Osllo, 18. 11. 2016: Nëntori! / Muaji Identitet është afër. Afër dhe shumë kërcënues për ata që e duan ta kenë shumë larg. Disa sikur nuk e ndien këtë afërsi. Këta e duan largësinë e tij. Në njërën anë pushteti, përmes mediave që i kanë nën kontroll, don ta zbehë nëntorin Identitet, e, në anën tjetër, mediat, që ka nën kontroll pushtetin, do që ta zbehë e ta largojnë nga hapësira mediatike flamurin kombëtar. Këto media pak paraqesin apo s’paraqesin në publik flamurin kombëtar: këto media flasin pak apo s’flasin e nuk publikojnë fotografinë e ngjyrat e flamurit kombëtar. Këto media, sikur, i frikohen fuqisë shumëndikuese të flamurit kombëtar. Përpos mediave, në Kosovë, ka goxha shumë zyrtarë politikë e edhe “qytetarë” që i frikohen flamurit tonë kombëtar, shashtrisen nga frika, bash si prej dreqit.
Përse kështu?
Këshilltarët e këtyre njerëzve e dinë se identiteti është prodhim i retorikës dhe se retorika krijon subjektin politik dhe identitetin kolektiv. Pra fotografia, fjala e shkruar, libri, gjuha dhe filmi janë kryefaktorë retorik në ndërtimin e identitetit kombëtar të një kombi. Prandaj, jo rastësisht, largohet flamuri, ndalohet flamuri: nuk përshkruhet e nuk xhirohet shumë flamuri ynë kombëtar; ky “duhet” sa më pak të jetë i gjallë për syrin, veshin dhe shqisat e shqiptarëve të Kosovës. Këta njerëz, kanë edhe shumë “detyra shtëpie”. Flamurin duhet ta keqreklamojnë, pakbotojnë dhe ta idhësojnë, e, në anën tjetër, këta zyrtarë kanë për “detyrë shtëpie” që flamurin e vizatuar nga UNMIK-u ta reklamojnë, ta shumëbotojnë, dhe ta ëmbëlsojnë.
E kemi thënë jo pak herë se monopoli i mediave në lajmin dhe mbi fotografinë është aparati kontrollues më efikas i mendimit dhe i debatit të lirë. Është thënë sa e sa herë se, shumë intelektual të mendimit kritik nuk lejohen të marrin pjesë dhe të ndikojnë në zhvillimin e debatit kritik. Edhe pse për vet faktin, Kosova, vetëquhet “shoqëri demokratike”, ky vend, sot, shumë, tepër shumë po i përngjanë një sistemi politik totalitar, rasist e antishqiptarë.
Pse e them këtë e pse mendoj kështu?
Dallimi i madh në mes të një sistemi totalitar dhe atij demokratik është se, në totalitarizëm, është shteti ai që vendosë se cili mendim, flamur, simbol, video dhe opinion “duhet” të dominoj në media, në hapësirën dhe vendimet publike. Pra, është “Држава” ajo që u tregon shqiptarëvet se cili mendim e flamur duhet të pranohet e të mirërespektohet. Ndërkaq, në sistemin politik demokratik veprohet ndryshe, ama krejt ndryshe; Opinioni, vendimet politike, mednimbërja, emblemat kombëtare e shtetërore si dhe fjala e lirë; fjalë “që duhet” të dominoj në hapësirën publike, asnjëherë nuk paravendoset e nuk detyrohet nga “Држава”.
Opinioni dhe flamuri në “Држава” është punë e kryer dhe nënkuptohet si opinion e si akt juridik e politik i mbyllur dhe i përkryer. Populli nuk dëgjohet nga këta njerëz; janë tjerët, ata, që dëgjohen e pyeten: është sistemi feudal: Janë gazetarët, analistët, janë ish shitësat e djathit.
Si të veprojmë në muajin Identitet?
Si kundërpërgjgigje ndaj këtyre njerëzve e ndaj kësaj censure të rëndë, por të sofistikuar mediatike, dhe si mospajtim me këtë sistem politik feudal – sistem që të detyron të harrosh e të shlyesh nga kujtesa historike pjesët e identitetit të kulturës sate – do të ishte pikë së pari obligim qytetar, kombëtar, intelektual dhe human, që për 28 nëntorin, muajin Identitet, të kujtohet me respekt e me dinjitet elementi qenësor i shqiptarëve; Flamuri Kombëtarë – Kuq e Zi.
• Le të vendoset ky flamur në të gjitha institucionet e popullit (e jo në pallatet e Qeverisë dhe të UNMIK-ut – EULEX-it).
• Këta Flamuj le të dukën në çerdhe të fëmijëve, në shkollat fillore, të mesme e në fakulteten nëpër shitore e nëpër shetitore.
• Le të freskohet, së pakut le të nderohet, me flamurin tonë varri i ushtarit të UÇK-së:
• Po, me flamuj kombëtar të freskohet varri i të burgosurit politik të vrarë nga “Држава”.
Vetëm kështu, e vetëm në këtë mënyrë, do të parandalojmë tentimfshirjen e kujtesës sonë kolektive. Vetëm me 28 Nëntorë, thyerja e kësaj të keqe është më efikase se herëve tjera. Kështu, dhe vetëm kështu ne, shqiptarët e Kosovës, do të shërojmë harresën e shtrënguar nga këta njerëz, nga unmikgazetaria e nga ambasadokracia.
Gëzuar 28 Nëntori, Astrit Dehari, ndërgjegja e vrarë kolektive e kombit shqiptar!
*) Nga gjuha serbe, “Држава”, do të thotë, “Shteti”.