MUSA SABEDINI: KOSOVËS I MUNGOJNË PROKURORËT E GUXIMSHËM PËR T’I NDJEKUR KRIMINELËT E LUFTËS!

Gjilan, 11 mars 2017: Kosova ka pasur nevojë dhe ende ka për prokurorë të guximshëm, të aftë, të ngritur profesionalisht, jo servilë dhe të pandikuar nga politika, për të ndjekur krimet e luftës, dhe krimin e organizuar, pas luftës. Asnjë prokuror apo prokurori s`ka marrë guximin që të veprojë dhe të hetojë serbët e dyshuar. Realisht, Prokuroritë në Kosovë e kanë amnistuar gjenocidin serb që ka ndodhur në luftën e Kosovës.
Në Kosovë ka pasur vrasje masive, krime të shumëfishta, djegie të kufomave, fëmijë të mbytur me torturë, gra e vajza të dhunuara, pleq të mbytur nëpër shtëpitë e ngujuara, nxënës, profesorë, mësues, politikanë, aktivistë dhe të profesioneve të tjera dhe i tërë ky krim ka mbetur i pa ndëshkuar nga drejtësia kosovare.
Shikuar strukturën dhe përgatitjen shkollore, del se ushtria serbe, e ndihmuar nga paramilitarët serbë dhe policia, kanë vrarë në mënyrë të organizuar fëmijë, nxënës, studentë, bujq, imamë, shurdhmemecë, rojtarë, zjarrfikës, profesorë, drejtor shkolle, minatorë, taksistë, amvise, juristë, inxhinierë, kamerierë etj.
Gjithashtu krimet serbe që ndihmoheshin nga policia e ushtria e saj, kanë shkatërruar e dëmtuar pronën shqiptare, kanë djegur shtëpi, kullosa, bagëti, teknikë të rëndë bujqësore. As këto dëme materiale, kurrë nuk u hetuan dhe as nuk u kompensuan.
A thua Pse?
Ishin disa rregullore e nene të UNMIK-ut që nuk lejonin prokurorët shqiptarë të merreshin me krimet e luftës dhe këto nene u bënë ligj për drejtësinë kosovare. Këto nene famoze, megjithatë kanë mundur fare lehtë të tejkalohen sikur prokurorët shqiptarë dhe gjykatësit të dakordoheshin për të ndjekur serbët e dyshuar, ata serbë për të cilët kishte prova të mjaftueshme, fakte e dëshmi rrëqethëse. Kjo nuk ndodhi, sepse askush nga prokurorët kosovarë nuk donte ta prishte rehatinë.

Pati një periudhë që drejtësia kosovare ankohej se palët e dëmtuara nuk po ofrojnë dëshmi. Ndodhi një sensibilizim i shpejtë dhe u krijuan dosje të shumta, të cilat edhe u dorëzuan e u protokolluan nëpër prokuroritë kosovare, por realisht këto dosje kanë mbetur nëpër sirtarët e këtyre prokurorive, pa guxuar kush t`i prek ato. Realisht Prokuroritë në Kosovë e kanë amnistuar gjenocidin serb që ka ndodhur në luftën e Kosovës.
Dhe jo vetëm Prokuroritë, por fajtore dhe përgjegjëse për këtë dështim të madh përballë krimeve, mbeten edhe Gjykatat Themelore si dhe Gjykata Supreme e Kosovës, e cila, gjithashtu ka dëmtuar rëndë këtë proces. UNMIK-u dhe më vonë EULEX-i jo rastësisht përzgjidhnin njerëzit e tyre të preferuar e servilë nëpër Gjykatat e Qarkut, tani Gjykatat Themelore.
Një çështje tjetër, që në fakt ishte e dhimbshme, padyshim mbetet çështja e dëshmitarëve shqiptarë. Asnjë institucion kosovar nuk merrej me përgatitjen e tyre psikike, me parapërgatitjen për t`u përballur me dhunuesit dhe ata që kishin bërë krime mbi ta dhe familjarët e të afërmit e tyre.
Më kujtohet një proces gjyqësor ndaj Millosh Jokiqit, një serb i dyshuar për krime lufte në Anamoravë, që më vonë e amnistoi UNMIK-u, ku dëshmitari kryesor tërë kohën thoshte: ”Nuk kam kohë për të qëndruar kaq shumë në këto seanca, sepse kam për të punuar tokën”. Ky dëshmitar, që ishte kyç për këtë gjyq, nuk kishte faj sepse ai nuk i njihte procedurat. Shteti nuk e kishte bërë punën e vetë paraprakisht me këta njerëz të rëndësishëm për një gjykim të drejtë dhe korrekt.
Qëllimisht po merrem me rajonin e Anamoravës, ku sipas shënimeve që janë grumbulluar dhe mbledhur pas luftës, janë vrarë 116 persona të të gjitha moshave, gjinive dhe profesioneve. Të gjitha këto vrasje, që në mënyrë të organizuar i kanë bërë ushtria, policia dhe forcat paramilitare serbe, janë kryer në periudha të ndryshme, duke filluar nga 24 marsi i vitit 1999 e deri më 20 qershor 1999.
Prokurorëve shqiptarë iu është dashur vetëm pak mund për të nisur hetimet ndaj personave të dyshuar, sepse gjeneratat e reja, në asnjë moment nuk duhet t`i harrojnë krimet serbe që ndodhën si në qytetin e Gjilanit, ashtu edhe në fshatrat e tij, Llashticë, Zhegër, Lladovë, Nasalë, Pidiq, Shurdhan, Cërrnicë, Miresh, Malishevë, Uglar, Vërbicë e Zhegoc, Bresalc, Përlepnicë, Llovcë, Pograxhë, Kokaj, Sllubicë etj.
Tashmë dihet saktësisht se vrasjet, pushkatimet, dhunimet, plagosjet, plaçkitjet si dhe zhdukja e gjurmëve për këto krime, është bërë nën dijeninë dhe përcjelljen e aparatit shtetëror serb, i cili ndihmohej nga forcat ushtarake që vinin nga Vranja, Leskoci dhe Nishi.
Edhe pas hyrjes së forcave të NATO-s në Gjilan, në mënyra të ndryshme janë vrarë 15 persona. Nga statistikat zyrtare që posedon arkiva e Gjilanit shihet se në Gjilan dhe rrethinë janë vrarë gjatë periudhës së luftës dhe pas saj 147 persona, prej tyre 25 janë femra.
Gjithashtu sipas këtij raporti, janë plagosur 75 persona, ndërsa 4 persona llogariten të zhdukur. Sipas raportit mbi pasojat e luftës në Gjilan, të hartuar nga Këshilli Komunal i Qeverisë së Përkohshme në Gjilan forcat serbe kanë djegur tërësisht 950 shtëpi, pjesërisht 452. Rreth 7321 shtëpi janë plaçkitur.
Në Zhegër janë djegur 393 shtëpi kurse në Përlepnicë 123 shtëpi. Pasojat e luftës të shkaktuara në dëmet e ekonomisë familjare kapin shifrën e 177 milion e 201 mijë marka gjermane.
Nga të gjitha dëshmitë e mbledhura drejtpërdrejtë në teren, duke intervistuar dëshmitarë, familjarë të viktimave, persona aktivë gjatë asaj kohe, del se vrasjet janë kryer me paramendim dhe me një program kohor të organizuar, nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe.
Sipas shënimeve të nxjerra nga komisionet përkatëse, shihet se të vrarët në tërë territorin e Komunës së Gjilanit, kanë jetuar në 31 lokalitete.
Realisht, si masakrat më të rënda llogariten ato në Llashticë, Zhegër, Llovcë, Zhegovc dhe Lladovë.
Serbët e dyshuar kanë emra dhe dosjet për ta janë të kompletuara.
Do të ishte e pafalshme për gjeneratat e reja dhe për hetuesit vendorë e ndërkombëtarë që të heshtin para dosjeve që ka kompletuar Komisioni për Krime Lufte në Gjilan, i përbërë nga Xhelil Pajaziti, Shemsedin Piraj, Ismet Ukshini, Ramë Biçkaj, Shabi Isufi dhe Masar Morina. Ky komision ka përgatitur një kallëzim penal ndaj disa serbëve të dyshuar gjatë periudhës mars-qershor 1999.
Ka mjaft emra të njohur dhe ka mjaft dëshmi të prezantuara në këtë dokumentacion, por edhe pse i dorëzuar dhe i protokolluar në ish-Prokurorinë e Qarkut në Gjilan, kurrë asnjë hetim apo asnjë ndjekje penale ndaj serbëve të dyshuar nuk është zhvilluar.
Jam i sigurt se ngjashëm situata është edhe në komunat tjera të Kosovës. Koha për zgjim profesional është tani prokurorë të nderuar. Veproni sa nuk është bërë vonë, sepse e di që në mesin tuaj ka ende prokurorë të aftë e të zgjuar. Vetëm thirrni mendjes dhe veproni konkretisht. Deri tashti, 18 vite kanë shkuar dëm në këtë drejtim.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura