ILJASA SALIHU: CILA FYTYRË FSHIHET PAS MASKAVE?

 (Shkup, 06. 03. 2013) – Edhe i marri mendon rreth marrëzisë së tij, por këtë e bën pasi ta kryen marrëzinë, kështu do të thoshte Rusoi. Teksa Rishelje e shihte luftën, syhapur shihte në ëndërr paqen dhe mirëqenien e kombit francez. Ndërkaq, botëkuptimi i shtetarëve tanë me vështirësi thumbon në këndellje. Edhe pas kryerjes së malit të marrëzive e teksa shohin paqen mendojnë luftën, ata sërish mbeten brenda rrethit të mbyllur, ku me fanatizëm i mbrojnë gabimet e tyre. Prej këtu fillon edhe të shihet deti i antagonizmave që e kanë kapluar shoqërinë tonë. Vetëm në suaza të kësaj mendësie problemet pandehen të mbulohen me krijimin e një problemi të ri. Kriza financiare në Maqedoni mëton të krahasohet dhe të arsyetohet me paraqitjen e krizës gjithandej në botë, thuajse para kësaj krize ky vend paska qenë në mirëqenie ekonomike. Paraqitet ulja e papunësisë dhe realisht askund nuk shihen hapjet e reja të vendeve të punës. Rritet në fletën e bardhë, Prodhimi i Përgjithshëm Vendor edhe pse njëkohësisht dëgjojmë prej njohësve të rrethanave ekonomike në vend, se kemi rënie të prodhimit industrial, ngase paratë publike në vend të gjallërimit dhe nxitjes së prodhimit vendor, ato shkojnë për ndërmarrjet tregtare, dobia e të cilëve, përpos shlyerjes së detyrimeve ligjore që ka shteti ndaj tyre, është një mbështetje e mirë politikisht, sidomos në prag të zgjedhjeve. Këtu luhet me numra nominal vetëm për ta fshehur gjendjen reale ekonomike. Madje për t’i vërë maska amullisë dhe krimit ekonomik në rritje, dikujt iu kujtua krijimi i problemeve ndëretnike përmes paraqitjes së njerëzve të dhunshëm me maska.

Maskat i shihen, nami i duket dhe pasojat i fshihen prej atyre që janë me fytyrë të zbuluar. Fytyrë ka, por nuk ka fytyrë ta shprehë haptas arsyen e dhunës, edhe pse nuk gjendet arsye për përdorim të dhunës. Gjithësesi, në mungesë të arsyes që do ta prekte ndërgjegjen ndodhin dhunime, rrahje, montime, burgosje të pafajësive, pse jo edhe vrasje të porositura, nën hijen e të cilave qëndrojnë ata që nuk u duken fytyrat, edhe pse janë të përthekuar me një bjeshkë fytyrash.
Një ditë rrihet Blini i njomë dhe me erë pjekurie prej të rriturve me erë kafshërie. Ditën tjetër sulmohet një femër me mbulesë islame prej atyre që urrejnë çdo gjë që është ndryshe prej tyre. Ditën tjetër gjakosen disa të tjerë prej të tjerëve. Policia dhe gjyqësia e ka ndërmend të ndërhyjë, edhe pse në disa fotografi pamë policë të ngrirë teksa shikonin njërin me flamur maqedonas të mbështjellur për qafe duke i mëshuar me shkop një qytetarit shqiptar, ky një kalimtar i rastit. Disa shqiptarë të mllefosur me këtë anarki në prani të policisë dhe të gjyqësisë, vrrullshëm dolën në protesta, fillimisht paqësore me një përfundim jo të tillë.
Vetëm pas kësaj harlisje, shërbimi policor filloi t’i rrethojë me ngjyrë të kuqe shqiptarët që ditën e shtune kishin prishur rendin publik. Vetëm ditën e diel mbretëroi qetësia. Duket se shkaktarët e derdhjes së gjakut, kishin shkuar atë ditë t’i rrëfeheshin për pastrim mëkatesh dikujt, që as vetën nuk mund ta pastronte prej njollave të tilla. Të hënën sërish dëgjuam për një vajzë që ishte sulmuar me thikë prej maskave. Zëdhënësi i policisë sërish raporton për derdhje të sërishme të gjakut dhe spitali sërish mbushet me të lënduar të çastit. Dikush thërret për gjakftohtësi në këtë pranverë të parakohëshme. Mirë e ka, por vargani i rasteve praktikisht po i thotë se keq e ka. Maskat ashtu sikurse ujqërit që e duan mjegullën, ngjashëm janë duke e shfrytëzuar këtë rrëmujë. Maska mund të jetë edhe krejt dikush tjetër krahasur prej atij që çdo shqiptar mund ta ketë në mendje si përfytyrim. Mu në kësi lloj rastesh, të marrët i shfrytëzojnë disa llogari të papastruara më parë!
Dukuria e maskave rëndom nuk është e pranishme vetëm tek ata që si horra mbjellin frikë në shoqërinë shqiptare. Maska mund të kenë edhe ata që për çdo ditë të bukur paraqiten si “shpëtues” të kësaj katrahure. Madje ata mund të jenë hija e atyre që sot gëlojnë sikur të jenë insekte dhe vezë insektesh nën plehun e moçëm.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura