BEHXHET SHALA BAJGORA: MARRËVESHJA E PRESPËS, RAMIZI DHE UJI ROSA, DHE PEZULLIMI I TAKSES!

Prishtinë, 29 janar 2019: (Marrëveshja e Prespës) – Shqiptarët e Ish -FYROM-it , tash Maqedonia e Veriut kurrë nuk e kanë pasur një mundësi më të madhe se para votimit të Marrëveshjes së Prespës që t’i realizojnë të drejtat e munguara padrejtësisht dhe të cilat nuk i fituan as me luftën e armatosur. Dhe këtë të drejtë dhe mundësi , jo që nuk e realizuan por e shpërdorën shkaku i një klase politike të ashtëzuar , të burokratizuar , të fosilizuar dhe përmbajtësisht të korruptuar ; materialisht , politikisht dhe kombëtarisht ! Me Marrëveshjen e Prespës, shqiptarët e hëngrën karremin dhe efektet përfituese ishin dhe janë të natyrës kozmetike . Posti i kryetarit të Kuvendit ishte më heret dhe si shpërblim për rrëzimin e Gruevskit sikur edhe disa ministri , gjithashtu. Shqiptarët janë të përjashtuar nga pikat më të ndjeshme të pushtetit sikur që janë ato informative dhe kundërinformative ndërsa , ato poste që i kanë , në çdo kohë mund të bllokohen nga shumica në pushtet – politikanët maqedonas dhe sidomos nëse nesër vjen në pushtet VMRO–ja apo ndonjë parti radikale maqedonase. Para votimit të Marrëveshjes së Prespës , shqiptarët e patën topin në pikën e 11–shës, me portën thuaja pa portier maqedonas dhe pikërisht kur u desh të shënonin, jo që nuk shënuan në golin e kundërshtarit por shënuan autogol ! Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut , deri në votimin e Marrëveshjes së Prespës ishin kartë e fuqishme e Kosovës për shkak të potencialit destabilizues në rajon, në të gjitha negociatat për faktin se rezultati i shumë negociatave në Ballkan përcaktohet nga kapaciteti destabilizues sipas parimit se kush destabilizon , mund edhe të stabilizojë . Shqiptarët në Ballkan janë të pashembulltë sa i përket sakrificës së bërë e që nuk e ka bërë asnjë popull në Ballkan por janë humbës në rast kur politikisht duhet ta mbrojnë dhe materializojnë këtë sakrificë .
Shqiptarët e Luginës së Preshevës u shërbyen ndërkombëtarëve deri në momentin kur u rrëzua Millosheviqi dhe u dërgua në Burgun Sheveningen të Hagës. Pas kësaj u hoq Zona e Sigurisë prej 5 kilometrave dhe filloi dhuna e aparatit shtetëror serbë ndaj tyre e që vazhdon deri më sot. Asgjë nuk përfituan përveç intensifikimit të shpërnguljes , mohimit të të drejtës për dokumentacion identifikues dhe tjetër dhe futja në lista për arrestim për shkak të pjesëmarrjes në luftë.
Shqiptarët e Malit të Zi , me votat e tyre përcaktuan fatin e referendumit për ndarjen e Malit të Zi nga Jugosllavia e Zhablakut, me premtime se të drejtat e tyre do të rregullohen me “ ligje demokratike “ kurse sot ndiqen dhe dënohen për shkak të përdorimit të flamurit kombëtar ! Shqiptarët e Malit të Zi janë keq- përdorur nga pushteti malazias i cili , sot , nuk dallon fare nga ai i mëparshmi.
Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kontribuan ta rrëzojnë Gruevskin ndonëse BDI ishte e gatshme ta nënshkruaj një marrëveshje të re me Gruevskin dhe vetëm ndërkombëtarët , pak para nënshkrimit të marrëveshjes e penguan këtë për t’i hapur rrugë Zaevit që nuk bëri ndonjë punë të madhe për shqiptarët përveçse vazhdon t’i përdorë ata politikisht , çdo herë kur ka nevojë . Marrëveshja e Prespës ishte i fundit dhe shembull konkret i papjekurisë politike të klasës së korruptuar shqiptare në Maqedoni të Hamamit të Hyrës , Veriore apo çfarëdo qoftë ajo ! Për shqiptarët e Maqedonisë , më me rëndësi ka qenë Kosova se vet Shqipëria për shkak se për shumë gjëra e kanë pasur fatin e njëjtë. Tash , në rrethanat e krijuara , me hyrjen e Maqedonisë së Veriut në NATO , roli dhe rëndësia e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut vetëm sa do të relativizohet dhe , heret a vonë do ta pësojnë fatin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe atyre në Mal të Zi. Madje , për shkak të ndikimit të madh të fesë , në dëm të intereseve kombëtare, shqiptarët në Maqedoni e kanë më të lehtë procesin e dekompozimit politik dhe kombëtar. Kësaj i ndihmon shumë edhe largimi i tyre nga Maqedonia për shkak të papunësisë dhe mungesës së programeve zhvillimore e që janë të drejtuara kryesisht në rajonet e populluara me shumicën maqedonase. Nuk vjen shpesh rasti kur mund ta materializoni një mundësi historike siç e patën shqiptarët e Maqdonisë së Veriut, para votimit për Marrëveshje të Prespës e që aq lehtësisht e lëshuan duke ia dobësuar në këtë mënyrë shumë edhe pozitën negociuese të Kosovës. Kujtojeni Marrëveshjen e Ohrit ; kur duhej që ajo të zbatohej , autoritetet maqedonase thonin se ka humbur origjinali i kësaj marrëveshjeje !!!
Ramizi dhe uji Rosa
Ramiz Kelmendi , një tajkun kosovar nuk ka lënë parti politike pa shkuar dhe pa fituar postin e deputetit , që nga AAK , PDK e deri te LDK . Tash i kanë mbetur ta provojë fatin vetëm te LVV e cila , së paku , sipas deklaratave publike e ka anatemuar dhe në Lista Srpska që , deri në këtë çast e ka pezulluar aktivitetin në qeveri dhe Kuvend të Kosovës ndonëse marrin paga të majme dhe i shfrytëzojnë të gjitha veturat zyrtare e që nuk do të lejonte asnjë shtet normal. Me vendosjen e taksës 100 % për mallrat nga Serbia dhe Bosnja u rrezikuan disa tajkunë që perandorinë e pasurisë së tyre e kishin ngritur me mallra serbe dhe duke pastruar parat e tajkunëve nga Serbia dhe Bosnja, duke filluar nga Mishkoviqi i Serbisë e deri te Dodigu i Bosnjes që zotërojnë shumë biznese në Kosovë përmes tregtarëve të papërgjegjshëm dhe pandërgjegjshëm kosovarë . Me rritjen 100% të taksës për këto mallra , ranë edhe të hyrat e tajkunëve kosovarë që janë të zhveshur nga çdo skrupull apo ndjenjë e përgjegjësisë kombëtare dhe njerëzore. Fillimisht , për shkak të mungesës së informatave se si do të sillej faktori ndërkombëtar për taksën e sidomos amerikanët , një pjesë e këtyre tajkunëve të ligë u strukën dhe madje e përkrahën taksën me shpresë se kjo taksë do të hiqej shpejt e që nuk ndodhi. Me kalimin e kohës dhe me kërcënimin e hapur të dy burokratëve mashtrues dhe gënjeshtarë që i mashtruan qytetarët e Kosovës për viza ; Johanes Han dhe Frederika Mogerini , filluan të ngrejnë kokë një pjesë e tajkunëve të Kosovës por , jo aq zëshëm sepse mungonte një qëndrim i prerë amerikan . Kur edhe amerikanët , përkatësisht letrës shantazhuese dhe shumë të dëmshme për Kosovën të presidentit Tramp kërkuan heqjen e kësaj takse , tajkuni Kelmendi doli botërisht kundër kësaj takse , jo se e dëmton Kosovën por se qenka kërkesë e miqve amerikanë ! Tash , kur ambasada e SHBA–ve doli me një kërcënim eksplicit për heqjen e taksës duke përmendur pasojat e mundshme , tajkuni Kelmendi , si të ishte vet Pompeo , doli me një kërkesë të prerë se duhet të hiqet kjo taksë. Kjo ndodhi para dy ose tre ditëve përmes një interviste në njërin nga televizionet e Kosovës. Më bëri përshtypje që ishte ulur në një fotele të përmasave gjigante , mbase në përputhje me peshën trupore e sidomos pasurisë që e ka . Por , më shumë përshtypje më bëri se në tavolinën e punës e kishte një shishe me ujë. Ju lexues të nderuar do të mendoni se ishte shishe me ujë Rugove apo Akulli ose , qoftë të ndonjë brendi tjetër vendor . Po tajkuni Kelmendi është jashtëzakonisht inteligjent , pragmatik dhe praktik ; po të kishte ujë të prodhimit vendorë , do të binte në kundërshtim logjikë me kërkesën e heqjes së taksës për mallrat nga Serbia dhe Bosnja prandaj , që kjo kërkesë të jetë më bindëse , përveç thirrjes te miqtë amerikanë , mbi tavolinë e kishte një shishe me ujë Rosa , ujë nga Serbia e që me të madhe shitet në Kosovë duke dëmtuar prodhuesit vendorë ! Kështu, tajkuni Ramiz Rosa vetëm po tregon vartësinë patologjike nga mallrat prej Serbisë dhe Bosnjes , fillimisht me ujin Rosa e pastaj me të gjitha mallrat që prodhohen në këto dy shtete armiqësisht të disponuara ndaj Kosovës e që në Kosovë eksportojnë mbeturinat e mallrave të tyre e që nuk zëjnë vend në kontejnerët e bërllogjeve në këto dy shtete !
Pezullimi i taksës , shkrirja e borës dhe dallimi midis skllotës dhe të bërit punën m.t
Ka shumë presion për heqjen e taksës 100% për mallrat nga Serbia dhe Bosnja. Të gjithë janë ngritur në këmbë , nga Vuçiqi , presidenti çetnik i Serbisë , spastruesi i certifikuar në baza etnike , Dodigu i Bosnjes , dyshi mashtrues dhe gënjeshtarë, Johanes Han dhe Frederika Mogerini , Makroni i Francës , Kuraci i Austrisë dhe të tjerë sikur edhe Donald Tramp , presidenti amerikan janë të paluhatshëm në kërkesën për heqjen e taksës. Çdonjëri nga ta po kërcënon me pasoja . Jo për shkak të dëmeve që po i bëhen Serbisë dhe Bosnjes por shkaku se nuk ka vazhdim të bisedimeve për faktin se për vazhdim të bisedimeve të pakushtëzuara deri më tani , Serbia po e kushtëzon vazhdimin e bisedimeve me heqjen e taksës. Heqjen e taksës e ka kërkuar edhe presidenti Thaçi duke u thirrur , sikur edhe tajkuni Kelmendi në kërkesën e miqve amerikanë , “ gocat mashkullore “ të LDK – së dhe disa anal-istë kosovarë , krejtësisht të varur nga pavarësia e nënshtrimit dhe injorancës ! Madje , presidenti Thaçi , si njeri shumë i lexuar dhe si kontribues konkret i dy librave bestseller për veten e tij , edhe në këtë rast , duke i dërguar një porosi të qartë kryeministrit Haradinaj për heqjen e taksës , përmes shkrimit letrar , metaforave dhe alegorive , këtë kërkesë e formuloi se : “ uron që shkrirja e borës të mos e bëjë punën skllotë…”. Realisht , pas shkrirjes së borës , si në Kosovë , Serbi , Arktik , Siberi , Kanada apo edhe në Amerikë , shkrirja e borës e prodhon skllotën si diçka të pashmangshme . Këtë nuk mund ta demantojë , në aspektin meteorologjik as Sylë Tahirsylaj , me atë pajisjen që e mbanë me vete gjithmonë kur e parashikon motin për 100 vjetët e ardhshëm. Unë nuk kam kapacitet intelektual e sidomos letrar për t’i kuptuar këto porosit[ letrare që Hashim Thaçi ia dërgoi Ramushit sikur që e bëri në mënyrë shumë spirituoze këshilltari i Ramushit , Halil Matoshi që nuk e zgjodhi rrugën e konfrontimit me Hashimin por ia lëshoi në shpinë një poezi të Dom Ndre Mjedës. E tash le të konfrontohet Hashimi me Ndre Mjedën ?! Nëse është ai Mjeda që ka polemizuar me Gjergj Fishtën me një fjalor aspak apostolik atëherë Hashimi do të ndahet i deklasuar fare ! Më tha një mik imi ; ç’flet marrëzira , po Ndre Mjeda është i vdekur fare dhe moti ! Përgjigja ime ishte se edhe Hashim Thaçi është i vdekur politikisht , apo se është në vdekje klinike prandaj edhe debati ka kuptim në mes dy të vdekurve !
Tash po del se taksa 100% për mallra nga Serbia dhe Bosnja po përdoret politikisht nga Vuçiqi dhe Thaçi për vazhdim të bisedimeve dhe arritjen e një marrëveshjeje hist( e ) orike që po përkrahet aq shumë nga ndërkombëtarët hiç këtu Gjermaninë që po e kundërshton lojën me kufij e që aq shumë po e përkrahin BE , presidenti Tramp me këshilltarin për Siguri, z, Bolton dhe të cilën marrëveshje nuk e kundërshton fare as “ demokrati “ Putin ! Kosova , deri më sot nuk e ka kushtëzuar me asgjë dialogun me Serbinë por ka pranuar çdo gjë që ka kërkuar Serbia. Jam i bindur se Trampit , nëse deri atëherë mbijeton qëndrimin në pushtet , nuk i ha aspak palla për kufijt e Kosovës prandaj edhe po e përkrahë korigjimin e tyre . Edhe Hashim Thaçi , president fort po i bie këtij kavalli të korigjimit të kufijve. Realisht , të gjithë ata që flasin për korigjim të kufijve , thërrasin për luftë , gjak dhe viktima të reja. Është detyrim njerëzorë, politik , kombëtar dhe moral që të kundërshtohet kjo luftënxitje dhe të kërkohet një zgjidhje brenda kufijve ekzistues. Asgjë më shumë ! Nëse Serbia paska të drejtë të kushtëzojë vazhdimin e dialogut me Kosovën pse atëherë Kosova mos ta ketë këtë të drejtë ?! Prandaj , po të isha në vend të kryeministrit Haradinaj , menjëherë do ta hiqja taksën ndaj Serbisë dhe Kosovës kurse vazhdimin e dialogut me Serbinë do ta kushtëzoja me ndriçimin e fatit të personave të pagjetur apo edhe me 100 mijë arsye tjera. Ose duhet të ketë bisedime të pakushtëzuara ose kushtëzimi duhet të jetë reciprok ! Mllefi ndaj kryeministrit Haradinaj nuk është për taksën 100% por pse nuk po kanë mundësi të takohen Thaçi dhe Vuçiq për një marrëveshje historike ! Prandaj , nuk janë të rastit presionet që po i bëhen Ramush Haradinaj , duke filluar nga ato ndërkombëtare e deri te tajkuni Kelmendi dhe skllota e borës e poetit të shquar Hashim Thaç Khajami ! Nuk janë të rastit as grevat e mirorganizuara ku , përveç 40 mijë veteranëve mashtrues dhe hajdutë , edhe afërsisht 65 mijë nëpunës zyrtarë dhe shërbyes civilë po kërkojnë rritje të pagave ! Ramush Haradinaj i ka dy mundësi apo zgjidhje ; t’i nënshtrohet koçemëdhenjve për heqje të pakusht të taksës apo grevistëve që , si duket po dirigjohen nga një qendër politike ! Nuk është e rastit që edhe Gjykata Speciale po fton aq shumë dëshmitarë të dyshuar , si t’i ftonte për vaksinim nga gripi sezonal e jo për vepra të rënda penale ! Për mbrojtje të kufijve të brendshëm , sidomos për bashkimin e Mitrovicës të gjitha shpresat i kam te Agim Hasan Prishtina , një politikan i pakompromis për çështje kombëtare , një moralist i shquar , një stoik modern , dhe një erudit i njohur . Ndërkaq , sa i përket heqjes së taksës 100% kam dëgjuar se Ramushi moti e kishte hequr po të mos ishte babai i taksës dhe kundërshtari më i fuqishëm për heqjen e saj , zkryeministri i dytë , i pari është Begj Pacolli , Enver Hoxhaj që po kërcënon se në asnjë kusht dhe në asnjë rrethanë nuk e pezullon taksën madje edhe nëse shkon koka e….. Ramushit . Unë , duke e ditur vendosmërinë për mbajtje të fjalës së dhënë , respektimin e besës tradicicionale , të përkushtimit tredimensional , ndjenjës së lartë për sakrificë deri në flijim të të tjerëve , sinqeritetin dhe seriozitetin e zkryeministrit Hoxhaj , nuk gjasa të hiqet taksa 100% sepse , edhe pa ADN-ë , atësia e vedosjes së taksës është e Enver Hoxhaj kurse mëmësia është e Endrit Shalës :
Kosova seriozisht po rrezikohet , jo pse shkrirja po e bënë skllotë por pse me korigjimin e kufijve punën e kanë bërë m.t , Hashimi me kotillën e vet politike , vendore dhe ndërkombëtare. Kur na ka rrezikuar dhe sulmuar Serbia , jemi mobilizuar dhe jemi bashkuar duke u mbrojtur me sakrifica biblike sikur që na kanë përkrahur dhe mbrojtur edhe ndërkombëtarët . Tash , kur po e sulmojmë dhe po e shkatërrojmë veten tonë askush nuk mundet dhe nuk do ta mbrojë nga vetja jonë Do të isha i lumtur nëse gaboj për këtë parashikim !
Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA, Prishtinë 29 janar 2019

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura