Zvicër, 22. 01. 2016: Intervistën e Agjencisë së Lajmeve “Presheva Jonë” me senatorin zviceran Dick Marty dhe sidomos titulli bombastik që tregon se kush janë “peshqit e mëdhenj” të krimit në Kosovë dhe kush do të jenë “mysafirët e parë në Hagë” ndikuan që ky lajm të shpërndahet nga disa portale në gjuhën shqipe. Sikur intervista të ishte kufizuar në spekulimet e lartpërmendura nuk do të reagoja për të vetmen arsye se “Loja e kapuçave” me logjikën “Teste-Bosh” ka kohë që ka filluar. Madje, disa që pretendojnë se posedojnë informata nga ata që fshehin emrat “Nën kapuç” vazhdimisht spekulojnë me emra të përveçëm. Edhe pse janë të vetëdijshëm se këtu nuk bëhet fjalë për lojë kapuçash por, për një situatë të rrezikshme ku mund të “përzihen kapuçat shumë keq”.
Ajo që më shtyri të reagoj lidhur me intervistën e Dick Marty-t ka të bëjë me shpërndarjen e të pavërtetave. Nëse është i saktë pohimi se Dick Marty ka deklaruar se gjoja “as ai e as raporti i tij nuk janë kundër UÇK-së e as kundër pavarësisë” po them publikisht se kjo është gënjeshtra më e madhe e vitit. Nëse pohimet e lartpërmendura janë vërtetë të Dick Marty-t atëherë unë, Bardhyl Mahmuti, autori i librit «Mashtrimi i Madh» i bëj apel publik që të ballafaqohemi në një debat publik ku do t’ia sjell provat e pakontestueshme që dëshmojnë se:
Dick Marty asnjë herë nuk e ka ngritur zërin kundër dhunës që shteti serb ushtronte kundër popullit shqiptar të Kosovës,
Dick Marty ka qenë kundër intervenimit të NATO-s ndaj regjimit të Millosheviqit;
Dick Marty ka qenë kundër pavarësisë së Kosovës;
Dhe se Raporti që mban emrin e tij nuk është asgjë tjetër pos sintezë e të ashtuquajturit “Libër i Bardhë “ i përpiluar nga Shërbimi Sekret Serb.
Të gjitha provat e lartpërmendura janë analizuar në detaje në librin tim «Mashtrimi i Madh». Të gjithë ata që janë të interesuar ta dinë të vërtetën mund të konfrontojnë argumentet.
Me respekt për lexuesit
Bardhyl Mahmuti
_______________
Dick Marty: Këta tre janë“peshqit e mëdhenj” të krimit në Kosovë dhe “mysafirët” e parë në Hagë
http://lajmpress.com/dick-marty-keta-tre-janepeshqit-e-medhenj-te-krimit-ne-kosove-dhe-mysafiret-e-pare-ne-hage/