(Skenderaj, 25. 09. 2012) Në nisje të shkrimit lidhur me një soj të ri njerëzish, të cilët që nga paslufta damkosin estetikisht e përmbajtësisht shtatin harmonik të popullit tonë, imponohet pyetja se si t’i vihet titulli këtij shkrimi, si të emërtohet ky soj. Në ndihmë të vjen opinioni i shumë njerëzve, të cilët, tek shohin tufa të veçuara të kësaj specie atavike, pëshpërisin me përbuzje: “Shihi cubat!”.
Në fjalor, me këtë fjalë, cub – cuban, përveç të tjerash jepeshin edhe këto shpjegime: Që e ka bishtin të prerë ose të shkurtër, bishtcung. Qen cub. Dele cube; Që i ka prerë teshat të shkurtra, që mban rroba të shkurtra. Shpjegimet e tjera të kësaj fjale, përveç njërit (fig. trim kokëkrisur), të gjitha tregonin për veti tejet negative të personave që bartin këtë emër…
Emin Halimi
…………………………………..
Për vetidentifikimin e tyre si një soj i veçantë, tanimë nuk ka dilemë askush dhe dilema tjetër, se a e meritojnë këtë emër në kuptimin e tij më të keq, duke parë veprimet destruktive të tyre duket se është aq e pavend sa dilema a t’i thuhet korbit ’i zi’ apo të mos i thuhet.
Në kuptimin figurativ të fjalës, ata këtë cilësim e meritojnë plotësisht: papritur e pakujtuar na u shfaqën, si bari i keq në arën e bukës, me pantallona të prerë deri mbi kyç të këmbës. Për t’u dalluar me çdo kusht dhe për t’u identifikuar si specie e veçantë brenda llojit, ata lanë mjekra, por jo të tilla çfarë ishim mësuar t’i shohim aty-këtu, por një biçim tjetër, që e kishim parë sidomos nëpër kronikat që flasin për terrorizmin. Dhe, kishin rruar flokët, duke zvogëluar kokën, për të dëshmuar kështu inferioritetin e trurit përballë nofullave! Ata, edhe nga prapa po t’i shikosh, ua dallon nofullat e dala përmes mjekrash.
Ajo që e shquan këtë soj njerëzish është se jo vetëm me pamjen e tyre, por edhe me sjellje e veprime duan të dallohen nga bashkëkombësit e bashkëqytetarët e tyre dhe, sa më shumë që të jetë e mundur, t’u ngjajnë atyre me të cilët nuk kanë të përbashkët asgjë gjenetike, historike, gjeografike a kulturore. Asgjë të keqe nuk do të kishte, madje kjo mund të konsiderohej si diversitet stilesh a konkurrencë modash, sikur e përbashkëta e tyre të mos ishte një prirje vulgare, primitive, arrogante dhe e rrezikshme që idenë e ideologjinë e tyre të sëmurë t’ia imponojnë, edhe me dhunë, së paku trupit nga i cili ka mbirë ky lastar kopil: Që gjithë ajo që tradicionalisht, gjatë shekujsh, është praktikuar nga besimtarët shqiptarë myslimanë të shpallet e pavlerë, e gabueshme dhe, rrjedhimisht, e dënueshme! Në fundament të ‘filozofisë’ së tyre është e dukshme dhe e deklaruar nga ta, në fillim me gjysmë zëri e tani edhe hapur, mosdurimi, përçmimi dhe urrejtja për të gjithë të tjerët që nuk janë si ata. Këtë e manifestojnë kudo që u jepet rasti. Për ta kombi e interesat kombëtare nuk ekzistojnë në se ato interesa nuk përputhen me interesat e vetëm myslimanëve të sojit të tyre. Më erdhi në mendje mendimi i një të urti: ”Forcat që nxisin urrejtjen janë, për arsye të vetë natyrës së tyre të ulët, më të furishme e më agresive sesa forcat që nxisin pajtimin; pëveç kësaj, pas tyre fshihen interesa materiale që janë shumë të paskrupullta po t’i krahasosh me interesat tona”.
A nuk është koha, nëse nuk është bërë vonë tashmë, që këtyre tendencave anakronike t’u pritet furia?!
Përpjekjet për t’ua ndalur hovin këtyre forcave të errëta ogurzeza, nuk kanë munguar plotësisht, por kanë qenë dhe janë fare minore në raport me rreziqet që bartin ato për të ardhmen tonë.
Pamjet e neveritshme kur këta lloj cubash, në emër të fesë mbulojnë me ferexhe deri edhe vajza 5-6 vjeçe, kanë habitur botën e qytetëruar, e cila nuk është në gjendje të kuptojë se përse bëhet ky krim ndaj fëmijëve të pafajshëm. Ç’faj kanë bërë këto vajza të vogla për t’ua ngulfatur fëmininë me këta ruba? Ata me të drejtë mund të pyesin edhe: Ku jetojnë këta bubazhelë, cilës epokë i takojnë?
…………………………………
Shikoni një video: CUBI Kastriot Duka (Imam në Xhaminë e Morinës në Skenderaj)
– duke i mbuluar vajzat e mitura me mbulesa të ZEZA!
……………………………………………..
Po t’u thuash se ata jetojnë në shekullin 21 dhe i takojnë njërit prej popujve më të lashtë të Europës; se ky popull prej shekujsh ka tri fe dhe nuk ka pasur asnjë rast të vetëm gjatë gjithë ekzistencës së tij që pjesëtarë të një besimi të vihen kundër pjesëtarëve të besimit tjetër dhe se kanë jetuar në harmoni të plotë duke pasur gjithmonë miq të përbashkët dhe armiq të përbashkët, ata do ta zënë kokën me duar. Si është e mundur që një popull kaq i lashtë e me tradita shumëshekullore të jetesës në harmoni shembullore ndërfetare të lejojë këtë soj njerëzish, që ta fyejë e ta kompromitojë kaq rëndë të kaluarën e të tashmën dhe ta rrezikojë përspektivën e tij?!
Sikur të mos mjaftonin ndasitë e përçarjet banale ekzistuese, të trashëguara e të stisura sa nga të huajt, sa nga vetë ne, trupit të shëndoshë të kombit tonë po i futet njëra ndër pykat më të rrezikshme prej ekzistimit të tij. Kjo pykë, vërtet është e ‘lisit’ tonë, por tokmaku që po e rreh këtë pykë është gjetiu. Ai mund të kërkohet kudo, që nga Serbia e deri në Azi, por kurrë tek ata që na duan të mirën, përparimin, zhvillimin e prosperimin si komb! Dhe, ndonëse pyka është qindra herë më e vogël se trupi që çan, ajo bën efekt të tmerrshëm në trungun pasiv, kur rrihet nga tokmaku. Koka e këtij tokmaku, në rastin tonë, nuk përbëhet nga një copë trungu, por nga errësia e mendjes, jotoleranca, urrejtja dhe – paraja. “Para, moj murdare; Bëre botën avare; Po gjezdis porsi zagare”, thoshte një poet bejtexhi, shekuj me parë…
Që kur mbahet mend, shqiptarët, pa dallim – dhe sidomos pa dallim feje, kanë kërkuar të drejtat e tyre të mohuara nga të huajtë, por edhe nga të vetët, në mënyra të ndryshme që nga protestat deri me luftë të armatosur. Në raste të kërkimit të këtyre të drejtave me protesta paqësore a me luftë, kurrë nuk mbahet mend se janë shqiptuar parulla a slogane në gjuhë tjetër, përveç se në shqip si:
– Liri a vdekje,
– Liri – Demokraci,
– Kosova – Republikë,
– E duam Shqipërinë si gjithë Evropa, deri edhe
– ‘Duam paratë tona !’ – duke artikuluar kështu qartë kërkesën…
Para dy vitesh, në një protestë për lejimin e shamive (mbulesave) të vajzave në shkolla, turma e mjekroshëve të ekzaltuar, në një kor histerik shqiptonte thirrjen:
– “Allahu ekber, Allahu ekber!”, slogan që nuk përfaqëson kërkesë, por konstatim:
– Zoti është një!, thua se dikush po ua konteston një gjë të tillë.
……………………………..
Shikoni këtë protestë të mbajtur para dy vjetësh, (më 18.06. 2012) në Prishtinë!
……………………………………
Diçka më antihistorike, anticivilizuese e më turpëruese për kombin shqiptar nuk ishte dëgjuar në protestat shekullore, që nga koha e Haxhi Qamilit, kur turma të çoroditura thirrrnin “Dum Babën, Dum Babën!” Kjo “Allahu ekber” tashmë është thirrje (çirrje) standarde në të gjitha manifestimet e organizuara nga ky soj obskur. Edhe para pak ditësh e dëgjuam një thirrje të tillë derisa organet komunale nuk po i lejonin ta ndërtonin pa leje një xhami. Pse nuk thirrnin psh ‘duam xhamitë tona!’ po ‘Allahu ekber’?! Dhe, kushdo që dëgjon këtë thirrje histerike dhe e ka parë një video, të klikuar në internet nga miliona njerëz, nuk ka se si të mos trishtohet. Në atë video, disa njerëz e mbajnë për duarsh e për këmbësh, të kthyer përmbys në tokë, një fatkeq që përpëlitet, ndërkohë që një tjetër i hidhet në shpinë, si bishë e tërbuar dhe me një thikë – ia pret kokën! Gjaku vërshon dyshemenë, trupi i fatkeqit dridhet, derisa jep shpirt… Gjithë këtë ritual makabër e shoqërojnë thirrjet: Allahu ekber! Allahu ekber! I vetmi faj që kish bërë ky, ishte se kishte deklaruar se s’do të jetë si ata.
Duke e kujtuar këtë skenë, kjo thirrje të rrënqeth edhe kur e dëgjon nga maja e minares e lëre më në turmë. Kjo skenë të kujton poashtu një skenë pak a shumë të ngjashme që mund ta shohë kush të dojë: Një njeri kureshtar, aksidentalisht i afrohet një tufe luanësh. Ata, nga instinkti i vetëmbrojtjes, apo, mbase nga uria, i hidhen këtij fatkeqi dhe e bëjnë copë-copë. Edhe këtu, në këtë përleshje të pabarabartë, dëgjohen klithma, ulërima, por jo zëra të artikuluar, sidomos nga pala sulmuese. Tek e kujton skenën e parë, të gjitha këto ulërima të skenës së dytë të duket se po thonë të njëjtën gjë: Allahu ekber! Këto bisha vrasëse dalin qind për qind më të fisme se ata vrasës dykëmbësh. Të paktën, këto nuk e përlyejnë me gjakun njerëzor emrin e Zotit, të cilin emër ‘cubat’ nuk e njohin as e shqiptojnë në asnjë rast si të tillë, meqë sipas tyre ai di vetëm arabisht dhe, për të të marrë vesh, duhet me çdo kusht ta thërrasësh arabisht: Allah(!?) Ata, madje, nuk e njohin as përshëndetjen tonë aq të bukur, domethënëse e origjinale, të cilën nuk e ka asnjë gjuhë e botës, “tungjatjeta!”, por vetëm një tjetër, me do sallama e lejleka…
Pa Koment!!! Një foto vlen sa 10 000 fjalë!
…………………………………………………….
Para pak ditësh, në derën e një xhamie fshati u dukën disa policë. U mendua se është thyer xhamia natën, për t’ia vjedhë qilimat. Por, jo. Ata policë po siguronin mbarëvajtjen e faljes së ‘xhumasë’, se kishte rrezik të shkaktohej incident meqë ‘cubat’ donin të impononin rregullat e veta të faljes ndryshe nga ato që ishin praktikuar shekuj me radhë dhe nuk kishte pasur askush asnjë dëm nga to…
Edhe kjo na duhej. Pas kësaj, nuk është zor të merren me mend veprimet e tyre të ardhshme. Kronikave të zeza me xhami të stërpikura me gjakun e besimtarëve të pafajshëm, të copëtuar nga dinamiti, nuk është larg t’u bashkohen edhe kronikat nga xhamitë tona të urta.
Natyrisht, nëse nuk ndërhyjnë institucionet kompetente të shtetit dhe të fesë. Nëse edhe ato nuk janë ‘kapur’ nga ‘cubat’.
Ruajna Zot nga manipuluesit e Allahut!
– Autori është ekonomist i diplomuar.
………………………………………..
(Ilustrimet i përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org)