Prishtinë, 27. 01. 2017: (Ndotja morale , për përfitime materiale) – Në çdo vend apo shtet normal pas ndryshimeve rrënjësore të sistemit shoqëroro – politik, asgjë nuk fillon pa u sqaruar e kaluara e atyre që do të jenë bartës të posteve shtetërore në mënyrë që të mos ndodhë që ata që ishin përgjegjës për dhunë , tash të veshur me uniformë demokratike, të shpëtojnë nga mëkatet e së kaluarës, të rehabilitohen pameritueshëm dhe përsëri të vendosin për fatin e të tjerëve, tash në rrethana tjera! Sllovenët e kaluan procesin e lustrimit të figurave publike sikur edhe kroatët. Edhe në Maqedoni iu mundësua atyre që kishin dyshime të kenë qasje në dosjet e tyre e që pastaj u reflektua me bërjen publike të disa emrave që kishin qenë bashkëpunëtorë të UDB-së apo KOS-it jugosllav e që nënkuptonte tërheqjen e tyre nga postet që mbanin. Edhe kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë e pësoi për këtë fakt. Serbia e bëri lustrimin selektiv; informatorët e brendshëm i largoi me përjashtim të atyre që i duheshin kurse informatorët e jashtëm, sidomos në Kosovë, i mbrojti dhe po i mbron ende sepse i duhen ndoshta më shumë se më parë. Kosova nuk ka dosje të trashiguara nga e kaluara me të cilat do ta paralizonte rrjetin e informatorëve të huaj sikur edhe të atyre që bartnin pozita të larta e që punuan në vazhdimësi kundër popullit gjuhën e të cilit e flisnin dhe madje , për fat të keq e kishin edhe gjuhë amtare ! Dosjet që kanë të bëjnë me Kosovën janë në Beograd , në arkivat e sigurimit shtetëror dhe sigurimit ushtarak por duhet të jenë edhe në Kroaci, Slloveni apo te ndonjë shtet mik perëndimor. Procesi i lustrimit të figurave publike në asnjë vend nuk ka përfunduar 100% mirëpo ky proces ka ndihmuar që ata që e kanë pasur mizën pas veshi, nga frika që mund të dekonspirohen, janë tërhequr vet ose e kanë mbyllur gojën.
Në Kosovë ka qenë pikërisht e kundërta , bashkëpunëtorët e dëshmuar të regjimit jugosllav dhe serb janë bërë më të zëshëm dhe janë fuqizuar në luftë kundër atyre që kanë sakrifikuar për kombin dhe shtetin sepse i kanë ruajtur strukturat që nga koha e Jugosllavisë dhe Serbisë . Menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë e kanë pasur një periudhë të emergjencës për mbijetesë sepse kishin mbetut në udhëkryq mirëpo , me ndihmën e Serbisë dhe misioneve të huaja në Kosovë shpejt e kanë rimarrur veten , janë fuqizuar dhe janë shpërndarë në të gjitha segmentet e jetës politike , ekonomike , kulturore , sportive , mediale , polici , gjyqësorë , etj., në Kosovë duke zënë pozita kyçe apo duke u bërë eminenca gri në vendimmarrje ! Partnerët e Serbisë kundër intereseve kombëtare dhe shtetërore u shndërruan në partnerë të ndërkombëtarëve kurse këtyre që dolën nga lufta u servirnin informata të parëndësihme për ta shpëruar lëkurën e tyre dhe për t’u ricikluar në rolin e mëparshëm. Kështu , erdhëm në situatë që ne që ishim ketrajtuar mizorisht nga inspektorët e djeshëm të sigurimit shtetëror jugosllav dhe serb kur i takonim në rrugë e ulnim kokën sepse ata ishin bërë pjesë e rëndësishme e nomenklaturës udhëheqëse në Qeverinë e Përkohshme , pjesë me peshë e gjyqësorit dhe prokurorosë , hetues të respektuar në polici , kontrollonin bizneset e mos të flasim për hapësirën mediale ku ishin alfa dhe omega ! Kishim situata kur duhej ta përbinim bjeshkën shkaku se bijt dhe bijat e torturuesve tanë , pa pasur as ndjenjën më të vogël të dhembshurisë , silleshin në mënyrë edhe më sadiste se paraardhësit e tyre biologjikë , politikë dhe ideologjik ! Këta mblidhnin” fakte “ për Serbinë për krime lufte sikur edhe për Tribunalin e Hagës. Përpilonin dosje të sajuara dhe u nxorën sikur qimja nga dhjami ! Të përvuajturit e vërtetë u treguan shumë të mëshirshëm ndaj torturuesve të tyre , në emër të ndërtimit të së ardhmes ! Kurrë , në asnjë vend të botës nuk ka përfunuduar me sukses ndërtimi i së ardhmes pa u sqaruar e kaluara dhe pa u vënë para përgjegjësisë qoftë edhe morale ata që bënë tortura të paimagjinuashme ndaj atyre që e deshën lirinë e mohuar ! Forca kryesore dhe më e fuqishmja në vendet postdiktatoriale janë të burgosurit politikë dhe veteranët e luftës që paraprijnë dhe janë përcaktuese për lustrimin e figurave publike . Ne nuk kishim dhe nuk i kemi këto sepse , edhe të burgosurit politikë por edhe veteranët e luftës janë manipuluar për qëllime politike duke i ikur interesit të përgjithshëm. Po të kishim në Kosovë ish të burgosur politikë dhe veteranë të luftës që nuk do të manipuloheshin politikisht , do ta kishin një situatë krejtësisht tjetër ! Asnjë proces nuk do të zhvillohej në Kosovë pa miratimin e tyre . Shembull të mirë për këtë e keni Kroacinë përkatësisht Vukovarin ! Ishte një nismë që të miratohet ligji për lustracion të figurave publike por fillimi ishte i mbrapshtë , në vend se të trajtohet si fenomen sikur në vendet tjera , u bë publike një listë me emra që shkaktoi huti sikur që e pengoi nismën për hartimin dhe miratimin e Ligjit për Lustrimin e Figurave Publike . Duhet pranuar se nuk kishte as vullnet politik vendor e sidomos ndërkombëtar për këtë ligj sepse ishte koha e realizimit të disa projekteve jashtëzakonisht të dëmshme dhe dhunuese për Kosovën. Në këtë mënyrë u krijua një mjedis idilik për bashkëjetesë të viktimave të dikurshme me dhunuesit e dikurshëm nën ombrellën e të amshueshmit pushtet . Nait Hasani , me nismën për lustrim të figurave publike e dëmtoi jashtëzakonisht shumë procesin sepse ofroi emra konkretë por jo edhe dëshmi konkrete për përgjegjsinë e tyre . Së paku jo për të gjithë që ishin në listën e Naitit !Lista e Naitit në fakt u bëLista e Shindlerit , në vend që t’i sjellë para përgjegjësisë të dyshuarit , ajo i amnestoi të gjithë!
Universiteti i Prishtinës në kohën e Jugosllavisë dhe në kohën e Kosovës së “lirë“
Në kohën e ndryshimeve të mëdha në Evropë , edhe Universiteti i Prishtinës u bë pjesë e këtyre ndryshimeve . Përmbajtja e këtyre ndryshimeve ishin kërkesat politike dhe kombëtare që u dhunoheshin pjesës dërmuese të shqiptarëve hiç atyre me orientim jugosllav dhe serb . Dihet botërisht se proceset e mëdha i lëviz pakica kurse shumica sillet në mënyrë oportuniste ! Fillimisht proceset për ndryshime politike dhe çlirim kombëtar janë udhëhequr nga një numër i vogël i studentëve të Universitetit të Prishtinës sikur edhe nga një numër simbolik i mësimdhënësve të këtij Universiteti. Pjesa më e madhe e profesorëve të Universitetit të Prishtinës i shërbenin socializmit vetqeverisës të Jugosllavisë dhe vëllazërim – bashkimit ndërsa pakica që donin frymëmarrje të lirë , ose arrestoheshin , ose diferencoheshin ! Pas përfundimit të luftës në Kosovë kishim një situatë të përafërtë ku , një pjesë e vogël e profesorëve e ruajti dinjitetin dhe kurrizin profesional kurse pjesa më e madhe iu nënshtrua plotikanëve injorantë , duke u vënë në shërbim të tyre . Merreni strukturën udhëheqëse të Universitetit të Prishtinës të pas luftës nëse doni ta shihni mjerimin njerëzor , intelektual , moral dhe profesional ! Të tillët pastaj shkaktuan inflacionin e titujve akademikë dhe shkencorë duke armatosur injorantët me tituj të tillë! Shumica e profesorëve universitarë që i shërbeu Jugosllavisë dhe Serbisë tash u bë truri dhe mendja e injorantëve politikë! Për këtë arsye kemi një politikë siç e kemi , një arsim që prodhon analfabetë serialë dhe në vend që t’i nënshtrohen përgjegjësisë , kërkojnë rritje të pagave , një Akademi të Shkencave që i përngjanë arsimit fillor e që dallon vetëm në moshë, një ekonomi të pazarit dhe të kontrabandës , një shëndetësi publike që nuk i bënë konkurrencë as Burdushit , një rregullim shoqëror fisnor dhe një analfabetizëm intelektual. Vlerësohet se një intelektual i vërtetë mbetet i tillë vetëm nëse e ruan trurin , mendjen , shpirtin , dinjitetin dhe kurrizin moral dhe profesional. Nëse bëheni vegël e politikës atëherë dilni nga standardet e intelektualit të vërtetë sepse ia nënshtroni pavarësinë një egoje primitive të një politikani injorant e politikanë të tillë kemi shumë në Kosovë . Intelektuali i vërtetë nuk lejon të shërbejë si material riciklues për të gjitha prapanicat e regjimeve në të cilat jeton. Në vendet normale , intelektuali i vërtetë është opozita e vërtetë! Ne jemi shumë larg nga kjo vlerë !
Cernagori Qosja dhe patriotët e leshit
Në kohën e Jugosllavisë dhe Serbisë , rruga për afirmim ishte deklarimi si jugosllav , ruajtës i vëllazërim – bashkimit apo komunist shqiptar ! Kjo ishte rruga për sigurimin e mirëqenies materiale dhe mjerimit shpirtëror , moral dhe njerëzor . Kurse nacionalizmi dhe irredentizmi shqiptar ishte bileta për arrestim dhe burg , varfërim material por ishte edhe vlerë njerëzore , pasuri shpirtërore dhe vulë e legjitimimit të njerëzores , kombëtares dhe morales . Mirëpo , jo çdo komunist ishe i keq dhe jo çdo nacionalist ishte i mirë! Komunist ishte Kuçani që me aq përkushtim u angazhua për pavarësinë e Sllovenisë . Komunistë ishin edhe Shuvari dhe Raçani që e sollën pavarësinë e Kroacisë së bashku me nacionalistët kroatë. Të tillë ishin edhe Gligorovi dhe Tupurkovski që e bënë Maqedoninë të pavarur thuaja pa viktima . Edhe Gjukanoviqi dhe Bulatovoqi ishin komunistë por e bënë Malin e Zi të pavarur. Kosova kishte shumë komunistë të cilët kryesisht angazhoheshin për t’i ruajtur pozitat e tyre dhe kur e panë që Jugosllavinë e rrou dreqi , u bënë luftëtarë të autonomisë së Kosovës ! Komuniste ishte LDK që e trashigoi Lidhjen Socialiste të Popullit Punonjës , komuniste ishte edhe Partia Fshatare sikur edhe bërthama themeluese e KMDLNj-së. Komuniste ishte edhe LPK dhe LKÇK sikur edhe pjesa dërmuese të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Edhe Rexhep Qosja ishte komunist . Po Ibrahim Rugova ç’ishte ? Mos ishte ballist , me librezë të komunistit jugosllav. Fatmir Sejdiu që u bë pastaj president i Kosovës , nacionalist na ishte ?! Komunist ishte sikur edhe Nexhat Daci që u bë kryetar i Kuvendit të Kosovës . Komunistë apo varianti më egërshanë i tij marksizëm – leninizmi ishin Jakup Krasniqi ish kryetar Kuvendi , Hashim Thaçi ishkryeministër dhe president i tashëm , Kadri Veseli , kryetar i Kuvendit dhe ish kryeministrat Bajram Kosumi dhe Ramush Haradinaj . Komunist ishte edhe Agim Çeku , ish kryeministër . Edha Isaja që sot është kryeministër e që ishte komunist dikur e ka fituar besimin e LDK-së , edhe si kryeministër , edhe si kryetar i LDK-së ! A duhet të përdoret e kaluara politike e dikujt për ekzekutim politik , njerëzor e moral sot ?! A nuk duhet të besohet se njeriu mund të ndryshojë për të mirë dhe se dallon pozita dhe procesi sot nga ai para 30 e më shumë viteve. Rexhep Qosja, në një intervistë e ripërsëriti qëndrimin e tij se Lugina e Preshevës duhet t’ bashkohet Kosovës kurse Veriu i Kosovës duhet t’ bashkohet Serbisë ! Pas kësaj , filloi një linçim publik ndaj tij duke e fyer skajshmërisht për një mendim politik për të cilin ai nuk është vendimmarrës . Dhe as që varet nga Qosja nëse do të ndodhë ky këmbim i territoreve . Të njëjtin qëndrim e kishte edhe Lutfi Haziri por nuk u pushkatua nga askush . Madje vetëm sa po ngjitet majave politike . Po dëgjohen zërat se edhe Ibrahim Rugova paska menduar sikur edhe Qosja dhe Lutfi Haziri. Unë nuk pajtohem me Qosjen e as Lutën për këtë por e mbroj të drejtën që edhe ata mund ta shprehin mendimin e tyre . Qosjen e vlerësoj si intelektual kulminant por si një politikan ausajder . Së pari , dallon koha kur Qosja është deklaruar para 30 viteve për këmbim territoresh me Serbinë . Serbia ka krijuar një realitet tjetër sepse, që nga Rambujeja e kontrollon 100% edhe veriun e Kosovës sikur edhe Luginën e Preshevës . Lugina e Preshevës ndërkombëtarisht është pjesë e Serbisë kurse veriu i Kosovës ndërkombëtarisht llogaritet pjesë e Kosovës mirëpo që me heshtjen e ndërkombëtarëve po mbahet e okupuar nga Serbia . Serbia nuk do të hyjë në këmbim territoresh dhe Kosova duhet të kërkojë respektimin e kufijve të pranuar ndërkombëtarisht , përkundër situatës së krijuar. Propozimi për ndërrim territoresh është lojë e rrezikshme për Kosovën dhe humbje e sigurt e veriut të Kosovës në ndërkohë që Lugina e Preshevës është territor i rëndësisë strategjike për Serbinë dhe NATO-n dhe as që do të bisedohet për të. Kam frikë se vendimmarrësit ndërkombëtarë do të na dëmtojnë në veri dhe nuk është i rastit tolerimit që i bëhet Serbisë .
Mirëpo, të akuzosh Rexhep Qosjen dhe Albin Kurtin se janë cernagorca është racizëm i ndyrë dhe poshtërsi e pashembullt aq më parë që kontributi i tyre në luftë për liri të shqiptarëve është i pamohueshëm dhe kolosal. Rexhep Qosjen e akuzojnë ata që kurrë nuk e kanë kaluar nivelin nga bythëlëpirja në sahanlëpirje. E akuzojnë ata që nuk e kanë shkruar një fletë të vetme në jetën e tyre dhe nuk kanë kapacitet ta kuptojnë një rresht të vetëm të shkruar nga Qosja . E akuzojnë ata që tërë jetën e tyre i kanë shërbyer padronëve komunistë dhe antikombëtarë mirëpo nuk kanë avancuar më shumë se pozita e rrogëtarit të përjetshëm.
Nuk pajtohem me propozimin e Qosjes por as me politikën e Albinit por kurrë nuk do t’ua mohoj kontributin e tyre . Për çdo popull , një intelektual ( jo politikan ) sikur Qosja do të ishte vlerë kombëtare, thesar kombëtar, ndërgjegje e kombit, enciklopedi dhe akademi e kombit sikur edhe vet qenia e ekzistencës së kombit. I tillë është pa asnjë dyshim, Rexhep Qosja. Si vlerë e tillë do të bëhet pjesë e përjetshme e historisë së popullit shqiptar. Si politikan nuk do të mbahet mend. Këta që sot po e fyejnë dhe sulmojnë Rexhep Qosjen, e kanë mohuar edhe Skenderbeun, Fan Nolin, Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin, Hasan Prishtinën, Isa Boletinin, Bajram Currin, Idriz Seferin, Azem Bejtën dhe Shotë Galicën, Shaban Polluzhën e Rifat Berishën, Gjon Serreçin e Marie Shllakun, komandantin Legjendar, të Pavdekshmin Adem Jasharin dhe heronjt e tjerë. Mos të flasim për fyerjet që i janë bërë Frymëzesit , Simbolit dhe Martirit të Gjallë të Pavrësisë dhe bashkimit kombëtar, krahut politik të të gjithë luftëtarëve për liri të shqiptarëve dhe bashkimit kombëtar , Bacës së Madh , Adem Demaçit .
Është kohë e antivlerave , kohë e ndryshkut njerëzor , moral dhe kombëtar prandaj edhe jemi në situatë siç jemi dhe se nuk e meritojmë asgjë më mirë. Është një thënie se ,” qentë lehin , karvani ecën por te duket se është e kundërta : qentë po lehin por edhe po e hajnë karavanin !
Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA, Prishtinë – 26 janar 2017