Tiranë, 3. 6. 2016: Javët e fundit kemi ndjekur me shqetësim një kusht të paprecedent i vendosur për popullin e Kosovës sa i takon përfitimit të lëvizjes së lirë në zonën Shengen.
Mbasi Republika e Kosovës i plotësoi të 100 kushtet e kriteret e vendosura, edhe pse ato qenë ndryshe dhe më shumë se për të gjitha shtetet e tjera që morën liberalizimin e vizave,
BE vendosi një kusht shtesë:
T’i jepet Malit të Zi një pjesë e territorit të Kosovës!
Ky është një kusht i padrejtë, i paarsyeshëm dhe denigrues për çdo shqiptar.
Subjektet politike parlamentare në Kosovë protestuan pa ndalur për më shumë se 7 muaj kundër këtij copëtimi të mëtejshëm të trojeve shqiptare në favor të fqinjëve.
Mbi 205 mijë qytetarët të Kosovës nënshkruan për hedhjen poshtë të marrëveshjes.
I kërkojmë Qeverisë së Republikës së Kosovës të mos pranojë kushte që e vendosin vendin në pozicione të disfavorshme krahasuar me vendet e rajonit dhe me vlerat e normat e deklaruara të BE-së. Qeveria e Kosovës nuk është as e shtrënguar as e legjitimuar të pranojë kushte të padrejta dhe të pabarabarta krahasuar me shtete të tjerë.
I kërkojmë qeverisë së Republikës së Shqipërisë të mos jetë indiferente ndaj copëtimit të mëtejshëm të territoreve shqiptare, por të përdorë, deri në shterim, të gjitha mundësitë e saj për të ndaluar një kusht të padrejtë, të dëmshëm dhe të paprecedent lidhur me lëvizjen e lirë të njerëzve.
Demarkacioni i kufirit është çështje midis dy vendeve sovrane, Kosovës dhe Malit të Zi dhe nuk mund të bëhet peng për marrëveshje ndërkombëtare që Kosova lidh me palë të treta, në këtë rast me vendet anëtare të marrëveshjes Shengen të BE-së.
Qeveria e Republikës së Kosovës, Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe shqiptarët në tërësi duhet të ndalojnë krijimin e precedentit që për çdo të drejtë anëtarësimi në marrëveshjet evropiane t’iu japin territor fqinjëve.
– Kufiri i Kosovës me Malin e Zi nuk është çështje formale, është çështje drejtësie,
– nuk është çështje teknike, është çështje politike,
– nuk është çështje burokracie, është çështje sovraniteti,
nuk është vetëm çështje e Kosovës por është çështje shqiptare.
Tiranë, 3 qershor 2016
….
139 Nënshkrime: