PROF.DR.AGIM ZOGAJ: KURTHET E REJA TË SERBISË!

Prishtinë, 5 mars 2019: Të gjithë ata të cilët e njohin historinë e politikës së Serbisë kundrejt shqiptarëve, e kanë të qartë se, diplomacia serbe vepron me shumë alternativa, dhe se, gjithnjë qëllim kryesor e ka fitoren me çdo kusht, pra qoftë edhe me lojën e kurtheve politike. Kjo, edhe për faktin se, politika, sidomos diplomacia serbe nuk njeh moral, nuk njeh etikë, nuk njeh korrektësi, e aq më pak është e mëshirshme! Pra, nëse ekziston ndonjë fushë, ku më së miri aplikohet filozofia makiaveliste, atëherë ajo është fusha e politikës. Ajo fushë, prore është e hapur, është shesh i ballafaqimit të strategjive, për ngadhënjim ndaj kundërshtarit, rivalit. Në këtë kuptim, tonet e porosive politike që na vijnë nga Serbia na e ri dëshmojnë me saktësi matematikore të vërtetën për prapaskenat e kurtheve politike të Serbisë.
Javën e kaluar, me një propagandë të veçantë mediatike, gjithsesi të stërmadhuar nga vetë aktorët e Brukselit zyrtar, filloi raundi i dialogut midis delegacionit të shtetit të Kosovës dhe delegacionit të shtetit fqinj, Serbisë. Organizatorët, por edhe vetë aktorët e takimit të parë, bën gjithçka që të krijojnë opinionin politik sikur, po dialogohet vetëm për çështje teknike, të cilat çështje gjoja se nuk kanë edhe reflektime politike. Ky lloj mashtrimi optik, pra, edhe në rrafshin politik është i ditur dhe, në rastin e takimit përkatës nuk është asgjë e jashtëzakonshme. Serbia, sidomos përfaqësuesit e saj në takim dhe pas tij, u shfaqën tepër të vendosur se, fjala është për tema teknike dhe se, as që do të ketë ndonjë reflektim të koncepteve politike që do të mund të ndërlidhej me çështjen e statusit. Serbia , prore është ajo që ishte dhe që do të jetë, pra, duke e lëvizur diplomacinë e vetë me sa më shumë alternativa dhe prapaskena. Pikërisht, kur ishim në euforinë e psikologjisë propagandistike se, kësaj radhe Serbia do të jetë më e urtë, më bashkëpunuese dhe më “e fjalës”, zëvendëskryeministri serb, Bozhidar Gjeliç në një prononcim të gjatë për “EurActiv” paralajmëroi se Serbia po përpiqet të gjejë, siç e theksoi, “ një zgjidhje kreative” për problemin e Kosovës para anëtarësimit në BE. Me këtë rast, nuk është parësor vetëm fakti se cila na qenka ajo zgjidhje serbe, por, për më tepër si u bë që vet udhëheqësit më të lartë të Serbisë dolën nga marrëveshja dhe e thyen premtimin se sipas tyre, gjatë dialogut, nuk do të bisedohet për çështjen e statusit të Kosovës. Fjala e zëvendëskryeministrit serb, Gjeliq, për gjetjen e një “zgjidhje kreative” për problemin e Kosovës do të thotë se Serbia, krahas “dialogut teknik”, është e vendosur që, çështjen e statusit të Kosovës ta lëviz, ta shtrojë kudo që ajo mundet. Pra, ne mund të dialogojmë me Serbinë, qoftë edhe për çështje teknike, por, sipas Beogradit zyrtar çështja e statusit është temë e hapur! Edhe më qartë, kjo do të thotë se Beogradi zyrtar i ri shfaq hapur pretendimet territoriale ndaj shtetit të Kosovës. Zyrtari i lartë serb shkon edhe më tutje dhe deklaron se:” Modeli i Hong – Kongut është një mënyrë për ta zgjidhur këtë çështje”. Ai e përmend edhe “ Sistemin e dy Gjermanive”. Pastaj, Gjeliq shpjegon se këto dy modele janë “ Një kompromis…pa e rrezikuar integritetin territorial të Serbisë”!

Zëvendës Kryeministri i Serbisë Bozidar Xhelic

Ai e pranon se, “dialogu teknik” , Serbisë i nevojitet për ta bërë edhe një hap drejt marrjes së statusit kandidate për anëtarësim në BE. Por, nga ana tjetër, Gjeliq na e ri kujton faktin se, Serbia, pra, edhe pas marrjes së statusit të kandidatit për anëtarësim në BE do të vazhdojë lojën e vetë me Kosovën, siç thuhet, duke gjurmuar për “zgjidhje kreative”. Sot, sipas Gjeliq dhe Beogradit zyrtar ajo zgjidhje na qenka “ Modeli i Hong Kongut” ose, “ Sistemi i dy Gjermanive”, por një zot e di se, çfarë zgjidhje tjetër, alternative Serbia do të ofrojë pasi ta merr statusin e kandidatit për BE. Një gjë është e qartë, me këtë paraqitje propagandistike të Gjeliqit dhe gjeliqve tjerë serbë, ndër të tjera Beogradi zyrtar synon për të devijuar vëmendjen nga thelbi i mendimit ( Vendimit – A. Z ) të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë i cili qëndrim ishte në favor të legjitimimit ndërkombëtar të shpalljes, themelimit të shtetit të Kosovës.
Sidoqoftë, edhe për kundër asaj se, asnjë dialog me Serbinë, i cilit do nivel të jetë më nuk mund ta shtrojë çështjen e statusit të Kosovës, përpos çështjen e njohjes ndërkombëtare të shtetit tonë nga ana e Serbisë, janë të kuptueshëm zërat kritik në politikën e Kosovës, për kujdesin e vazhdueshëm në qasjen e diplomacisë sonë në raport me Serbinë. Përballë e kemi shtetin fqinj, Serbinë e cila vazhdon të ngrit kurthe të reja politike me qëllim të destabilizimit të situatës së rendit dhe të sigurisë në shtetin tonë. Ky nuk është i vetmi qëllim i saj dhe këto, nuk janë të vetmet kurthe politike të Serbisë së sotme, të drejtuara ndaj Kosovës dhe në radhë të parë ndaj çështjes shqiptare. Na presin shtrëngata politike, ndërkohë që Serbia po pretendon me çdo kusht fuqizimin e saj në politikën rajonale. Nga ana tjetër, ne jemi të vendosur që përballë iniciativave diplomatike të BE-së të jemi maksimalisht bashkëpunues, duke qenë të vendosur në mbrojtjen, me çdo kusht të sovranitetit dhe integritetit territorial të secilës pëllëmbë të shtetit të Kosovës.
(Autori është profesor i Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës. Kjo analizë është botuar më 2010)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura