SYLEJMAN KRASNIQI: EDHE NJË HERË PËR “KOMBIN KOSOVAR” TË NEXHMEDIN SPAHIUT!

Prishtinë, 19. 01. 2016: (Reagim ndaj shkrimit të Nexhmedin Spahiut me titull “Koncepti i Kombi” i botuar në të përditëshmen “Kosova sot” datë 30.12.2015) – Ka kohë që nuk është marrë askush me ‘Kombin kosovar”. Prej se është përurua libri i këtij autori me titull “Foshnjëria e kombit kosovar” në Mitrovicë, diku nga qershor i vitit 2014, e deri më sot (apo më sakt deri në numrin festiv të gazetës “Kosova sot” në dhjetorin e 2015-tës) nuk kam lexua ndonjë shkrim serioz për ose kundër “zbulimit” të “kombit kosovar” të Nexhmedin Spahiut dhe të një dyzine “intelektualësh” të nivelit të Spahiut. Ndoshta kjo ka qenë arsyeja e paraqitjes, në numrin festiv të gazetës “Kosova Sot”, të Nexhmedin Spahiut me një analizë të formimit të kombeve. Dhe nga frika se mos po vonohet formimi i kombit të tij kosovar mori mundimin dhe u paraqit edhe një herë me idetë e tija gjeniale rreth formimit të kombeve. Deshi që të nxis edhe një herë kërshërinë e opinionit të “verbër” dhe të “shurdhër” në Kosovë dhe më gjërë. Por tani i thirri në ndihmë edhe shumë shtete, personalitete, filozofë, politikaj të huaj dhe të vendit, shkrimtarë etj.
Fantazia e autorit (Nexhmedin Spahiut) mundohet që të na i hijeshon shtetet që nuk e kanë pranuar Kosovën si shtet të pavarur pasi ato shtete nuk po e pranuakan kombin më të ri në botë, pra “kombin kosovar”. Dhe çuditërisht këto shtete qenkan në ujdi të plotë me Boris Tadiqin e Sërbisë dhe me elitën e tashme politike të Kosovës. Keni parasysh vetëm shtetet si Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë, Qipron dhe Spanjën. Nuk e paskam ditë se sa mike i kemi këto shtete!? E Sërbinë mos ta përmendim fare. Ajo do të na pranonte pa ngurim sikur të paraqiteshim si shqiptarë por jo kurrsesi dhe asnjë mënyrë si “komb kosovar” sepse atëherë do të “rrezikohej” edhe qenja e vet Sërbisë si shtet! Sepse si kombi ri që do të ishim ne do të bënim “mrekullira” prandaj edhe kurrsesi nuk bënë të pranohet Kosova me këtë komb të tmerrshëm “kosovar”…

Kurse për Boris Tadiqin mund të them sinqerisht se më vjen shumë keq që ai nuk është “intelektual” i kalibrit tëndë (Nexhmedinit) prandaj nuk është largpamës si ti. Mandej ate edhe nuk ka patur kush ta këshilloi sepse me Akademinë e shkencave të tyre nuk këshillohet e as nuk bashkëpunon!? Pastaj as me Kishën ortodokse nuk i ka punët mirë kaherë!? Me Shoqatën e shkrimtarëve të Sërbisë dhe me Francuska 7 është prishur moti. Unë nuk e fajësoi Tadiqin sepse të gjitha këto institucione sërbe së bashku nuk mundën ta tjetërsonin shqiptarin që nga 1912 e deri në ditët e sotme. Dhe nuk është se u munduan pak. Që nga sharraxhiu në sheshet e Beogradit në vitin 1946 e deri në vitet 1970 e më tej kur shqiptari quhej “pa të keq” shiftari apo shiptari. Për fatin tonë të “keq” këto përpjekje sërbe për shartimin tonë nga shqiptar në shifter ose shiptar (atyre nuk ka patur kush t’iu thotë se termi kosovar do të ishte më i pranueshëm për “intelektualët” tanë të tanishëm) nuk i dhanë rezultatet e dëshiruara. Këto marifete i demaskoi atëbotë Esat Mekuli me shokë e në mungesë të Spahijëve të sotit. Nuk e “bleu” pazari atëbotë marifetin sërb se qytetarët e Shqipërisë janë allbanca (shqiptar) e ne në Kosovë jemi shiftar ose shiptar. Pra se nuk jemi i njejti komb por dallojmë shumë nga ata të Shqipërisë. Prandaj Tadiqi ka hjek dorë nga këto kombinime dhe është tërhequr me urtësi. Por Tadiqi e din fort mirë se “lisi çahet vetë nga pyka e vet”.
Në një vend thua se “Po të ekzistonte, për presidentin e Sërbisë, kombi kosovar atëherë ai do ta pranonte shtetin e Kosovës”. Dhe me kaq problemi u zgjidh. Për hatër të Sëbisë edhe ne po e ndrrojmë veten dhe po bëhemi “komb kosovar” sepse ashtu po ka dëshirë fqinji ynë i parë dhe shumë dashamirës ndaj nesh. Pra kombin po e ndryshojmë për hatër të fqinjësisë së mirë dhe me ndërmjetësimin tëndë (si mësit i mirë që je). Gjuhën e kemi dhuratë nga Sinan Hasani. Mirë fort. Simbolet na i ka lënë Hashim Thaçi me Ahtisarin. Alfabetin kush do të na e dhuroj? Mund ta marrim alfabetin grek se e kemi edhe ate mik dhe dashamirë të vjetër. Ndoshta dikush dëshiron që alfabetin ta marrim nga arabët sepse edhe ata nuk po na pranojnë si shqiptar porse si kosovar po se, përndryshe, do të koriteshin me sërbët miqët e tyre që nga Naseri e deri tek Gadafi. Dhe besoj se do të fitoj varianti i alfabetit arab sepse edhe vetë Sërbia do të pajtohet. Bile Sërbia do të këmbëngul për alfabeitn arab sepse kështu do të paraqitej para politikanëve të Europës si shumë tolerant. Dhe pastaj lumë ne se deri ku kemi arritë me këto akrobacira. Sërbia do ta garantoj Europën se neve do të na “qetësoj” përgjithmonë… Na mbesin edhe shumë gjëra të tjera pa u konkretizua për kompletimin e “kombit kosovar” por sa të jetë kuzhina e Akademisë Sërbe, Kisha Ortodokse, Francuska 7 dhe me angazhimin tëndë të pakursyer ne, tashmë, nuk do të vuajmë për asgjë.
Nuk është mirë që t’i mohohet Sinan Hasanit merita për termin “kosovar”. Nuk e di se sa i kujtohet Nexhmedinit që Sinan Hasanit i plasi perdja kur ndëgjoi se u miratua gjuha standarde shqipe dhe drejtshkrimi i sajë në nëntorin e vitit 1972 në Tiranë. Në një mbledhje të Komitetit Krahinor të LKJ-së për Kosovë Sinan Hasani u ngrit dhe i akuzoj pjesëmarrësit nga Kososva në Kongresin e Drejtshkrimit në Tiranë duke thënë se ne nuk kemi nevojë për atë gjuhë sepse e kemi gjuhën tonë – kosovarishten. Pra ky është kumbarë i “kombit kosovar” dhe i gjuhës “kosovarishte” njëkohësisht. E nuk e dij pse Spahiu e ngatërron Mitrush Kutelin me këtë akuzë të rëndë. Meritën duhet që ta bartë ai që e meriton…E Mitrush Kuteli duhet të lexohet mirë dhe porosia e tij me atë vjershë të interpretohet drejt e jo të shtrembërohet për qëllime dhe levërdi të të huajëve..
Thua se shtetet që e kanë pranua Kosovën për shtet të pavarur këtë e kanë bërë në emër të “kombit kosovar”! Sa zbulim i këndshëm i një “intelektuali” “kosovar”. Tash e kuptova se sa në krizë është projekti yt me atë dyzinën e sojit tëndë. Prandaj i ke ftuar në ndihmë edhe OKB-në dhe të 108 shtetet të cilat e kanë pranuar Kosovën falë projektit që e zbulove dhe po e reklamon ti me disa Don Kishotë të shekullit 21. Opinioni nuk e din se OKB-ja qenka ofiçaria për regjistrimin e kombeve dhe të etnive. Përpara regjistrimi në ofiçari bëhej edhe me dy dëshmitarë. Sipas teorisë tënde tani OKB-ja i ka 108 dëshmitarë dhe shpejto e regjistroje “kombin kosovar” sa nuk kanë ndryshuar rrethanat se druaj do të bëhet vonë. Kam frikë se mos pendohet Shqipëria që e pranoi Kosovën ndër të parat. Ndoshta tani i ka ra ndërmend se Kosova është pranua si komb kosovar dhe prandaj edhe mund t’i bie pishman dhe të tërheq aktin e pranimit…
Në një vend thua se “…gati të gjithë liderët politikë të Kosovës dhe e ashtuquajtura elita e kosovare pajtohen me presidentin Tadiq që nuk ekziston kombi kosovar”. Më vjen keq shumë por konstatimin e fundit nuk mund ta pranoj si të sakt. Do të isha pajtua me ty sikur liderët e përfshirë në luftën çlirimtare, dhe tjerët, të kishin miratua në Kuvendin e Kosovës( me propozimin e Akademisë tonë të shkencave, të inteligjencës tonë të mirëfillt, të shoqërisë civile dhe pas një debati të gjërë në popull) flamurin tonë tradicional me shqiponjë të zezë e me sfond të kuq dhe krahas me te edhe himnin tonë shumë domethënës. Flamuri dhe himni kanë qenë frymëzuesit kryesor për të gjitha kryengritjet dhe luftërat tona çlirimtare. Po të kishim heq dorë nga flamuri dhe himni me kohë.., nuk kemi patur nevojë as të luftojmë dhe as të shkatërrohemi deri në këtë masë. Në kohë shumë më të vështira( në vitet e errëta të dhjetëvjetshit të nëntë të shekullit të kaluar) nuk kemi heq dorë nga simbolet kombëtare edhe në kushtet e një shtetrrethimi me tankse. Atëherë shumë lehtë mund ta paguaje me kokë kundërshtinë ndaj regjimit sërb kurse sot për një kundërshti ndaj ndërkombëtarëve ( ose vetëm për këmbënguljen e paraqitjes e kërkesave reale të popullit tëndë) , më e keqja që mund të të ndodh, mund të largoheshe nga posti politik. E politikanët tanë më me dëshirë i ndryshojnë simbolet kombëtare dhe e copëzojnë shtetin se sa lëkunden nga karrigat e tyre të turpit. Elitat e politikajve të pasluftës ose bëjnë argartin e “kombit kosovar” ose janë bashkëautorë dhe bashëideator të këtij projekti . Këte e them sepse lejojnë, që në ditën me diell, Akademia e jonë të përpiloj historira dhe fjalorë të ndryshëm të Kosovës ndaraz nga ato të Shqipërisë. Dhe këto me paratë e taksapaguesëve. Me ose pa vetëdije jeni duke e përgatitur kurthin e ndarjes nga trungu shqiptar. Ndoshta janë duke e vazhduar “Jugosllavikën” e cila iu mbeti në mes të gjorëve dhe klasës KOS-iste të akademikëve të Kosovës . Unë nuk jam në dijeni që ndonjëherë është shkrua ndonjë fjalorë çfardo qoftë ose tekst historia nga akademikët e Shqipërisë e të mos jetë e përfshirë edhe e gjithë treva e Kosovës me të gjitha trojet shqiptare në ish-jugosllavi. Por , nejse , le të vazhdojnë rrugën që e kanë nisur me vetëdëshirë. Prapa do i ndjek turpi I historisë. Të gjithë ata që e ndjekun këtë rrugë të turpit do ta kenë të njejtin fat. Kjo është aksiomë e historisë. Është për të ardhur keq shumë por e vërteta është se popullin e kemi në nivel më të lartë të vetëdijes kombëtare se pjesën dërmuese të elitës së sotme politke në Kosovë. Dhe nuk është çudi që një ditë ata(populli) do të përvilet dhe ta marrin fatin e Kosovës në duart e veta.
Më tej thua se “Me planin e Ahtisarit dhe rrjedhimisht edhe me Kushtetutën e Kosovës,shqiptarët katolikë nuk kanë vende të rezervuara në Parlamentin e Kosovës. Pse? Sepse Ahtisari e ka konstatuar se ata janë pjesë integrale e”kombit kosovar”. Si duket ti paske patur shoqëri të ngushtë me Ahtisarin. Sepse po i din edhe konstatimet e Ahtisarit. Prej atij e paske marrë vesh se katolikët janë pjesë integrale e kombit kosovar.Po për katolikët e Shqipërisë, të lutem shumë, a të tha gjë Ahtisari yt? Nga po ia mbajshin ata? A do të ketë vend edhe për ortodoksët në “kombin kosovar? Mendova për ata ortodoks që, deri para themelimit të kombit tëndë , (pra kombit kosovar), ishin shqiptarë. A do të kenë ata vende të rezervuara? Po shiitët dhe synitët ? Françeskanët me cilin komb i kishte sistemua ai ( Ahtisari pra)?
Po shihet se me këto manipulimet e tua ke shkuar shumë larg. Ke fillua me shti shumë cpirra kohët e fundit. Ke fillua ta shtishë pykën e përçarjes edhe atje ku nuk ka mundur asnjë armik ti fus hundët. Nuk do të çuditesha sikur herën tjetër të paraqitesh me dyshime se nga do ti renditë Ahtisari,apo ndonjë Ahtisar tjetër, fiset tona si; shalën,berishën,krasniqen,hotin,gashin kelmendin e etj.etj ? Nejse. Këto ndoshta janë projektet e tua për të ardhmën e afërt. Apo ndoshta po pret sa të qetësohet dhe stabilizohet “kombi kosovar”.
Një gjë besoj se do ta kesh mësua nga historia se: që nga pellazgët e lashtë, epirotët, ilirët, arbërit, shqiptarët do ta kenë ndryshua emrin e tyre por gjithëmonë si tërësi etnike e kurrë të copëzuar e të ndarë në disa kombe a etni sikur mundohesh ti tani. Ka raste që në ecejaken tonë ndër shekuj edhe të jenë asimilua pjesë të kombit në rrethana tepër të ndëlikuara historike por të ndahen në disa pjesë e të marrin emra të tjerë nuk ka ndodhur kurrë. E as që do të ndodh ndonjëherë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura