Tiranë, 23. 05. 2016: Këto ditë, pas mbushjes së formularëve të dekriminalizimit, ka filluar të japë frytet e para të informimit publik Ligji i Dekriminalizimit. Opinioni publik, me këtë rast, është njohur me shumë të zgjedhur të dy niveleve të të zgjedhurve të pushtetit, atij qendror e lokal, të cilët kanë ndryshuar emrat e tyre më së paku nga dy herë-katër herë dhe me ata që kanë pasur probleme me drejtësinë e brendshme apo të jashtme. Vlen për t’u theksuar fakti se edhe ata që thërrisnin me të madhe ‘kapeni hajdutin’ dolën në dritë të diellit se kishin shumë hajdutë mes veti. Ky fenomen vërehet tek kreu shpirtëror i kupolës blu, që përflitet se ka ndrruar datlindjen i përfshirë nga deliri i madhështisë dhe trashëgimisë enveristo-ramiziste, deputetët e të dy krahëve e të gjitha ngjyrave, tek një gjysëm duzine me kryetarë bashkish të zgjedhur apo një numër akoma edhe më i madh këshilltarësh lokalë të zgjedhur. Me gjithë këtë numur të frikshëm të personave të zgjedhur nga militantët dhe votuesit, të vetdeklaruar si të dyshuar me pashaportë kriminale, persona më së pari të përzgjedhur nga ana e lidershipit të tre forcave kryesore politike parlamentare, përsëri mendohet se nuk ka transparencë në deklarime me shumë të tjerë sosh dhe, kësisoj, numri i tyre mund të jetë akoma më i madh, fakt që tregon se në ç’kënetë gjallon politika e sotme.
Sigurisht që ky ligj e kjo transparencë e ka bërë me dhimbje koke sistemin dhe lidershipin politik në vend dhe është një tregues i trishtë që shfaq gjithë thellësinë e mahisjes së themeleve të tij bazë dhe që tregon, gjithashtu, bashkëjetesën e politikës si profesion e kategori morale me krimin e shumfishtë dhe me mafien e brendshme e atë ndërkombëtare. Ka një perceptim të përgjithshëm se mandati aktual qeverisës i të dy niveleve, është më i korruptuari në këto 25 vjet dhe me këtë kurbë rritëse në dy mandatet e fundit, situata mund të precipitonte akoma edhe më keq në mandatet e ardhshme, aq sa panorama shumë shpejt mund të ishte e përmbysur dhe kriminelët ordinerë mund të sundonin në shumicë absolute të gjitha institucionet. Kësisoj vendi ynë në një të ardhme të afërt mund të ngjante me ato kabaretë e Perëndimit të Largët në filmat western të John Wayne dhe Clint Eastwood ku ligjin do ta bënin kriminelët e halabakët. Ishte ky trend pritës shumë i frikshëm, i dashuruar ndër vite, hera herës me kujdes e kamuflazh e hera herës hapur, së pari nga Sali Berisha dhe më pas nga Ilir Meta e Edi Rama i cili, i ndjerë i kërcënuar nga falangat blu të sofistikuara të kriminelëve (kujtoni deklaratën e Berishës që, “Po të dua unë e mar qeverinë me Mamurrasin”) thirri në ndihmë kriminelët rozë si simbiozë me politikën, si ilaç makjavelist për të rrëzuar Berishën me çdo çmim, pa e menduar se ilaçi do të bëhej më i rrezikshëm nga sëmundja. Por dashuria politike me një kriminel ngjan me shprehjen ‘Zura një hajdut, unë e lëshoj por tani s’më lëshon ai’. Shikoni si ju ka mbetur në dorë së fundmi dopio gjashta aleancës së vjetër Berisha-Meta me krimin e vjetër të hashashit në jug, pas ndërhyrjes së strukturave antimafie të fqinjëve dhe asaj ndërkombëtare.
Thirrjet e Berishës ‘ujku, ujku’ nuk kanë vlerë sepse gjithë jugu e di se miqtë e kujt kanë qenë e janë zyrtarët kriminelë të shtetit nën akuzë ndërkombëtare me qendër në Sarandë. Madje tani ata që kërkohen mund të jenë zhdukur e varosur fizikisht për të marrë me vete informacionet e funksionimit të kartelit të drogës e kontrabandës nga viti ’97 e deri më sot. Amatorët buzëqumësht të profesionit të politikës vjen një moment që e kanë shumë të vështirë t’a kontrollojnë mafien të cilës ja hapin derën me shumë lehtësi, pa u merakosur për perspektivën, vetëm e vetëm që të kalohet një moment me objektiva personale e egoistë për të marë pushtetin.
Por meqenëse vendi aspiron të hyjë në struktura më të gjera integruese, faktori perëndimor që ka marë përsipër anët proceduriale të integrimit, nuk mund të bashkëveprojë me vende që kanë standarte të tilla thellësisht të papranueshme për vlerat e qytetërimit perëndimor dhe ky faktor i fuqishëm, i detyroi me nisma ligjore prapsuese aventurierët tanë; ky faktor kthjelloi lidershipin tonë politik dhe i bëri të kuptonin se ata i kishin kaluar cakun e vijës së kuqe e duhej të korrigjoheshin.
Megjithë paralajmërimet e tyre para fushatës zgjedhore për të korrigjuar shënjestrën me kandidatët e tyre të përzgjedhur në drejtim të partive kryesore, këto, nga rrëmbimi, inercia e mbrapshtë dhe fitorja me çdo kusht e mënyrës ndaj ‘armikut’ të llogores tjetër, këto nuk reaguan pozitivisht e nuk përmirësuan biografitë penale e morale të kandidatëve dhe antarësisë së tyre drejtuese. Madje, më së paku, nga ana e të zgjedhurve në Kuvend, para zgjedhjeve lokale kishte patur një praktikë thellësisht zhgënjyese dhe një rrjedhje prej 2 – 3 antarësh të saj, nga krahu i majtë, për motive kriminale e ordinere dhe ky shkak i fortë për kujdes e tërheqje, përkundrazi, kishte shërbyer si tagji për t’u egërsuar akoma edhe më shumë në drejtimin e mbrapshtë, duke sjellë dekurajim e pesimizëm për opinionin e shëndoshë publik dhe monitoruesit ndërkombëtarë dhe shtim të zërave vajtues ‘Se ky vend nuk bëhet!’.
Po kush është arsyeja e thirrjes në shërbim të kontigjenteve kriminale nga treshja Berisha-Meta-Rama? Ethet për pushtet, sigurisht. Po çfarë mjetesh kanë ata në dorë që bëhen të domosdoshëm për t’u thirrur nën armë nga politika? Po krimi përse ka nevojë nga politika?
Sigurisht që këto kontigjente thirren në teren dhe më pas punësohen në institucionet qendrore të shtetit për të bërë presion ndaj njerëzve të ndershëm e profesionistë e për të tjetërsuar rezultatet zgjedhore apo produktin ligjor të institucioneve. Mjetet e tyre janë paraja, koburrja dhe të punësuarit në bizneset e tyre të shumta që gjallojnë si kërpudhat me para të pista dhe në një zonë gri apo të zezë kriminale të ekonomisë. Mbështetja e tyre do të thotë thithje të më shumë fondeve që lipsen për propagandë nga ana e partive kryesore parlamentare dhe më shumë vota për to në terren, duke ja pakësuar ato sa më shumë kundërshtarit me anë të kërcënimeve.
Shkurt, këtë situatë do ta kishin zili çdo vend gjysëm diktatorial e gjysëm ushtarak ose thellësisht autokratik në Amerikën Latine ose në ishujt e Oqeanit Indian e atij Paqësor, por në Ballkan, Evropën Juglindore, një zonë gjeografike që quhet ‘barku i butë i Evropës’, situatë që lidhet me cilësinë e superstrukturës së shtetit, që nuk mund të tolerohet nga BE dhe perëndimi i qytetëruar. Ndërsa krimi ka nevojë për politikën për të siguruar krahët, për të qenë i qetë në pastrimin e parave, për shtimin e tyre me anë të trafikut të influencës dhe vjedhjes së tenderave e licencave të shfrytëzimit të resurseve të vendit, për të zhvilluar trafiqe e aktivitete të zeza kriminale, për të mposhtur konkurrentët apo armiqtë e tyre rivalë nëpërmjet instrumentave shtetërorë.
Perëndimi mban përgjegjësi për këtë zonë që monitorohet e mbikqyret për nivelin cilësor të sistemit dhe shtetit të së drejtës, sidomos pas Luftës në Kosovë dhe zaptimit të Krimesë ku duket se Rusia dhe perëndimi janë marë vesh për predominancat e tyre përkatëse gjeostrategjike në politikën e jashtme. Kjo është arsyeja pse, ashtu si gjatë 45 viteve të Luftës së Ftohtë, vendet në perëndim të Perdes së Hekurt bënë një diferencë të madhe cilësore me ato të lindjes për ekonomi, drejtësi e liri të individit, perëndimi është e do të jetë i ndjeshëm për vlerat themelore e shtetin e së drejtës në Shqipëri. Edhe sot, kjo garë vlerash mes perëndimit, ku aspiron të integrohet populli ynë, dhe vendeve që nuk duan të përfshihen në këto struktura politiko-ekonomike, edhe në vazhdim do të jetë lakmuesi që do të tregojë superioritetin e njërës palë ndaj tjetrës dhe kjo është një garë shumë e ndjeshme për konkurentët.
Ligji i Dekriminalizimit dhe Reforma në Drejtësi, që po nxiten nën presionin e ndërkombëtarëve, rregullojnë vetëm ‘çatinë’ e sistemit. Por sistemi ka veç saj edhe themelet (Kodin Zgjedhor dhe Kuvendin që rrjedh prej tij), muret (qeverinë) dhe dritaret (mediat që fusin dritën në skutat e errëta të saj për publikun). Nuk mjafton vetëm rregullimi i ‘çatisë’. Gjithshka duhet të fillojë me themelet e sistemit që është Kuvendi i cili duhet të jetë produkt i një Kodi Zgjedhor perëndimor e modern ku vendosen filtrat për të zgjedhurit dhe mënyrën e të zgjedhurit, ku subjektet konkuruese nuk vidhen, siç ndodh tek ne me disa mënyra, deri në lëkurën e shtatë (mendoni se mbi 40% të votave janë të papërfaqësuara e të tjetërsuara për shkak të Kodit aktual).
Shkurt, pa një Kod Zgjedhor të drejtë për të gjitha palët, ka gjasa që fenomenet negative të përsëriten dhe çatia e riparuar mund të fillojë të fusë përsëri ujë. Mjafton të theksojmë faktin se shumica e atyre që ka kapur çarku i Ligjit të Dekriminalizimit kanë filluar të justifikohen dhe të thonë se, megjithëse ata kanë qenë të punësuar në llagëmet e bordellove të krimit, ata përsëri janë të ndershëm. Në ligj, me sa duket enkas, nuk është lënë një institucion ligj-zbatues për të ndjekur me tolerancë zero minjtë e krimit të ngjitur në politikë nga shefat e tyre përkatës dhe për të investiguar vërtetësinë e deklarimeve të çdo subjekti të ligjit.