DR.JAKUP KRASNIQI: KUSH DHE PSE PO MANIPULON ME NUMRIN E VETERANËVE?

Prishtinë, 06. 10. 2016: Në emisionin Info 3 të RTK3, ku morën pjesë Rexhep Selimi, Nuredin Ibishi, Xhevdet Qeriqi dhe Faton Klinaku, të datës 4 tetor 2016, u trajtua çështja e listave të veteranëve të Luftës Çlirimtare. Shkas për të shkruar këtë reagim u bë njëri nga mysafirët e emisionit, deputeti Nuredin Ibishi. Ai, në deklaratat e tij publike, në vend që të kontribuonte në ndriçimin e shumë çështjeve, hodhi pluhur dhe dezinformoi opinionin publik duke shpalosur shifra për numrin e ushtarëve për Zonën Operative (ZO) të Llapit. Ato shifra janë të pavërteta për pjesëmarrjen e njerëzve në luftë dhe si të tilla tejet të dëmshme për të ardhmen e vendit. Prandaj, si ish-anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, si Përfaqësues Politik dhe Zëdhënës i saj e ndiej për obligim t’i them disa fjalë.
Nuk kam asnjë dyshim se papërgjegjësia kryesore për gjithë këtë gjurulldi rreth listave të veteranëve e të invalidëve të luftës qëndron te puna e Komisionit Qeveritar për verifikimin e listave. Me veprimet e veta ky komision i ka shkaktuar dëme të pariparueshme vendit, si në planin moral e politik ashtu edhe në atë financiar për disa dekada me radhë.
Ligji mund të mos jetë i mirë dhe mund t’i bëhen shumë vërejtje. Dihet se ky ligj është miratuar nën presion dhe problemi nuk qëndron këtu. Problemi kryesor është te mosrespektimi i ligjit, te shkeljet e tij flagrante. Këtij komisioni nuk duhet t’i lihet asnjë mundësi e korrigjimit. Madje-madje, ky komision duhet të hetohet nga Prokuroria e Shtetit. Megjithatë, në këtë kontekst shtrohet pyetja: A do të guxojë të merret me krimin e organizuar rreth listave të “veteranëve” e të “invalidëve ” të luftës prokuroria, që deri tani është marrë me fshehjen e krimeve të ndryshme e jo me ndriçimin e tyre. Dhe jo vetëm kaq, kjo prokurori si dhe ajo e EULEX-it më shumë janë marrë me kërkimin e veprës penale aty ku nuk është sesa aty ku ishte dhe është. Komisioni Qeveritar e ka bërë një vepër penale, e cila do të ketë pasoja afatgjata për shtetin.

Le t’i kthehem çështjes për të cilën e nisa këtë reagim timin. Pse nuk pajtohem me deputetin e LDK-së? Deputeti Nuredin Ibishi e përmendi një shifër marramendëse për numrin e ushtarëve në ZO të Llapit, mbi 4 mijë ushtarë e 800 të plagosur në luftë!!! E them me përgjegjësi se ato shifra janë më shumë se marramendëse. Nuk e kam të qartë, se në çfarë cilësie foli Nuredin Ibishi, në cilësinë e anëtarit te Komisionit Qendror, te pjesëtarit e drejtuesit të luftës apo në cilësinë e deputetit .që duhet ta përfaqësoi me dinjitet veten, kombin e shtetin. Jam më se i sigurt se më atë që ai e mbrojti, mashtron opinionin për luftën, shkel rëndë në të drejtat e veteranëve e te invalidëve të luftës, dëmton rëndë të sotmen dhe të ardhmen e kombit e të shtetit.
Pse po e them ketë?
Me 8 janar 1999, kur në ZO të Shalës janë kapur tetë ushtarët e Armatës Serbe, me një delegacion të Shtabit të Përgjithshëm(SHP) të UÇK-së ishim në shtabin e ZO të Llapit në Llapashticë. Në atë rast jam njoftuar se numri i përgjithshëm në atë Zonë nuk i kalonte as 1000 (një mijë) ushtarë dhe atë me armatim jocilësor. Do të isha më se i kënaqur që të dëgjoja nga deputeti i sotëm dhe Komandanti i djeshëm i Brigadës, kur dhe në çfarë rrethana u katërfishua numri i ushtarëve? Vërtet do të kisha dëshiruar ta dëgjoj argumentimin e tij! Gjendja e përafërt është edhe në të gjitha ZO të luftës. Gjithnjë po flas, jo për njerëzit që e ndihmuan luftën, se ai numër mund ta arrijë edhe shifrën mbi 100.000 veta. Por, kjo është temë tjetër. Ligji ka qenë bërë menguti, për t’ju mundësuar një jetë të dinjitetshme veteranëve dhe familjevetë tyre, të atyre veteranëve që ishin të papunë e pa të ardhura të tjera. Dhe assesi për t’i shpërblyer votuesit e partive politike. Siç është vepruar, nuk ndihmohet askush! Kështu mund të ushqehet vetëm vesi më i keq i njeriut, dembelia ose parazitizmi! Papunësia, dembelia, parazitizmi nuk krijojnë kombe e shtete të pasura.
Fola e shkrova vetëm për njerëzit nën armë, madje edhe në mes këtyre pjesëtarëve duhet të bëhen specifikime. Nuk mund të trajtohen njësoj, si ata që vepruan brenda kufijve të Kosovës, si ata që gjendeshin jashtë Kosovës. Por, kjo çështje u përket institucioneve të shtetit. Komisioni Qeveritar e kishte këtë obligim, por ai fatkeqësisht dështoi dhe dështoi tepër keq! Për ketë ai duhet të vihet para drejtësisë!
Ndërsa, ajo që e tha deputeti Rexhep Selimi, i cili në kohë lufte ishte Inspektor i Përgjithshëm i SHP të UÇK-së, është në përputhje të plotë me realitetin e asaj kohe. Për ketë meriton të përgëzohet për korrektësi e përgjegjësi! Njerëzit e këtij niveli është dashur të jenë pjesë, mbase edhe drejtues të Komisionit Qeveritar. Deputeti Ibishi duhej të ecte në gjurmët e deputetit Selimi e jo në gjurmët e Komisionit Qeveritar i cili ka degraduar gjithçka.
Këto lista nuk janë të veteranëve e as te invalidëve te luftës, janë lista zgjedhore të partive politike dhe përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë. Përgjegjësit kryesorë janë në dy qeveritë e fundit dhe në majat e institucioneve te shtetit.
Veteranët e Luftës Çlirimtare duhet që të jenë më të zëshmit për pastrimin e listave. Veteranët duhet të protestojnë për pastrimin e listave, si të veteranëve ashtu edhe të invalidëve. Kjo është ne interesin e tyre, ne interesin e shtetit dhe në interes te së vërtetës historike.
Veteranët duhet ta dinë se në kulaçin e tyre i kanë edhe më shumë se nga tre parazitë!
Zëri im i protestës duhet të shihet në kuadër të ndriçimit të gjërave në interes të veteranëve e të invalidëve të vërtetë të luftës dhe shtetit për të cilin kemi sakrifikuar si komb!
Për shtetin më parë duhet kontribuar në mënyrë që pastaj të kesh moral dhe të drejtën për të kërkuar!
Krejt në fund. Edhe sikur gjatë këtyre 17 viteve, asnjë luftëtar i lirisë mos të kishin qenë: në TMK, e tani në FSK, i inkuadruar në Policinë e Kosovës, në administratë, në arsim, në biznese e shkuar në Botën e Jashtme, ku numër i veteranëve i lajmëruar për pension nuk do të duhej të ishte?!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura