GLAUK KONJUFCA: DEPUTETË TË KUVENDIT TË KOSOVËS, MOS E VOTONI GJYKATËN SPECIALE! GJYKATA SPECIALE E PËRMBYS REALITETIN HISTORIK!

Prishtinë, 26. 06. 2015 – (Fjala e Glauk Konjufcës mbajtur në seancën e sotme Kuvendit të Republikës së Kosovës.) – Qytetarë të nderuar të Republikës, Deputetë të Kuvendit të Kosovës, Këta qeveritarë shpesh kanë ditur të na vendosin në situata të rënda, dhe ja tek ndodhemi sot përpara një momenti kritik e vendimtar për të ardhmen e vendit tonë. Nga ne po kërkohet që të krijohet një Gjykatë Speciale e cila do t’i gjykojë ushtarët e UÇK-së për krime të supozuara gjatë luftës në Kosovë. Gjatë luftës në Kosovë ne ishim populli më i vuajtur e i përndjekur i Evropës, i shtypur e i masakruar. E tërë bota demokratike po solidarizohej me golgotën shqiptare. Qytetarët e vendeve perëndimore i mbushnin sheshet nëpër demonstrata në shenjë përkrahje për popullin e Kosovës. Dhe kjo çoi në mobilizimin e aleancës më të fuqishme ushtarake të botës për ta ndalur gjenocidin e Serbisë mbi shqiptarët.
***
Ne krijuam një ushtri çlirimtare që bëri luftë të drejtë.
Pas sa e sa dekadash ne më në fund kishim shpresë, kishim vullnet të palëkundur, kishim krenari, kishim gatishmëri për ta dhënë jetën për atdheun.
Mbi 2500 dëshmorë e derdhën gjakun e tyre, e dhanë jetën për liri.
Më kujtohet 12 qershori i vitit 99.
Ne ishim populli me entuziazmin më të lartë në botë.
Ne ishim feniksi që u ngrit prej hirit.
Mijëra ushtarë të UÇK-së marshonin me kokën lart nëpër qytetet tona, bashkë me 1 milion shqiptarë të dëbuar dhunshëm që po ktheheshin me lot gëzimi në Kosovën e çliruar.
***
Kjo është më e vlefshmja që mund ta ketë një komb.
Kjo nuk krijohet lehtë.
Lypsen shekuj për t’i krijuar këto themele.
Ku mbetën këto vlera?
Ku u tretën këto shpresa dhe kjo krenari?
Kush i shkatërroi?
Kush na solli në këtë gjendje?
Deputetë të Kuvendit të Kosovës,
Mos e votoni Gjykatën Speciale.
Gjykata Speciale e përmbys realitetin historik.
Nuk bëri gjenocid gjatë luftës populli shqiptar, por shteti serb.
Serbia ishte agresori, ne u mbrojtëm.
Ne ishim nëpër shtëpitë tona kur u sulmuam.
Ne luftuam për çlirim, kurse Serbia luftoi për okupim.
Ne luftuam për liri, Serbia luftoi për pushtim.
Tash me Gjykatën Speciale të krijohet përshtypja se shqiptarët i paskan bërë krimet, ata paskan qenë agresori, ata duhet të gjykohen para të gjithëve.

Mos e votoni Gjykatën Speciale.
Gjykata Speciale e rrënon sovranitetin e sistemit tonë gjyqësor.
Gjyqësia dhe integriteti i saj është shtyllë bazike e sovranitetit shtetëror.
Gjykata Speciale e tkurr sovranitetin e Kosovës në 5 instanca – 3 nivelet e gjyqësorit plus avokati i popullit dhe Kushtetuesja jonë paralelizohen.
Kjo është një Gjykatë selektive.
Ajo nuk e trajton asnjë krim të Serbisë në Kosovë.
274 masakra kanë ndodhur gjatë luftës në vendin tonë.
550 varreza masive.
Mbi 12 mijë e 300 qytetarë të vrarë.
Mijëra femra të dhunuara.
Mbi 120 mijë shtëpi të shkatërruara.
Dhe asnjë nga këto që i përmenda nuk do të trajtohen nga Gjykata Speciale.
Kjo është e paprecedent në historinë e njerëzimit.
Drejtësia është universale e jo speciale.
Mbiemri speciale e suspendon drejtësinë si të tillë.
Drejtësia është e verbër.
Ajo nuk privilegjon, as nuk përçmon krime.
Drejtësia e pjesshme e suprimon vetë thelbin e drejtësisë.
Për drejtësinë nuk ka krime të rëndësishme, të cilat trajtohen, dhe ato të parëndësshme, të cilat shlyhen.
Unë nuk do ta votoj Gjykatën Speciale.
Sepse nuk do të kem fytyrë më t’i dal më kurrë përpara familjes Deliaj të Abrisë dhe mijëra e mijëra familjeve që i humbën të dashurit e tyre.
Më 26 shtator 1998 në Abri të Epërme u masakruan 23 anëtarët e familjes Deliaj.
Luljetë Deliajt, që ishte shtatzënë ia çanë barkun dhe e vranë.
Diturie Deliaj e vogël gjashtë javë dhe u gjet e gjallë në krahun e nënës së masakruar.
Por vdiq një muaj më vonë për shkak të urisë e sëmundjes.
Antigona dhe Mihane Deliaj u dhunuan pastaj u masakruan.
Kjo është fotografia e Valmirit të vogël, që i varet në qafë cuclla e përgjakur.
Kjo fotografi e çoi botën në këmbë.
Çka t’iu themi këtyre njerëzve nëse e themelojmë Gjykatën Speciale e cila thotë që gjaku i këtyre fëmijëve është i parëndësishëm, dhe vrasësit e tyre nuk do të gjykohen.
Nuk do te ketë drejtësi për këta njerëz.
Nëse e di që kjo gjykatë i përjashton më të dashurit tanë, si mund ta votoj unë atë.
***
Prandaj mos e votoni Gjykatën Speciale.
Të mos e votosh Gjykatën Speciale, nuk do të thotë të jesh kundër drejtësisë.
Ne jemi për Gjykatë, por për një gjykatë tjetër.
Ne jemi për Gjykatën e të gjitha krimeve të luftës që kanë ndodhur gjatë viteve 98-99 në territorin e Kosovës.
Le t’i rendisim të gjitha krimet që ndodhën dhe le të gjykohen të gjitha pa asnjë përjashtim.
Lëvizja VETËVENDOSJE! do të votonte për.
Kurse një Gjykatë ku do të gjykohet vetëm UÇK-ja, nuk do ta votoja edhe sikur kjo gjë do ta shkaktonte fundin e botës.

Prishtinë, 26 qershor 2015

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura