ILJASA SALIHU: SHKRIMTARI LYPËS

(Shkup, 28. 01. 2013) – Shkrimtari pas një përpjekje të mundimshme, duke flijuar shumëçka nga koha, mundi dhe djersa e tij, madje edhe nga koha e familjes së tij, mbërrin t’ia lidhë nyjen librit. Kthehet e i rikthehet faqeve tashmë të mbushura me urtësi, fshijë atë e fshijë këtë, duke i zëvendësuar me ide dhe fjalë që në shikimin tjetër mund t’i vijnë më mirë. Me një ofshamë çlodhjeje dhe lumturimi, fillon të mendojë rreth çështjeve tjera teknike. Kjo etapë nuk zgjatë shumë. Kështu që, shpejtë e tëra bëhet gati për në “furrë”. Furra punon, por nuk ngrohë. Ngrohë vetëm po pate drunjë! Po ku të gjeje i gjori shkrimtar drunjë, duke qenë se ai një kohë të gjatë kishte qenë i zënë me punë lapsash e fletash, edhe pse, edhe njëra edhe tjetra materialin themelor e kishin prej drurit.
Libri përfundimisht sot është gati për botim. Diskursi prej këtij çasti fillon të ndryshojë, duke kaluar prej njeriut që edhe fjala dikur trishtohej prej ndrydhjes së fortë, në bredharak që ka mundësi të mos ia hapin edhe derën shtypshkronjat e ndryshme, ministritë, miqtë dhe ndërmarrësit e ndryshëm, duke e lënë kështu të gjorin buzë rrugës së dendur prej fishkëllimave të atyre që nuk kishin fare ndjesi për kalimtarët e rastit, pse jo edhe të hallit.

– Po për kë ore unë i gjori jam duke shkruar, – do të fillonte monologu ndërmjet shkrimtarit dhe tanimë bredharakut të rrugëve dhe buzë dyerve, brenda të cilave gjendeshin njerëz që e donin drejtësinë, por që e urrenin njeriun e drejtë. Do të shkruaj, – vazhdon shkrimtari në monolog ta sfidon bredharakun e ngjitur dhe të strukur në të njëtën kokë.
– Do të zihem pak me gruan, do t’ia pështjellojë asaj disi, mbase do t’i them se për pushimet verore kërko në cilin do vend të bukur, unë do të dërgoj, mbase vetëm mos më kërko të lutem të të dërgoj nëpër brigje të detit dhe nëpër vende të largëta, përndryshe në pyllin sipër fshatit tonë të bukur me pluhur, sa herë që të kujtohet, lirisht më thuaj dhe unë fare pa përtesë do të dërgoj.
– Si t’ia bëj, kur unë e njoh atë. Ajo njëherë më patë thënë që të mos shkruaj para se t’i siguroj drunjët për dimër. Unë atëherë i pata thënë, nuk kemi para, fundja si rrjedhojë e kësaj gjendje të mjerueshme, të dyve do të na nxehen gjakrat dhe kështu disi do ta kalonim edhe këtë dimër të acartë. Jo të thashë, – më patë (ri)thënë gruaja për të satën herë. Mos e boto këtë libër, ngase aq para na duhen për sigurimin e drunjëve.
– Atëkohë nuk e pata dëgjuar. E pata botuar librin duke menduar se përmes shitjes së librit, do të bleja drunjë, edhe atë drunjë pishe. As ajo mendësi e dobët ekonomike nuk më kishte ndezur, ngase pak prej tyre që lexonin kishin mbetur, madje edhe sikur t’ia dhuroje dikujt librin e shkruar me përplot sfilitjeje, sa për “hatër” dikush mund ta marrte, – fliste i gjori këso gjërash me vetëveten.
Ja se në çfarë halli kemi rënë të dashur dashamirë të librit, qofshin ju edhe jo aq shumë. Vetëm një dasëm e sodit e përthekuar me dalldi djallëzore, kushton diku tridhjetë tituj librash. Për gjërat tjera që i përkasin shpenzimeve të panevojshëm, mbase edhe tërheqës të mëkateve, nuk po flas, ngas edhe unë mund të lemeritem!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura