(Pashtriku.org, 23. 07. 2012) – Më 10 korrik Qeveria e minorancës shqiptare të Kosovës (sepse mazhoranca shqiptare është në opozitë!) e ka bërë gati pakon me rroga të reja të funksionarëve të lartë, e cila parasheh ngritje të pagave mujore deri mbi 50% nga niveli që zyrtarët e lartë të shtetit e marrin aktualisht. Dhe, ngritjen më të lartë të pagës është planifikuar ta gëzojë vetë Hashim Thaçi. Nga 1440 euro sa e ka aktualisht, paga e Hashës pritet të rritet në 2.325 euro, rreth 900 euro më shumë. Me këtë ngritje synohet që paga e kryeministrit të barasvlerësohet me atë të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, dhe njëkohësisht t’i përafrohet presidentes Atifete Jahjaga, e cila merrë rreth 3000 euro pagë. Nëse miratohet versioni i tanishëm i Projektligjit për paga të funksionarëve të lartë, atëherë paga e Hashës do të jetë për 25% më e ulët se e presidentes dhe e njëjtë me atë të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani. Koeficienti i pagës së presidentes është caktuar të jetë 15, ndërsa i kryeministrit, kryeparlamentarit dhe kryetarit të Gjykatës Kushtetuese 12.50. Ndërkaq vlera e një koeficienti llogaritet të jetë e barabartë me 186 euro. Duket se, Hashim Thaci&CO, nuk po e përjeton krizën që ka kapluar mbi 80% të popullit në Kosovë!
________________________________________