Tetovë, 26 shtator 2017: Nga shqiptarët në Maqedoni nuk duhet të kërkohen reforma të menjëhershme në ndryshimin e kursit politik të tyre, sepse kompasin e orientimit e kanë humbur shumë kohë më parë, pa fajin e tyre, duke mos arritur të krijojnë klasë politike me përgjegjësi kombëtare dhe liderë të përgatitur për këto sfida me të cilat përballen sot.
Ndër shkaqet kryesore, në pika të shkurtëra, duhet të merren parasysh këto fakte:
1. Shqiptarët në Maqedoni, edhe përkundër pjesëmarrjes aktive në lëvizjen e Rilindjes Kombëtare dhe luftën çlirimtare për krijimin e shtetit kombëtar, pa fajin e tyre mbetën nën okupimin serb-jugosllav edhe pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 1912;
2. Nga dy luftat ballkanike dhe Lufta e Parë Botërore, shqiptarët e lodhur nga robëria shekullore dhe të përçarë mes vete, nuk mundën t’i ndalin synimet grabitqare të trojeve etnike nga shtetet fqinje, me ç’rast krahina të tëra shqiptare i përjetuan masakrat më të tmerrshme që mban mend historia. Në këto rrethana më shumë pësuan viset shqiptare të brezit kufitar me bullgarët, serbët, malazezët dhe grekët. Këtë fat e përjetuar sidomos shqiptarët në Maqedoni, të cilët u lanë të pambrojtur dhe në mëshirën e fatit, mes ushtrive pushtuese serbe e bullgare, të cilat dogjën, vranë, masakruan, shpërngulën me dhunë, gati shkatërruan gjithçka shqiptare në qytetet dhe vendbanimet ku sot jetojnë shqiptarët në Maqedoni;
3. Pas Luftës së Dytë Botërore, edhe pse të rreshtuar me forcat fitimtare të saj, fati i njëjtë i ndoqi edhe për gati gjysmë shekulli, deri në vitin 1990, që të jetojnë nën pushtetin jugosllav, me këtë ta përmbyllin edhe një shekull të tërë nën okupimin dhe robërinë e egër serbe-jugosllave;
– Prof.dr.Abdulla Mehmeti –
4. Duke pasur parasysh rrethanat e reja, të krijuara pas rënies së Murit të Berlinit, përfundimin e Luftës së Ftohtë dhe fillimin e proceseve të reja demokratike në bllokun e ish shteteve socialiste, sidomos me shkatërrimin e ish Federatës Jugosllave, shqiptarëve në Maqedoni, përmes rrjetit të shërbimeve të huaja sekrete, kryesisht sllave, ua imponuan rrugën e re të së ardhmes, duke i orientuar sërish të mbeten nën ish republikat jugosllave, Serbi, Maqedoni dhe Mal të Zi. Me përjashtim të Kosovës, tanimë shtet i pavarur, të gjitha trojet tjera etnike mbetën edhe më tej nën mëshirën e fatit, pa e realizuar të drejtën e tyre për vetëpërcaktim, pa realizuar ëndërrën e tyre për çlirim dhe bashkim kombëtar;
5. Rrethenat e reja, nuk u kanë dhënë mundësi shqiptarëve në Maqedoni që ta ndjekin rrugën e drejtë të vetëvendosjes, për liri dhe bashkim me atdheun e vet të natyrshëm;
6. Të gjitha rrugët e mëvonshme të lëvizjes politike të shqiptarëve në Maqedoni, nuk janë orientuar drejtë, jo vetëm për fajin e tyre, por edhe për mungesë të përkujdesjes nga Shteti Shqiptar dhe faktori ndërkombëtar;
7. Partitë politike të shqiptarëve në Maqedoni, me punën dhe veprimet e tyre deri më sot, e kanë dëshmuar se nuk e kanë përçuar drejtë vullnetin politik të popullit që e përfaqësojnë, por vazhdojnë edhe më tej të veprojnë kryesisht nën direktivat e disa qarqeve politike të Tiranës dhe Prishtinës zyrtare, sidomos të faktorit ndërkombëtar, duke u viktimizuar në emër të stabilitetit të këtyre shteteve, të rajonit dhe të paqes e sigurisë ndërkombëtare;
8. Përgjatë një shekulli nën robërinë e huaj dhe nën rrethana okupimi, ndaj kësaj popullate është ushtruar dhunë e vazhdueshme, represion e terror, janë bërë krime gjenocidi, duke iu nënshtruar plotësisht procesit të akulturimit, të zbehjes së ndjenjave kombëtare nga ideologjitë e huaja politike dhe fetare, duke e dezorientuar në rrugën e tij të natyrshme për çlirim, vetëpërcaktim dhe vetëvendosje;
9. Niveli tepër i ulët i zhvillimit ekonomik, i emancipimit kombëtar, arsimimit në frymën e shëndoshë, kanë bërë që kjo popullatë të bëhet lehtësisht pre e manipulimeve dhe keqpërdorimeve nga partitë politike të derisotme dhe liderët e tyre;
10. Nga një popullatë në këtë gjendje, e cila ka kaluar një rrugë tepër të gjatë nën robërinë e huaj, që realisht asnjëherë nuk ka përjetuar liri dhe pushtet të vetin kombëtar, nuk mund të kërkohet angazhim më i madh, kuptim dhe qasje më e drejtë ndaj lirisë dhe çështjes së tij kombëtare të pazgjidhur;
11. Sidomos gjatë regjimit komunist, nën ish Jugosllavi, shqiptarët në Maqedoni nuk kanë arritur të krijojnë klasë politike dhe intelektuale të shëndoshë dhe me orientim kombëtar. Përderisa popujt tjerë, me të cilët shqiptarët kanë qenë të detyruar të bashkëjetojnë në të njëjtin shtet, i kanë krijuar të gjitha institucionet e veta të nevojshme për ngritjen e tyre politike, shoqërore, arsimore, kulturore dhe shkencore, ata pak intelektualë shqiptarë që kanë mundur të dalin nga gjiri i këtij populli, janë përndjekur, persekutuar e burgosur, ose janë zhdukur pa nam e pa nishan;
12. Si një kope e mbetur pa barinj, normalisht që shqiptarët në Maqedoni kanë mbetur pre e manipulimeve nga individë dhe klane politike të krijuara dhe dirigjuara në të shumtën e rasteve nga shërbimet e huaja sekrete, sidomos ato sllave;
13. Duhet të merret parasysh fakti se, një pjesë e madhe e individëve dhe familjeve shqiptare në Maqedoni i kanë shërbyer ish regjimit komunist dhe i kanë gëzuar të gjitha privilegjet e tij, po ashtu një rrjet i tërë personalitetesh publike të asaj kohe i kanë shërbyer me besnikëri edhe sherbimeve sekrete të atij regjimi, prandaj, nga ata vetë dhe fëmijtë e pasardhësit e tyre nuk mund të kërkohet dhe pritet përkushtim dhe konsekuencë ndaj çështjes kombëtare të pazgjidhur;
14. Sa për ilustrim të kësaj që u tha në pikën e mëparshme, ju përkujtoj se gjatë asaj kohe, të gjitha mediat në gjuhën shqipe, gazeta e vetme në gjuhën shqipe ,,Flaka e vëllazërimit”, Radio dhe Televizioni i Shkupit, si dhe mediat lokale që kanë pasur programe në gjuhën shqipe, e kanë realizuar me përkushtim politikën antishqiptare të asaj kohe, në shumë raste duke përgatitur edhe komente të vetë redaksive kundër komenteve dhe artikujve ,,me përmbajtje paternaliste” të gazetës ,,Zëri i popullit” të Tiranës, kundër Ismail Kadaresë dhe akademikëve kosovarë. Gati të gjithë përfaqësuesit shqiptarë në organet e pushtetit të atëhershëm, në të gjitha nivelet, e kanë luftuar me përulje dhe përkushtim ,,nacionalizmin”, ,,separatizmin”, ,,irredentizmin” shqiptar dhe janë përpjekur kundër kinse ,,kosovizimit” e ,,albanizimin” të Maqedonisë, sipas direktivave të komiteteve të Partisë komuniste, Lidhjes socialiste të popullit punues, Lidhjes së luftëtarëve dhe forumeve të tjera shoqërore-politike të asaj kohe. Shumica e fuksionarëve shqiptarë të asaj kohe janë përfshirë në procesin e egër të diferencimit ideopolitik kundër vëllezërve të tyre shqiptarë. Shumica janë pajtuar, janë angazhuar dhe kanë kontribuar për rrënimin e arsimit shqip dhe për krijimin e paraleleve të përziera (me nxënës shqiptarë e maqedonas), ku do të mësohej vetëm në gjuhën maqedonase dhe kanë kryer veprime të tjera të turpshme në dëm të popullit shqiptar. Shumica e tyre, ose i kanë përkrahur, ose kanë heshtur para fushatave të egra shoveniste kundër shqiptarëve, për sllavizimin e toponimeve shqipe, emrave personal në gjuhën shqipe të fëmijëve, për djegien dhe zhdukjen e liteaturës në gjuhën shqipe nga shkollat dhe bibliotekat, për ndalimin e këngëve shqipe nga programet e radios dhe televizionit, për gjithçka që pushteti komunist konsideronte se është në frymën e ,,nacionalizmit shqiptar”, si pretekst për asimilimin, shpërnguljen dhe shfarrosjen e shqiptarëve nën ish Jugosllavi. Ndërsa sot, po këta individë dhe të afërmit e tyre, paturpësisht shtirren sikur janë konvertuar në ,,demokratë” e ,,patriotë”, mbrojtës të çështjes kombëtare, duke harruar se gjurmët e tyre të turpit kanë mbetur të shkruara, të dokumentuara dhe të skalituara në kujtesën e popullit të vuajtur shqiptar;
15. Në fund të viteve të tetëdhjeta është hapur një debat për kinse ,,heqjen dorë vullnetarisht” të shqiptarëve në Maqedoni nga statusi i tyre shtetformues, ndërsa në këtë fushatë në formë referendumi, kanë marrë pjesë dhe e kanë zbatuar me përkushtim gati të gjithë përfaqësuesit shqiptarë në shtrukturat e organizatave shoqërore-politike të asaj kohe, të udhëhequra nga komitetet e ish Partisë komuniste të Jugosllavisë dhe të Maqedonisë. Ky ka qenë shkaku kryesor dhe faji historik edhe i vetë udhëheqësve komunistë shqiptarë në Maqedoni, për statusin juridik-kushtetues që edhe sot e kanë shqiptarët sipas kushtetutës së këtij shteti, tanimë të pavarur, si pakicë kombëtare e jo popull shtetformues. Kjo ka qenë një armatë e tërë renegatësh shqiptarë, nga të cilët nuk mund të pritet që sot të shndërrohen menjëherë në ,,patriotë”. Këta dhe fëmijtë e tyre të edukuar në atë frymë, sot mund të flasin shqip, por ende mendojnë sipas urdhërave të Shkupit e Beogradit;
16. Disa analistë, studiues dhe veprimtarë shqiptarë në botën e jashtme, habiten se si ka mundësi që edhe më tej kaq shumë qytetarë t’i votojnë politikanët e korruptuar, të papërgjegjshëm dhe të dështuar shqiptarë në Maqedoni? Përgjigjja është shumë e lehtë dhe thjeshtë: një pjesë e madhe e këtyre qytetarëve nuk i votojnë liderët, as përfaqësuesit e tyre të tjerë në pushtet, por votojnë për veten e tyre, të kaluarën e tyre të turpshme (ose të baballëve), për t’i mbuluar gjurmët e krimeve ndaj popullit të vet, e votojnë sistemin i cili edhe më tej i privilegjon dhe mbron ata, si njerëz të dëshmuar se janë ,,shqiptarë të ndershëm”, ,,fleksibil”, ,,të përshtatshëm”, ,,mall i mirë për manipulim” edhe për të ardhmen, në dëm të kauzës shqiptare, prandaj ata i votojnë masovikisht dhe pa hezitim të gjithë kandidatët që ua sugjeron pushteti përmes partive politike dhe liderëve të tyre;
17. Sa është i dhimbshëm fati i shqiptarëve në Maqedoni, mjafton t’u hidhet një vështrim i hollësishëm të gjitha proceseve politike të derisotme dhe sidomos pasojave që ky popull vazhdon t’i vuaj edhe sot, e që do t’i vuaj edhe për një kohë në të ardhmen.
Duke pasur parasysh këto rrethana, të gjithë shqiptarët kudo që janë, të interesuar dhe me qëllime dashamirëse ndaj vëllezërve të tyre në Maqedoni, u mbetet për detyrë të kenë kujdes maksimal në qasjet dhe deklaratat e tyre publike në lidhje me çështjen e shqiptarëve në Maqedoni.