Pashtriku.org 6 maj 2017: Me rastin e 19 vjetorit të rënies së Heroit të Kombit, Ilir Konushevci “Mërgimi”, dje në Prishtinë u shfaq premiera e dokumentarit “Buka e UÇK-së” – Historia e Grupit të Logjistikës “Mërgimi”, i autorit Vangjel Kule.
Bashkëluftëtarët e Grupit “Mërgimi”, vlerësuan lart luftën e këtij grupi për liri, të cilët patën për mision furnizimin me armë dhe municion nga Shqipëria për ushtarët e ushtrisë çlirimtare në Kosovë.
Ish-komandanti i logjistikës “Mërgimi”, Gani Nuha me këtë rast tha se ky dokumentar është për të dëshmuar se kush ishte Ilir Konushevci dhe grupi “Mërgimi”, dhe po ashtu për ta dëshmuar sinqeritetin dhe atdhetarizmit e këtyre luftëtarëve.
Një fjalë rasti për grupin që solli armatim për UÇK-në ka mbajtur edhe njëri nga bashkëluftëtarët e ngushtë të heroit Ilir Konushevci dhe ish komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj.
Ai tha se këta djem që po kujtohen sot kanë bërë angazhime për ardhjen e lirisë së Kosovës. Sipas tij, rrugëtimi i shqiptarëve për liri është i gjatë, dhe djemtë e UÇK-së janë brezi i fundit për liri, edhe pse Haradinaj tha se liria e Kosovës ende nuk është e plotë.
Sipas tij ata që e rrezikuan lirinë, ende po vazhdojnë me qenë rrezik për Kosovën.
“Mos të harrojmë se rrugëtimi i shqiptarëve për liri është i gjatë, ne jemi vetëm brezi i fundit që kryejmë obligimin për liri. Andaj, janë breza e breza që kanë rrugëtuar, janë flijuar për liri. Liria që e gëzojmë sot nuk është e plotë dhe kanë mbetur edhe shumë punë me u bërë ende. Po ashtu mos të harrojmë se ata që na rrezikuan lirinë gjithnjë vazhdojnë me qenë ende rrezik për ne”, theksoi Haradinaj.
Me një fjalë rasti për grupin “Mërgimi” u paraqit edhe Gafurr Elshani, i cili me këtë rast vlerësoi rëndësinë e logjistikës së këtij grupi.
“Mërgimi” si grup i koordinuar kishte për qëllim grumbullimin dhe furnizimin me armatim për pjesëtarët e UÇK-së, ku financimi i këtij armatimi ishte bërë kryesisht nga diaspora.
Ai tregoi se personazhet e këtij dokumentari i kishte njohur personalisht shumë kohë para se të fillonte lufta në Kosovë, si bashkëveprimtar në tubime dhe demonstrata.
Ndërsa, vëllai i Ilir Konushevcit, Arton Konushevci tha se ndihet mirë si familje për këtë dokumentar në të cilin është edhe Iliri, por theksoi se ndihen keq si familjarë që nuk është zbardhur ende vrasja e Ilirit në Shqipëri.
Ai fajësoi institucionet e Kosovës për nuk e kanë zbardhur tash e 19 vjet rrethanat e vrasjes së vëllait të tyre.
“Ne si familje ndihemi mirë kur një dokumentar si ky përmendet Iliri, por ne vazhdojmë të ndihemi keq që edhe 19 vjet pas rastit të vrasjes së Ilirit, sepse nuk kemi as një informacion për atë se çfarë ka ndodhur me(rrethanat) saktësisht. Merreni me mend në akademinë e vitit të kaluar kur kam përmendur se nuk kemi asnjë informacion, pas përfundimit të akademisë përkujtimore një nga zyrtarët e institucioneve, ministër, me tha që nuk është përgjegjësi e institucioneve të Kosovës që të nisë diçka për të hetuar. Ia thash se nëse nuk është përgjegjësi e institucioneve e kujt mund të jetë? Ma tha se kjo i takon institucioneve të Shqipërisë. Kjo mu ka duk e pakuptueshme, edhe pse edhe një herë tjetër ma ka përsëritur. Por, sidoqoftë ne si familje vazhdojmë të fajësojmë direkt institucionet e Kosovës, sepse nuk kanë bërë deri më tash asgjë për këtë rast. Mendojmë që nuk mund të ketë rehati as për ne e as për ata derisa të zbardhet rasti i Ilirit”, theksoi vëllai i Ilirit, Artoni.
Kur pritej që përmes Ilirit në Kosovë të futeshin oficerë të lartë për në UÇK, kur në Kosovë zhvilloheshin ofensiva të ashpra dhe të cilat paralajmëronin një luftë frontale, atëherë kur pritej dhe kërkohej më së tepërmi sjellje e armatimit, derisa ishte duke kryer si çdo herë detyrën e tij me përkushtimin më të madh, u vra në mëngjesin e hershëm (rreth orës 2:00) të datës 9 maj 1998 atje ku më se paku pritej, në një pritë të organizuar së bashku me mjekun Hazir Mala, derisa udhëtonin për në Bajram Curr, me një kamion të ngarkuar me armatim. /KosovaPress/
Shfaqet dokumentari “Buka e UÇK-së” (Drejtpërdrejt)