BEHXHET SH.SHALA: BUROKRATI ZHBOGAR DHE MIZAT E KALIT!

(Pashtriku, 02. 08. 2012) – Samuel Zhbogar është përfaqësuesi i BE’së në Kosovë. Është zëri i BE-së në Kosovë përmes të cilit njoftohet opininoni i gjerë apo kasta e vdekshme e qytetarisë për vendimet e BE-së se çfarë ka ndërmend të bëjë Serbia. Ajka intelektuale që janë shndërruar në shërbyes civilë të politikanëve në Kosovë që nga viti 1999 dhe politikanët pa të cilët jeta jonë nuk do të kishte kuptim njoftohen për këtë në ndejat e organizuara vetëm për ta. Apo gjatë ecajakeve në qendrat evropiane dhe botërore ku bisedohet “për studimin e fizibilitetit“. Fizibilitetit të leshit! Zhbogari është simpatik në aspektin vizuel por krejtësisht josimpatik gjatë intervistave dhënë mediave të shkruara dhe elektronike! Është i njëanshëm dhe presionin e drejton kah i ligu. Në rastin konkret kah Kosova dhe politikanët e saj. Në intervistën e fundit skajshmërisht ishte transparent.

…………………………….

Zhbogar nis zyrtarisht detyrën në Kosovë…

………………………………….

I lakuriquar fare! Në intervistën në Koha Ditore tregoi se si do të zhvillohen proceset politike në Kosovë. Dialogun mendermethënë teknik midis Borkos dhe Zezditës po e përparon në dialog politik. Në të cilin nuk do të ketë tabu tema apo tema të ndaluara. Dialogu politik do të nënkuptonte edhe bisedimet për Veriun e Kosovës dhe të gjitha temat tjera. Me një fjalë çdo temë do të jetë e lejueshme sidomos nëse për një temë ka vullnet Serbia! Nëse Serbia ka vullnet të bisedojë për statusin e Kosovës atëherë do të gjindet një rrugë dhe një mënyrë të përmbushet edhe kjo e dëshirë e tyre ama e ambalazhuar me delikatesë që të mos del kjo kërkesë krejt nudo! Është e pamoralshme dhe për ne e turpshme të na përplaset në fytyrë ( për ata që kanë fytyrë ) se: ”bisedimet do të vazhdojnë atëherë kur Serbia të jetë e gatshme“! Po duhet me pritë përfundimin e zgjedhjeve në Serbi, formimin e qeverisë serbe dhe me e përshtat me bioritmin seksual të Ivica Daqiqit për rifillimin e dialogut! Po del se Serbia është përcaktuese për dinamikën dhe përmbajtjen e bisedimeve. Neve nuk na pyet askush, vetëm na komunikohet dënimi! Pa të drejtë ankese! Po duhet me pritë nëse Nikoliqi dëshiron të takohet me Jahjagën ose Daqiqi me Hashimin. Nëse këta duan atëherë BE dhe Zhbogar, si bajraktar i tyre në Kosovë takohen me politikanët tanë , pa të cilët jeta jonë nuk do të kishte kuptim dhe do të bisedonin, jo për bisedimet politike me Serbinë por: ”për studimin e fizibilitetit “! Fizibilitetin e leshit! Sepse, nëse do të bisedohej për bisedime politike atëherë do të nënkuptohej se BE po bënë presion politik ndaj politikanëva tanë! Dihet mirëfilli se BE është krua i demokracisë andaj nuk e përdorë presionin si shantazh për detyrim. Sa i përket përfilljes së procedurave demokratike në respektim të vullnetit lirisht mund të thuhet se as Kosova nuk është shumë larg. Madje, kemi një mekanizëm që ia kalon BE-së për vlera demokratike. Kemi Bordin e UP-së që në mënyrën më demokratike të mundshme e zgjodhi rektorin e ri të Universitetit të Prishtinës! Këtu BE duhet të nxjerrë mësim ! Në rastin konkret mund të themi se fotokopja ia kalon origjinalit përkah dhunimit të demokracisë! Zhbogar duket se e ka parasysh indeksin e inteligjencës së një pjese të politikanëve kosovarë ( pozitë dhe opozitë rreth interesit të përbashkuar ) prandaj edhe na ndanë flakaresha majtas – djathtas. Të na thuash se Beogradi është i gatshëm për bisedime politike me Prishtinën dhe duket se edhe në Prishtinë ekziston një vullnet i tillë dhe se kjo është e dobishme për Kosovën është një cinizëm pa krip! Po pse mos të jetë i interesuar Beogradi për bisedime politike kur mbanë nën kontrollë mbi 25% të territorit të Kosovës dhe e ngulfatë jetën në Kosovë gjatë 24 orëve?! Kur ka ngritur barrikada në Veri dhe e paralizon lëvizjen e lirë! E tash ne duhet, përmes bisedimeve politike me Serbinë të negociojmë për tokat tona apo një pjese të Kosovës , aktualisht e okupuar nga strukturat kriminale parapolitike dhe politika e Beogradit?! E kam një propozim konkret për burokratin Zhbogar. Le të na lejojnë ta mbajmë nën kontrollë Kranjska Gorën, Portorozhin dhe Mariborin pastaj mund të bëjmë bisedime politike për këto territore të Sllovenisë sa të dojë dhe kur të dojë! Arsyetimi se do të bisedohet për sundimin e ligjit në Veri, lëvizjen e lirë, sigurinë në Veri dhe rolin e strukturave paralele (cilësim i burokratit Zhbogar) janë përpjekje për të mëshehur qëllimin e vërtetë, trajtim ndryshe të kësaj pjese të okupuar të Kosovës duke amnistuar krimin dhe kriminelët. Në veri nuk ka struktura paralele por struktura kriminale! Sundimi i ligjit nuk bëhet nëse ai nuk zbatohet në atë pjesë të Kosovës. Këtë e kanë penguar ndërkombëtarët duke mos lejuar hapjen e Gjykatës së Qarkut atje. Lëvizjen e lire e pendojnë barrikadat e de Marnakut dhe Ivanoviqit. Midis urës në Mitrovicë. Dhe të tjera! Barrikadat në urën e Mitrovicës është përmendore e turpit e atyre që pengojnë largimin e saj dhe që pengojnë organet e rendit të Kosovës ta largojnë ate! Sigurinë atje po e rrezikon Serbia me njësitë paramilitare të ndihmuara edhe nga disa kriminelë shqiptarë. Të politikës dhe ata ordinerë! Që për interesa të tyre të ngushta po bëhen përmendore e turpit!
Modelet dhe modeluesit
Duhat ta pranojmë se jemi në fazën kur: ”na ka plasur marrja“. Kur nuk turpërohemi nga asgjë. Prandaj edhe, pasi kemi shpallur pavarësinë e Kosovës si: ”shtet Sovran dhe i pavarur“ po flasim për modele e rregullimit midis Kosovës dhe Serbisë. Po flitet për modelin e dy Gjermanive, modelin e Irlandës, ate të Tirolit, modelin e Honkongut, pajtimin gjermano – francez etj.etj. Dikush, i njohur si mashtrues ordiner deshi ta bëjë Veriun si Dubain! Jemi në situatë që po na shalon kush të dojë! Është e qartë se ata që ofrojnë modele për Kosovën janë jashtë Kosovës, në qendrat e vendosjes. Ndërkaq si sfilatistë i përdorin disa politikanë që janë lodhur fare. Të cilët po mbahen me pyka, paterica! Dhe të cilët pashmangshëm do të shtrihen për tokë! Pse Serbisë nuk po i ofrojnë këto modele për rregullimin e çështjeve të brendshme të saj?! Apo Maqedonisë e cila i plotëson të gjitha kushtet për zbatimin e të gjitha modeleve të mundshme! Deri kur Kosova do të trajtohet si qenushi apo miu eksperimental?! Zoti Zhbogar “ nuk përzihet në çështjen e koalicioneve të mundshem (duhet të jeshë së paku i krisur e të besosh këtë) sepse kjo na qenka çështje e brendshme!! Ama për bisedime politike duhet një koalicion gjithpërfshirës! Lehtë e kuptueshme. Të shpërndahet përgjegjësia dhe fajësia! Të përlyhen të gjithë në mënyrë që të krijohet një “ paqe “ pas rezultateve të bisedimeve teknike! Të shndërrohen të gjithë në nëna të Sokratit! Apo, siç thotë miku im i madh dhe i paharrueshëm , zotni Dell të bëhen të gjithë të pastër si “ nëna e Cesarit “! Prandaj, mund të shkohet edhe në një qeveri teknike në të cilën të gjithë teknikisht do të pranonin çdo zgjidhje për Kosovën. Pa Vetvendosjen ndonëse Zhbogar foli fjalë miradie për zbutjen dhe konstruktivitetin e tyre. Me gjasë të gjithë do të koritemi! Ndërkombëtarët do të pranonin koalicionin PDK – AAK + pakicat vetëm me një kusht që LDK edhe nëse nuk bëhet pjesë e koalicionit atëherë të jetë konstruktive dhe jokundërshtuese! Edhe ashtu, kur ta rreh pyka – pykën askush në LDK” nuk do të dalë në mal për të kundërshtuar rezultatet e bisedimeve politike! Për Ismetin nuk mund të garantoj se po i jepë shumë flake kësaj pune! Micë sokola të tjerë në LDK unë nuk besoj se ka! Edhe këta të tjerët që po brohorasin parolla “ Zhivot damo, Trst ne damo “ do të digjen në flakën e tyre! Në rrenat e tyre!
Ku po e shpenzojmë energjinë
Në kohën kur punët i kemi llugë dhe po na rrjedhë në katër anët të gjithë energjinë po e shpenzojmë duke bërë përpjekje t’i nxjerrim sytë njëri – tjetrit. Thuaja se i kemi të gjitha punët në dyzen! Shtet kurrkund dhe ne i hapim dosjet tona. Kërkojmë koka të tjera! Thuaja pak kemi pësuar! Gjithmonë, në çastet kritike na e kanë punuar kështu! Nuk është e rastit dosja për krime politike pikërisht në këtë kohë! As raporti i Dik Martit! As raportet tjera! Që do të bëhen publike, varësisht se si do të rrjedhin bisedimet. Me Serbinë! Pikërisht këta që në këtë kohë po e hapin dosjen e vrasjeve politike kanë informata të shumta se kush i ka kryer këto krime! Si dhe kush i ka kryer krimet ndaj figurave të shquara të UÇK-së. Kështu, e kanë hedhur hilen midis nesh prandaj po veprojmë si korbat! Po të kishim shtet, nuk do të kishte fare nevojë të hapen dosjet për krime politike ndaj LDK dhe UÇK dhe të bëhen dallime. Sepse shteti i vërtetë i heton, zbulon dhe dënon të gjitha krimet. Kështu, mbetet ta vazhdojmë spiralen e dhunës dhe krimeve midis nesh! Jam i bindur se ka kriminel në pushtet por edhe në opozitë! Që për ta ruajtur apo marrë pushtetin janë në gjendje të bëjnë çdo krim. Që shesin banane, organe dhe vet shtetin! Shpresoj dhe jam i sigurt se askush që ka bërë krime nuk do t’i shmanget drejtësisë. Nëse i shmanget kësaj tokësore atëherë kurrë asaj qiellore! Por, shumë prej tyre do ta paguajnë këtu, në tokë. Pak do të mbeten për atje lart!
Dy këshilla nëse më lejohet:
1. Për zotin Zhbogar: Sillu si dashnor i mirë dhe pushtoje zemrën me sharm dhe gjentilencë. Ata që duan t’i shalosh presin nga ju të dashuroni dhe shaloni në mënyrë demokratike. Jo të na dhunoni. Sikur në intervistën në Koha Ditore.
2. Për zotin Thaçi: Nëse takoheni me zotin Daqiq pash të Madhin Zot mos folni në gjuhën serbe. Se nuk po ua rrokë fare. Folni në gjuhën kineze. Edhe ashtu vendimet merren tjetërkund. Jo në bisedime! Në fund të fundit nëse ju detyrojnë të flisni në gjuhën serbe merreni dikend nga shoqëria civile që i keni integruar në institucione që ju rrethojnë sepse ata shohin ëndërr të flasin këtë gjuhë qiellore. Nëse edhe këtu nuk keni njeri të përshtatshëm rentojeni dikend nga stafi i presidentes apo sipas Isait, Atifetes. Atje e keni, “Jugosllavia u malom “apo Jugosllavia e Vogël! Ju këshilloj që në asnjë mënyrë mos ta merrni zotin Pacollin për përkthyes! Arsyeja: përkthimi në gjuhën serbe do të jetë i shkëlqyeshëm por do të keni problem me gjuhën shqipe!
Miqësisht, Behxhet Sh.SHALA


01 gusht 2012 Prishtinë

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura