Prishtinë, 25 mars 2018: Tash e sa kohë kultura seksiste paraqitet në institucionet publike edhe në Universitetin e Prishtinës gjithashtu. Këtë 8 mars, të gjitha institucionet, duke përfshirë edhe Universitetin e Prishtinës shënuan Ditën Ndërkombëtare të Gruas, me gojën mbushur plot e përplot thirrje për barazinë gjinore. Por këto thirrje siç duket janë rezervuar për t’u përdorur vetëm në një datë e një ditë të vitit.
Së fundmi kemi dëgjuar Prorektoren, Teuta Pustina – Krasniqi, duke akuzuar gratë dhe vajzat të cilat studiojnë apo punojnë në Universitetin e Prishtinës për ngacmimet seksuale, siҫ thotë ajo, si rezultat i veshjeve provokative të tyre. Pra ajo gratë dhe vajzat i bën fajtore, kur në fakt janë viktima të një sistemi patriarkal. Ndërrimi i viktimës me fajtorin dhe trajtimin e fajtorit si viktimë, sigurisht se nuk është shtrim i problemit për ta zgjidhur atë por përkundrazi për ta heshtur atë. Studentet e gratë, shumë shpesh e kanë të pamundur të flasin për këtë dukuri negative, e në vend se kjo të inkurajohet e të trajtohet si një padrejtësi, po ndodhë e kundërta.
Organizata studentore, ‘STUDIM KRITIKË VEPRIM’ do të jetë përkrah studenteve e studentëve që kanë qenë viktima apo dëshmitarë të këtyre rasteve – të cilat janë heshtur apo nuk janë paraqitur – deri sa zëri i tyre të dëgjohet dhe e drejta për ta paditur dhe dënuar ngacmuesin të jetë e pamohueshme dhe jo e turpshme. Përgojimi i viktimës e heshtë dhe e zgjatë problemin, kurse demaskimi dhe dënimi i ngacmuesve do të jetë fillimi i zgjidhjes së problemit.
Prorektorja e UP’s, Teuta Pustina – Krasniqi.
Ja kujtojmë Prorektores që me pozitën vijnë edhe përgjegjësitë që të luftojë mendësinë patriarkale dhe jo të shndërrohet në mjet për ta mbrojtur atë. Prandaj, kërkojmë nga Prorektorja që të kërkojë falje për këtë deklaratë dhe të na bashkohet neve studentëve në luftimin e këtij fenomeni, derisa për barazinë gjinore nuk do të flitet vetëm me një datë e një ditë në vit!