Durrës, 28. 09. 2016: (Fjalim i pamundur në OKB dhe në Samitin e Vjenës) – Historia njeh pa fund: mure, gjerdhe e ledhe, që nga mijëra muret e ledhet e fortesavet, që nga Muri i Madh i Kinës, që nga Muri, i vogël, por i bujshëm, i Berlinit, e deri te këta të sotmit gjerdhe, midis Hungarisë e Sërbisë apo midis IRJM-së dhe Greqisë.
Në OKB u fol shumë për krizën e refugjatëvet. Në Vjenë u kërkua dhe u miratua, me sa duket, ndërtimi i të quajturvet „mure“, për ta penguar fluksin e papërmbajtshëm të refugjatëvet. Kryeministri i Austrisë tha: „Nuk do të vendosin trafikantët për emigracionin, por do të vendosim ne.” Zgjidhja e tij ishte: Të “sigurohen” (me “mure”) kufijtë e jashtëm të BE-së. Kandidati për president në SHBA, Z.D.Tramp, ka kohë që ka folur për një “mur” në kufirin midis SHBA-së dhe Meksikës. Z.A.Merkel kumtoi: “Do të kthehen në vendet nga kanë ardhur ata emigrantë që nuk kanë pasur arsye për të emigruar.” Me këtë rast, Z.A.Merkel nuk e pat parasysh faktin që ata emigrantë u kanë paguar pikërisht trafikantëvet, ta zëmë, nga dhjetë mijë euro, për të arritur deri në Gjermani dhe që mijëra të tjerë do të vërshojnë pa pushim drejt së quajturës Botë Perendimore, me “mure” e pa “mure”. As Z.A.Merkel, as edhe ndonjë politikan tjetër, nuk po duan të bëjnë analiza shkencërisht të sakta: Pse po ndodh kështu?!
Pse po vërshojnë, Lindja e Mesme, Afrika, Gadishulli i Ilirisë, por edhe Amerika Latine, Rusia etj, drejt Evropës Perendimore, drejt SHBA-së dhe drejt Kanadasë?! A thjeshtë sepse po bëhet luftë atje diku?!
Nëse do të shtrohej seriozisht kjo pyetje, atëherë me siguri do të shihej në mënyrë krejt ndryshe edhe kërkesa për të ngritur “mure”.
Ngrini “mure”, do të thuhej, për të mos u grumbulluar KAPITALI FINANCIAR në Evropën Perendimore dhe në Amerikën Veriore! Ngrini “mure” për të mbajtur kapitalin financiar atje ku ai krijohet dhe do të shihni se si nuk do të ketë më vërshim emigrantësh, as në kufirin Meksikë-SHBA, as nëpër ujërat e Detit Mesdhe, ku po mbyten me mijëra fëmijë e gra! Ndaloni nëpër aeroporte ngarkimin e thasëvet me kartmonedha! Ndaloni transaksionet e bankavet nga vendet ku shiten mallrat në vendet ku prodhohen ata mallra dhe do të shihni se nuk do të ketë më tragjedi Lampeduzash, paralamëruese kasandriane të tragjedivet më të tmerrshme planetare! Dëgjojini Kasandrat, o zotër të kështjellavet paragrumbulluese!
Sa vetura dhe mjete të tjerë transporti shesin Evropa Perendimore dhe Amerika Veriore në vendet që aktualisht i kanë përfshirë ethet e emigrimit?! Ku po i çojnë paratë e mallravet të shitur Evropa Perendimore dhe Amerika Veriore?! Po i çojnë në Evropën Perendimore dhe në Amerikën Veriore. Atje po duan të shkojnë edhe popujt: për të marrë paratë veta!
Evropa Perendimore dhe Amerika Veriore po shesin avionë, po shesin topa, po shesin anije (lufte dhe civile), po shesin tanke dhe lloj-lloj mjetesh të blinduar, po shesin makineri bujqësore, po shesin rroba e këpucë, makina qepëse, pajisje elektroshtëpiake, lodra për fëmijët, shtypshkronja, letër shtypshkrimi, pajisje elektronike, telefona celularë, kompjutera, po shesin ilaçe, po shesin impulse, po shesin, po shesin, po shesin.
Kujt po ia marrin paratë? Popujvet të botës! Ku po i çojnë ato para? Në Evropën Perendimore dhe në Amerikën Veriore!
Nëse ato para do të mbeteshin atje ku shiten mallrat që i përmenda, dhe nja një mijë a njëqind mijë lloje të tjerë mallrash, a do të vraponin popujt drejt të këtilla “parajsave”, si Evropa Perendimore dhe si Amerika Veriore?! Me cilat para po ndërtohen ato “parajsa”?! Me paratë e vendevet ku prodhohen, apo me paratë e vendevet ku shiten ata mallra?!
Mbajini paratë atje ku shiten mallrat, ndërtoni “mure” për të mos ardhur këto para në vendet ku prodhohen mallrat, nxirrni ligje që vetëm kapitali-bazë të mund kthehet në vendet e prodhimit, ndërsa fitimi të mbetet në vendet ku shiten mallrat, dhe do të shihni që nuk do të ketë më krizë refugjatësh! As krizë refugjatësh dhe as kriza të tjera që vijnë rresht, pas këtyre të refugjatëvet!
A është vështirë të kuptohet kjo aritmetikë?! Nuk është aspak vështirë! Atëherë përse nuk e shtroi dikush këtë problem të madh botëror, as në Asamblenë e OKB-së, as në Samitin e Vjenës?!
Nuk e shtroi askush këtë anë të problemit, sepse bota e sotme është totalisht e paaftë për t’i trajtuar dhe për t’i zgjidhur problemet nga themeli.
Në SHBA, në Kinë, në Evropën Perendimore, në Rusi, në Japoni, industrialistët dhe zotëruesit e kapitalevet, NUK INTERESOHEN PËR FATIN E NJERËZIMIT. Për fatin e njerëzimit, përfshirë aty edhe fatin e vetë atyre! Ata interesohen vetëm për mënyrat si e si të grumbullojnë sa më shumë fitime! Por kjo është filozofi e hienavet, aspak largpamëse, as deri te fati i vetë atyre, qoftë edhe i një dite më vonë.
Bota e sotme po i “mjekon” plagët, duke i gërvishtur në sipërfaqe dhe duke i lyer me lloj-lloj melhemesh që u ka kaluar koha, e pakta nga Hiroshima e këndej. “Mjekime” të cilët s’bëjnë tjetër, veçse krijojnë terren për t’u përhapur edhe më keq të gjitha sëmundjet sociale.
Zonja La Garë, për shembull, me siguri e di çka do me thënë, në epokën e një armatimi kaq të frikshëm bërthamor, QARKULLIMI I LIRË I KAPITALIT. Por a ia mban asaj ta thotë me të madhe atë që di?! Edhe sikur ta thoshte, kush do ta dëgjonte?! Kush do t’ia vinte veshin?! Kështu ndodh me të gjithë ekonomistët dhe me të gjithë sociologët e botës së sotme. Nuk ka, nuk ekziston një mendim intelektual botëror, i cili do të përpiqej t’i analizonte, me thellësinë dhe largpamësinë e duhur, rrjedhat negative, të mbarsura me rrëziqe katastrofikë.
Pas të gjitha këtyre që thamë, nuk na mbetet tjetër, veçse të kuptojmë që botës po i afrohen KRIZAT FINANCIARE TË PAPËRBALLUESHME. Në të vërtetë “të pëballueshme” VETËM ME NJË LUFTË TOTALE BOTËRORE! Sa po vjen e po shihet gjithnjë e më qartë që njerëzimi nuk po tregohet aspak i aftë për t’i zgjidhur problemet para se të ndodhin katastrofat.
Të gjithë shenjat po tregojnë që këto gjëra do të mbeten për t’u trajtuar dhe zgjidhur vetëm pasi të ketë ndodhur katastrofa e madhe. E kjo do të thotë që, të këtillë problem, do t’i mbeten për t’i trajtuar e zgjidhur me themel vetëm asaj pjese të njerëzimit që do të mbijetojë pas kasaphanës bërthamore.
Dëgjojini zërat e Kasandravet, sado të veçuar qofshin ata zëra!
26 shtator 2016 – Gjokë Dabaj.