SADRI RAMABAJA: MIKROEKSPRESIONIZMI I ISA MUSTAFËS

Prishtinë, 27. 04. 2015 – Pse LDK-së, e tillë si është katandisur ajo sot, Isa Mustafa do t’ i shërbejë tutje, qoftë edhe si një kufomë e pakallur në dhe? – Kryeministri i Kosovës, Isa M., me stilin e tij tashmë të njohur prej idhnaku grindavec, gati sa nuk ju drejtua një lagjeje analistësh që të shprehin mirënjohje publike për LDK, meqë falë saj, ata e fitojnë bukën e përditshme. Tutje, Isa M. duke lënë grindjen mënjanë, filloi ta lavdrojë shtëpinë e vetë, duke na përrallisur për demokracinë e brendshme që po u manifestoka në LDK!  Madje demokracinë ala LDK, na e sugjeroi si model në shërbim të emancipimit politik të vendit!
Plaku, duket se ka harruar se në cilën epokë jeton!
Dikur, po me këtë stil empatik, i drejtohej qytetarëve për LKJ-në.
Pikërisht në këtë çast teoria konspirative rezervë se, SHISH-i dhe SHIK-u po e ndihmojnë Isa M. të rizgjidhet kryetar i LDK-së, filloi të duket edhe më bindëse!
E, po, na është bërë çështje kjo puna e demokracisë ala LDK.
Të gjithëve ju intereson se kush do të vijë në krye të saj, pa përjashtuar as analistët, qofshin edhe ata të shkollës së falltarëve, siç i cilësoi IM një lagje sosh.
Por, fakti se LDK vazhdon të jetë patericë politike, nuk d.t.th. se delë jashtë vëmendjes së vrojtimit politik. Edhe si patericë, ajo vazhdon të kryej misionin e vetë.

Kush do të jetë pasuesi i Isa M.?
Kush mund ta zëvendësojë Isa Mustafën në kreun e LDK, më pyeti një mik austriak, diku nga fundi i tetorit të vitit që lamë, pasi kishte lexuar jo vetëm analiza në shtypin tonë, por edhe raporte më specifike.
Më lejoni që kësaj pyetje t’ i përgjigjem përmes një metafore, që i shkon ambientit patriarkal të Kosovës, ia ktheva, pasi insistoi për herë të dytë. Isa Mustafa vazhdon të luaj rolin e plakut të shtëpisë me shumë meshkuj zavrak e të paditur, por shumë të etur për pushtet. Ai, ka kohë që lëngon në shtratin e vdekjes. (Politikisht, po mos t’i duhej Hashim Thaçit, kaherë do të vdiste e do harrohej.) Herë-herë, të lë përshtypjen se në ndërdije sheston nga dita në ditë, t’ i ftojë meshkujt e shtëpisë që t’jua kumtoj amanetin. Por, meqë edhe si baba, është treguar si person pa takt dhe pedagog i dobët, duke mos pregaditur fare trashëgimtarin e tij, siç veprohet në familjet patriarkale kosovare, duket se shtëpisë (LDK) do t’ i shërbejë tutje, qoftë edhe si një kufomë e pakallur në dhe.
Ndërkaq, meqë ky fakt tashmë pothuajse është sekret publik, Isa M, ka nevojë të rikthejë ashpërsinë e gjuhës ndaj kundërshtarëve të tij të mundshëm, qofshin ata edhe të trilluar.
Shih për këtë teoritë konspirative kanë filluar të gëlojnë gjithandej në Kosovë.
Njëra sosh na flet për angazhimin e SHISH-it dhe SHIK-ut për mbajtjen e Isa M. në krye të LDK! Këta të fundit edhe ashtu e kanë aleatë të dëgjueshëm. Ju duhet edhe një mandat, qoftë edhe si kukull, siç de fakto rezulton të jetë.
Kur s’ke ç’i bën gomarit – bjeri samarit!
Si kundërpërgjigje ndaj kësaj gjame, HM. një mik imi i rinisë së hershme që ka kohë i ka hipur kalit mbrapsht, bën thirrje publike kryeministrit që të zhvesh shpatën e mos të bëhet qyqan! Plot mllef e pezmë ndaj deklaratave të ish shefit të SHISH-it, që ia ka cenuar paksa lavdin idhullit të tij IR, ka reaguar sot, duke i bërë thirrje Isa M. që ta shpall Fatos Klosin qytetar non grata! A jemi shtet ne, apo jo! I ka rënë tavolinës Lila, si të ishte vetë Shyt Mareci!
Ish mikun tim të rinisë nuk më ka rënë ta shoh ta ketë hequr shpatën nga milli kështu me kaq zemrim, edhe atëherë kur në Graçanicë, presidenti çetnik serb qe shprehur se “Kosova është Serbi”, megjithëse këtë e bënte pak metra larg shtëpisë së HM. Nuk thot kot urtësia popullore: Kur s’ke ç’ii bën gomarit – bjeri samarit!
Në diskursin politik të Isa M. dhe të ca autorëve të teorive konspirative që po gëlojnë në Kosovë, vërehen elemente shpërthyese të të ashtuquajturit mikroekspresionizëm. Këto veprime, shkenca vlerëson se janë produkt i ngarkesave të theksuara emocionale. Politika si zeje e vështirë, kërkon urtësi, dije dhe guxim. Por pa përjashtuar dashurinë për Atdheun. Këto, fatkeqësisht, i mungojnë kryeministrit tonë.
Në ditët në vijim, do të kemi rast tutje të ballafaqohemi me xhevahirë tjerë të Isa M.
Ngarkesat emocionale do të jenë edhe më të veçanta. Gjithësesi edhe shpërthimet mikroekspresioniste të Isa M.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura