ISMET BEGOLLI: LIBRI I UKSHIN HOTIT NJË ENCIKLOPEDI POLITIKE

Pashtriku.org, 15. 05. 2015 – Nuk mund të flasë sot dikush për Kosovën, posaçërisht për Republikën e Kosovës dhe për trojet shqiptare e të mos e ketë parasysh mendimin politik, filozofik dhe shkencor të prof. Ukshin Hotit.
Ky mendim i shprehur në këtë libër sot është bërë filozofi dhe praktikë e sjelljes ndër ne. Tashmë kemi në duar botimin e dytë të librit të profesor Ukshin Hotit “Filozofia politike e çështjes shqiptare”. Botimi i dytë, i Prishtinës i vitit 1996 është pak më i gjerë se sa ai i Tiranës i vitit 1995. Në këtë botim është përfshirë edhe një intervistë e autorit e vitit 1992 për Konferencën e Londrës dhe çështjen shqiptare dhe një letër relativisht e gjatë nga burgu dërguar Këshillit të Përgjithshëm të UNIKOMB-it.
Kjo tregon se libri i profesor U.Hoti mbetet i hapur edhe më tutje ashtu siç është e hapur vetë çështja shqiptare në Ballkan, përkatësisht shqiptarët dhe viset shqiptare në ish-Jugosllavi. Libri i Hotit është shndërruar në libër sistem. Sikurse Mendeljevi që bën klasifikimin e elementeve kimike në tabelën e tij në bazë të vetive të përbashkëta dhe në bazë të madhësisë së masës atomike, edhe Hoti në librin e tij i trajton dukuritë socio-politike paralelisht sipas dy parimeve kryesore:
• sipas të vërtetës politike dhe,
• sipas të vërtetës reale.

E para, pra parimi i së vërtetës politike, bazohet në fuqinë ekonomike, politike dhe ushtarake të një populli për të ndikuar në raportet e përgjithshme në përmasa globale ndërkombëtare, me qëllim të përmirësimit ose të përcaktimit të pozitës së vet në shkallën e hierarkisë së ndikimit, dhe e dyta bazohet në të drejtën reale të individit për të ekzistuar dhe për t’u zhvilluar si qenie e vetëdijshme kreative, por edhe si kolektivitet, popull, komb, bashkësi popujsh apo kombesh. Hoti, si homo-politikus dhe si politolog që merret edhe me aspektin shkencor të çështjes shqiptare në përmasa rajonale dhe globale, më shumë e analizon parimin e së vërtetës politike, i vetëdijshëm se raporti i forcave dhe jo e drejta, është ai faktor që ndikon në përcaktimin e pozitës së individit, kombit apo popullit të caktuar. Duke analizuar të parin ai e sugjeron të dytin. Me një fjalë, Hoti kërkon që e drejta e popujve për të vetëvendosur për fatin e përbashkët të bëhet parim universal gjithë njerëzor, që e drejta të ngadhënjejë mbi forcën.

Siç del nga libri i tij, e drejta për republikë për të cilën ai angazhohet aq fuqishëm, për çka edhe burgoset, është e drejtë për t’u barazuar me popujt tjerë në ish-Jugosllavi dhe për demokratizimin e marrëdhënieve në sistemin e caktuar, kurse e drejta e ligjshme është bashkimi i trojeve etnike shqiptare në një shtet të vetëm. Tashmë çdo veprim ose mosve¬prim te profesor Hoti merr kuptim politik, siç ngjet zakonisht me personalitete të mëdha. Edhe punimi shkencor, edhe letra, biseda, vizita, shëtitja kanë kuptim të veçantë. Te ai asgjë nuk i lihet rastësisë. Si njeri i shkencës, ai këto gjëra i merr dhe i sistemon në librin e tij, kështu që libri i Hotit përpos që është edhe biografi e tij, me shkrimet e tij e pasuroi të vërtetën për sakrificën e vet dhe të burgosurve të tjerë dhe i dha kuptim luftës për liri e demokraci. Është ndërkaq një humbje e madhe për shkencën dhe për universitetin fakti që profesor Hoti u mbajt dhe ende po mbahet i mbyllur në burg, i izoluar në jetë, kurse edhe botimi i parë i librit e përjetoi të njëjtin fat.
Nuk mund të flasë sot dikush për Kosovën, posaçërisht për Republikën e Kosovës dhe për trojet shqiptare e të mos e ketë parasysh mendimin politik, filozofik dhe shkencor të prof. U.Hotit. Ky mendim i shprehur në këtë libër sot është bërë filozofi dhe praktikë e sjelljes ndër ne. Edhe vetë autori viktimë e mendimit dhe idesë progresive sot po përpiqet edhe nga burgu, duke e sakrifikuar shëndetin, që kohën më të mirë të jetës dhe krijimtarisë shkencore ta bëjë praktikë jetësore, ta materializojë në shtet dhe në pavarësi.
Drama e Ukshin Hotit – identifikim me dramën e popullit shqiptar
Nuk do të ndalem në vlerësimin e nocioneve dhe mendimeve shkencore të shumta në libër, si psh:
«Politika intelekt llogaritës dhe talent profesional»,
«E vërteta e kohëshme e shkencës»,
«Politika si nënë e shkencave»,
«Politika si art dhe morali»,
«Qasja e problemit»,
«Nofkat dhe demokracia»,
«Korrektësia e qasjes»,
«Kritika franceze konteksti evropian» e të tjera, të shumta në këtë libër.

Këtë punë mund ta bëjnë filozofët, historianët, politikologët, sociologët me grada më të larta shkencore. Nuk dua as të shpjegoj dhe as të thjeshtësoj, sepse libri është sa i thellë dhe shkencor, po aq i qartë dhe i thjeshtë. Është detyrë e imja ta prezantoj librin. Autori është edhe ndër personazhet kryesore të librit, jo pse ai këtu flet për veten, por, duke folur për çështjen, për lirinë, demokracinë, republikën, shtetin, njeriun, kombin, ai nuk mund ta abstrahojë veten, sepse edhe vetë ai është çështja, liria, demokracia, republika, shteti, njeriu, kombi. Libri është një enciklopedi politike ndërsa autori një enciklopedi e gjallë. Profesor universiteti, diplomat, një kohë ministër për punë të jashtme të Kosovës me detyra tjera të shumta në Kosovë dhe në Federatë, studiues në qendra të ndryshme botërore e edhe në Harvard të SHBA-ve, kryeredaktor i revistës «Demokracia autentike», kryetar i UNIKOMB-it, i burgosur politik, dy herë në burg, dy herë i martuar dhe i ndarë nga gratë dhe fëmijët.
Kushdo që e lexon dramën familjare të profesor Ukshin Hotit, të ngritur në shkencë, sepse ajo është edhe drama e popullit shqiptar, nuk mund të mos e pyesë veten, a duhet që shqiptarët sot, në prag të shekullit njëzetenjë, t’i kalojnë të gjitha fazat e zhvillimit të shoqërive njerëzore për ta fituar pavarësinë në trojet e tyre etnike? Se cila është drama jetësore e z. Adem Demaçi, tashmë të gjithë e dimë. Flet vetë emri i tij. Të gjithë ata shqiptarë nëpër burgje, me vite të tëra të ndarë nga familjet, nga shokët, nga shkolla, nga puna. Gjithë ata të mërguar shumica e të cilëve shihen më rrallë me familjet dhe fëmijët e tyre se sa të shkurorëzuarit me ligj në botën e civilizuar. Po ata që e dhanë jetën? Kjo është drama e një populli të shtypur me shekuj, të cilin autori e trajton në libër. Autori nuk është vetëm studiues shkencor, ai edhe i thotë gjërat, vazhdimisht i potencon me forcë dhe dramaticitet, ashtu siç i sheh dhe i përjeton në procesin e përditshëm jetësor. Kosova është shndërruar në teatër tragjik, ku luhen tragjeditë më të hidhura njerëzore.
Si njohës i shkëlqyer i marrëdhënieve ndërkombëtare, ai ndjek rreziqet, parasheh krizat dhe pasojat eventuale që mund të lindin si rezultat i zgjidhjeve jo të drejta dhe të paqëndrueshme, prandaj shkon sa në njërin, sa në tjetrin skaj të vendit, ofron ide dhe zgjidhje për lakmi jo vetëm për popullin shqiptar, por edhe për të tjerët në “Jugosllavi”, për Ballkanin dhe Evropën.
Sot shqiptarët janë të ndarë me kufij administrativë artificialë. Një shtet i pavarur shqiptar, Kosova e shpallur Republikë më 1991, ende nën dominimin serb, Maqedonia Perëndimore, Mali i Zi jugor dhe pjesërisht Serbia Jugore. Muret ndër shqiptare janë vendosur nga fqinjët me bekimin e fuqive të mëdha. Profesor Hoti përpiqet në shkrimet e tij që raportet serbo-shqiptare t’i emërojë me emrin e vërtetë. Këto raporte nga Lidhja e Prizrenit e këndej, dhe sidomos nga viti 1912, zhvilloheshin mbi baza të zhdrejta me fërkime dhe konflikte të vazhdueshme. Vetëm mbi themele të drejta mund të ngrihen pullaze të drejta. Esenca, thelbi i çështjes, mbulohej me teorizime boshe, çka e bënte dhe e bën të pamundur ndërtimin dhe vendosjen e marrëdhënieve miqësore midis dy popujve dhe midis dy shteteve fqinjë. Hoti nuk merret me teorizime dhe formalizma, ai merret me esencën e çështjes. Serbët duhet t’i tërheqin forcat nga Kosova, shqiptarët nuk e mbajnë askënd të nënshtruar dhe nuk kanë çka të tërheqin, nëse nuk shpërngulen si popull. Serbia duhet ta njohë edhe de jure Republikën e Kosovës. Duke e njohur atë, serbët nuk bëhen popull më i vogël, e as shqiptarët popull më i madh, në këtë mënyrë ata do të bëheshin të tillë çfarë janë në të vërtetë. Serbët gjatë historisë patën disa herë rastin që të tregohen të drejtë ndaj shqiptarëve. Më 1912 nuk iu përmbajtën marrëveshjes me krerët shqiptarë pas dëbimit të osmanëve. Ata depërtuan kah Jugu me ushtarë duke pushtuar gjysmën e trojeve etnike shqiptare. Kishin pretendime edhe në Shqipërinë Veriore. Më 1945 kishin rastin e dytë të volitshëm që të tërhiqeshin nga trojet shqiptare, por nuk e bënë. E shkelën Konferencën e Bujanit dhe të drejtën e popujve për vetëvendosje që me aq bujë e proklamuan gjatë luftës. Pas këtij viti nuk pati më rast të volitshëm për bashkimin e shqiptarëve dhe trojeve etnike në një shtet të vetëm nëse nuk llogarisim të sotmen. Të vetëdijshëm për këtë, shqiptarët u organizuan me tërë forcën për të drejtat njerëzore dhe kombëtare në Jugosllavi.
Të vetëdijshëm se nuk lejohet ndërrimi i kufijve nga fuqitë e mëdha, shqiptarët u angazhuan për republikën e shqiptarëve në “Jugosllavi”, të barabartë me republikat tjera federative – thotë Hoti.
Ukshin Hoti: «Do të mbrohem me të vërtetën pasi që ajo nuk ka të bëjë vetëm me mua, por edhe me gjithë kontekstin e situatës politike në tërësi»
Politika për Hotin nuk është inkuizicion, dinakëri, mashtrim, shantazh, demagogji, formalizëm, dhunë. Këto metoda janë shprehje e politikanëve diktatorë që politikën e kuptojnë si mjet për ardhjen ose për mbajtjen e pushtetit. Për Hotin politika është marrëdhënie, shans, udhërrëfim, gjasë, mundësi. E zhveshur nga elementet negative, politika nuk humb në peshë, nuk zhduket, përkundrazi, fiton, shndërrohet në marrëdhënie ndërnjerëzore, ndërkombëtare dhe ndërshtetërore.
Profesor Hoti i hedh poshtë krahasimet e pavend dhe pa kriter që bëhen lidhur me Kosovën dhe trojet tjera shqiptare në ish-Jugosllavi, në raport me disa popuj tjerë në Evropë dhe në Botë. Në bazë të referendumeve dhe anketave të organizuara, kërkesat e popujve britanikë nëpër Republika, për t’u veçuar nga bashkësia e popujve në Britaninë e Madhe, nuk e arrijnë as 40 përqindëshin e votave, çka tregon për pozitën tjetër të atyre popujve në atë bashkësi në krahasim me shqiptarët, të cilët janë shprehur 100 për qind për pavarësi. Pastaj flamanët në Belgjikë janë në lidhje speciale edhe me Holandën e valonët me Francën dhe kjo nuk i pengon që edhe më tutje të kërkojnë përmirësimin e pozitës së tyre.
Jam i bindur se një njeri me përgatitje të ngjashme profesionale si të profesor Hotit, nuk do të mund ta bënte këtë analizë si ai, sepse nuk do ta kishte përvojën e tij të luftës dhe të sakrificës. Vetëm në mbrojtjen para gjyqit, që është një mbrojtje e argumentuar shkencore: «Do të mbrohem me të vërtetën pasi që ajo nuk ka të bëjë vetëm me mua, por edhe me gjithë kontekstin e situatës politike në tërësi», shtrohen një varg vërejtjesh dhe kërkesash të drejtpërdrejta.
Ja disa prej tyre:
• Njohja e Republikës së Kosovës, në radhë të parë nga Serbia;
• Që Republika e Kosovës të formojë organet e veta shtetërore;
• Lirimi i gjithë të burgosurve politikë këndej dhe andej kufirit ndërshqiptar, sepse siç del nga libri i profesor Hotit, kjo formë vetëm e dhunon demokracinë, i konservon raportet e vjetra, krijon armiqësi, mbjell ndjenjën e frikës, të pasigurisë dhe të pa perspektivës për të ardhmen;
• Bashkimi i shqiptarëve në një shtet të vetëm është parakusht i çfarëdo rregullimi të mëtejmë të marrëdhënieve ndërshtetërore në këtë pjesë të Ballkanit. Ky bashkim duhet të bëhet mundësisht në rrugë institucionale dhe në baza kombëtare. Edhe konstituimi i Republikës së Kosovës duhet të jetë në funksion të këtij bashkimi.
• Kryeqyteti i ardhshëm i shtetit të bashkuar shqiptar duhet të jetë Prizreni
.
Profesor Ukshin Hoti gjithmonë e mori anën e të mundurve, siç do të thoshte Visar Zhiti, poet dhe ish i burgosur politik në Shqipëri. Fati i tij sot të kujton fatin e dikurshëm të Fan Nolit, themeluesit të qeverisë së parë demokratike në Ballkan. Veçse Noli për themelimin e qeverisë së tij demokratike gjashtë mujore, përfundoi në ekzil – në Amerikë, pas shembjes së qeverisë dhe të demokracisë nga forcat konservative të vendit dhe të shteteve fqinjë. Profesor Hoti për mendimet dhe idetë e veta demokratike përfundoi në burg.
Shpresojmë dhe kërkojmë që ai dhe të gjithë të burgosurit tjerë politikë të na lirohen sa më shpejt.
Ky libër që na dhuroi është një rreze drite. Është «Dritë edhe rreze nga Tivari e gjer në Prevezë» do të thoshte Vaso Pasha, kudo në trojet shqiptare, në Ballkan dhe në Evropë, përgjithësisht.

Prishtinë, 1998

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura