DRITON SMAKAJ: DASHURIA E NJË USHTARI PËR MËMËDHENË! (KUSHTUAR DËSHMORIT ASTRIT SULI)

Pashtriku.org, 29 maj 2018:
Kujtime personale të një dite lufte.
27 Maj 1999
Ishim në thellësi të malit Pashtrik. Kishim një qëllim: thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar. Një kufi që ndante padrejtësisht vëllezërit e një gjaku. Kishim ecur rrugë të gjatë në këmbë dhe gjatë natës së 26 majit kishim zënë pozicionet në thellësi të malit. Prisnim urdhrin për luftë. Isha lodhur dhe më kishte zënë gjumi ulur. Mbështetur në një kaçube me krahun e djathtë, ndërsa koka më kishte rrëshqitur mbrapa dhe peshonte mbi një maje guri. Pranë meje flinte edhe një ushtar tjetër, njëherësh shok dhe bashkëfshatar i imi Sokoli. Nuk e di se si flinin të tjerët, por më dukej sikur dëgjoja frymëmarrjen e zhurmshme të dikujt që flinte në afërsi.

Mëngjesi kishte arritur në Pashtrik, e unë ende flija ashtu ulur me kokën mbrapa mbi një maje guri. Një bam kumbuese, e zhurmshme dhe trazuese vërtet na zgjoi nga gjumi. Ishte artileria e UÇK-së që lëshonte predhat 80 dhe 120 mm drejtë forcave të armikut në pikën kufitare në Gorozhup.
Në shpatin përballë meje e pash me sytë e mi një ushtar të UÇK-së, që puthte predhën para se ta lëshonte në grykën e minahedhësit.

Nuk kaluan as dhjetë minuta kohë dhe komandanti ynë i togut, Rrahimi, kishte marrë urdhrin përmes radiolidhjes që të ecnim drejt thyerjes së kufirit dhe përballjes këmbësorie me forcat armike. Rruga filloi të bëhej gjithnjë e më e mundimshme. Kundërpërgjigjja e kaçushave të armikut në malet e Pashtrikut ishte një rrezik i shtuar për çdo lëvizje që bënim. Kur arritëm afër forcave armike hasëm në zona të minuara. Së pari duheshin ekipet e xhenierëve të pastronin rrugën nga minat, e pastaj të ecnim ne më tutje. Shpesh e prekja së pari tokën para meje me shuplakë të dorës, e pastaj e bëja hapin me këmbë.
Ishim ofruar rreth 400 apo 500 metra pranë kufirit, morëm urdhër të rrinim në heshtje derisa të vinin detaje tjera nga lartë. Rrahimi e mbante radiolidhjen me pak zë dhe pranë veshit që të mos dëgjohej larg.
Aty pranë ishte ndalur Astriti, djersët i shkonin nëpër fytyrë. Astritin e pata njohur gjatë stërvitjeve ushtarake në Burrel. Ishte nga Kuçova e Beratit dhe kishte qenë në Greqi me punë. Një mbrëmje ishte përleshur fizikisht me disa grekë në një kafiteri pikërisht për shkak të luftës në Kosovë.
Grekët i kishin përqeshur disa shqiptarë aty në kafiteri, duke iu thënë atyre ‘ju pini birra e serbët po ua masakrojnë vëllezërit tuaj shqiptarë në Kosovë’.
Kjo përqeshje e grekëve, e kishte prekur thellë ndjenjën e dashurisë shqiptare që Astriti e kishte pasur të fjetur në zemrën e tij të madhe. Të nesërmen nuk kishte shkuar më në punë, por ishte nisur drejt kampeve të stërvitjes për tu bërë ushtar i UÇK-së.
Gjatë stërvitjeve edhe pse u prezantuam, ai më thoshte: Drenicë. Tash në Pashtrik, bëheshim gati për luftë frontale, e kur më pa, e vërejta që përveç djersëve të ballit, ishte skuqur në fytyrë dhe shihej një emocion i fortë në sytë e tij.
Një zë në formë pëshpërime i doli nga goja: Drenicë
U ngrita në këmbë dhe shkova pranë tij, ia dhashë dorën e ai ma shtrëngoi burrërisht. Pastaj mori çantën dhe nga ajo nxori një palë këpuca sportive. Ngadalë zbathi çizmet ushtarake, i vuri ato në çantë e pastaj ngadalë mbathi këpucët sportive. E shikoja habitshëm dhe sinqerisht nuk e kuptoja. Pashtriku nuk ishte vend për këpuca sportive. Çizmet ushtarake edhe nuk të mbronin këmbët nga gurët e shumtë në ato male. Ia bëra një pyetje të drejtpërdrejtë:
– Pse Astrit këpucët sportive?
Astritit i ranë lotët faqeve. Më shikonte në sy, por nga emocionet nuk nxirrte dot nga goja fjalët. Kaluan ca momente në heshtje e pastaj me gjysmë zëri më tha:
– Nuk kam qenë kurrë në Kosovë… po më vjen rënd ta shkelë për herë të parë me çizme të ushtarit.
Aq shumë më preku përgjigjja e Astritit sa edhe sytë e mi u mbushën me lot. Qanim të dytë dhe nuk gjenim më fjalë të thoshim diçka tjetër. Shikonim, dëgjonim dhe prisnim urdhrin për luftë. Mendoja, shtrihesha me duart mbrapa kokës dhe shikoja qiellin. Kohë pas kohe edhe nxirrja ditarin tim nga xhepi i gjerë i uniformës dhe shkruaja.
Në orët e vona të pasdites luftimet ishin të tmerrshme, rafalët e armëve automatike nuk ndaleshin me orë të tëra. Bombardimet nga ana e artilerisë vazhdonin e vazhdonin. Shihnim kohë pas kohe ushtarët e plagosur që barteshin nga vija e luftimeve drejt një zone më të sigurt për trajtim mjekësor e më pas për në Spitalin ushtarak.
U gjenda prapë me Astritin pranë njëri-tjetrit dhe kishim një grumbull gurësh para nesh. Nuk është që do na mbronte diç ky grumbull gurësh, por na bënte të ndjeheshim më të sigurt nga vet pamja e tyre.
Qëndruam bashkë gati dy orë në të njëjtën pikë luftimi. Në një moment, një predhë e artilerisë, që nuk e dinim nëse ishte predhë që vinte nga armiku, apo gabimisht nga artileria jonë, u ngul në tokë pak metra nga istikami ynë. Tymoste tym të bardhë që i ngjante një avulli që zhdukej sapo ngjitej pak lart nga toka dhe bashkohej me ajrin. Prisja të eksplodonte. Mendoja që ishin momentet e fundit të jetës dhe nuk lëviza e as nuk fola fare. Por, predha nuk eksplodoi, mbeti e ngulur në tokë aty pranë nesh dhe kohë pas kohe e vështroja me frikë se mos do eksplodonte.
Astriti ishte shtrirë dhe me automatikun e tij shtinte pa ndërprerë në drejtim të armikut. Diku rreth njëzet metra më tutje e kam vërejtur komandantin e Kompanisë Ekremin, zhargas kam shkuar deri tek ai dhe i kam thënë ‘predha që ra pranë nesh, më ngjau sikur erdhi nga artileria jonë. Mund të njoftosh përgjegjësit të shtyjnë trajektoren e minahedhëses, për të paktën 300 metra më tutje’.
Nuk e di nëse arriti të dëgjonte komandant Ekremi këto që i thash, sepse në ndërkohë e vërejta që nga këmba e tij rridhte gjak. Ishte plagosur. Më urdhëroi të kthehesha në pikën e luftimit ku isha dhe ashtu bëra. Prapë zhargas u ktheva aty ku kisha qenë, e Astriti ende ishte aty. Në anën e majtë rreth 30 metra më tutje një ushtar i UÇK-së kishte vënë mitralozin e tij mbi një mur arash të gurëve dhe i ngritur në këmbë shtinte pandërprerë mbi forcat armike.
Ishte një vijë luftimi me mbi njëmijë ushtarë të UÇK-së në aksion. Krismat e rafalëve të armëve automatike dhe kumbimi i eksplodimit të predhave të artilerisë, e bënin situatën psikologjike të ushtarëve sa tensionuese aq edhe emocionuese për një fitore. Për një moment e kemi vërejtur ushtarin e mitralozit të shtrirë në tokë duke mbyllur sytë për të fundmen herë në betejën e nderit për liri. Kemi dëgjuar zëra që kërkonin ndihmë për ushtarë të plagosur. Astriti zhargas ka lëvizur në drejtim të zërave. Më tha diçka, por nuk arrita ta kuptoj, nuk dëgjoje dot fjalët nga krismat e shumta, vetëm nëse i flisje dikujt me zë të lartë në vesh. Mbeta i vetëm dhe mundohesha të vështroja përreth. Zhargas afër meje arriti një ushtare e UÇK-së, një grua me flokë pak kaçurrela, ishte pjesë e ekipit të mjekëve. Te veshi i kam folur me zë të lartë që atje më tutje ka ushtarë të plagosur. Ajo vazhdoi zhargas në të njëjtin drejtim ku kishte shkuar Astriti. Krismat dhe hedhja e predhave të artilerisë nga forcat armike u shtuan. Vija jonë e zjarrit ishte identifikuar pothuajse tërësisht dhe predhat e shumta binin pandërprerë në distanca të afërta pranë nesh. Copëzat e dheut e copëzat e gurëve binin mbi ne pas eksplodimit të predhave.
Kam provuar të lëviz në të njëjtin drejtim edhe unë, andej ku kishte shkuar Astriti. Nuk kam kaluar as edhe pesë metra zhargas dhe kam vërejtur trupin e Astritit të shtrirë në tokë, ndërsa motra e UÇK-së bënte çdo përpjekje për ta mbajtur Astritin në jetë. Nuk doja ta besoja. Astriti na la dhuratë buzëqeshjen e tij të ëmbël dhe lotët e dashurisë për Atdheun. Jam shtrirë në shpinë, shikoja qiellin dhe qaja.
Luftimet kanë vazhduar edhe për një kohë, e kur u ndalen krismat kuptuam që kishim mbi 40 ushtarë të plagosur e diku rreth 10 të vrarë.
***
Tërheqja e ushtarëve të plagosur nëpër shkrepat e Pashtrikut ishte edhe një dramë tjetër në vetvete.
Nuk mundem ta mohoj që beteja e parë e luftimeve kishte shkaktuar edhe panik mes shumë ushtarëve. Të lodhur nga ecjet e gjata në këmbë dhe me ushqime jo të mjaftueshme, nuk ishte aspak e thjeshtë mbajtja e moralit mes ushtarëve. Disa edhe refuzonin të bartnin të plagosurit pikërisht sepse iu ishte shtjerrë forca fizike, nuk ecnin dot për vete e lëre më të bartnin dikë tjetër.
Në anën tjetër, trupat e gjakosur të ushtarëve të plagosur dhe gjëmat e tyre nga dhimbjet e bënin pamjen e natës edhe më të errët dhe më të trishtë.
Me shumë vështirësi i kemi tërhequr të plagosurit atë natë, edhe pse tërheqja e të gjithë atyre ushtarëve ka zgjatur me orë të tëra, disa prej tyre deri në orët e mëngjesit. Ndërsa dëshmorët e rënë e kanë kaluar natën aty ku i mbyllën sytë për herën e fundit, duke luftuar për lirinë dhe për Atdheun.
I rraskapitur dhe me muskujt që dridheshin nga stërlodhja gjatë tërheqjes së ushtarëve të plagosur, jam shtrirë në lëndinë me sy hapur drejt qiellit. Gjumë kisha, por nuk më flihej. Flisja në heshtje me Astritin për mosshkeljen e tokës së Kosovës për herë të parë me çizmet e ushtarit.

Driton Smakaj në mesin e bashkluftëtarëve – maj 1999

____________
SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG
DËSHMI ARKIVORE

E përgëzoj ish’ushtarin e UÒªK-së, Driton Smakaj për këto kujtime personale të një dite lufte në Gorozhup, rrëzë bjeshkëve të Pashtrikut.
Meqë jam duke grumbulluar dëshmi dhe materiale arkivore për frontin e Pashtrikut të zhvilluar gjatë Operacionit ‘Shigjeta’, në maj – qershor 1999, këto kujtime lufte të z.Smakaj më nxitën që ta shfletoj arkivin tim, për t’i identifikuar e shpërfaqur luftëtarët e kësaj beteje të rëndësishme për historinë tonë, të cilët i ka përmendur ai në ditar.
Fronti i Pashtrikut, (sipas planit të hartuar nga SHP i UÒªK-së në gjysmën e dytë të muajit prill 1999 në malet e Jezercit të Ferizajit) gjatë operacionit ‘Shigjeta’ (të cilin e ka drejtuar Shtabi Operativë me seli në Cahan – Kukës) i ka pasur tri Drejtime Taktike (DT), DT1, DT2 dhe DT3. Në kuadër të këtyre 3’DT kanë vepruar disa njësi ushtarake të quajtura Task Forca (TF’a), dhe në DT3 – Gorozhup… kanë operuar dy TF’a, TF-2 me Komandant Fazli Berisha dhe TF-3 me komandant Ruzhdi Saramati, i pozicionuar gjatë gjithë kohës në fshatin Pogaj, në prapavijë të kompanive të TF2’shit.
***
Driton Smakaj në kujtimet e tij shkruan për Luftën e zhvilluar në DT3 – Gorozhup, nga njësia TF2. Njësia TF2 më 26 maj 1999… kishte tri Kompani të këmbësorisë në fushëbetejat e Gorozhupit, ndërsa nga 1 qershori 1999 (me urdhër të Shtabit Operativ në Cahan), TF-2 i bashkohet edhe një kompani me komandant Nexhat Kelmendi, dhe vjen nga bataljonit i dytë që komandohej nga eprori Dritan Durmishi, në DT-2 me Komandant Bilall Syla… TF2 kishte Njësinë Speciale me komandant Safet Pecin, njësitë e artilerisë të komandur nga Shemsi Ilazi (Baruti), Januz Peci, Ismet Lushi etj., skuadrën e Xhenios, Togun e logjistikës në kuadër të së cilës operonin: Skuadra e shëndetësisë, skuadra intendante, skuadra teknike për armatim dhe municion, Skuadra e transportit, skuadra e ndërlidhjes etj.

***
Tani t’i kthehem ditarit të Dritonit:
Të nisim me Sokolin, shokun dhe bashkfshatarin e Dritonit:
– Kush është Sokoli?
– Është Sokol Imer Duraku (20.05.1979) nga Skënderaj, ushtar i Skuadrës së Dytë (me komandant Lavdim Isuf Bekteshi), të Togut të Tretë (me komandant Rrahim Nebih Duraku) të Kompanisë së Parë me komandant Ekrem Abdylkadri Veselin, në njësinë TF2 / DT3 të operacionit “Shigjeta”.
***
– Kush është Rrahimi?
– Është Rrahim Nebih Duraku (01.07.1978) nga Skënderaj, Komandanti i Togut të Tretë, të Kompanisë së Parë me komandant Ekrem Abdylkadri Veselin, në njësinë TF2 me komandantin Fazli Berisha / Drejtimi Taktik nr.3 (DT3) në operacionin “Shigjeta”.
***
– Astrit Suli, kryepersonazhi i këtij kujtimi lufte.
– Astrit Hekuran Suli, (13.04.1976) nga Berati, Kuçovë – Luzhë. Ishte komandant i Skuadrës së Tretë (me armën numër 14213108), në Togun e Parë, me komandant Arbër Mehmet Shabanaj, nga Gjakova. (Arbër M.Shabanaj kur tërhiqet nga fronti i luftës, komandant i Togut të I’rë emrohet Shemsi Topalli). Të Kompanisë së Dytë, me komandant Isa Ademi nga Kumanova. Më 31 maj, kur Isa Ademi tërhiqet nga fronti i luftës, komandant i Kompanisë së Dytë emrohet Agim Meha. Njësia TF2/DT3 i operacionit “Shigjeta”.
***
Astrit H.Suli ka rënë dëshmor në orët e mbrëmjes datë 27 maj 1999, në ditën e dytë të luftimeve për marrjen e Karaullës serbe në Gorozhup – afër lagjes Martinaj, 100 – 150 metra në anën e majtë të karaullës dhe 250 – 300 metra përballë vendit ku është ndërtuar Memoriali i dëshmorëve.
***
– Kush është komandant Ekremi?
– Është Ekrem Abdylkadri Veseli (17.02.1960) nga Tetova. Ishte Komandant i Kompanisë së Parë, në njësinë TF2 / DT3 i operacionit “Shigjeta”. Më 27 maj, kur Ekremi plagoset rëndë dhe dërgohet për shërim në spitalin ushtarak, komandant i kompanisë së parë emrohet Arsim Ajet Emini nga Besiana, i cili atëkohë bënte pjesë në Togun e Xhenios, me komandant Vehbi Feriz Berisha nga fshati Kçiq i Madh i Mitrovicës.
***
– Kush ishte ushtarja e UÇK-së, me flokë pak kaçurrela, që i ofroj ndihmën e parë Dëshmorit të Kombit, Astrit Suli?
– Ishte Fatime Bahtjar Ademaj ( 06.03.1964) nga fshati Zhur – Prizren.
***
Në fushëbetejën Gorozhupit, më 27 maj 1999 përveç Astrit Sulit kanë rënë dëshmorë edhe dy bashkluftëtarë të tij.
1. Aliriza Selman Selmani, (05.11.1973 – 27.05.1999) nga Tetova. Aliriza ishte ushtar i Skuadrës së Tretë, me komandant Mumin Ruzhdi Mehmeti nga Tetova; të Togut të Parë, me komandant Ahmet Shaban Zeqiraj nga Besiana; të Kompanisë së Parë, me komandat Ekrem Abdylkadri Veseli nga Tetova, në Njësinë TF2 / DT3 i operacionit “Shigjeta”. Ka rënë dëshmor më 27 maj 1999, në ditën e dytë të luftimeve pas marrjes së Karaullës serbe në Gorozhup, (më 26 maj), 150 – 200 metra në anën e majtë të karaullës dhe 250 – 300 metra përballë lagjes së parë të Gorozhupit, aty ku është ndërtuar Memoriali i dëshmorëve.
2. Salih Halim Zenuni, (26.08.1979 – 27.05.1999) nga fshati Lubizhd e Vitisë. Salihu ishte ushtar i Skuadrës së Dytë, me komandant Halim Rrahim Halili nga Tërpeza e Vitisë; të Togut të Dytë, me komandant Nuhi Bejtulla Halabaku, nga Pozharani i Vitisë; të Kompanisë së Dytë, me komandant Isa Ademin nga Kumanova, në njësinë TF2 / DT3 i operacionit “Shigjeta”. Më 31 maj, kur Isa Ademi tërhiqet nga fronti i luftës, komandant i Kompanisë së Dytë emrohet Agim Meha. Ka rënë dëshmor më 27 maj 1999, në ditën e dytë të luftimeve pas marrjes së Karaullës serbe në Gorozhup – afër lagjes Martinaj, rreth 150 metra në anën e majtë të karaullës dhe rreth 300 metra përballë vendit ku është ndërtuar Memoriali i dëshmorëve.
Qoftë i përjetshëm kujtimi dhe lavdia për Dëshmorët e Kombit!

Sheradin Berisha, kryeredaktori i pashtrikut, 29 maj 2018

=======================================

Astrit Suli në mesin e bashkluftëtarëve

Fatime Bahtjar Ademaj, ajo që ia dha ndihmën mjekësore dëshmorit Astrit Suli.

Bombardimet në fushbetejën e Gorozhupit!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura