NAFTA SHQIPTARE, VJEDHJA DHE KORRUPSIONI

NAFTA SHQIPTARE, VJEDHJA DHE KORRUPSIONI

Sado që pushtetarët mundohen të fshehin realitetin në naftë, atyre ju shpëtojnë disa pohime që konfirmojnë keq-qeverisjen, vjedhjen dhe korrupsionin!

Isuf Tushe, Inxh. Gjeolog Nafte, Doktor i Shkencave Gjeologjike, Çaush Xhufi, Prof. Doktor i shkencave Gjeologjike – Ish punonjës në Institutin Gjeologjik të Naftës, Fier

Fier, 06 tetor 2021

Marrim shkas të japim opinionin tonë publik, si specialistë nafte, rreth diskutimit në parlament të ish-zv/kministrit Erion Braçe për fitimin dhe tatimin mbi fitimin që paguajnë kompanitë e 100 VIP-ave të ekonomisë Shqiptare, le të qëndrojmë vetëm tek paragrafi, ku Ai flet për naftën  

Top Channel/ Braçe bën opozitë me shifra: Taksoni pasanikët, po fshehin fitimet

https://www.youtube.com/watch?v=KBX0Fj3KM0U

“Kompania më e madhe e prodhimit naftës në vend deklaron fitim 7.1% të xhiros, por tatim fitimi prej vitesh, paguan zero lek, e trashguar kjo për shkak të përjashtimeve fiskale që i keni njohur në kontratë, ja keni rinovuar në kontratë, që ne jemi të detyruar ti zbatojmë deri në fund”.  

Në paragrafin më sipër bëhet fjalë për kompaninë konçesionare Bankers Petroleum që shfrytëzon një nga pellgjet më të mëdha naftëmbajtës në Ballkan dhe Europë, Patos-Marinës-Kuҫovë, prej Korrikut 2004.

Pak histori rreth kësaj kompanie, megjithëse kontratat në vendburimet ekzistuese të naftës nuk janë bërë kurrë publike dhe ka zero transparencë: Kompania shtetërore Albpetrol dhe Premier Oil, formuan kompaninë Anglo Albanian Petroleum Ltd, me objektiv rritjen e koefiҫientit shfrytëzimit në puset e fondit ndalur në vendburimin Patos-

Marinës dhe kontratën e ka firmos qeveria Meksi – Shtator 1994. Ndodhi e kundërta, fillimisht kjo kompani, merrte puset me prodhimin më të lartë në vendburim, sepse me urdhër nga kompania Albpetrol, kompanitë e nxjerrjes i kalonin këto puse në fondin e ndalur dhe më pas i merrte kjo kompani (abuzim – korrupsion). Kështu, loja vazhdoj deri sa kompania mori nën administrim të gjithë puset më të mirë në vendburim, i shfrytëzoi si deshi, vodhi sa deshi bashkë me hajdutët e qeverisë, Albpetrolit, etj., dhe në vitin 2000 ajo u tërhoq, ndërsa në Korrik 2004 Qeveria socialiste që drejtohej nga Nano-Meta firmosi kontratën me kompaninë konçesionare Bankers Petroleum.

Me ardhjen në pushtet të Berishës, në 2005, qeveria e tij i fali kompanisë Bankers Petroleum gjithë vendburimin Patos-Marinës dhe sipërfaqet më të mira naftëmbajtëse në atë të Kuçovës, por ndërkohë dha me konҫesion vendburimet tjera Ballsh-Hekal, Cakran-Mollaj, Gorisht-Kocul dhe Delvinë, kompanisë Stream Oil and Gas, me pronar Arian Tartari (partneri i deputetes Albana Vokshi) dhe Sotirios Kapotas, duke i futur kështu gjithë vendburimet ekzistuese të naftës në

kthetrat mafioze të hajdutërisë konçesionare.

Ne si specialistë nafte, po të ishte marr parasysh mendimi ynë, (në fakt u tërhoq formalisht, por nuk na dëgjuan), nuk kemi qënë asnjëherë dakord dhe e konsideronim një gabim shumë të rënd dhe me kosto të madhe për ekonominë kombëtare dhënien me konçesion të vendburimeve ekzistuese, si një dhuratë që po ju bëhej kompanive të huaja. Për këtë ne kemi argumentuar shpesh se nuk kishte asnjë arsye që ato të jepeshin me konҫesion, sepse i kishim të gjitha mundësitë që ky veprim i nxituar të mos merrej: sepse ekzistonte baza teknologjike (e cila u shkatërrua kryesisht nga qeveria e parë “demokratike” – u çuan përskrap gjithë sondat e shpimit, sheshet e shërbimit me gjithë pajisjet mekanike dhe u dëmtuan pajisjet e shfrytëzimit të puseve), por ekzistonte armata tekniko-profesionale e specialistëve të naftës, që i kishin zbuluar dhe vënënë shfrytëzim tërë këto vendburime. Vërtetë u krijua një krizë gjithëpërfshirëse në ato vitet e para të tranzicionit, por situata do kalohej shpejt dhe do të ishte shumë her më mirë për ekonominë dhe për vendin që këto vendburime të mos jepeshin me konçesion – koha e vërtetoi këtë sugjerim të specialistëve. Ne si specialistë ishim që të jepeshin me konçesion vetëm objektet

me thellësi të madhe për kërkimin e hidrokarbureve në zonat e reja, si dhe zona e shelfit detar, ku pritshmëria naftë-gaz mbajtëse ishte me risk të lartë, por mund të përfitohej shumë.

Pra, kompania Bankers Petroleum ka mbi 17 vjet që operon në pellgun naftëmbajtës PatosMarinës-Kuçovë, nga ku prodhon mbi 1 milion ton naftë/vit dhe paguan zero tatim mbi fitiminnë shtet, por z. Erion Brace fajëson vetëm opozitën. Lindin ca pyetje për ish-zv/kministrin, sepse edhe socialistët kanë pjesën e tyre në këtë dështim të madh ekonomik:

Pas dështimit dhe tërheqjes së kompanisë Premier Oil, në vitin 2000, nga vendburimi PatosMarinës, pse qeveria socialiste, përgatiti dhe firmosi kontratën me kompaninë Bankers Petroleum?, sepse kur ministri Ylli Bufi erdhi në takim me specialistët e institutit (1998), ne ja bëmë të qartë se vendburimet ekzistuese të naftës nuk duhet të jepen me konҫesion, por të qëndrojnë shtetërore dhe nën administrimin e Albpetrolit.

A i diskutoi qeveria socialiste termat e kontratës me specialistët e institutit dhe pse na del sot se ajo favorizon vetëm konçesionarin dhe shteti merr zero tatim mbi fitimin?

A ka Albpetroli apo qeveria kontroll të plot mbi treguesit e shfrytëzimit të vendburimit, sasinë e prodhimit naftës, gazit, sasinë e shitur, çmimet, shpenzimet apo investimet, fitimin bruto, neto, etj., dhe atë që merr konçesionari, apo bazohet vetëm në raportime? – Ajo abuzon në raportime.

Çfarë bëri Gjykata Fier dhe SPAK me dosjen Loni, që e denoncoi vet kompania Bankers Petroleum? apo u mbyll nga drejtësia si gjithë dosjet e korrupsionit?, a është ky një rast i shkëputur apo pjesë e një rrjeti mafioz korrupsioni? – Është një rrjet mafiozësh korrupsioni.

Në këtë rrjet korrupsioni, a ka ish apo deputet dhe politikan të lartë deri pranë k/ministrit, qeveritar në nivele drejtuese të ndryshme apo drejtues të lartë shtetëror, doganier, gjyqtar apo prokuror që vjedhin bashkë me Bankers Petroleum gjithë fitimin që duhet të merrte shteti?

Si zbatohen termat e kontratës gjatë shfrytëzimit, për mbrojtjen e ambientit, detyrimet, etj.?, ka shkelje apo mosrealizime, falsifikime, mashtrime, etj.? dhe në se ka çfarë masash ndëshkimore financiare apo penale kanë dhënë organet përkatëse dhe qeveria? – Asnjë masë ndëshkimore.

Pse qeveria Rama para pak vitesh i fali Bankers Petroleum dëmet financiare prej 104 milion dollar që evidentoi KLSH lidhur me falsifikimet e kompanisë? – apo prekej fitimi hajdutëve?

Pse Bankers Petroleum, prej 17 vite, nuk paguan tatim mbi fitimin në shtet, del me humbje apo ka gabime në termat e kontratës? – Sigurisht ajo punon me fitim, ndryshe do kishte ikur me vrap.

N.q.se kompania Bankers Petroleum raporton zyrtarisht se “punon me humbje”, pse nuk e detyron qeveria atë të deklarojë zyrtarisht falimentimin dhe sipas ligjit ti heq liҫencën? dhe të rishtetëzoj vendburimet? – kjo është procedurë standarte dhe duhet zbatuar.

A përbën pohimi zyrtar i kompanisë, se “punojë me humbje”, një term të kontratës që e detyron atë të zbatohet ligji për falimentim dhe në rast se ajo nuk pranon, pse nuk ndërhyn qeveria sipas ligjit? – Ky është abuzim i rënd dhe asaj duhet ti hiqet menjëherë liçenca.

E njëjta situatë është dhe me kompanitë që operojnë vendburimet tjera të naftës, si në Visokë, Ballsh-Hekal, Cakran-Mollaj, Gorisht-Kocul, që prodhojnë naftë dhe paguajnë zero tatim mbi fitimin, atëherë çfarë mendon qeveria për të zgjidhur këtë problem korruptiv shtetëror, tepër shqetësues për ekonominë dhe mirëqenien e popullit? – Qeveria vetëm hesht dhe nuk prononcohet.

Këto gabime tepër të rënda dhe të qëllimshme, të qeveritarëve me pasuritë natyrore, që i japin me konҫesion tek kompani, që vetëm prodhojnë naftë, por nuk paguajnë detyrimet dhe abuzojnë me kontratën, është një rast shumë i rrallë në botë, atëherë pse nuk i denonconi tek drejtësia? dhe pse qeveria nuk i pezullon atyre kontratën dhe vendburimet t’i marrë në pronësi Albpetroli? – dhe shteti s’ka punë me arbitrazhin, apo qeveritarët përfshihen në këto skema korrupsioni?

Në kushtet kur shteti nuk merr fitim nga kjo pasuri natyrore, pse i jep ato me konҫesion dhe pasuron kompanitë konçesionare?, kur mund ti rezervoj ato për ti shfrytëzuar në një periudhë tjetër kur ato të sigurojnë fitim për ekonominë kombëtare.

Pakë më shumë histori, por që është tepër tronditëse, sepse ka ndodh menjëherë pas dështimit spektakolar me konçesionet në vendburimet ekzistuese të naftës: Kompania Stream Oil and Gas, pasi shfrytëzoi barbarisht për rreth 10 vjet vendburimet CakranMollaj, Ballësh-Hekal, Gorisht-Kocul dhe Delvine, pa bërë asnjë investim dhe pa paguar detyrimet kontraktorëve, Albpetrolit dhe shtetit, por vetëm vodhi naftë, gaz, la pas ca borxhe dhe u largua duke i shitur ato, sikur ishin pronë e saj, tek kompania amerikane Transatlantik Petroleum, Ltd, e cila menjëherë i shiti ato tek një kompani offshore fantazmë, e cila falimentoi dhe vendburimet Cakran-Mollaj, Ballësh-Hekal dhe Gorisht-Kocul i mori kompania Albpetrol. Ky ishte rasti ideal që këto pasuri shpëtuan nga kthetrat e konçesionarëve grabitqar dhe shkuan për të shpëtuar kokën tek shteti i tyre, por menjëherë sikur nuk kishte ndodh gjë fare, pa mësuar nga dështimet, ministri Damian Gjiknuri, i dha ato menjëherë me konҫesion tek oligarkët e tij, me të njëjtën kontratë dhe tani loja vazhdon, ata raportojnë se “punojnë me humbje” dhe s’paguajnë detyrimet, njëlloj si Gjigandi Hajdut Shqiptar, Bankers Petroleum.

Përsëri edhe disa pyetje për ish-zv/kministrin Erion Braçe:

Këto vendburime i shfrytëzonte Albpetroli, atëherë pse ministri Gjiknuri i dha me konҫesion, pa analizuar dhe korrigjuar gabimet në kontratë? apo daroviti oligarkët dhe u bë partner me ta?

Në rastin që kompanitë konçesionare, ligjërisht sipas kontratës janë thjesht operator, pse lejohen të shesin vendburimet tek analogët e tyre sikur janë pronar dhe qeveria i miraton pa bërë asnjë ndryshim në kontratë, duke e ditur që këto kontrata kanë dështuar plotësisht? apo sa her ndërrohen pronarët, qeveritarët favorizojnë oligarkët e tyre? – dhe me siguri bëjnë ortakëri me ta ose marrin ndonjë ryshfet të mirë nën dorë, çfarë mendoni Ju?

Cili ishte qëndrimi Juaj dhe qeverisë Tuaj z. Braҫe kur janë bërë gjithë këto allishverishe me këto vendburime?, i aprovuat dhe firmosët apo i kundërshtuat? dhe pse s’kërkuat që ato të rishtetëzohen si rruga më e mirë ose në rastin më pak të keq të fillonte procedura e konkurrimit me kompani serioze, me eksperiencë, me kapital investues dhe pastaj të jepeshin me konҫesion me kontrata që favorizojnë shtetin shqiptar?

Cili është qëndrimi Juaj për këto shkelje flagrante të ministrit Gjiknuri, që fali këto pasuri si me qenë pronar i tyre? apo Partia Socialiste e daroviti duke e bërë prapë deputet dhe sekretar të përgjithshëm të saj? – dhe pse nuk e denoncoi atë tek SPAKU?

A ka bërë Qeveria ndonjë analizë mbi dështimet në konçesionet e vendburimeve të naftës dhe kërkimet e reja?, ku të evidentoj gabimet në kontrata, shkaqet, pasojat teknike-ekonomikefinanciare, etj., në mënyrë që këto të mos përsëriten më apo të parandalohen në të ardhmendhe organet drejtuese të marrin përgjegjësi ligjore në rast dështimesh? – Nuk e ka ndërmend fare! Fakti që në programin e qeverisë Tuaj të re nuk është përmendur fare nafta, si një degë e rëndësishme e ekonomisë, këtë tregon!

Çfarë do të ndodh kur kompania operatore konçesionare Bankers Petroleum dhe të tjerat, të përfundojnë kontratën 25 vjeçare? qeveria do ti shtojë dhe 5 vite të tjera për të operuar vendburimet siç është lënë hapur në kontratë? apo do të ndërpresë atë dhe do të rishtetëzoj ato nën administrimin e Albpetrolit? apo do ti rinovojë përsëri kontratën për të vazhduar më tej? – apo me siguri do tja fali ato shpurës së hajdutëve që janë strukur pas konçesionarëve? – Ato ligjërisht duhet ti kthehen Albpetrolit, shtetit, pa kompensim.

Pse qeveria nuk bënë transparencë para popullit për këto dështime dhe korrupsionin dhe pse nuk kërkon një hetim të plot nga organet e drejtësisë? Nuk i di apo me siguri nuk do? – Nuk do. Ka zëra se çifti Arian Tartari-Sotirios Kapotas, pasi dështuan me kompaninë Stream Oil and Gas, kanë regjistruar kompani me emër tjetër dhe qeveria i ka dhënë prapë me konҫesion vendburim naftë, është e vërtet? – Ligjërisht kompanitë e falimentuara dhe që kanë borxhe me shtetin apo kontraktorët duhen çuar para drejtësisë dhe jo të futen përsëri në këtë biznes.

Zoti Erion, analiza e fakteve tregon se në katrahurën e konçesioneve në vendburimet e naftës, nuk është përfshirë vetëm opozita (PD+LSI), ato kanë përgjegjësinë e tyre, por aty është zhytur me kokë dhe qeveria aktuale, prandaj deklarata Juaj “QË NE JEMI TË DETYRUAR TI ZBATOJMË DERI NË FUND”, është e gabuar dhe spekulative – kompanitë e kanë firmosur vet zgjidhjen që kur pohojnë se “punojnë me humbje”, por këtë nuk e do kupola politike (PS-PD-LSI), sepse ato vjedhin bashkë me konçesionarët, prandaj këto që diskutoni Ju dhe që shkruajmë ne janë kot, se ata nuk tremben mbasi financiarisht janë të fuqishëm dhe të sigurt,se i mbron oligarkia financiare kriminale dhe drejtësia, ndërsa nga ana morale nuk ju bënë përshtypje kur i quajnë të korruptuar, por e kanë për nder, gajasen dhe zbaviten me njeri tjetrin. E fundit për të gjithë lexuesit, naftëtarët dhe drejtësinë, a janë këto indicie për SPAKUN dhe BKH?

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura