SHERADIN BERISHA: KONTRIBUTI I AFRIM ZHITISË NË SHTYPIN ILEGAL (DOKUMENTE ARKIVORE)

Pashtriku.org, 02. 11. 2106: Afrim Zhitia (1965 – 1989) si student i filozofisë dhe sociologjisë në UP, ka studiuar shumë libra të kësaj fushe, në mesin e tyre edhe kompletin e librave të filozofit gjerman Hegel (Georg Wilhelm Friedrich Hegel 1770 – 1831) në gjuhën kroate, të cilat i ndihmuan miërfilli në formimin e mendimit të tij filozofik për situatën politike, në rrafshin kombëtar, për zhvillimet dramatike nëpër të cilat po kalonte Jugosllavia e AVNOJ’it, si dhe për proceset dhe sfidat 45 vjeçare të luftës së ftohtë (1945 – 1990) midis dy superfuqive të botës (SHBA – BRSS).
Rrjedhimisht në vitet 1988 – 1989, Afrim Zhitia kishte shkruar shumë analiza e studime (ka edhe në dorëshkrim), të cilat botoheshin në shtypin ilegal, dhe si të tilla lexoheshin dorë më dorë nga nxënësit, studentët dhe profesorët.

Afrim Zhitia (1965 – 1989)

Në vitin 1989, pedagogu, ekonomisti dhe politikani kroat, Branko Horvat (1928 – 2003) ka botuar librin “Kosovsko pitanje, Globus, Zagreb – 1989” (Ҫështja e Kosovës). Afrim Zhitia pasi e kishte studiuar në detaje këtë libër, përmes një analize të shkruar i kundërvihet pikëpamjeve të B.Horvatit, për shpëtimin e Jugosllavisë nga shpërbërja, (përmes disa reformave sipërfaqësore), si dhe konceptit të tij politik për zgjidhjen joadekuate të çështjes së Kosovës. Në këtë kuadër Afrim Zhitia, (edhe si udhëheqës i Komitetit Drejtues të organizatës ilegale) i përcillte me kujdes manifestimet shoveniste serbomëdha të Millosheviçit në Kosovë dhe kësaj fryme antishqiptare i kundërvihej edhe përmes shkrimeve të botuar në shtypin ilegal (Rruga e Lirisë, Zëri i Kosovës etj), të cilat i përgatiste dhe i nxirrte me bashkëveprimtarët e organizatës.
Në nr.3 të buletinit “Rruga e lirisë” (qershor 1989) që nxirrte “Zëri i Kosovës” (organ i LPRK’së), Afrim Zhitia boton analizën me titull: “Manifestimet serbomëdha me rastin e 600 vjetorit të betejës së Kosovës – janë turpi i Jugosllavisë”, ndërsa në buletinin “Rruga e lirisë” nr. 4, korrik – gusht 1989, boton artikullin e radhës me titull: SHFUQIZIMI I LIGJIT PËR KOLONISTËT – FUQIZIM I RIKOLONIZIMIT”…
Në 27 vjetorin e rënies së Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, portali pashtriku.org, e boton të plotë këtë analizë.
***
SHFUQIZIMI I LIGJIT PËR KOLONISTËT – FUQIZIM I RIKOLONIZIMIT

Në vazhdim të shkeljes së të drejtave të cilat populli ynë i fitoi me luftë e përpjekje të mëdha është edhe shfuqizimi i Ligjit për ndalimin e kthimit të kolonistëve në Maqedoni dhe Kosovë që qe aprovuar më 1945.
Ҫ’është e vërteta ky shfuqizim tani për tani është “vetëm propozim”, të cilin Kuvendi i Serbisë i bëri Kuvendit të RSFJ, por shtrohet pyetja se cili qe ai “propozim” i klikës serbe kundër shqiptarëve që nuk u bë vendim i organeve më të larta federative?
ishin pikërisht “vetëm propozime” të Serbisë heqja e Flamurit, autonomisë, burgosja e vrasja, ndjekja dhe persekutimi i qindra e mijëra njerëzve të popullit tonë të cilat u bënë pa përjashtim vendimet e shtetit jugosllav. Jugosllavia ndaj Serbisë u soll si prostituta ndaj myshteriut të vet: “dëshira jote është urdhër për mua”.
Ҫka fshihet prapa këtij propozimi të serbomëdhenjve?
Me këtë akt synojnë që t’i kenë duart e lira për t’i dëbuar shqiptarët nga vatrat e tyre, për të sjellë në këtë tokë elementë çetnikë dhe kështu të arrihet ëndërra e kahmotshme e shovinistëve serbomëdhenjë – si të robërojnë përfundimisht Kosovën dhe viset e saj.
Pushtuesi llogaritë që me terror e gjenocid do t’ia arrijë këtij synimi, por llogaritë e tyre janë hesap pa hanxhinë.
Populli ynë do t’i pres kolonistët çetnikë ashtu si çdo armik tjetër. Kurrëfarë demagogjie nuk do ta ndalë luftën e popullit tonë për mbrojtje të qenies kombëtare. Masat që po ndërmerr regjimi i Beogradit janë masa thellësisht antishqiptare.
Populli shqiptar e ka kuptuar mirë këtë gjë, prandaj shfuqizimi i Ligjit të lartpërmendur është shfuqizim i ri i demagogjisë bajate të pushtuesit.
Duke parë qëllimet asimiluese të kolonizimit të cilat do të legalizohen me shfuqizimin e këtij ligji, populli ynë do të kundërshtojë vendosmërisht ardhjen e kolonistëve të rinj në Kosovë dhe në viset e saj.
(Kjo analizë është botuar edhe në ZiK, Viti VIII i botimit – botimi i posaçëm, nëntor 1989, f.8-9)

– Lexoni faksimilin –

=======================================

– Dorëshkrimet e Afrim Zhitisë –

Teknika për botimin e shtypit ilegal, që ka përdorur Afrim Zhitia me anëtarët e organizatës.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura