Tiranë, 1 korrik 2017: (Disa mendime për romanin “Darka” të Herman Koch, përkthyer nga origjinali prej Albana Shala, botim i Shtëpisë botuese Albas, Tiranë, 2009.) – Eleminimi i Luftës së Ftohtë dhe luftrat e këtij filimshekulli në Afrikën Veriore dhe Lindjen e Mesme kanë bërë që të krijohet gjithnjë e më shumë përshtypja se Evropa Perëndimore është kontinenti i humanizmit. Mirëpo, sipas shkrimtarit Herman Koch, kjo nuk është plotësishtë ashtu. Ky lloj humanizmi post-Luftës së Ftohtë ka nxjerrë në skenë një rrymë të re politikanësh, politikanë karizmatikë por tepër hipokritë, skundër është Serxh Lohman, personazhi kryesor i romanit “Darka”, kandidati për kryeministër i partisë më të madhe opozitare në Hollandë. Por, duke qenë se këta lloj politikanësh tipikë karjeristë, të etur për pushtet e lavdi janë produkt i dalë nga pjesa e shoqërisë me mirëqënie të lartë, sikundër është Serxho Lohman “mbetur një katundar, një trap i paedukatë, po aq i trashë e i pagdhendur sa atëherë kur e ngrinin nga tavolina, sepse lëshonte pordha e fenda pa merak” (f.47), duke qenë të tillë, të paaftë për drejtimin e shoqërisë e të shtetit, kanë bindur veten se vetëm kjo kategori mund ta drejtoi shoqërinë e some moderne, ndaj dhe janë edhe arrogantë karizmatikë, duke e fshehur arrogancën me shumë marifet (f.82).
Albana Shala dhe kopertina e librit “Darka” e Herman Koch
Kjo është një nga meritat e përkthyeses që ka përzgjedhur këtë libër për ne shqiptarët. Ndoshta krahasimi që do të bëj do të duket i ekzagjeruar, por me këtë përzgjedhje Albana Shala ka bërë atë që ka bërë në kohën e vetë, para 80 vjetësh, Fan Noli me “Don Kishotin e Mançës”, pasi Shqipëria kish shumë donkishotër e sançopanço. Ashtu si atëherë që Shqipëria ishte plot e përplotë me bejlerë e agallarë turkoshakë, edhe sot është plot e përplot me “bejlerë” modernë por me emër tjetër, kryetarë partishë opozitare e në pozitë. Ashtu sikundër Don Kishoti gjen dhe e bën pazh të bindur fshatarin e varfër e të paditur, që e kishte në prag të derës, se edhe ai kish mbetur pa punë e pa bazë ekonomike, edhe kryeministrat dhe ministrat tanë të sotëm e lenë në vrafëri të plotë popullin e thjeshtë që ai ose të iki nga Shqipëria ose t’u bëjë temena atyre që të votojnë për ata, duke i ndjekur nëpër tubime me shpresën se do të punësohen në dogana apo në administratë për t’u pasuruar si shefat e tyre, ndërsa pasurinë kombëtare Serxhot tanë ua japin të huajve me konçension, duke u pasuruar ata dhe të huajt.
Në Shqipërinë e asaj kohe, fshatarët dhe punëtorët e varfër kishin punë si komitaxhinj kundër bejlerëve ose si laro e mercenarë të bejlerëve, sot shtresa e shumicës së popullsisë së thjeshtë, që jeton në Shqipëri, bëhen sejmenë (me diploma universitare të blera) të këtyre politikanëve. Të tillë politikanë pothuajse i ka i gjithë Ballkani, pavarësishtë se politikanët e trojeve shqiptare janë shumë më të avancuar në të gjitha këto tipare negative dhe më me shumicë. I vetmi ndryshim i Don Kishotit të Servantesit me politikanët tanë është se, Don Kishoti ishte idealis në tërë kuptimin e fjalës, të gjitha çfarë bënte kujtonte se i bënte për të mirën e shoqërisë dhe aspak për ndonjë interes vetjak, ndërsa Serxhiot tanë politikanë përgjithësishtë (me shumë pak përjashtime) janë më se të ndërgjegjshëm që gjithçka që bëjnë e bëjnë në dëm të popullit, pasi nuk janë idealistë, por intrigantë të nivelit më të lartë, që s’u bëhet aspak vonë për popullin dhe Shqipërinë. Në këtë përzgjedhje qëndron merita e përkthyeses Albana Shala.
Demokracia perëndimore kërkon të na bindë çdo ditë e më shumë se po mundohet që shoqërinë njerëzore ta shndërroi në një shoqëri humane, në të cilën bën pjesë edhe birësimi i fëmijëve të familjeve të vendeve të varfëra nga familjet e pasura europine nëpërmjet Programit për zhvillim, “një lloj kontrate me kusht. Si një mace e marë nga strehimorja e kafshëve dhe, nëse gjithçka shkon mirë, rrinë përgjithmonë. Nëse macja gris gjithë cepat e divanit dhe shurron nëpër shtëpi, mund ta kthesh mbrapsht” (f.49). Politikani Serxhio i vështron të birësuarit nga Afrika nëpërmjet prizmit të paragjykimit të tij, dhe nuk sheh gjë tjetër tek Bo-ja veçse stimulin e hajdutit të pakorigjueshëm. Dhe Herman Koch e di se sa shumë e padrejtë është kjo, dhe, si artist, ai na e tregon këtë me anën e një shprehjeje të vetme: “Një lloj kontrate me kusht.”, pasi birësime bëjnë çiftet pa fëmijë dhe jo ata si çifti Lohman me dy fëmijë të shëndetshëm.
Dhe kjo shtresë e shoqërisë së sotme “humane” e “demokratike” këtë llo humanizmi e ka thjeshtë “të përfitoi nga e gjithë kjo mesele, më vonë e gjithë kjo do të ishte në favor të tij” (f.50), për ta pasur si mjet popullariteti dhe përkrahje sa më të gjerë nga elektorati zgjedhor, dhe jo thjeshtë si bartës të humanizmit më fisnik. Dhe kur ndodh që i adaptuari ngaqë “ngjan shumë” me prindërit e tij biologjikë, “zhduket pa lënë gjurmë”, në Hollandën demokratike, edhe në mes të Evropës! (f.231).
Kundër kësaj shtrese politikanësh, kundër kësaj demokracie dhe humanizmi fallco autori tregon me shumë finesë se si rebelohet çdo ditë e më shumë shtresa e njerëzve të thjeshtë, të cilët e shprehin rebelimin me forma të ndryshme, por që atë rebelim e trashëgojnë edhe fëmijët e tyre, sikundër ndodh më vëllanë e kandidatit për kryeministër, Polin, dhe gruan e tij Klara, por edhe djali i tyre Mishel, të cilët përfaqësojnë popullin e thjeshtë. Herman Koch përmes trajtesës së ngjarjeve lë të kuptojmë se, kjo shtresë politikanësh të kohës post-moderne, që po jetojnë sot në Evropë e në Ballkan, nuk mund të eleminohet me votën e lirë, por vetëm me dhunë, sikundër bën Poli me gruan dhe djalin e tyre ndaj Serxh Lohman, përfaqësuesit të kësaj shtrese demagogësh politikanë.
Një aspekt jetër që del qartë në këtë roman është fakti që, edhe pse flitet shumë për humanizëm dhe dashuri midis kombeve, kjo është një propagandë fallco. Në Evropë, mundohet të na thotë Koch, ekziston ende urrejtja nacionale, pavarësishtë se Serxho e Babeta dhe hollandezët e tjerë që bëjnë Parajsën franceze “mbyllnin sytë përpara të vërtetës së hidhur që ishin të huaj të padëshiruar në atë vend… në Dordonjë ku im vëlla dhe e shoqja kishin ndërtuar Parajsën franceze, siç e quanin ata”, f.60)
Por që të shkruash një roman të tillë, shkrimtari duhet medoemos të jetë “psikolog”. Dhe romani “Darka” i Herman Koch është i mirë pikërisht sepse nga kjo anë plotëson edhe kërkesën më rigoroze. Romani “Darka” është interesant në kuptimin shoqëror-psikologjik. Këtë roman mendoj se do të ishte e arsyeshme t’u rekomandohet për ta lexuar të gjithë atyre që interesohen për psikologjinë e shoqërisë së sotme modern në Evropën Perëndimore, të cilën po e sulmojnë me mijëra refugjatë afrikanë e të Lindjes së Mesme të besimeve të ndryshme fetare. Luftrat që janë nxitur nga Perëndimi dhe po bëhen në Afrikën Vriore dhe në Lindjen e Mesme kanë shkaktuar një valë të jashtëzakonshme emigrimi drejtë Evropës Perëndimore si kurrë ndonjëherë në historinë e Evropës. Ndoshta një lloj hakmarrjeje e tyre. Dhe kjo është një zhvendosje popujsh të shumtë. Prandaj edhe psikologjia e këtij emigrimi galopant është një psikologji popujsh të ndryshëm, të cilët nuk janë identikë as midis tyre dhe as me popujt e Evropës ku ata synojnë të vendosen përkohësishtë apo përgjithmonë. Dhe këtë psikologji të ndryshme Herman Koch na e jep përmes Bo-së nga Burkina Faso.
Poli dhe Serxho, edhe pse janë vëllezër ndryshojnë krejtësishtë në pikëpamjet që ata kanë për shoqërinë dhe racat, gjë që përcaktohet nga ndryshimi i pozitës që ata kanë në shoqëri. Dhe këtë ndryshim të pashmangshëm e ka kapur shumë mirë Herman Koch. Vëllai i vogël politikan, Serxho, bashkë me gruan e tij, kërkon që të sakrifikoi edhe djalin e tij, gjoja se kërkon të ruaj nderin e familjes dhe “pastërtinë” e ndërgjegjes së tij, por me qëllimin e vetëm që të bëhet kryeministër. Po sjellim ndër mend debatin që zhvillohet mes tyre, në të cilin përpiqen që si e si ta pengojnë vëllanë e vogël, kandidatin për kryeministër, që të mos dalë në konferencë shtypi, duke arritur deri aty sa bëjnë plan t’i thyejnë duar e këmbë, dhe këtë gjë e bëjnë dy kunatat. “Klara: Po flasim për faktin që ti përvetëson gjithçka që është e jona. Ja këtë po thotë Poli. Ti flet për të ardhmen e fëmijëve tanë. Por ti nuk je i interesuar në të vërtetë për ta. Ti ua ke përvetësuar atyre të ardhmen. Po aq lehtësisht sa përvetëson kafenenë tonë për konferencën tënde të shtypit. Vetëm se kjo ndoshta do ta bëjë konferencën tënde më të vërtetë. As nuk të shkon ndër mendje të pyesësh se ç’mendojmë ne për këtë.”,(f.199).
Ndërsa vëllai i madh, Poli, një arsimtar i thjeshtë, i cili “ndëshkohet” nga administrata shtetërore si i sëmurë mendor nga shoqëria vetëm e vetëm pse u tregon nxënësve të vet dhe djalit të tij të vërtetën jetësore. Në kohën e sotme, kush thotë të vërtetën është i marrë. Poli e gjen rrugën e ruajtjes së nderit të familjes, duke inkurajuar gruan ta plagosi Serxhion për të mos dalë në konferencë shtypi, duke korruptuar edhe menaxherin me një bakshish të majmë: “Nëse më premton që ti nuk ke parë, as mua as tim bir, në kopsht. Sonte. Pas një jave. Ndoshta edhe pas një viti.”,(f.230). Të tillë guxim të jep ndjenja për të ndëshkuar dy kategoritë më të këqija shoqërore, dembelizmin dhe parazitizmin e “llumpmen proletariatit”, sikundër thoshte Marksi e që këtu përfaqësohet nga lypsarja, që bllokon bankomatin; si dhe shtresën e politikanëve hipokritë e me pushtet që kërkon të sundojë shoqërinë njerëzore me demokracinë fallco e hipokrite.
Përmes këtij romani, shkrimtari kërkon të na bindë me të drejtë se gjendja ekonomike e njerëzve nuk varet aspak nga thellësia e ndjenjave të tyre, nga kjo gjendje varen në përgjithësi e tërësi rrethanat, në të cilën jetojnë njerëzit; dhe nga kjo rrethanë përcaktohet karakteri i atyre përfytyrimeve, me të cilin e lidhin përfytyrimin që kanë për qenien e tyre lluksoze. Në këtë mënyrë shkrimtari të bind se ajo që përcakton psikologjinë e anëtarëve të shoqërisë është ekonomia e shoqërisë. Prandaj politikanët karjeristë si Serxhio nuk kanë aspak hidhërim si për vrasjen e lypsares ashtu edhe për afrikanin e birësuar. Te këta persona shprehet krejt ndryshe ndjenja njerëzore nga sikundër shprehet ajo te njerëzit që ndodhen në gjendjen e prindërve biologjikë të Bo-së. Te këta persona nuk shprehet aspak hidhërim për zhdukjen e një varfanjaku të adaptuar, edhe pse shprehen: “e duam po aq sa duam Rikun dhe Valerinë.”,(f.50). Dhe kjo ndodh për faktin se përfytyrimi për vrasjen e Bo-së lidhet me përfytyrimet që kanë të bëjnë me të ashtuquajturën kërkesa materiale përmes postit të kyeministrit. Kërkesa e tyre për një jetesë të qetë e të mirë është më e shtrenjtë se jeta e një varfanjaku të adaptuar.
Libri mbaron me një përfundim tronditës dhe mjaft demaskues. Për herë të parë Herman Koch tregon me dorën e tij të talentuar skëterrën e “humanizmit” të sotëm “demokratik”. Me këtë libër ai i jep një grusht përbuzës dhe të ashpër “shtetit ligjor” të Evropës.
Së fundi dy fjalë për përkthimin. Ai është brilant, që unë mund të them se nuk është përkthim, por shqipërim. Kur lexon romanin e Herman Koch, “Darka’, duket sikur autori e ka shkruar atë në shqip. / Tiranë, 24 qershor 2017
Autori, Herman Koch dhe kopertina e librit në origjinal.
________________
Lexoni një pjesë të librit: ‘DARKA’:
https://www.albas.al/web_albas_be/online/Darka/#p=1