PASHTRIKU: NASER HAJRIZI, VEPRIMTAR I SHQUAR I LËVIZJES KOMBËTARE

Pashtriku.org, 01. 04. 2012 (Në 31 vjetorin e rënjes së dëshmorit të Kombit Naser Hajrizi) – Naser Hajrizi, si veprimtar i organizuar i Lëvizjes, nga 26 marsi 1981 ka marrë pjesë aktive në të gjitha demonstratat e organizuara në Prishtinë. Më 1 prill, (në ditën e parë të demonstratës gjithëpopullore të organizuar në Prishtinë), bashkë me anëtarët tjerë të familjes ishte i pari në radhët e demonstruesve.
Lindja, edukimi dhe frymëzimi…
     Naser Hajrizi u lind më 07. 07. 1962, nga i ati Beqiri dhe e ëma Fatimja, ndërsa u regjistrua më 29. 08. 1962, në Henc të Fushë-Kosovës. I ati i tij, Beqir Hajrizi, u lind më 1933 në Strofc të Vushtrrisë kurse e ëma, Fatime Saliu’Hajrizi ka lindur më 1935 në Gradicë të Drenasit (ish Gllogocit). Naseri u edukua në një familje patriotike të Strofcit të Vushtrrisë, e cila fillimisht ishte shpërngulur për një kohë në Henc të Fushë-Kosovës, kur Naseri i kishte vetëm shtatë vjeç, dhe pastaj vendoset në Prishtinë. Nga loza e të atit ai merrte shembull në jetë një varg veprimtarësh dhe dëshmorësh të lirisë së atdheut, dhe me këtë rast vlen të veçohet Zymber Hajrizi (xhaxhai i Beqirit), dhe kushërinjtë Hajrizi e Osmani të cilët u vranë nga forcat serbe më 1921, sepse kishin ndihmuar luftën e çetave të Azem Galicës, kurse nga ajo e nënës Shefkije, në Gradicë të Drenasit, ishte i njohur veprimtari i hershëm i çështjes Kombëtare, xhaxhai i saj, Milazim Saliuka-Hyseni, i dënuar më 1949 me shtatë vjet burg, si pjesëtar i Lëvizjes Nacional-Demokratike Shqiptare. Në këtë rrjedhë, i biri i Zymber Hajrizit, Zenel Hajrizi, kishte luftuar në brigadat shqiptare për çlirimin e Kosovës nga fashizmi, pastaj në radhët e kryengritësve të udhëhequr nga atdhetari Shaban Polluzha dhe më 1960 bashkë me Zeqir Hajrizin, (axhën e Naser Hajrizit), dhe dajën e babait të Naserit, Banush Ademin, kanë qenë anëtarë të Organizatës Revolucionare për Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, të udhëhequr nga Kadri Halimi e Ali Aliu, dhe në kuadër të këtij organizmi ata kishin formuar dy aradhe të armatosura në rajonin e Artakollit, të gatshme për veprime luftarake – çlirimtare. Më 1961, Veprimtaria e tyre u zbulua, dhe u dënuan me burg shumëvjeçar. Më vonë dënohen edhe anëtarë të tjerë të familjes së tij, si Jahir e Ahmet Hajrizi etj., kurse kushëriri Hamdi Hajrizi, bie dëshmor në Luftën e fundit – në Opterushë të Rahovecit më 1998.

Naser Hajrizi 1962 – 1981

________________________________

Organizimi i Naserit në radhët e Lëvizjes Kombëtare
     Naser Hajrizi që në moshën 11-12 vjeçare bashkë me Jahir Hajrizin angazhohen nga veprimtarë të Grupit Revolucionar të Kosovës (organizatë ilegale e lëvizjes së atëhershme kombëtare), për bartjen dhe ruajtjen e materialeve konspirative. Në këtë drejtim, Mehmet Hajrizi (pas burgosjes së Kadri Osmanit e Xhafer Shatrit – drejtues i organizatës) në kujtimet e tij për dëshmorin Naser Hajrizi shkruan: „Një mbrëmje të vjeshtës 1973, sapo isha kthyer në shtëpi, erdhi Naseri i vogël te unë dhe më thotë se ai xhaxhi Xhafer (Xhafer Shatri-shën.im) ka udhëtuar diku, por më ka lënë një porosi për ty dhe ma solli një pako me nja 10 – 12 libra të ndaluara dhe disa materiale konspirative të organizatës sonë. I habitur e pyeta ku i kishte mbajtur deri atëherë, por ai si të ishte i rritur më tha se nuk dinte për to askush, as prindërit, sepse kështu ishte porositur. Muajve në vijim, Naseri kishte kryer disa herë shërbime për organizatën, duke dërguar materiale fshehurazi nga një veprimtar te tjetri. Ky ishte angazhimi i parë i një fëmije që më vonë do të bëhet një nga militantët më të mirë të organizatës dhe dëshmor i Kosovës, duke rënë në ballë të demonstratave të vitit 1981.“ Mehmetit i kujtohet mirë, se – Naser Hajrizi kishte organizuar një grup shokësh, si Asllan Pirevën nga Prishtina, Sylë Loshin nga Padalishta e Drenicës, Hashim Hajrizin, dy vajza etj., „me të cilët vepronte kundër pushtuesit nëpërmjet propagandimit të ideve të lirisë dhe me shpërndarje të literaturës e shtypit ilegal.“ Naseri në kohën kur ishte, maturant i Shkollës së Mesme Elektroteknike në Prishtinë, mbante lidhje dhe i furnizonte me literaturë ilegale të organizatës edhe profesorët e vet, Ahmet Qeriqin, Zenun Gjocajn etj. “Naseri ishte një militant i palodhshëm i radhëve ilegale të lëvizjes kombëtare. Në shtëpinë e tij thërriste natën vonë shokët në takime ilegale, ose mungonte shpesh për të shkuar gjetkë në takime me ta. Veprimtaria e tij, sikur edhe e bashkëveprimtarëve të tjerë konsistonte në ngritjen teorike, edukimin atdhetar e politik, zgjerimin e radhëve dhe përhapjen e ideve të luftës për liri.” – shkruan Mehmet Hajrizi.
Pjesëmarrja aktive e Naserit në demonstratat e vitit 1981
   Naser Hajrizi, si veprimtar i organizuar i Lëvizjes, nga 26 marsi 1981 ka marrë pjesë aktive në të gjitha demonstratat e organizuara në Prishtinë. Më 1 prill, (në ditën e parë të demonstratës gjithëpopullore të organizuar në Prishtinë), ai bashkë me anëtarë tjerë të familjes ishte i pari në radhët e demonstruesve. Në kujtimet e tij, Mehmet Hajrizi shkruan: “Më 1 prill, në mbrëmje vonë i kishte thënë axhës së vet, Tahirit, se fitorja jonë tashmë është siguruar, sepse është ngritur në këmbë i gjithë populli bashkë me ne. Ai ia kishte kujtuar edhe njëherë poezitë nga “Këngët e Lirisë” që i pat recituar aq bukur para xhaxhallarëve dhe babait, të cilat përshkoheshin nga optimizmi i fitores së luftës së drejtë të popullit tonë të robëruar. Asnjë nga xhaxhallarët, por edhe babai dhe motra e tij nuk kishin munguar në demonstrata, prandaj kjo i jepte një kënaqësi të veçantë Naserit entuziast.“ Më 2 prill 1981 Naser Hajrizi bashkë me Asllan Pirevën ishin organizatorët e demonstratave të shkollarëve të Elektroteknikës. Dyert e shkollës atë ditë ishin mbyllur, por nxënësit dolën nga dritaret. Në përleshje me kordonin policor, Naseri plagoset, por masa demonstruese marshon drejt qytetit (shkolla ndodhej afër parkut Gërmia, në periferi të Prishtinës). Ai shkon në familjen e Adem Kurteshit, lidh plagën dhe pasi i zë kolegët, vihet në ballë të demonstratës në qendër të qytetit. Pas ndërhyrjes së forcave serbe, demonstruesit ndahen në grupe, njëri prej të cilëve ishte në sheshin midis Bankës Popullore (sot Kryeministria) Shtëpisë së Mallrave dhe Postës, të cilit i prinin Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva. Dy të rinjtë, rreth orës nëntë paradite, ranë dëshmorë me flamurin lart dhe me moralin e pathyer të luftëtarëve të lirisë. Mbi ta shtinë me armë zjarri oficerë ushtarakë të vendosur në objektin e Bankës Popullore të Kosovës.

Rënja e dëshmorëve Naser Hajrizi, Asllan Pireva…
     Mehmet Hajrizi – këtë ngjarje, në kujtimet e tij e përshkruan si vijon: „Më 2 prill rreth orës tetë para dreke, ndodhesha bashkë me vëllain tim, Zeqir Hajrizi, midis demonstruesve para teatrit të Prishtinës. Para se të grumbulloheshim aty, na kishin kërcënuar me tyta armësh oficerë ushtarakë rreth ndërtesës së Kuvendit, por demonstruesit i injoronin duke vazhduar marshimin. Edhe objekti i sotëm i Qeverisë, atëherë i Bankës Popullore, ishte i mbushur përplot ushtarë, të cilët kishin mbërritur gjatë natës. Unë kisha qenë rreth këtij objekti në orën gjashtë të mëngjesit dhe kisha parë ushtarakë të zdërvajur në sallën e madhe të objektit, rrethuar me xhama. Pas gjysmë ore thirrjesh e brohoritjesh të demonstruesve, filluan krismat ngjashëm me mbrëmjen e kaluar, kur na kishin shpërndarë me tym ngulfatës dhe krisma nga të gjitha anët. Por tashti përdornin edhe plumbat, sepse dalloheshin krismat. Një pjesë e demonstruesve u tërhoqëm përgjatë lumit, Vellushës, nga lindja dhe te teatri i sotëm „Dodona“, me alarme dhe në shpejtësi kaluan dy makina, jo të policisë siç menduam në fillim, po të ndihmës së shpejtë. Shkonin në drejtim të spitalit. Pak minuta më vonë thanë se i kishin vrarë dy të rinj në ballë të demonstratës, në sheshin midis Shtëpisë së re të mallrave, Postës së vjetër dhe Bankës Popullore. Kishin shtënë nga objekti i Bankës. Edhe sot duken shenjat e plumbave në shtëpinë dykatëshe kundruall këtij pallati. Më vonë morëm vesh se ishte vrarë Naser Hajrizi dhe bashkëveprimtari i tij, Asllan Pireva… „
Varrimi
     Lidhur me ceremoninë e varrimit të dëshmorit Naser Hajrizi, Mehmeti shkruan: „Me shumë peripeci arritëm që më 3 prill të nxirrnim kufomën e Naserit nga Morgu i Spitalit të Prishtinës, kurse më 4 prill bëmë homazhet dhe ceremoninë e varrimit, duke u betuar të gjithë të pranishmit para trupit të tij lapidar. Betimin po e udhëhiqja unë, pasi kisha thënë disa fjalë për dëshmorin. Vetëm njëri nga të pranishmit, derisa bëhej betimi, thërriste me shqetësim, „amani lëreni këto se po rrezikohemi“. Ato ditë nuk lejonin të shkohet në grup prej tre vetash, kurse në varrim lejonin vetëm katër përcjellës të kufomës. Ne kishim siguruar një kamion të mbuluar, me të cilin shkuam te varrezat e qytetit mbi njëzet vetë. Të tjerët individualisht shkuan drejt varrezave…“
Përkujtimi
     Pas demonstratave të vitit 1981, në vendin ku u vranë heroikisht dy dëshmorët Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva, regjimi komunist ngriti një nevojtore publike me dy hyrje. Sot aty s’ka më nevojtore, por gjer në vitin 2008 aty s’kishte as edhe një shenjë të vogël që të kujtonte historinë e kësaj ngjarjeje. Dhe kjo u bë e mundur vetëm më 2 prill 2008 kur u vendos një pllakë përkujtimore, si kujtim i vendrënjes së tyre. Më 2 prill 1981 në Prishtinë, ranë dëshmorë edhe Xhelal Maliqi e Salih Abazi, më 3 prill në Vushtrri, Salih Mulaku (Zeka) e Ruzhdi Hyseni, ndërsa po të njejtën ditë në Ferizaj bien dëshmorë: Rizah Matoshi e Sherif Frangu. Më 13 Maj në Prekaz, pas një përballje me forcat policore-ushtarake jugo(serbo)sllave bien për të mos vdekur kurrë, Tahir e Nebih Meha, ndërsa më 26 korrik të atij viti në Gjakovë vritet Nesimi Dervishdana.

Lavdi u qoftë të gjithë dëshmorëve të Kombit të rënë në pranverën e madhe shqiptare të vitit 1981!

(Literatura e shfrytëzuar: Mehmet Hajrizi – Kujtimet e mia për dëshmorin Naser Hajrizi, Mars 2010)

>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>

FOTOALBUMI I DËSHMORIT TË KOMBIT NASER HAJRIZI

Naser Hajrizi 1969

__________________________________________

Naser Hajrizi 1970

_________________________________________

Naser Hajrizi 1979

__________________________________________

Naser Hajrizi 1980 – 81

_________________________________________

Naser Hajrizi, në mesin e shokëve të shkollës (i dyti në këmbë nga e majta)

_________________________________________________

Naser Hajrizi – 25 mars 1981.

_____________________________________

Familjarët – te varri i dëshmorit Naser Hajrizi.

_______________________________________________
(Përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org, Sheradin Berisha, 1 prill 2012)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura