GJOKË DABAJ: MISIONI PËRKUSHTUES I PËRKUJDESJES GJITHSHQIPTARE

Durrës, 28. 03. 2016: Ndonëse, në platformën që tashmë është publikuar shumë herë, falë angazhimit shumë të përkushtuar të mikut tim, atdhetarit, historianit dhe publicistit, Sheradin Berisha, përsëri dalin kërkesa, krejt të natyrshme, për t’i përimtuar, detajuar, disa nga aspektet e kësaj platforme.
Përkujdesja Gjithshqiptare është një organizëm PËRKUSHTUES ndaj Kombit dhe Atdheut. Po nuk u kuptua kështu, si një organizëm PËRKUSHTUES, si mision PËRKUSHTUES, Përkujdesja Gjithshqiptare nuk mund as të krijohet, le më të ekzistojë për një kohë të gjatë, siç është edhe synimi ynë. I gjithë Kombi duhet ta shikojë Përkujdesjen Gjithshqiptare si një formë organizimi, ndaj së cilës ka secili detyrimin e vet permanent, të përhershëm, dhe, si pasojë, çdo individ, pjesëtar i këtij Kombi, ka një përfitim shumë të madh, edhe personalisht, në kohën kur ai jeton, por edhe të trashëgueshëm brez pas brezi.
Secili shqiptar, ose edhe me prejardhje shqiptare, por që dëshiron t’i rikthehet Kombit të vet, duhet të kontribojë EDHE FINANCIARISHT, ndryshe s’ka as si të funksionojë, as si të mbijetojë një organizëm, jo madhor, siç po duam ne ta kemi, por as i përmasavet krejt të vogla. As edhe një shoqatë, sado e kufizuar, nuk mund të gjallojë pa një formë FINANCIMI. Asnjë parti nuk funksionon dot pa suporte FINANCIARË. Asnjë religjion me bazë mistike, sado që besimtarët, pjesëtarë të atij religjioni, besojnë në një FUQI të mbinatyrshme, prapëseprapë, nuk mund të ekzistojë pa një FINANCIM, dmth, pa FUQINË, e cila del prej xhepit të besimtarit. A mund të ndërtohet një kishë pa para?!
A mund të ndërtohet një xhami pa para?!
A mund të ekzistojë një seli partie pa para?!
Pa para nuk mund të funksionojë as edhe një shoqatëz e vockël, për mbrojtjen e fazanëvet apo gjirafavet, që rrëzikohen për t’u zhdukur.

Rrjedhimisht, në qoftë se Kombi Shqiptar e ka kuptuar më në fund se është i RRËZIKUAR (sepse ngushtimi, të mos flasim për të mëparshmit, por vetëm ky i kohës së re filluar prej vitit 1878, s’tregon tjetër, veçse RRËZIK ZHDUKJEJE), ai, pra Kombi Shqiptar, doemos duhet edhe të mobilizohet PËR TË SHPËTUAR. Ndërsa duhet ta dimë tashmë që shpëtimi prej ngushtimit dhe prej asgjësimit vjen vetëm e vetëm duke e krijuar këtë organizëm IDEOLOGJIK kombëtar, që unë e kam quajtur PËRKUJDESJA GJITHSHQIPTARE. Ndoshta do të mund të quhej edhe ndryshe, por funksioni mbetet po ai: Të ruajë Kombin nga SHPËRBËRJA! Të ruajë Kombin nga SHKËRMOQJA! Të ruajë Kombin, sepse është vërtet e jashtzakonshme, si ka shpëtuar ky Komb deri tani, pa një organizëm INSTITUCIONAL vetëmbrojtës.
Mirëpo, kur themi që secili pjesëtar i këtij Kombi duhet të japë edhe kontributin e vet FINANCIAR, me qëllim për të bërë të mudur realizimin e këtij synimi, duhet, në anë tjetër, të përcaktohen RIGOROZISHT normat se si do t’i administrojë paratë e popullit UDHËHEQJA e Përkujdesjes Gjithshqiptare. Po të mos ketë UDHËHEQJA një regjim financimi, rigorozisht të përcaktuar, në funksion të interesit gjithkombëtar, është krejt e kuptueshme që as kontribuesit nuk do të jenë dhe s’ka si të jenë të gatshëm të kontribojnë. Vetëm atëherë kur populli ta shohë dhe të bindet që paraja e tij nuk shkon për të trashur barkun e predikuesvet dhe të Kryesisë së Përkujdesjes, vetëm atëherë atij nuk do t’i dhimben paratë. Në të gjitha kohët, masat njerëzore kanë dhënë para kryesisht në 3 mënyra: ose e kanë parë të mirën, levërdinë e kontributit, ose janë gënjyer me lloj-lloj demagogjish, ose u janë rrëmbyer paratë me marifete gjoja “legjislativë”.
Udhëheqja e Përkujdesjes Gjithshqiptare, meqë i ka vënë vetes qëllim QË TË KUJDESET për secilin shqiptar, në mënyrë që të vihet në rrugë të mbarë jeta e Kombit, ajo është e detyruar t’i vendosë në radhë të parë VETES rregulla të forta. Vetëm kjo mund t’i sigurojë Përkujdesjes Gjithshqiptare, edhe zgjërimin e suksesshëm, deri në përfshirjen e krejt Kombit, edhe jetë të gjatë, deri sa të ketë kombe në planetin Tokë.
Himni ynë Kombëtar thotë: “Se Zoti vetë e tha me gojë,/ që kombe shuhen përmbi dhe/. Por ne nuk u shuam dhe nuk duam të shuhemi, sepse po ky Himn i yni, në mënyrën më vendimtare, jo vetëm na mbush me krenari, por edhe na OBLIGON: “Po Shqipëria do të rrojë,/ Për te, për te luftojmë ne!/”
Prandaj edhe po krijohet Përkujdesja Gjithshqiptare dhe prandaj udhëheqja e kësaj Përkujdesjeje duhet t’i IMPONOJË vetes RREGULLA SHUMË TË FORTA MORALE, DISIPLINORE e rrjedhimisht edhe FINACIARE.
Të gjithë anëtarët e udhëheqjes, si dhe administrata, natyrisht që do të marrin një rrogë. Rrogat e udhëheqjes, duke respektuar një shkallë hierarkie, nuk duhet të shkojnë më lart se rrogat e një kryetari parlamenti, as të bien më poshtë se rrogat e një nëpunësi bashkie apo komune.
Në Udhëheqjen e Përkujdesjes Gjithshqiptare, siç dihet, hyn Kryesia prej 9 anëtarësh dhe një armatë predikuesish nëpër Fjalëmirat e Gjuhë Shqipe, të cilat synohet t’i kemi sa më shumë.
Me qëllim për t’i kryer punët sa më mirë, pranë udhëheqjes është e domosdoshme dhe krejt e natyrshme të funksionijë edhe një administratë sa më efektive. Gjithkush duhet ta dijë që, të përkujdesesh për Kombin, nuk është punë e lehtë. Prandaj edhe janë të domosdoshme disa rregulla strikte.
Rregulla nr.1 e krejt kësaj udhëheqjeje dhe e krejt kësaj administrate është që, asnjë pjesëtari, qoftë i zgjedhur, qoftë i punësuar, NUK I LEJOHET TË KETË ASNJË TË ARDHUR TJETËR MONETARE, PËRVEÇ RROGËS dhe kjo do të thotë që, në krye të këtij organizmi gjithkombëtar shqiptar do të jenë kryesisht intelektualë nga shtresa më e gjërë e Kombit. Do të jenë INTELEKTUALË TË PËRKUSHTUAR. (Sepse dihet që ka gjithfarë “intelektualësh”).
Kjo është absolutisht e domosdoshme për 2 arsye:
– E para, që të mos mund të mbulohet, me anë të një veprimtarie të dytë ekonomike, ndonjë lloj abuzimi me fondet e Përkujdesjes, dhe
– e dyta, që anëtari i Përkujdesjes të mos e humbasë kohën me angazhime të tjerë.
Në qoftë se ndodh (dhe duhet të ndodhë) që dikush prej udhëheqësvet është aksioner në një veprimtari prodhuese, ndërtimore, tregtare etj, (dmth, I PASUR), ai është i detyruar që, të gjitha të ardhurat monetare prej aksionevet të vet dhe prej pasurisë së vet, t’i konservojë, t’i ngrijë ose t’ua lërë të afërmvet, për aq kohë sa është në udhëheqje të Përkujdesjes, ose, gjë që do të ishte më e mira, t’i derdhë të ardhurat veta në arkën e Përkujdesjes.
Dikujt mund t’i duket e çuditshme një e këtillë kërkesë, madje mund të duket absurde, mirëpo, Përkujdesja nuk mund të veprojë kurrsesi ndyshe. PËRKUSHTIMI ndaj idealevet të Përkujdesjes nuk mund të realizohet ndryshe.
Këtu nuk kemi kurrfarë shpikjeje. Njihen qysh prej 2000 vjetësh murgjit e krishterë, të cilët hiqnin dorë nga çdo lloj pasurie dhe i kushtoheshin besimit të vet. Në shumë familje feudale, si rregull, njëri djemsh shkonte në manastir dhe nuk merrte asgjë nga pasuria e prindërvet apo e vëllezërvet. Ndërkaq, vetë feudalët u dhuronin manastirevet toka, prodhime të ndryshëm ose para, dhe në këtë mënyrë mbahej në këmbë besimi të cilit ata i ishin përkushtuar.
Përkujdesja Gjithshqiptare nuk është një religjion mistik, por është një ideologji e Kombit, e cila ka zënë fill qysh me Rilindjen tonë Kombëtare dhe, qysh në atë kohë i ka pasur të përkushtuarit e vet, të cilët jo rrallë kanë dhën edhe jetën.
Udhëheqësit dhe të punësuarit te Përkujdesja natyrisht që do të merren me gjithfarë veprimtarish INTELEKTUALE. Ata do të merren me muzikë, me sport, me teatër, me letërsi artistike, me histori, me etnografi, me gjuhësi, me folklor, me arkeologji, me jurisprudencë, me shkenca të natyrës, me etikë, me sociologji, me gazetari, secili sipas prirjevet ose sipas kërkesavet që ka puna, por, për që të gjitha këto, do të ketë një RREGULL TË PËRBASHKËT: Të ardhurat prej krijimtarisë së tyre INTELEKTUALE do të shkojnë rigorozisht në arkën e Përkujdesjes, për aq kohë sa ata të jenë në një post të Përkujdesjes. Pasi të jenë larguar nga funksioni, normalisht në moshën 60-65 vjeç, por mundet edhe më herët, sipas rastit, vetëkuptohet që krejt të ardhurat, që do të realizohen në vazhdim, do të jenë të tyret. A shkelet këtu e drejta e autorit? Shkelet, me dashjen e vetë autorit, por si do të shprehet ndryshe IDEALI i një njeriu që jetën ia ka kushtuar Kombit?! Ç’përbën kjo sacrificë në krahasim me sakrificat e mijëra dëshmorëvet që kanë rënë për larinë e këtij Kombi?!
Një anëtari të udhëheqjes ose të punësuari te Përkujdesja, i lejohet të ketë vetëm 1(një) banesë në pallat, ose vetëm 1 (një) shtëpi familjare, e shumta 2-katëshe, ndërtuar me kursimet nga rroga ose trashëguar. Nuk lejohet të ketë 2 shtëpi, shtëpi dhe vilë pushimore etj etj. Pra, vetëm 1 (një) shtëpi dhe kjo është e mjaftueshme për jetën modeste të një udhëheqësi të Kombit. Rreth shtëpisë mund të ketë edhe një bahçe për kohë të lirë, por jo të nxjerrë të ardhura monetare prej saj.
Një anëtari të udhëheqjes ose të punësuari te Përkujdesja, i lejohet të ketë vetëm 1 (një) makinë personale, por edhe ajo të jetë modeste, me çmim nën mesataren. Do të mund t’i lejohej një makinë më luksoze vetëm në e pastë blerë para se të vinte te Përkujdesja. Gjithsesi, në mungesë të veturës, do të ish e lavdërueshme që, një udhëheqës ose i punësuar te Përkujdesja, të përdorte një biçikletë, një motor ose thjeshtë të lëvizte me autobus urban.
Një udhëheqësi, pra, një anëtari të kryesisë apo një predikuesi në një Fjalëmirë të Gjuhës Shqipe, ose një të punësuari te Përkujdesja, nuk i lejohen sende luksi: orë dore të shtrenjta, zinxhirë floriri të shtrenjtë, diamante etj etj. Një njeri i përkushtuar ndaj çështjes kombëtare nuk rend pas luksit. Nuk është fjala këtu për ndonjë figurë asketi, por është fjala për figurën e prijësit të një populli, shumica e të cilit nuk mund të “shijojë” kurrfarë luksi.
Një anëtari të udhëheqjes ose të punësuari te Përkujdsja, nuk i lejohet kurrsesi të merret me lojëra fati, me llotarira, me kumar e me forma të tjera abuzimi me të ardhurat monetare, nuk i lejohet kurrsesi përdorimi i drogës, pirja e duhanit dhe përdorimi i tepruar i alkolit. Përkushtimi dhe angazhimi në Përkujdesjen Gjithshqiptare është një punë tepër SERIOZE. Njeriu që i kushtohet kësaj pune, qoftë grua, qoftë vajzë e re, qoftë djalë i ri, nuk ka të drejtë ta “përkëdhelë” vetëveten me gjithfarë tekash e vesesh. Një udhëheqës i Përkujdesjes Gjithshqiptare duhet t’i luftojë veset dhe tekat te secili shqiptar. Por, si do ta kryejë këtë punë te të tjerët, kur të mos jetë rigoroz ndaj vetëvetes?!
Për batakun e homoseksualizmit, as për flliqësinë e pedofilisë, nuk besoj të ketë nevojë t’u bëhen shumë sqarime shqiptarëvet. Homoseksualizmi është krim i individit ndaj vetëvetes, pedofilia është krim ndaj species njeri. Që të dyja këto sëmundje të ndyta e nxjerrin njeriun jashtë rendit të vertebrorëvet.
Gratë, nuset, vajzat, pjesëtare të udhëheqjes apo të punësuara te Përkujdesja, do t’u shmangen veshjevet të quajtura ekstravagante, si dhe veshjevet që pasyrojnë ndonjë traditë të tejkaluar. Funde shumë të shkurtër dhe veshje të tjera që ekspozojnë në mënyrë provokuese kofshët, dekoltetë me gjokse të zbuluar dhe forma të tjera të lakuriqësimit, apo, në krahun tjetër, ferexhe dhe mbulim fytyre. Ndaj të gjitha këtyre Përkujdesja duhet të tregojë kujdes për t’i shmangur, duke praktikuar më shumë veshje të stilizuar kombëtare dhe veshje serioze qytetare.
Një udhëheqës i Përkujdesjes apo një i punësuar te Përkujdesja, duhet të jetë bir(bijë), prind dhe bashkëshort RIGOROZISHT I MORALSHËM. Biri dhe bija të kujdesen për prindërit, prindërit të kujdesen për fëmijët, bashkëshortët t’i qëndrojnë besnikë njëri-tjetrit, përndryshe nuk mund të bëhen as udhëheqës, as nëpunës të Përkujdesjes.
Përkujdesja Gjithshqiptare do të reagojë shumë ashpër ndaj secilit shkelës të normavet të parapërcaktuara morale dhe financiare. Vetëm kështu mund t’i sigurohet Kombit Shqiptar një rrugëtim i denjë drejtë një së ardhshmeje më të mirë.
Kombi Shqiptar është komb i vështirë. Këtë e kanë pohuar, në një formë apo në një tjetër, shumë studiues dhe njerëz të tjerë të letravet. Është i vështirë, sepse secili shqiptar është botë më vete dhe mendje më vete, herë njeri i madh, herë i vockël e mizerabël, herë i përzier dhe tragjikisht kontradiktor. Në Kombin Shqiptar ka talente të jashtzakonshëm, ka njerëz me pasione të zjarrtë, ka kokëfortë e kokëshkretë, ka kuturisës të marrë, aventurierë dhe rrëzikues të jetës, pa u thelluar fare te pasojat. Ka të pakujdesshëm deri në kufijtë e absurdit. Sot u vranë 3 djem të rinj në një aksident rrugor në Gosë të Kavajës. Si nuk menduan pak për nënat, të cilat, deri sa të vdesin edhe vetë, kanë për t’i larë faqet më shumë me lot se me ujë?!
Një komb të këtillë nuk është e lehtë ta çosh në rrugë të mbarë, duke i kultivuar anët e mira dhe duke e larguar prej të këqiavet. Ndaj një kombi të këtillë nuk është e lehtë të përkujdesesh dhe një kombi të këtillë nuk është e lehtë t’ia fitosh zemrën. Prandaj Përkujdesja Gjithshqiptare është e detyruar të vendosë rregulla shumë të forta në radhë të parë ndaj vetëvetes. Megjithkëtë, asnjë prej këtyre rregullave nuk e çon Përkujdesjen tonë, as në asketizëm, as në puritanizëm. Çdo gjë mbetet në kufijtë më racionalë të së pranueshmes dhe të së ZBATUESHMES krejt normale, nëse duam të konsiderohemi komb i mençur.
Gjokë Dabaj, 19-26 mars 2016
______________________

Më poshtë lexoni të plotë këtë platformë në formatin “PDF”:
GJOKË DABAJ: PLATFORMË – PËRKUJDESJA GJITHSHQIPTARE

https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/gjoke%20dabaj%20plaforme%20perkujdesja%20gjithshqiptare.pdf

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura