sundimit komunist prej me shumë se 40 viteve. Këto rrethana e përforcojnë mundësinë e një bashkimi të Kosovës dhe Shqipërisë. Në Kosovë, lufta është e pashmangshme; në një fjalim më 7 korrik 1991, Ukshin Hoti kërkon që të krijohen organet policore dhe ushtarake për të përgatitur fushën, por pragmatizmi i tij i tremb bashkëqytetarët. Megjithatë, pikërisht kjo ndodhi: Ushtria Çlirimtare e Kosovës filloi të krijohej.
Atëherë kur i hiqet izolimi nga shoqëria pas nëntë vitesh, partia politike “UNIKOMB” i propozon Ukshin Hotit të jetë kryetar i saj. Më 17 maj 1994, rrugës për në Prishtinë për të marrë postin e tij të ri, ai ndalohet nga policia serbe dhe burgoset në Prizren. Ai akuzohet se është anëtarë i lëvizjes ilegale në Kosovë (LPRK)(7) dhe se ka themeluar gazetën “DeA”, nën qeverisjen dhe financimin e këtij të fundit. Po ashtu, akuzohet se është anëtarë dhe kryetar i partisë “UNIKOMB”, që konsiderohej ilegale(8). Gjatë gjykimit, është dëshmuar se ai nuk është anëtarë i lëvizjes “LPRK”, se gazeta ishte një gazetë e ligjshme dhe e pavarur dhe se partia e tij ishte e regjistruar në përputhje me ligjin jugosllav. Megjithatë, ai dënohet me 5 vjet burgim për ndërmarrjen e veprimeve antikushtetuese, duke e rrezikuar integritetin territorial të Jugosllavisë(9). Atëherë, ai transferohet në burgun e Dubravës, pastaj në Nish, në Mitrovicën e Sremit, për t’u rikthyer më pas në Nish.
Burgosja e fundit
Gjatë burgimit të tij, partia “UNIKOMB”, lufton për lirimin e tij, duke u përpjekur ta bëjë të njohur Ukshin Hotin dhe mendimet e tija jashtë kufijve të Kosovës. Shkrimi i aktit të tij të mbrojtjes, është përkthyer në disa gjuhë dhe është shfrytëzuar si mundësi për ta bërë atë të njohur. Shoku i tij Bislim Elshani, po ashtu nxjerrë një broshurë në lidhje me Ukshin Hotin: “Politika në Pranga”. Rasti i Ukshin Hotit më në fund bie në veshët e Parlamentit Evropian. Kështu, kur fillon lufta në Kosovë në mars 1998, bëhet një kërkesë në Këshillin Evropian që autoritetet e Beogradit ta bëjnë lirimin e parakohshëm të Ukshin Hotit. Ndonëse KNKK-ja e ka takuar më 1 mars 1998, nuk është vënë as në pyetje që Beogradi ta falte. Në tetor Parlamenti Evropian, me qëllim ta forcojë lirimin e tij, vendos ta nominojë për çmimin Saharov(10). Megjithatë, është Ibrahim Rugova që e fiton këtë çmim në dhjetor të vitit 1998. Në shkurt të vitit 1999, gjatë konferencës së Rambujesë, që kishte për qëllim ta ndalojë luftën në Kosovë, përfaqësuesit e Kosovës të ballafaquar me përfaqësuesit serbë kërkojnë sipas Hydajet Hysenit, atëherë anëtar i delegacionit shqiptar, lirimin e Ukshin Hotit me qëllim që të mund të marrë pjesë në marrëveshjet me Kosovën. Gjë që Serbia e refuzon edhe një herë.
Në burg Ukshin Hoti ka qasje në një numër të kufizuar librash, megjithatë ai vazhdon të shqyrtojë mendimet e tij dhe vazhdon të shkruajë. Ai po ashtu, mban një korrespondencë me shkrimtarin Ismail Kadare. Këto shkrime do të publikohen në vitin 2000, me titull: “Bisedë përmes hekurash ». Me 1995, shoku i tij Bislim Elshani bashkon një numër të shkrimeve të tij dhe i publikon në librin e tij të dytë: «Filozofia politike e çështjes shqiptare». Ai po ashtu komunikon, me familjen e tij përfshirë këtu edhe motrën e tij Myrveten, e cila rrëfen në një letër që vëllai i saj i kërkon që ajo ta mbajë premtimin e dhënë, gjë që kjo e fundit nga pamundësia fatkeqësisht nuk e mbajti: të kujdesej për bibliotekën dhe shkrimet e tij.
Kopertina e librit: “Ukshin Hoti – Filozofia politike e çështjes shqiptare”.
Në fakt, fshati i lindjes së Ukshin Hotit bombardohet më 25 mars të vitit 1999. Më pas, forcat serbe hyjnë në fshat duke krijuar një kaos tek banorët. Policia serbe depërton në shtëpinë e Ukshin Hotit dhe atë të prindërve të tij, shkatërruan gjithçka dhe në fund i vënë flakën. Flaka morri me vete kështu edhe librat e Ukshin Hotit, shkrimet dhe dy punimet e tij të doktoraturës që deri në atë kohë nuk pati mundësi për t’i mbrojtur. Ndërsa banorët e fshatit marrin arratinë dhe gjejnë strehim nëpër vreshta dhe kodra. Kështu familja e Ukshin Hotit ndahet me dhunë nga policia serbe. Vëllai i tij Ragipi, duke dashur të gjej gruan dhe vajzën e tij kthehet në fshat, për të mos u kthyer më. Trupi i tij i pajetë do të gjendet 53 ditë më vonë. Prindërit e Ukshin Hotit shkojnë në një fshat të afërt, në Nagavc ku gjinden mijëra banorë të ardhur nga fshatrat për rreth. Edhe këtu fshati bombardohet dhe Nazifi, babai Ukshin Hotit plagoset në krah nga një shpërthim i granatës. I moshuar, i ndjeshëm dhe në pamundësi për t’u shëruar, ai do të ndërron jetë nga plagët e marra më 18 prill të vitit 1999.
Në këtë periudhë, kur Ukshin Hoti po vuante dënimin e tij në burgun e Nishit në Serbi, ai dhe shumë të burgosur të tjerë do të transferohen sërish në burgun e Dubravës. Me 16 maj 1999, atëherë kur lufta po zgjaste që gati një vit, Ukshin Hoti arrin tek fundi i dënimit të tij. Sipas Bajrush Xhemailit një nga të burgosurit, ai do të shoqërohet nga dy roje drejt daljes, e diel, një ditë jo e zakonshme për lirimin e të burgosurve. Që atëherë nuk do ta shohim më. Fati i tij ishte në duart e pushtetit serb.
Ukshin Hoti me vëllaun Ragipin dhe Haki Kasumin (burri i motrës Myrvete)
Me 19 maj 1999, burgu i rrethuar me tanke dhe me armë antiajrore të ushtrisë serbe, bombardohet nga NATO. Në ditët në vazhdim rojet dhe paramilitarët serb radhisin në oborr 800 të burgosur shqiptar nga 1000 që kishte burgu, ndërsa të tjerët fshihen nëpër qeli të burgut. Rojet dhe paramilitarët serb zbrazin plumbat e tyre tek të burgosurit me të gjithë arsenalin që ata kishin në dorë: granata, mitralozë, snajperë dhe bazukë. Masakrohen 176 persona dhe plagosen mbi 200 të tjerë. OJQ-ja « Human Right Watch » shkoi në vendin e ngjarjes me 24 maj të vitit 1999 dhe vë në dukje dëmet që do t’i publikojnë në raportin e tyre.
_________________
1. Republika federale socialiste e Jugosllavisë ishte e përbërë nga Republika e : Bosnës-Hercegovinës, Kroacisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë dhe Sllovenisë. Krahinat autonome e Kosovës dhe Vojvodinës ishin pjesë e Serbisë. Vojvodina është akoma krahinë e Serbisë.
2. Ukshin Hoti, «Filozofia politike e çështjes shqiptare». fq.64.
3. Afrim Hoti do të jetë i burgosur edhe ditën e ditëlindjes së tij të 18-të.
4. Blerim Reka, «Enigmë gjithnjë e pazgjidhur», Rilindja.
5. Ukshin Hoti, «Filozofia politike e çështjes shqiptare». fq.177-178.
6. Kështu ështe në tekst. Fjala paliative dmth : e përkohshëm.
7. Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës.
8. Nga ekstrakti i aktit të akuzës nga Gjykata e Prizrenit, në maj te vitit 1994.
9. Nga Ekstrakti i aktit të gjykimit nga Gjykata e Prizrenit, më 29 shtator 1994.
10. I quajtur çmimi për lirinë e mendimit, çmimi Saharov jepet nga Parlamenti Evropian.
(VIJON…)
______________
PJESA E PARË:
EDON DURAKU: UKSHIN HOTI – JETA DHE VEPRIMTARIA E TIJ (1)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=4003
***
PJESA E DYTË
EDON DURAKU: UKSHIN HOTI – JETA DHE VEPRIMTARIA E TIJ (2)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=4005
***
PJESA E TRETË:
EDON DURAKU: UKSHIN HOTI – JETA DHE VEPRIMTARIA E TIJ (3)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=4009