SADRI RAMABAJA: TIRANA DHE BEOGRADI – DY KRYEQENDRA POLITIKE KU PIKËTAKOHENT SHPRESA ME UTOPINË EUROPIANE

Pashtriku.org, 01. 06. 2015 – Përballja aktuale e BE-së me ndeshtrashat në oborrin e pasmë të saj – Ballkanin, flet shumë për prirjet e Brukselit për gërshetimin e shpresës me utopinë, respektivisht shndërrimin e Brukselit në pikë graviteti edhe për popujt e këtij areali me interesa të theksuara gjeostrategjike për Evropën.
Ëndërrat, sipas psikologëve, janë njëra prej mënyrave të komunikimit mes të pandërgjegjshmes dhe të ndërgjegjshmes, respektivisht imazhe të ndjenjave.
Po në politikë, njerëzit a kanë të drejtë të ëndërrojnë derisa janë aktiv, anëtarë subjektesh e drejtues, apo ta shtrojmë pyetjen disi më ndryshe: ç’raporte kanë ëndërrat me politikën? A është gjeopolitika shtrati më pjellor i ëndërrave në këtë sferë apo varri i tyre?
Vizita e kryeministrit serb Vuçiq, në Tiranë dhe gjuha e komunikimit me homologun e tij, Rama, dëshmoi se ndërlidhjet mes politikës dhe ëndërrave janë thjeshtë të natyrës materiale. Kjo ngjarje politike e imponuar për që të dy palët, ishte një skenar i përkryer i Brukselit, që i ngjante mjeshtrit të madh që shpiku Deus ex Machinën, që në këtë rast ishin vetë pllakat tektonike të gjeopolitikës, që po shërbejnë si kolovajza për të tundur dhe qetësuar të mëdhenjtë, qofshin edhe politikanë shtatëlartë, nëse ata duan që në fund të marrin nga Brukseli piperonin e mbushur me qumësht real dhe jo me ëndrra.

Robert Shuman-i derisa po hidhte idenë për Evropën e së ardhmes, fill pas Luftës së Dytë Botërore, kur atdheu i Tij, Franca, po vazhdonte të tundej në kolovajzën e ëndërrave që herë e dërgonin në prehërin e një shoqërie utopike, ku gërshetohej irealja me realen, drejtësia sociale dhe barazia nacionale, e herë e kthenin diku në imazhet rrënçethëse të Vaterlosë, ku njeriu për njeriun bëhej ujk, nuk e kishte të lehtë të merrte vendimin që mori.
Ai vendim në embrionin e tij ngjizte bashkë në një: shpresën me utopinë. Ashtu si do të duket edhe sot për këtë pjesë të Evropës Juglindore BE: herë si shpresë ringjalljeje e herë si utopi.
Por fatin e mirë të Shumanit nuk e kishte Ukshin Hoti, tek po mbarështronte mbrojtjen e tij dhe të Republikës para Gjykatës serbe në Prizren, meqë e dinte se historia i kishte rezervuar mundësinë dhe fatin bashkë, pikërisht atij, që të jetë ideologu i saj, por edhe një lloj pengu, disi i njësuar me vetë Republikën e zënë gjithashtu peng.
Se Republika ishte zënë peng, Ukshin Hoti ishte i sigurtë, por ende kishte dilema se nga kush, nëdrkaq se do të shndërrohej edhe vetë në peng, këtë nuk mund ta mirrte me mend.
Por, derisa një pjesë e aktivistëve idealistë në këtë kohë po vazhdonin të ëndërronin dhe angazhoheshin edhe në rrafshin organizativ për bashkimin e Kosovës me Republikën e Shqipërisë, mbetjet e titizmit shpreheshin dhe ende me paturpësi shprehen edhe sot, se kishin qenë kundër Republikës, meqë nuk e kishin dashur atë me stalinistët, ndërkaq funksionarë të LDK-së, deri kohë më parë më të kamufluar, e sot më hapur, e pranojnë se kishin qenë për një lloj protektorati, meqë i frigohen së tepërmi idealistëve, respektivisht ëndrrimtarëve në politikë, që nuk prajnë së projektuari rrugët dhe mënyrat e bashkimit, qoftë edhe në një Federatë Shqiptare brenda Bashkimit Evropian.
Duke qenë se sot kjo sortë që ndodhet tashmë në krye të LDK dhe bashkëqeverisë Republikën me ata që e shitën luftën e UÇK-së, kur nënshkruan me lehtësi çarmatimin e saj pa kushte, disi ngjashëm siç e kishin shitur revolucionin gjerman ata që kishin urdhëruar nënshkrimin e marrveshjes Brest-Litovski në vitin 1918, duket se si në vitet ‘90-ta, Republika sërish vazhdon të jetë peng. Insistimi për krijimin e Gjykatës Speciale dhe qëndrimi në unanimitet i LDK-së pro saj, ndërkaq tundja në kolovajzën mashtruese që i ka hedhur tundimi material pjesën dërmuese të udhëheqjes së PDK-së, tek ushtron presion ndaj deputetëve për të nënshkruar kapitulimin , hedh në shesh shitësit real të luftës së UÇK-së dhe mbajtësit peng të Republikës edhe sot e kësaj dite.
Përballja aktuale e BE-së me ndeshtrashat në oborrin e pasmë të saj – Ballkanin, edhe në formën që po shpërfaqet me imponimin e një kursi në dukje më të civilizuar mes shqiptarëve dhe serbëve, që u pasua nga takimi i krerëve të qeverive të rajonit në Berlin, duke i dhënë rolin e një koordinatori pikërisht kryeministrit shqiptar, flet shumë për prirjet e Brukselit për gërshetimin e shpresës me utopinë, respektivisht shndërrimin e Brukselit në pikë graviteti edhe për popujt e këtij rajoni. Në këtë rast ëndërrat na rezultojnë të jenë të lidhura me politikën në proporcion të drejtpërdrejtë, ndërkaq insistimi qoftë edhe në dëm të shqiptarëve, i largmit të Serbisë nga Rusia, rezulton të jetë produkt i gjeopolitikës evropiane.
Përplasja e këtyre realiteteve për një kohë të gjatë në urën e Ibrit dhe së fundmi trandja e fuqishme që shkaktoi një grusht idealistësh në Kumanovë, sado që në gjirin e vetë kishin edhe komplotist prapa të cilëve qëndronin politikanë të llojit të Fushesë, sikur e ka trandur Brukselin. Këtë përplasje Brukseli do të duhej ta mirrte si një vërejtje serioze, meqë është tallur me Republikën e Kosovës, duke vazhduar të bëhet palë dhe krah i mbajtësve peng të saj, por nuk ka denjuar të mirret seriozisht as me Marrveshjen e Ohrit, duke e shndërruar atë në një akt historik tashmë të pa vlerë. Pse Brukseli sillet kështu me shqiptarët, duke ua reyervuar tutje statusin politik që nuk e meritojnë, duket se përgjegjëse është klasa politike jona.
Mënyra dhe qasja e Brukselit me politikanët e Ballkanit, jo rrallë kalon nëpër stadin e të komunikuarit të vetëdijshëm me palë që din të ngatërrojnë të pandërgjegjshmen me të ndërgjegjshmen, ndërkaq dhjetë vjetët pasuese, për aq sa pritet të zgjasë koha e tundjes në kolovajzë, kalojnë relativisht shpejtë në kalendarin e Brukselit.
Qasja ndaj rajonit si ëtërsi dhe shqiptarëve në veçanti në shkallën e civilizimit edhe politik, do ta bëjë Evropën gjithësesi më të akceptueshme si model, jo vetëm nga popujt e Gadishullit Ilirik, pa përjashtuar edhe serbët dhe maqedonët që tunden mes Brukselit dhe Moskës, por edhe për hapjen e mundësive të reja të ndikimit të BE-së jashtë kontinentit.
Këtë fakt Tirana zyrtare si piemont i Kombit, duhet ta shfrytëzoj si shansë reale.

Prishtinë, 30 maj 2015

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura