REXHEP KASUMAJ: SERBI E RE, SERBI E VJETËR!

Berlin, 19 prill 2018:
1.
E kryquan sepse shpalli të vërtetën dhe sepse refuzoi dhunën. Gjaku i tij mblodhi mëkatet dhe shelboi njerëzimin që pret ditën e uruar të riardhjes shpëtimtare.
Kjo, në fakt, është Udha dhe Shpresa krishtërore e njeriut. Udha – për të jetuar në dashuri dhe shpresa – se nuk do jetë i humbur kur kurmi do t’i kthehet pluhurit.

Por çdo të ndodhte në mijëvjeçarët që vinin? “Jezui nuk është dikush që thotë po – e mendon jo” (2.Kor.), flet Mësimi dhe, sikur paralajmonte se do ketë shumë oshënarë që do t’i përulen devotësisht me gojë, e në mëndje do bluanin prapsitë dhe trathtinë ndaj tij.
2.
Një skenë teatrale mohimi, e zezë si turpi dhe e mnershme si vdekja, zhvillohet në Gadishullin e nëmur Ballkan.
Transportuesi, një shpirtshkretë i skamur, nuk pendohet. Apo të përjetojë një moment lucid për të parë me dyshim rolin e tij. Jo, jo. Ai është i mashtruar, dhe, ndaj, i zhgënjyer. Kishte marrë përsipër misionin apokaliptik për të bartur eshtrat e 800 shqiptarëve të vrarë nga ushtritë serbe – burra, gra e fëmijë, nga Kosova e djegur. Për mbetjet e tyre trupore ishte gatitur, tashmë, një varrezë e humnershme në Batajnicë të Serbisë. Gjurmët duhej të zhdukeshin dhe ky, ndërkohë që fëmijët shqiptarë do i linte në gropën e errtë, si shpërblim satanik, do akomodohej me familjarët e tij në një apartament luksoz në Belgrad. Çfarë asimetrie komplementare! E tillë që ndrynë në vete gjithë cinizmin dhe tragjikën e dramës rruzullore..!
Por e kishin gënjyer dhe ai, nga mëllefi i hakmarrjes, kishte rrëfyer gjithçka.
Politika e kadifenjtë proeuropianiste në stolisjen e saj, do heshtte atë ditë e sot. Askush s’do thoshte një t’vetme fjalë. Dhe ja, një kreni kombëtare që latohet dhe një ndërgjegje kolektive që prehet qetësisht mbi krimin, bëjnë postamentin e paprerë të shtetit serbian. Tash e 100 vjet.
Por nëse shteti vuan rezonin e ftohtë mizor, ku mbenë, vallë, mëkëmbësit e Jezuit që i përfalen me aq patos e përvujtní flijimit të tij?
Ah, janë aty ku nuk duhej kurrë të ishin: në epiqendrën e së Keqes. Asnjë çast a rast të vetëm, Kisha serbe s’do t’a dënojë masakrën e jetëve të pafajshme njerëzore. Përkundrazi. Do nismëtojë ngritjen e një Kishëze pranë kufomave shqiptare, kësaj qelekulle të shekullit të ri, duke e përgëzuar mundtarët që paskëshin derdhur zell, djersë e mund fluturak. E ata kjenë askush tjetër, pos pikërisht eshaloni i vdekjes në Kosovë.
Si mund t’a heshtë, t’a përtallë e t’a poshtërojë Tempulli i perëndisë krimin kundër njeriut, kur ai nuk është serb? Dhe, madje, të glorifikojë dorën vrastare dhe mjeshtërinë ndërtimtare të falangistëve të ndërkryer?!
Mirëpo Irinej asjëherë s’ka dëftuar as më të voglën gjasë të syefaqshme për të fshehur djallin brenda palësh të vrugta të pelerinës së tij. Athua është një ekzemplar i veçuar ndër kierarkë e traditë të Kishës serbe? Aspak. Dhe pararendësi Pavle, që mbahej jetëdashës me moton e njohur humane “Të jemi njerëz”, ish përpjekur rrejshëm të mbulonte ftyrën e vërtetë. Megjithë mundimin që i ndihte figura e paktë, e lodhur e butësore, në kohët e vështira do griste maskën lajthitëse. Ndaj dhe në fillimvitet e shpartallimit të Jugosllavisë, kur serbianët shihnin ëndërr rajhun e madh, i miri Pavle që predikonte njerëzishmërinë, thoshte: e drejta arrin deri në gjatësinë e shpatës.
3.
Tani kjo është Serbia që, e tillë, troket pa ndjesi faji, në portën e Europës dhe, po kjo, me të cilën shqiptarët duhet të bëjnë pajtimfaljen historike.
Dhe, ndryshe nga gjermanët, shpresa e një serbi të ri, nuk duket në horizont. Ariozofia nuk pati gjenealogji të lashtë. Ishte një fragment që do shpërthente e do shuhej shpejtësisht. E përgjithmonë. Gjithë keqardhje e ndjesë kolektive. Madje, pati dhe një sanksionim ligjor denacifikimi të shoqërisë së re politike gjermane. Ndërkaq, ekspanzioni serb që marshon mbi vdekjen e tjetrit, nuk është një intermezo shkurtane. E denjë për harrim. Ajo ka imanencë e frymëzim programor, të vjetër sa vetë nacioni ardhacak serb. Është vetë kuptimi ekzistencial i tij. Nuk do gjejmë, prandaj, as katarsis, as arkivim mendësie, as ndalim ideologjie dhe as faqe të re ardhmërie. Gjithçka është unike dhe njëjtësore. E ndryshme është vetëm koha dhe bizhutë e saj.
Që këtej, si provë koherence fatkeqe, edhe kur bën retorikë paqeje, Presidenti i saj, i paçliruar kurrë nga vetja, e kjo dmth. nga doktrina e testamentuar e etnocidit, nuk harron të përsërisë refrenin bizantin: do bëjmë paqe, së paku për 200 vjet.
E pastaj? Pastaj, mesazhon ai tërthoras, nëse kartat e motit të ri janë me ne, do vijmë prapë. Atje, në votrën e vjetër të krimit, për të provuar sërish projektëndrrën e gjeostrategut Cvijiq: jemi popull i burgosur dhe ose do dalim në det, ose do vdesim!

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura