FETNETE RAMOSAJ: BAJRAM VOKSHI – LUFTËTARI BESNIK I IDEALEVE TË ATDHEUT

(Deçan, 31. 07. 2012) – Dhjetë vjet më parë, ndërroi jetë atdhetari i shquar, luftëtari e eprori i UÇK-së, Bajram Mazrekaj. Atdheut i shërbeu me tërë qenien deri në frymën e fundit e nuk i mori asgjë, vetëm një copë dhé. Ndonëse pas kaq kohësh, jo vetëm për Bajramin por edhe për shumë luftëtarë të tjerë, dëshmorë, veteranë e invalidë të luftës që e ndanë së bashku fatin e luftës për liri, ende mungon nderimi i nevojshëm shtetëror, ende nuk janë dekoruar ligjërisht, padyshim se kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë më të re kombëtare, ndaj nderimi për ta do të jetë i përjetshëm.

Në shenjë përkujtimi të komandantit të Shtabit Rajonal të UÇK-së për rajonin e Vokshit, Bajram Mazrekaj (02. 02. 1962 – 24.7.2002)

___________________

Veprimtari i palodhshëm, luftëtari i denjë dhe eprori i UÇK-së, Bajram Mazrekaj, nga fshati Voksh i Deçanit, ishte njëri ndër veprimtarët më të dalluar të lëvizjes sonë kombëtare jo vetëm në rajonin e Deçanit, por edhe më gjerë. Më shumë se dy dekada të jetës, ia përkushtoi luftës për liri dhe çlirim nga pushtuesit serbë. Në të gjitha zhvillimet përparimtare të kohës, trevën e tij e përfaqësoi denjësisht. Prandaj, në rrethin e gjerë të shokëve, bashkëveprimtarëve e bashkëluftëtarëve, gjithnjë e thërrisnin me emrin Bajram Vokshi. Në asnjë rast të vetëm nuk u përul para vështirësive të kohës, asnjëherë nuk u lodh as nuk u mërzit në rrugën e gjatë e tepër të vështirë për të fituar lirinë. Gjithnjë qëndroi vertikalisht, me vullnet të pathyeshëm, me veprimtari të pandërprerë e me besim të patundur se liria është e pashmangshme.
Brez pas brezi në shërbim të atdheut
Bajram (Xhafer) Mazrekaj, u lind më 2 shkurt të vitit 1962, në një familje të njohur atdhetare në Voksh të Deçanit, e cila tradicionalisht brez pas brezi u shqua për trimëri, nder e besnikëri, për luftë kundër pushtuesve të ndryshëm, me theks të veçantë që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878) e këndej. Këso kohe, për shkak të aktivitetit të dendur kundër Perandorisë Osmane, bashkë me drejtuesit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare Abdyl Frashërin e Sylejman Vokshin, nga kjo familje osmanët e burgosën Sali Zenunin, të cilët i dërguan në Stamboll. Krahas heronjve Abdyl Frashëri e Sylejman Vokshi, edhe Salihun njëherë e dënuan me vdekje, pastaj dënimin ia shndërruan në dënim me njëqind vjet burgim.
Edhe Metë Hyseni, burrë i shquar për urtësi e trimëri, i kalitur e gjakftohtë në situata të vështira, që gëzoi respektin e të gjithëve, për dekada të tëra ishte njëri ndër bartësit kryesorë të ngjarjeve të kohës. Atë së bashku me Zenun Salihun e gjejmë përkrah prijësve të Lëvizjes në kohën e Zonës Neutrale të Junikut (1923), pastaj në rezistencën për mbrojtjen e trojeve shqiptare të Plavës e Gucisë nga sulmet çetnike serbo-malazeze (1941-1944), e gjejmë në qëndresën e organizuar në kullat e Junikut kundër depërtimit të forcave partizane-çetnike, e njohur në histori si “Ngujimi i Junikut” (21 tetor – 17 nëntor 1944) së bashku me udhëheqësit e kësaj qëndrese Demë Ali Pozharin, Ali Bajraktarin e Junikut, Mehmet Agë Rashkocin, Sadik Elezin, etj. Metë Hyseni plagoset në këto luftime. Ndërkaq pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, themelon Organizatën Nacional Demokratike Shqiptare (NDSH) në rajonin e Vokshit. Më vonë, në vitet e ’50-ta, për shkak të aktivitetit atdhetar në kuadër të NDSH-së, Metë Hyseni arrestohet nga pushtetarët jugosllavë, me ç’rast dënohet me 12 vjet burgim të rëndë, gjashtë prej të cilave i mbajti në Goli Otok.
Gjatë tërë kohës, siç tregojnë ata që bashkëvuajtën me të, Metë Hyseni përballoi edhe të papërballueshmen, por mbeti i palëkundur në idealet e tij, pa asnjë njollë në veprimtari. Vëllai i tij, Demushi, detyrohet të kalojë në Shqipëri, ndërsa familja e tyre bastiset, leçitet e izolohet për vite të tëra nga fshati, duke qenë halë në sy të pushtetarëve jugosllavo-komunistë, të cilave u bëri ballë denjësisht.
Në rrethana të tilla u lind dhe u rrit Bajrami, i cili që në fëmijërinë e hershme u edukua në frymë të shëndoshë kombëtare. Shkollën fillore e mbaroi në Drenoc, ndërsa të mesmen në Gjakovë. Ai mësoi shumë nga plaku i urtë Metë Hyseni, apo siç e quante ai “Baba Metë”. Fjalët e tij të urta, do t’i ketë moto të jetës.
Bajram Vokshi ishte i bindur se liria nuk fitohet pa luftë
Që në vitin 1980 kyçet në radhët e Lëvizjes Kombëtare, për të bashkëvepruar me Nasim Haradinajn e me shokë të tjerë të organizuar. Bajram Mazrekaj ishte pjesëmarrës në të gjitha ngjarjet atdhetare që u zhvilluan më tutje. U dallua në demonstratat e viteve 1988, ’89, ’90. U dallua në demonstratat e përgjakshme të 28 marsit të vitit 1989, në Deçan, kur vritet shoku e bashkëfshatari i tij Sali Hadërgjonaj dhe Ismet Qorraj, Agim Kukleci e Mujë Mehmeti.
Në vitin 1990 ishte njëri ndër aktivistët më të zellshëm në aksionin gjithëkombëtar për pajtimin e gjaqeve, por edhe bartësi kryesor i ndryshimeve, bartësi kryesor i lëvizjes gjithëpopullore kundër regjimit serb për rajonin e Vokshit e më gjerë.
I bindur qysh herët se liria nuk fitohet pa luftë, Bajram Vokshi, që tashmë kishte vite të vepronte në radhët e organizuara, në vitin 1991, kyçet në radhët e Frontit të Rezistencës. Në këtë drejtim bashkëvepron me Binak Dinajn (i cili ia sjellë armët e para), pastaj me Hasan Ukëhaxhajn, Faton Mehmetajn, Kushtrim Hadërgjonajn, etj. Këso kohe në këtë aktivitet nga familja Mazrekaj ishin të kyçur edhe Shabani e Isufi, të cilët më vonë do të bien dëshmorë nën emblemën e shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Më 24 mars të vitit 1993, për shkak të përndjekjeve të policisë serbe, Bajrami detyrohet të kalojë në Gjermani. Vendoset në Shtutgard. Atje zhvillon aktivitet të dendur në kuadër të Lëvizjes Popullore të Kosovës, më vonë duke dhënë kontribut të çmueshëm edhe në kuadër të Fondit të Luftës “Vendlindja Thërret”. Atje bashkëveproi me Xhavit Hoxhën, Jashar Salihun, Hasan Ukëhaxhajn, Fehmi e Xhevë Lladrovcin, Xhemajl Fetahajn, Smajl Elezajn, Sami Lushtakun, Brahim Haxhiun, etj. Gjithnjë ishte në kontakt të vazhdueshëm me bashkëveprimtarët e tij në Kosovë, sidomos në Voksh, ku nëpërmjet familjes së tij, koordinoi një varg lëvizjesh të njësive të furnizimit të UÇK-së. Që në vitin 1991 nëpër Voksh, përkatësisht me pritjen dhe përcjelljen e djemve të familjes Mazrekaj, kaluan shumë luftëtarë lirie, në mesin e tyre edhe vetë komandanti legjendar Adem Jashari me shokë.
Në vitin 1996, Bajrami vije nga Gjermania dhe së bashku me grupet e furnizimit të UÇK-së hyn në Kosovë për të sjellë armë. Kësaj radhe shkon në Drenicë.
Bastisjet, arrestimet, keqtrajtimet e forcave policore serbe ndaj familjes së tij në Voksh, gjithnjë me pretekst të kërkimit të armëve, pas vitit 1990, janë një histori më vete. Në korrik të vitit 1992 bastiset tërë lagjja Mazrekaj e Vokshit. Më 11 korrik 1993 (pas largimit të Bajramit nga Kosova), i bastiset familja, me ç’rast arrestohen dhe keqtrajtohen nga policia serbe vëllai i tij Binaku dhe djali i axhës Isufi. Më 29 qershor 1995, Binaku arrestohet sërish dhe dërgohet në paraburgim për 30 ditë, me ç’rast e ashtuquajtura Gjykatë e Qarkut në Pejë e dënoi me 2 vjet burgim me kusht. Ndërsa, më 1 nëntor të vitit 1997, forcat policore të Deçanit, të cilave kësaj radhe u printe vetë kryeshefi i stacionit policor të Deçanit Vukmir Mirçiq, ndërmarrin një ekspeditë të rreptë ndëshkuese kundër familjes Mazrekaj. Që në orët e hershme të mëngjesit, forca të shumta policore, me tanke e autoblinda e rrethojnë shtëpinë e tyre në Voksh. Bastisin me një brutalitet të paparë dhe në fund i arrestojnë të gjithë meshkujt e shtëpisë: Binakun, Hysenin, Camën, Isufin, Rasimin, Hysniun e Sadikun. Të gjitha presionet ishin të përqendruara rreth aktivitetit të Bajramit.
Gjithçka në shërbim të luftës çlirimtare
Shpërthimi i luftës frontale në Drenicë, por edhe zgjerimi i frontit të luftës edhe në Dukagjin, pas betejës së parë frontale të zhvilluar më 24 mars 1998 në Gllogjan, familjen Mazrekaj nuk e gjeti të papërgatitur. Ajo qysh herët ishte në rrjedhat e organizimit të radhëve ilegale të UÇK-së.
Edhe pse kishin një numër të caktuar të armëve, më 5 prill 1998, me propozimin e Shaban Mazrekajt (dëshmor), nëpërmjet Shtabit të Gllogjanit, grupi i parë i djemve të Vokshit dërgohet për furnizim me armë në Shqipëri. Po atë natë, në Smolicë shkojnë Islam, Binak, Flamur, Xhavit e Camë Mazrekaj, e prej andej në Shqipëri, prej nga kthehen më 7 prill. Kësaj radhe grupit të furnizimit i printe komandanti i shquar i UÇK-së, Shkëlzen Haradinaj, tash hero i kombit.
Më 7 prill, fshati Voksh mobilizohet në radhët e UÇK-së. Kështu, të njëjtën ditë, 50 djem të këtij fshati shkojnë për të marrë armë. Grupit prej rreth 200 vullnetarëve në këtë rrugë i prinin komandanti Ramush Haradinaj, ende pa iu shëruar plagët e marra në betejën e 24 marsit dhe Bedri Shala (dëshmor). Në Shqipëri kalojnë përmes bjeshkëve të Vokshit, ndërsa kthehen nga drejtimi i Smolicës.
Pas ndërmarrjes së sulmeve të forcave serbe kundër fshatrave të Rekës së Keqe dhe bllokimit të kufirit, me kërkesën e komandantit të Shtabit Operativ të Rrafshit të Dukagjinit (SHORRD), Ramush Haradinaj, Vokshi, për më tepër se një muaj (deri më 1 qershor 1998) u bë aorta kryesore e furnizimit me armë. Andejpari kaluan me mijëra vullnetarë nga gjithë Rrafshi i Dukagjinit por edhe nga mbarë Kosova. Ka ndodhur që vetëm brenda një dite, numri i vullnetarëve që kanë kaluar nëpër Voksh të arrinte deri në 1 800 vetë. Dhe në të dy rrugët, vullnetarët i kanë shoqëruar djemtë e Vokshit, ku të gjithë pa dallim kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në këtë drejtim. Ata morën pjesë në luftime në shumë vija të frontit si në Prejlep, Drenoc, Carrabreg, Sllup, Lloçan etj.
Në ballë të luftës në Voksh – në ”Vietnamin” e Kosovës
Më 1 qershor 1998, për përcaktimin e vijave të frontit në Pobergjë e Voksh kishin shkuar nga Shtabi Operativ i Rrafshit të Dukagjinit, komandanti Ramush Haradinaj, Emrush Xhemajli, Faton Mehmetaj, Naser Shatri e Ali Avdijaj të shoqëruar nga Binak e Murat Mazrekaj nga Vokshi. Mirëpo, paraprakisht gjatë natës, e tërë popullata e fshatit të afërm Pobergjë e kishte lëshuar fshatin dhe ishte shpërngulur në drejtim të Shqipërisë. Po atë natë nga ana e sipërme, forcat ushtarako-policore serbe kishin depërtuar në fshat dhe po plaçkitnin e digjnin fshatin. Grupi i luftëtarëve të UÇK-së që kishte shkuar nga Gllogjani, nuk ishin në dijeni se banorët e kishin lëshuar fshatin, derisa kishin hasur në shtëpitë e boshatisura.
Me t’u vërejtur nga forcat serbe, pa vonuar, fillojnë granatimet dhe sulmi në drejtim të tyre, për të tentuar më vonë të depërtojnë edhe në fshatin Voksh. Atë ditë në Voksh nga një predhë tanku plagosen rëndë Binak Mazrekaj e Faton Mehmetaj. Për në spitalin e Irzniqit, Binakun e tërheqë komandanti Ramush Haradinaj. Luftëtarët e Vokshit i bëjnë ballë me sukses sulmit të forcave serbe, ndërsa në mbrëmje iu vije në përforcim Njësia Speciale “Shqiponjat e Zeza”.
Më 6 qershor 1998, në malet mes Junikut e Vokshit, vritet nga forcat serbe, luftëtari i hershëm i UÇK-së Shaban Mazrekaj, i cili një ditë më parë ishte kthyer nga Shqipëria me grupin e luftëtarëve që kishin sjellë armatimin për nevoja të mbrojtjes së Junikut. Atë ditë plagoset edhe nëna e tij Tima. Bashkëluftëtarët arrijnë ta tërheqin nga vendi i rënies. Më 7 qershor, kur po bëhej varrimi i dëshmorit Shaban Mazrekaj në Voksh, derisa ishte në vëzhgim, luftëtari i UÇK-së Isuf Mazrekaj zihet i gjallë dhe ekzekutohet nga forcat speciale serbe. Edhe sot e kësaj dite konsiderohet i zhdukur. Në UÇK Isufi i kishte të angazhuar edhe katër djemtë e tij, prej të cilëve duhet veçuar Rasim Vokshin (Mazrekaj), i cili gjatë luftës 72 herë iu priu grupeve të furnizimit me armatim për në Shqipëri dhe anasjelltas, pa rënë në prita asnjëherë, pa iu dëmtuar asnjë prej bashkëluftëtarëve.
Duke parë zgjerimin e luftës frontale, Bajram Mazrekaj, vendosë ta braktisë Gjermaninë e të kthehet në Kosovë. Më 2 qershor 1998, niset nga Gjermania dhe arrin në Tiranë. Prej andej, më 9 qershor, hyn në Kosovë, së bashku me bashkëluftëtarët Agim Mazrekaj (dëshmor), Kajtaz Krasniqi, Sali Veseli, Rifat Sylejmani, Lum Haxhiu, Aziz Hyseni, Cenë Aliçkaj dhe rreth 200 luftëtarë të tjerë. Ende pa shkuar në Voksh, shkon në Shtabin Operativ të Rrafshit të Dukagjinit në Gllogjan për të marrë detyrat. Me këtë rast, komandanti i Shtabit, Ramush Haradinaj, Bajramin e emëron komandant të Shtabit Rajonal të UÇK-së për rajonin e Vokshit, njëkohësisht duke e këshilluar dhe duke ia përkujtuar rëndësinë strategjike të Vokshit, duke i thënë se “Vokshi është Vietnami i Kosovës” dhe se duhej mbrojtur me çdo kusht.
Prej 1 qershorit deri më 15 gusht ’98, Vokshi çdo ditë sulmohet nga forcat serbe, por asnjëherë nuk mundën t’i thyejnë vijat e frontit. Luftëtarët e Vokshit, të cilëve iu kishin bashkuar edhe shumë luftëtarë të tjerë të fshatrave përreth por edhe vullnetarë nga Gjakova, Peja, Shala e Bajgorës, Tetova, Kumanova, Presheva e viset tjera shqiptare, nën drejtimin e komandantit Bajram Mazrekaj u bënë bastion i pakalueshëm për forcat serbe. Edhe pse pozicionet luftarake me forcat serbe nuk ishin më larg se 100 metra në vijë ajrore. Edhe pse forcat ushtarako-policore e paramilitare serbe ku morën pjesë edhe njësitë elite të Serbisë përdorën tërë arsenalin e rëndë, raketat tokë-tokë, granatimet e pandërprera dhe helmet kimike-biologjike në sulmet e tyre, nuk arritën ta thyejnë qëndresën e luftëtarëve të lirisë.
Dhe, padyshim, merita të veçanta për këtë qëndresë ka komandanti Bajram Mazrekaj, i cili me vendosmëri të jashtëzakonshme u bëri ballë sulmeve barbare serbe, u bëri ballë të gjitha vështirësive e pengesave që i dolën në organizimin e luftës në këtë anë. Në mbrojtje të Vokshit, më 7 korrik 1998, ra heroikisht dëshmori Agim Mazrekaj, nga Sllupi.
Luftimet e përditshme dhe humbjet e vazhdueshme në Voksh, i pranojnë edhe vet organet më të larta të Serbisë. Madje, për vrasjen e katër oficerëve të lartë serbë, ka diskutuar vet Shesheli në Kuvendin e Serbisë. Bëhet fjalë për rastin kur më 15 gusht 1998, në vendin e quajtur tek Kroni i Llokës në Voksh, njësiti i UÇK-së, i udhëhequr nga Bajram Mazrekaj në luftime me forcat serbe vrasin katër oficerët serbë: majorin Millorad Ragjenoviq (1962), pjesëtar i MUP-it të Verbasit; Zdravko Miskin (1957) oficer i MUP-it të Novi Sadit; kapitenin Dragolub Shukoviq (1960) nga Kovina, pjesëtar i MUP-it të Pançevës; oficerin Gojko Vojinoviq (1958) nga Krushçiqa, pjesëtar i MUP-it të Verbasit.
Nga Vokshi në Koshare
Më 16 gusht 1998, pas rënies së shumicës së pozicioneve të luftës në Zonën e Dukagjinit, luftëtarët e UÇK-së detyrohen ta lëshojnë Vokshin, ndonëse deri atëherë e kishin mbrojtur heroikisht. Më 20 gusht arrijnë në Tropojë. As atje Bajrami nuk pushon për asnjë çast. Ndalet në Papaj, për të bërë organizimin e njësive të furnizimit që do të hynin në Kosovë. Së bashku me Nasim Haradinajn bëjnë mbledhjen dhe sistemimin e armatimit që po e linin bjeshkëve, pas ofensivës së shtatorit, por punojnë edhe në riorganizimin e radhëve. Vëllai i tij, Binaku, që më herët ishte dërguar për shërim në Shqipëri, në fund të shtatorit hyri në Kosovë me grupin e parë të furnizimit së bashku me Xhelal Hajdën – “Tonin” e Selajdin Mullaabazin- “Micin” për të arritur në Shtabin e ZOD-it në Jabllanicë. Binaku sërish u plagos në luftë.
Pas kësaj kohe, Bajram Mazrekaj shquhet veçanërisht në luftën e zhvilluar për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, në pranverën e vitit 1999, në kuadër të Brigadës 138 “Agim Ramadani” të UÇK-së, ku luftuan e vepruan qindra luftëtarë lirie nga të gjitha trojet shqiptare. Tërë mjetet teknike, tërë teknika e rëndë luftarake që u përdor në këtë vijë të frontit kaloi përmes duarve të Bajram Vokshit, i cili nuk pushoi së vepruari ditë as natë. Me admirim e respekt të veçantë për veprimtarinë e tij në Koshare flasin bashkëluftëtarët e tij Nasim Haradinaj, gjenerali Kudusi Lama, Smajl Elezaj, Cenë Aliçkaj e shumë të tjerë. Bajrami mbështetë pa rezervë edhe luftën çlirimtare të UÇPMB-së në Kosovën Lindore dhe luftën e UÇK-omit në Maqedoni.
Pas luftës, Bajrami i kthehet jetës civile. Por as ashtu nuk e lënë të qetë. Ish-hafijet që deri dje e denonconin tek pushtuesit serbë, nuk e kishin harruar avazin e vjetër, tani bënin denoncime të rrejshme tek KFOR-i dhe UNMIK-u, për çka disa herë bastiset, keqtrajtohet por edhe arrestohet e pastaj lirohet “në mungesë të provave”. Ai i përjetoi rëndë edhe arrestimet dhe burgosjet e luftëtarëve të UÇK-së me akuza të pabaza, fyese e poshtëruese. Dhe ishte tepër i zhgënjyer në ditët e lirisë, të cilave ua kushtoi më shumë se 20 vjet të jetës së tij.
Bajram Vokshi gjithmonë e deshi dhe e pati para syve atdheun e vet ku u lind dhe u edukua, por edhe veproi, luftoi dhe e mbrojti denjësisht kur e kërkoi nevoja. Ndërroi jetë aksidentalisht më 24 korrik 2002. Atdheut i shërbeu me tërë qenien deri në frymën e fundit e nuk i mori asgjë, vetëm një copë dhé. Padyshim se Ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë më të re kombëtare, ndaj nderimi për të do të jetë i përjetshëm.
*) Fetnete Ramosaj, gjatë luftës ishte Zëdhënëse e UÇK-së për Zonën Operative të Dukagjinit.

…………………………………………

FOTOGRAFI NGA DITËT E LUFTËS SONË ҪLIRIMTARE

Komandanti i Vokshit Bajram Mazrekaj (i pari nga e djathta në këmbë) me bashkëluftëtarët Kajtaz Krasniqi (i pari nga e majta) e Agim Mazrekaj – dëshmor (ulur). (Voksh, qershor 1998).

………………………………………………………

Veprimtarët e shquar Bajram Mazrekaj e Jashar Salihu, gjatë ditëve të luftës.

===========================================

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura