Tiranë, 21 shkurt 2019: Në 21 Nëntor 1992 u organizua në Muzeun Historik Kombëtar një Konferencë Shkencore për Gjuhën Letrare Shqipe. Tagrin e organizimit e kishte Akademia e Shkencave të Shqipërisë, por në të vërtet Konferenca ishte e hapur për shumë studiues linguistë ose jo të tillë për të diskutuar mbi temën e të ardhmes së gjuhës letrare, bazuar mbi një kriticizëm jo aq filologjik sesa politikë për mënyrën sesi u arrit tek konstruktimi real i gjuhës letrare, i zyrtarizuar në mënyrë universale në Kongresin Gjuhësor për Gjuhën Letrare shqipe në vitin 1972. Kuptohet që Konferenca e vitit 1992 nuk kishte kompetencat e një vendimmarrjeje për ta zhbërë atë që u bë ose u konfirmua 20 vjet më parë në 1972.
Konferenca Gjuhësore e vitit 1992 u formësua dhe pati kontributin e një kundërvënieje konceptuale për Kongresin Gjuhësor 1972.
Ky ishte qëllimi i hapur, ose edhe i fshehtë i shumë prej gjuhëtarëve, të cilët përkrahën tezën absurde se gjuha letrare shqipe është një deformim, i imponuar nga diktatura dhe realizuar thjesht me urdhrin politik të Enver Hoxhës.
– Për disa nga idhëtarët kokëmykur të kriticizmit të gjuhës letrare shqipe arritën të artikulojnë pseudotezën se gjuha letrare shqipe jo vetëm nuk është një arritje emancipuese dhe një atribut i perspektivës është gati një “kundër- revolucion gjuhësor”, një totalizim i toskërishtes “komuniste” kundër gegërishtes “antikomuniste”. Eshtë e paimagjinueshme të mendosh se ku arrinte fantazmagoria e seperatistëve që e mbanin veten si dijetar, ose filologë.
Ky arsenal urrejtjeje dhe idiotësie buronte edhe nga një libër i studiuesit Arshi Tipa i cili realizonte procesin e gjuhës letrare shqipe si një “Stalinizëm gjuhësor” si një diktaturë mendore e veçantë dhe një fatkeqësi e pashembullt e shkrimit të gjuhës shqipe.
Në shumicën e diskutimeve që u bën në 21 Nëntor 1992 në sallën e madhe të Muzeut Historik Kombëtar ra në sy një vrull i paparë, me një entuziazëm arkaik, madje dhe të një kënaqësie perverse për ta shpallur gjuhën kombëtar shqipe si një gjuhë të dështuar plotësisht, madje si një gjuhë reaksonare që duhet anulluar dhe zëvendësuar nga një gjuhë tjetër, që duhet të jetë “Gjuha demokratike e së Ardhmes” kundër “komunistizimit të gjuhës letrare shqipe”.
Asnjëherë nuk ka ndodhur që të jem i pranishëm në një tubim, të ashtuquajtur shkencor për të dëgjuar marrëzira kaq të skajshme dhe butaforike siç më ra rasti për të dëgjuar.
Në atë kohë unë isha Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar. Në 22 Mars 1992 në zgjedhjet parlamentare unë kisha fituar si deputet i PS-ës, por nuk e kisha ndërprerë punën si Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar.
Me të drejtë pas kësaj ngjarjeje të Konferencës Gjuhësore, i dyjëzuar midis punës në Muze dhe deputetit, përfundimisht zura vendin tim, me një vonesë disa mujore,- në Kuvendin e Shqipërisë. Por kjo hollësi nuk ka shumë rëndësi.
Ajo që është e paharrueshme për mua është fakti se në këtë Konferencë të vitit 1992, ishte i ftuar edhe gjuhëtari i madh shqiptar i Kosovës, i mrekullueshmi dhe i jashtëzakonshmi Idriz Ajeti.
Para fillimit të Konferencës e prita Idriz Ajetin në zyrën time.
Ishte hera e parë që e takoja.
Idriz Ajeti me dinjitetin e tij proverbial me fjalët e sakta dhe kuptimet e qarta mëbëri një përshtypje që e kam të thandrruar në kujtesë.
Në bisedë i thashe Idriz Ajetit ,se ai është gjuhëtari i vetëm shqiptarë në kohëra që ka bërë një akt epokal.
Idriz Ajeti në një Konferencë Gjuhësore të Prishtinës në vitin 1968, plot katër vjet më para të Kongresit Gjuhësor të Tiranës për Gjuhën Shqipe Standarte ne 1972, së bashku me kolegët e tij të nderuar me një largpamësi të admirueshme dhe të pashembullt, mbështetën idenë të cilën e vunë zyrtarisht në praktikën zbatuese në të gjitha mediat dhe sistemin arsimor të Kosovës që të pranonin variantin e përparuar të gjuhës letrare shqipe që praktikohej gjerësisht në Republikën e Shqipërisë.
Ky akt madhështor është një nga fitoret më të mëdha mendore të kombit shqiptar.
Asnjëherë nuk ka ndodhur një gjë e tillë më parë. Asnjëherë nuk ka patur një akt të tillë vendimor në një kuptimshmëri kaq të lartë.
Idriz Ajeti është arkitekti i njësimit të pashmangshëm gjuhësor të variantit të gjuhës letrare ,-përpara sesa të bëhej standardizimi i saj në vitin 1972.
Teza e së njëjtës gjuhë letrare pavarësisht kufijve ndarës politikë të kohës është një tezë madhështore e njehsimit mendor dhe shpirtëror të kombit shqiptar.
Në këtë kuptim ekzistencial dhe futuristikë, në këtë epistomologji kombëtare Idriz Ajeti është dhe mbetet një Paraprijës i Madh se madje mund ta metaforizojmë Maratonomak të Gjuhës Letrare Standarde Shqipe.
Po në 21 Nëntor 1922 unë isha pranë Idriz Ajetit dhe isha dëshmitar sesi u shqetësua ai duke dëgjuar marrëzitë erazmike të separatistëve gjuhësor dhe mohuesve donkishotestë të gjuhës letrare shqipe.
Në pushimin e seancës së parë të diskutimeve Idriz Ajetin e zuri një krizë zemre.
Ai u shqetësua aq shumë sa nuk mund të thuhej dot.
Unë e ndihmova Idriz Ajetin për të pushuar në një nga kolltukët e zyrës time, ku ai u qetësua më në fund.
Ky është kujtimi im për Idriz Ajetin.
Takimi im i parë dhe i fundit me të.
Padyshim që unë i kam studiuar librat e tij dhe kam përmendur dhe herë të tjera si albanologun e madh dhe njëkohësisht balkanolog që së bashku me Eqerem Cabejin janë skalitur në histori si një Dyshe e Mrekullueshme Dijetarësh të papërsëritshëm.
Në 13 Shkurt 2019 mbylli sytë, në moshën 102 vjeçare (gati një moshë biblike) Idriz Ajeti.
E kam dëgjuar me dhimbje të madhe por natyrisht jeta e tij e gjatë është më e rëndësishme sesa vdekja e tij.
Padyshim që me rastin e vdekjes Idriz Ajetit iu bëne disa nderime.
Por unë kam pritur më shumë.
Kam pritur që Akademia e Shkencave të Shqipërisë apo edhe Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave (ku dhe unë bëj pjesë) të bënte shumë më tepër për të shprehur jo thjesht ngushëllimet por për ta lartësuar dhe iluminuar më shumë ashtu siç e meriton këtë kryefigurë te kulturës dhe të qytetërimit gjuhësor të shqipes dhe të kombit.
Për ta bërë më të plotë dëshminë time, apo edhe më semantike dhe publike historicitetin e kësaj dëshmie po ribotoj më poshtë diskutimin tim që mbajta në atë Konferencë kaq të çuditshme por dhe të dështuar që nuk ia arriti qëllimit ogurzi për të bërë një “përmbysje”dhe për ta shfuqizuar si me një urdhër alkimik magjistarësh të Gjuhës Standarde që gjallon dhe zhvillohet (padyshim që zhvillohet) ende dhe sot dhe që besoj se do të emancipohet dhe pasurohet më tej si një gjuhë letrare e së ardhmes.
Ja teksti i plotë i diskutimit tim:
***
Gjuha letrare mbishquhet kombëtare, sepse është mbidialektoriale.
Kjo është një e vërtetë e pakundërshtueshme dhe universale, që dhe afirmon, po edhe mohon. Ose do ta pranojmë këtë të vërtetë, ose ajo nuk do të na pranojë vetë ne. Nuk ka asnjë zgjidhje ekuivoke.
Rregulli ekletik “edhe ashtu” “edhe kështu” nuk ka asnjë vlerë.
Zgjidhja historike tashmë është bërë.
Qe një proces jashtëzakonisht interesant dhe i gjatë, i cili dilemat hamletiane të gjuhëtarëve dhe dualizmin e tyre i ka përcaktuar me një rezultat të gjallë të një rëndësie epokale. Kombi shqiptar duke qenë prej kohësh një realitet de fakto ende nuk është një realitet de jure. Kjo është një kontradiktë tragjike. Në kuptimin e realizimit të vetvetes gjuha është simboli dhe thelbi më i pazëvendësueshëm i kombit, paraqitet si një e ardhme strategjike, madje si kushti më i parë dhe më substancial i njësimit politik të kombit.
Fitorja e gjuhës është e jashtëzakonshme nga të gjitha pikëpamjet e perspektivës së rrëzimit të “murit të Berlinit”, midis pjesëve të kombit kaq tragjikisht i ndarë e bile midis dialekteve kaq shumë të diskutuar. Gjuha ka paraprirë si marathonomaku nolian në të tëra tryezat e gjelbra diplomatike, e pakundërshtueshme, tepër serioze dhe e denjë në mesazhin e unitetit të tij.
A thua do ta shkatërrojmë me duart tona këtë kryeargument ekzistencial?
A thua do të teorizojmë edhe për gjuhën “Kohën Zero”? Nuk e di a ka për kombe të tjera të kontinentit evropian ose të botës “teori” të destruktimit siç ka për shqiptarët.
Shqiptarofobia është kthyer në mit politik, madje në gjenocid.
Akademikë të ndryshëm të huaj, publicistë, politikanë etj, janë rrekur të formulojnë dhe të shpallin teorikisht mosekzistencën reale të kombit shqiptar, primitivitetin e tij të kultivuar. Nga ana e mirëfilltë shkencore, këto teza groteske, nuk vlen të merren seriozisht. Nga ana politike ato kanë shkaktuar paragjykime jashtëzakonisht të dëmshme që vijojnë të birësojnë jehona e edicione të sofistikuara. Gjuha letrare shqipe ka qenë dhe është më shumë se kurrë një modus vivendi për të mos qenë kurrë një modus moriendi.
Mendimi metodologjik i Herman Pault se “ nuk ka gjuhësi pa historicizëm”, na ndihmon që ta kuptojmë procesin, të diskutojmë, madje edhe të kritikojmë gabimet, por jo ta mohojmë atë. Kjo është e pamundur. Kthimi në policentrizmin dialektor sot është një paradoks, ashtu si kthimi pas në kohë e një të rrituri në gjendjen e një fetusi, e bile, më skajshëm në formën e hormoneve te prindërit që para konceptimit të fëmijës. Faik Konica e quan dallimin midis toskërishtes dhe gegërishtes, jo të rëndësishëm, e citon një autoritet të shquar të filologjisë indo-gjermane dr. Holger Pedersen, profesor në universitetin e Kopenhagës, i cili ka shkruar se “gjuha shqipe është një gjuhë e vetme, nëse nuk i marrim në konsideratë disa dallime të vogla të dialekteve”.
Mua më çudit se si sot trajtohet në shtyp nga disa, çështja e dallimit midis toskërishtes dhe gegërishtes, duke ulëritur për një gjenocid gjuhësor të toskërishtes mbi gegërishten etj. Integriteti i gjuhës është integriteti i kombit, nuk mund të kemi dy kombe shqiptare brenda një kombi. Nuk ka pasur dhe nuk ka në gjuhën shqipe një kodifikim oruellian si instrument totalitar politik. Sado të ndikojë politika, gjuha është diçka krejt tjetër një entitet tepër i fuqishëm që i tejkalon tërë politikat, mbijetues, sfidues deri në fund.
“Zhvillimi i gjuhës, ka shkruar prof. Çabej, karakterizohet nga një proces i dyfishtë: me një anë thjeshtimi i sistemit gramatikor, thjeshtimi progresiv, me anë tjetër pasurimi i elementëve të leksikut… pasuria gramatikore nuk është shenjë kulture. Ajo është një shenjë e gjendjeve primitive të gjuhëve”.
Diskutohet kaq shumë për paskajoren, infinitivin. Të jetë apo të mos jetë? Nuk e vendosin gjuhëtarët, e vendos vetë gjuha. Pyes sikur të jetë, ose të mos jetë mos vallë me këtë gjë humb apo fiton ndonjë gjë të madhe gjuha e mbartësit të saj? Nëse Lasgush Poradeci nuk e përdor infinitivin, mos do të thuhet se gjuha e tij është e varfër ose, se talenti iu zvogëlua? Pothuajse të gjithë shkrimtarët aktualë etnikë kudo që janë, me ndonjë përjashtim, shkruajnë në këtë gjuhë normative. Pra, është krijuar një korpus fondamental me kryevepra i gjuhës shqipe. A mund të mohohet kjo gjë? A mund të bëhemi sizifianë duke dialektizuar shkrimet e botuara? Mos vallë duhet të kthehemi në abetaren toske dhe abetaren gege, duke i instrumentalizuar në një absurd të dyfishtë dhe mjetet e mas medies?
Që në 1555 Gjon Buzuku, ky patriark i letërsisë sonë synon një koine të gjuhës, një njësim normativ. Shkrimtarët e tjerë që vijnë pas tij, siç e vëren Çabej për Budin dhe Bogdanin, për arsye të thellimit të dallimeve krahinore nga pushtimi osman janë më dialektorë, ndonëse nuk kapërcejnë nga vija kryesore e aksionit madhështor gjuhësor të Buzukut. Alternativa e shkrimtarëve që duan të shkruajnë në gegërishten letrare nuk është e mohuar.
Po këto aspekte nuk e përmbysin faktin, pikërisht të rritjes së mëtejshme të forcës autoritative të gjuhës së njësuar dhe mundësive të saj të paskajshme në të gjitha pikëpamjet. Në fund të shekullit XIX Naim Frashëri dhe Faik Konica në gjysmën e parë të shek XX, me fuqinë e tyre konceptuale të jashtëzakonshme nisën institucionalizimin e gjuhës së përbashkët letrare. Noli dhe Lasgush Poradeci krijuan kulme të papërsëritshme të kulturës gjuhësore e të shprehjeve të saj. Shkrimtarët që përmenda më sipër, në fakt nuk vepruan sipas traktateve gjuhësore. Ata e ndjejnë në qenien e tyre tendencën e natyrshme të zhvillimit gjuhësor. Unë mendoj se shkrimtarët, pavarësisht nga gjuhëtarët do të arrinin më përpara në këto vetëdije e rezultat madhor. Ata qenë më të lirë nga komplekset teorizuese të pafundme e shpesh shterpë që ngërthejnë gjuhëtarët. Gjuhëtarët nuk kanë pse të kenë xhelozi për këtë rol dhe aktin e shkrimtarëve, ata mund dhe duhet të jenë krenarë për atë që bënë dhe po bëjnë shkrimtarët. Gjuha normative bëhet më e thjeshtë, po kjo po e shton se tepërmi fuqinë saj komunikatave, në hapësirë e në kohë. Nga ana tjetër gjuha normative nuk e pakëson, por e shton pafundësinë e formulave të saj të brendshme gjuhësore, estetike e shprehëse, të metaforizmit të pafund. Gjuhën e flet individi po e gjeneralizon kolektivi në këtë marrëdhënie të shumëfishtë gjuha gjallërohet, pasurohet. Pra, gjuha është më shumë një energeia se sa ergon, ky është dhe boshti i filozofisë së gjuhës sipas Humboldit. Kalimi nga faza dialektore në fazën e gjuhës së njësuar është një ndryshim kopernikan.
Gjuha letrare kombëtare e ngjashme me emblemën tonë vetëm na bashkon.
Askush nuk ka dyshuar, se nga kjo shqiponjë e shenjtë heraldike, duke e ndarë do të krijoheshin dy shqiponja më vete. Ajo është vetëm një dhe do të mbetet vetëm një.
Në shekuj.
Në Ardhmëri. (Tiranë, më 21 nëntor 1992)