XHEVAT BISLIMI: DUKAGJINASIT FALËNDERUES PËR KUFIRIN ME MALIN E ZI (Humor i zi!)

Viti, 27 shkurt 2018: Shqiptaret e rajonit te Dukagjinit më në fund janë të lumtur që u gjend dikush që ua tregoi kufirin! Ka dekada, qysh se ishte copëtuar Shqipëria, që populli i Dukagjinit (sidomos komuna e Pejës dhe e Deçanit) nuk e dinte kufirin ndërmjet Dardanisë (Kosovës) dhe Malit te Zi! Ata kishin kullotur bagtinë në ato bjeshkë e kullota me dekada duke besuar se ishin bjeshkët e tyre! Mirëpo, një ditë vere të vitit 2015, doli një djalë nga Broja dhe ua tregoi kufirin e ri-mezhdën!
Po bëhen gati tri vite që banorët e atyre zonave të Dukagjinit nuk po besonin se kufiri ishte aty ku e vendosi djali fshatar nga Broja… Biri i Dukagjinit, Komandanti i asaj Zone, u vu në ballë të kundërshtimit të kufirit që përcaktoi djali i Brojës me Gjukanoviçin a Vujanoviçin! “Atë kufi s’ka mundur ta ndryshoje sulltani, tha ky biri i Dukagjinit, e po e ndryshon djali nga Broja që s’m’i ka dy ditë shkollë”! Thoshte kështu sa ishte në opozitë ky bir i Dukagjinit! Mbase nga poshtë edhe nuk e shihte mirë vijën kufitare të djalit të Brojës!

Mirëpo, tash që u ngjitë lartë (u bë kryeministër), biri i Dukagjinit dhe Komandanti i asaj Zone të Luftës, po e dallon qartë vijën kufitare dhe po i duartroket e po e falënderon djalin e Brojës që ia ka zgjidhur këtë çështje Dukagjinit (zonës kufitare)!!
Për ta kuptuar se kufiri është vendosur drejtë dhe saktë birin e Dukagjinit e kanë ndihmuar: Behgjet Pacolli, Fatmir Limaj, Ilir Meta e Kadri Veseli, të cilët i ka falënderuar posaçërisht! Nuk është pa merita edhe Avdulla Hoti!
Kështu përfundoi (sipas këtyre dainjve!) historia e kufirit me Malin e Zi dhe lajthitja e popullit të asaj ane! Kaq të trashë paskan qenë këta dukagjinasit që nuk e paskan ditur ku e kanë kufirin!! Fat i madh që patëm këtë djalin e Brojës e ua tregoi kufirin dhe e shpëtoi një popull të izoluar nga BE-ja, që po kërkonte ratifikimin e kufirit me Malin e Zi në kembim të heqjes së vizave!
Me këtë u vendos edhe një standard i ri: “Secili politikan-pushtetar mund të leshojë e të fale tokë Kosove, por askush nuk ka të drejtë të pengojë liberalizimin e vizave”! Po u bënë edhe “zajednica” dhe kufiri me Sërbine (340 km!) me këtë “standard” të ri dikush ka gjasa të mira të shpëtoje edhe nga ingranazhet e Gjykatës Speciale…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura